Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Filozofi / Kulturë

KTHIMI I AUTORIT

Në totalitarizëm, ishim mësuar që autorit të na manifestohej nëpërmjet veprës: lexonim romanet Përballimi dhe Përsëri në këmbë, por nuk dinim asgjë për jetën e Teodor Laços a të Dhimitër Xhuvanit. Regjimi na kish mësuar me idenë se jeta e autorit, në çdo rast, nuk kish lidhje me veprën e tij dhe, sidomos që në jetën e autorit nuk kish asgjë me interes për publikun. Kjo sa kohë që autori ekzistonte si autor – meqë në momentin që i shkiste këmba dhe rrëzohej politikisht, i rrëzohej edhe vepra dhe i mbetej vetëm emri, në trajtë kujtimi. Presupozimi këtu ishte se autorët e Realizmit Socialist e kishin biografinë të mirë me përkufizim, ndërsa tek autorët e tjerë (ata “me kufizime”) balanca gjithnjë anonte nga pozitivja dhe progresistja.

Nuk duhen aftësi të mëdha vrojtimi, për të kuptuar se sot priret të ndodhë e kundërta: gjithnjë e më shumë njerëz njohin autorin, gjithnjë e më pak njerëz veprën. Dhe autorin e njohin nëpërmjet narrativës së tij personale – biografisë ashtu siç e tregon dhe e ritregon ai, miqtë edhe armiqtë e tij dhe mediat në përgjithësi. Edi Ramën të gjithë e dinë që është piktor, por shumë pak ia njohin veprën. Të qenët e tij piktor pothuajse nuk lidhet me ndonjë vepër specifike – për të parafrazuar Roland Barthes-in, për të, në sytë e publikut, të pikturosh do të ishte folje jo-kalimtare.

Këtë po e shfrytëzojnë bukur disa personazhe të show business-it, sidomos të fushës së muzikës së lehtë, fotomodelimit dhe prezencës televizive, të cilët i japin publikut për konsum “jetën” e tyre – ka faqe mediash që janë specializuar në lajme për lidhjet e tyre, afrimet dhe ndarjet, flirtet dhe xhelozitë, fejesat dhe shfejesat. Në një kohë që autorë nga fusha të tjera të artit dhe kulturës – si letërsia, filmi, teatri – ose kanë mbetur në hije, ose përpiqen të ruajnë një protagonizëm televiziv, ose të gjëllijnë nga një polemikë në tjetrën.

Ideja folklorike, se një autor i madh duhet të ketë edhe jetë “të madhe”, po besohet nga një masë e madhe e brezit të ri, të mësuar tashmë me mbizotërimin e emrave të përveçëm në rrjetet sociale, që nga influencers, te opinion makers; pavarësisht nga arsyet që i kanë sjellë disa autorë në qendër të vëmendjes, kjo vëmendje tashmë fokusohet në atë çfarë këta bëjnë ose kanë bërë me jetën e tyre, jo në veprën e tyre. Biografia artistike e dikujt, ose historia e veprave të tij, vjen e zbehet përballë biografisë së tij publike, ose aktrimit të tij në skenën mediatike. Që një autor, bie fjala, të ketë pasur probleme me ligjin, ndikon më fort në perceptimin e tij publik se krejt vepra e tij si regjisor filmash policorë.

Vitet 1970 ishin edhe ato të “vdekjes së autorit” – por kush do ta besojë këtë sot, pas gjysmë shekulli? Do të ishte kollaj të flitet për “vdekje të veprës” dhe të barazohej autori, si krijues, me një celebritet çfarëdo, i cili e prodhon jetën e vet si të ishte kjo e fundit spektakël. Por më duket më e drejtë të flitet jo aq për vdekje të veprës, sa për shndërrim të biografisë publike në vepër; në kuptimin që jeta e një autori – sa më e komplikuar dhe kontroversiale, aq më mirë – jo vetëm të shihet si pjesë e veprës së tij, por edhe të analizohet nga kritika letrare, me metodat dhe kriteret që analizohet vepra.

Këtu le të mos harrojmë edhe të gjitha ato evente – të organizuara, të qëllimshme, të inskenuara – që shoqërojnë botimin, ribotimin ose gjithçka tjetër që i ndodh veprës: prezantimet, ftesat televizive, festivalet, panairet; dhe ku autori luan, para publikut, rolin e autorit, pa pasur ky rol ndonjë lidhje integrale me veprën. Ashtu publiku sërish vihet të konsumojë një figurë publike, duke harruar që kjo figurë, tek e fundit, ia detyron qenien e vet publike një vepre a koleksioni veprash të caktuar. Te një skicë e z. Shyti, që e pata shkruar enkas për t’u lexuar në prezantimin e librit përkatës në Tiranë, kisha sugjeruar – z. Shyti kish sugjeruar – që në këtë mes prania e veprës nuk është e domosdoshme; dhe se do të vijë një ditë kur të mblidhemi të celebrojmë një vepër fiktive, sa kohë që autori i saj është real. Ironikisht, ajo skicë që u lexua në prezantimin e librit, nuk ishte përfshirë në libër – por këtë nuk kish nga ta dinte njeri veç meje.

Kjo do të thotë edhe – shtëpitë botuese dhe producentët në përgjithësi e dinë këtë më mirë se të tjerët – se jeta e një autori të suksesshëm ka objektivisht nevojë të kuratohet, dhe nuk mund të lihet më thjesht “të ndodhë”, siç ishte vepruar deri vonë; është tepër e çmuar, për t’ia lënë në dorë fatit, ose libero arbitrio të individit. Dhe që këtej, fare logjikisht, se jeta e një autori, tashmë pjesë e veprës e tij, madje shpesh si më e madhja vepër mes veprave, mund të editohet njëlloj siç editohet edhe vepra. Na kanë shpjeguar, ndonjëherë me qartësi të frikshme, se autori është në të drejtën e vet që ta ndryshojë veprën e vet të shkuar ashtu siç i duket e udhës; herët a vonë, do të na shpjegojnë se autori është në të drejtën e vet që ta ndryshojë edhe jetën e vet ashtu siç do (çuditërisht, kjo e drejtë merr domethënie të re, në kontekstin e debateve të tanishme për transgenderism-in). Dhe këtu nuk po flas për retushim të biografisë – siç ka qenë bërë prej kohësh dhe do të bëhet; por për rikrijim të jetës, sipas të njëjtave kritere me të cilat mund të rikrijohet një vepër dhe gjithsesi, të themeluar mbi jetën e imagjinuar të autorit, i cili vjen dhe materializohet gjithnjë në bazë të këtij rimodelimi.

Autori, produkt i këtij redaktimi ekzistencial, nuk është i njëjtë me individin, qytetarin, subjektin me të njëjtin emër; ai duhet menduar, ndoshta, si një shtrirje a zgjatim (ekstension) i emrit të vendosur në kopertinë a në afishe të veprës; një mbushje a rimbushje me kuptim e një emri të përveçëm. Ata që flisnin për “vdekje të autorit”, nuk kishin si ta dinin se kjo lojë e tyrja do t’i hapte rrugë rikthimit të autorit, nga bota e përtejme, si lugat: mishërimi i një kategorie narratologjike a retorike, si një lloj ndjellje e “autorit të vdekur semiotik” në botën e këtejme. Jetojmë në një klimë kulturore spiritizmi, pa çka se nuk e kuptojmë gjithnjë.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin