Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

DO YOU COVID?

nga Giulio Mozzi

( “Teoria e pratica”, më 23 gusht 2020)

Përktheu Arben Dedja

(Titulli origjinal: Përse botuesve nuk u intereson ta lexojnë romanin tuaj mbi lockdown-in, në dhjetë pika)

  1. E-mail-in e parë me bashkangjitur një “roman mbi lockdown-in” e mora më 23 mars 2020. Italia e tërë kish vetëm pesëmbëdhjetë ditë që ishte shpallur “zonë e kuqe”. Pata një dyshim. Shqyrtova tekstin. Diç m’u kujtua. Bëra një kërkim të shpejtë në postën elektronike. Kujtimi doli me vend: e kisha lexuar një herë atë roman – pjesërisht, se më ish dukur tejet modest – më 2016-n. Natyrisht, atëbotë ishte pa virus e pandemi: fliste për një dyndje ujqish, të shumëzuar jashtë mase dhe pashpjegueshmërisht, kishin zbritur nga Apeninet për të vërshuar në Ultësirën Padane, duke i detyruar njerëzit të shtuposen nëpër shtëpira, ndërmarrjet të mbyllen, qeverinë të marrë masa të jashtëzakonshme, etjera. Zëvendësimi i një zhvillimi me një zhvillim tjetër nxjerr në pah, më duket, dobësinë e krejt operacionit. Me fjalë të tjera: ekziston një traditë e tërë rrëfimtare në të cilën një “shuplakë” e njëfarëllojshme e detyron popullsinë ta ndryshojë rrënjësisht jetën (letërsia fantastiko-shkencore është citë, për shembull, por nuk ta lënë mangut edhe romane mainstream: bie fjala, për të mbetur në Itali, “Sirene” i Laura Pugno-s: me vlera, ndër leximet e mia; manga “Eden” e Hiroki Endo-s; nga kinemaja më vinë ndër mend “12 Monkeys” i Terry Gilliam-it dhe “Contagion” i Steven Soderbergh-ut, por ka shembuj pa fund); por nuk është se duke marrë mekanikisht do shprehje rrëfimtare bajate mund të tregosh një përvojë kolektive. Rrëfimet e mëdha të murtajës aq shpesh të cituara këtyre muajsh (Thukididi, Lukreci, Boccaccio, Defoe, Manzoni, Camus) kanë një gjë të përbashkët: nuk janë marrje shprehjesh rrëfimtare bajate (as Lukreci që, me aq sa dimë, ka për burim të tij gati të vetëm Thukididin).
  2. Gjithsej, këta muaj, më kanë dërguar njëzet e tri vepra rrëfimtare (tetë romane dhe pesëmbëdhjetë ditarë, pakashumë të përpunuar) që kanë në qendër të tyre jetën gjatë të ashtuquajturit lockdown. Ndër tetë romanet, shtatë kanë strukturë të njëjtë: familja e një kërkuesi shkencor, e detyruar të ngujohet, me një përdorim intensiv të mjeteve teknologjike shumë elementare – kompiuteri i shtëpisë a diç më shumë – arrin: (a) të zhbëjë komplotin e dikujt, që pasi e ka krijuar virusin, e përhap atë artificialisht; (b) të shpikë një ilaç (ose zbulojë potencialin e një ilaçi të njohur) që e zgjidh shpejt e shpejt problemin; (c) të shpëtojë jetën e dikujt, në mënyrë të veçantë. Në gjashtë ndër këto shtatë romane nuk shtrohet fare pyetja si ka mundësi që një kërkues shkencor i specializuar, në vend që ta thërresin në laborator për të punuar, e lënë në shtëpi të dredhë zinxhirin: nuk punon as nga distanca. Në të vetmin roman ku kjo pyetje ngrihet, përgjigja është e vetëkuptueshme: shpikësi i virusit është shefi i protagonistit. I vetmi roman me një strukturë ndryshe ishte edhe më i lexueshmi: rravgimi i ngadalshëm nëpër një Milano të shkretë të një burri zbritur nga malet – ku kish gjetur strehë për të rifituar kuptimin e jetës. Ama, pas “I am Legend” të Richard Matheson-it dhe “Rruga” të Cormac McCarthy-it, bëhet pak e vështirë t’i bishtnosh krahasimit.
  3. Sa i përket pesëmbëdhjetë ditarëve, ata kanë problemin që janë të gjithë njëlloj. Rrëfejnë një përditshmëri plot frikë e ankth; gjashtë ndër pesëmbëdhjetë ritmohen nga konferencat e shtypit të përmbrëmshme të Mbrojtjes civile; njëmbëdhjetë ndër pesëmbëdhjetë i japin shumë hapësirë historisë ose historive të një apo më shumë bijve adoleshentë “që nuk e shtyjnë dot më”. Të gjitha ndërpriten në maj, me një ton shprese rrëzëllimtare, me rrëfimin e një daljeje, një shëtitjeje, një vizite te gjyshërit, etjera, diç që jep, ose mëton të japë, sinjalin e një ndryshimi, fundin e një frike. Në asnjë nga këto ditarë nuk rrëfehet sëmundja, në asnjë nga këto ditarë nuk është i pranishëm realiteti i saj. Epidemia ekziston sepse janë mjetet e informacionit që flasin për të. Asnjë nga të pesëmbëdhjetë ditarët nuk thellohet te koha e punës apo te shkolla në distancë: në njërin, bile, nuk arrija dot të kuptoj si ia bënin për të jetuar. E mirë: nuk do të rri të përmend këtu konsideratat e njohura të Primo Levi-t tek “I sommersi e i salvati”, por ndjesia e të lexuarit “kronika të epidemisë shkruar nga kush nuk merr vesh” më mbeti e fortë. Natyrisht, kemi të bëjmë me rrëfimin e një halli: të rrish tre muaj i mbyllur shtëpi-punë-pazar nuk është shaka; por të rrëfesh një përvojë që të gjithë e kemi bërë dhe e njohim për bukuri të gjithë duhet tjetër forcë. Tekefundit, ç’ka më dukej se u mungonte këtyre ditarëve ishte pikërisht rrokja e realitetit. Jo më kot gati të gjithë – trembëdhjetë ndër pesëmbëdhjetë – hapen me një faqezë hyrëse që shpjegon dhe ilustron sensin moral të krejt operacionit. E mirë pra: personalisht nuk kam asgjë kundër letërsisë edukative (Të fejuarit, romani im më i dashur, është letërsi edukative), por nuk ka pikë dyshimi që për të shkruar letërsi të mirë edukative duhet pasur ai virtyt që edhe vetë Benedetto Croce ia njihte Manzoni-t: “sinqeriteti”. Dhe mua, më vjen keq ta them, por këto ditarë më janë dukur të pasinqertë: në kuptimin që është e tillë dhe aq kokëfortë shtysa për të dhënë një “kumt moral”, saqë rrëfimi i pastër dhe i thjeshtë i fakteve kapërthehet krejt. Nuk ndodh asgjë që të mos epet, herët a vonë, në kuptimin e vet moral. Tmerr, në plot tre syresh, rrëfimi i rileximit të Ditarit të Anne Frank-ut: tmerr jo aq për pakrahasueshmërinë e situatave, sesa për mënyrën me të cilën kthjelltësia e mendimit – apo sinqeriteti – i Anne Frank-ut epet, për nevojat e asaj që mua më ngjan, tekefundit, siç thuhej njëherë e një kohë, një ndërgjegje false.
  4. Kur ia shtjellova një mikeshe, në telefon, konsideratat e pikës 3, më akuzoi si cinik dhe mizor. “Rrëfimet e patëkeq të njerëzve të thjeshtë kanë edhe ato të drejtën e qytetarisë”, tha. “Rrëfime të patëkeq”, “njerëz të thjeshtë”, “e drejtë qytetarie” në veshët e mi tingëllojnë bajagi si shprehje bajate; por nuk mund të mos vë re që përtej këtyre shprehjeve bajate ka një nevojë serioze: ajo që rreket të ruajë, në mos tjetër, në këtë botë ku – kujdes, po shqiptoj një shprehje bajate – kujtesa konsumohet kollaj, kujtesën e këtyre muajve. Prandaj edhe më duket interesante, për shembull, nisma e Gabriele Salvatores-it për një si punë filmi kolektiv, “Viaggio in Italia”. Dhe është e mundur që, po të punosh mbi një masë të madhe ditarësh, memuarësh, përmbledhje shënimesh nga Facebook-u, etjera, të mund të ndërtohet një “ditar i tremujorit të klauzurës” i pajisur jo vetëm me fuqi kumtuese por edhe me një bukuri të vetën. Dhe u duhet kujtuar më skeptikëve që paraqitja e një ndërgjegjeje false mund të jetë interesante dhe e vlefshme artistikisht (këtu do të më vinte në ndihmë ndonjë citim nga Ästhetische Theorie i Adorno-s, por nuk e kam librin me vete).
  5. Nga njëzet e tri veprat rrëfimtare që po diskutojmë, tetëmbëdhjetë ishin të shoqëruara me një letër që nxirrte në pah “aktualitetin e temës” dhe bënte thirrje, si pasojë, për nevojën e një botimi sa më të shpejtë, për të mos thënë të atypëratyshëm. Dhe në fakt, vura re që të paktën tre syresh – dhe, më duhet ta them: tre më pak interesantet – janë botuar ndërkaq nga autorët vetë si libra dixhitalë, që mund t’i bleni në Amazon. Tani: është e vërtetë që ekzistojnë, që kur s’mbahet mend, në fushën e botimeve, të ashtuquajturit instant-book, por koncepti i “të qenit aktual” duhet ndërmjetësuar pak. Një libër është “aktual” jo ngaqë flet për diçka që është e rëndësishme në atë moment, por ngaqë ofron rreth diçkaje që po bëhet e rëndësishme një këndvështrim të ndryshëm dhe/ose më karakteristik se ai që pasqyrohet nga gjykimi i shëndoshë. Dhe nuk duhet ngatërruar “aktualiteti” i njëmendtë i një teme me “atë për të cilën flasin të gjithë”. Cilido botues, për shembull, do të ndihej i lumtur të botonte, sot, një ese që i përgjigjet në mënyrë të mirëinformuar dhe me një këndvështrim origjinal pyetjes që, në debatet publike, anashkalohet: si, vallë, do të paguhen borxhet ku Shtetet, dhe veçmas Italia, kanë hyrë në gjithë këta muaj? Ç’impakt ekonomik do të ketë, në një të ardhme pakashumë të afërt, epidemia dhe vendimet që janë marrë për t’iu kundërvënë? Më zor që të botohet, sa për të marrë një shembull, një ese mbi impaktin e epidemisë në vendimet e marra për t’iu kundërvënë asaj në karakterin material të jetës së përditshme: thjesht për faktin që do të na duhej të shprehnim bindjet rreth çështjesh tërësisht të matshme. Kurse një ditar që për njëqind ditë rresht përsërit obsesivisht: “Kam frikë”, ndonëse frika ka qenë dhe është ende një fakt – e nënvizoj: një fakt – tejet i përhapur, nuk ofron asgjë të vlefshme, asgjë që të të ndihmojë të rrosh, nesër ose pasnesër, më mirë dhe në mënyrë më të vetëdijshme se sot.
  6. Ndoshta rastësi, por të tetë romanet që më erdhën kanë për autorë burra; ndërsa veprat në trajtë, grosso modo, ditari, pesëmbëdhjetë thamë, trembëdhjetë janë nga autore dhe vetëm dy nga autorë. Tre veprat e vetëbotuara (shih pikën 5) janë romane, pra me autorë burra. E gjitha kjo, më vjen të them, flet vetë: edhe pse nuk jam në gjendje ta them me saktësi se çfarë thotë dhe në lidhje me çfarë. Në përvojën time tashmë të gjatë prej lëçitësi dorëshkrimesh kam konstatuar se: (a) romani i zhanrit, hiq, pjesërisht, romanin “rozë”, është truall mashkullor, në shumicën dërrmuese të rasteve; (b) rrëfimi në vetë të tretë ndahet, ndër autorët burra dhe autoret gra, afërsisht në përpjestim dy të treta me një të tretën; (c) rrëfimi me vetë të shumëfishtë, në ngritje të fortë këto vitet e fundit, është dukuri femërore më fort se mashkullore; (d) letërsia fantastiko-shkencore (që, në vetvete, është një gjini letrare tashmë pothuaj e vdekur) dhe gjinitë e tjera të lidhura me traditën e saj, janë gati prerogativë përjashtimore e autorëve meshkuj; (e) rrëfimet në kohën e tashme i përkasin, gjithnjë afërsisht, në katër të pestat e rasteve autoreve gra dhe në një të pestën autorëve burra. I citoj këto të dhëna, që nuk i mbledh sistematikisht (e bëra për vite me radhë, por pastaj e lashë), me ftesën për t’i marrë me doreza, thjesht si përshtypje. Ekzistojnë, me sa duket, praktika skripture të ndryshme te burrat dhe te gratë (që nuk do të thotë që pastaj skriptura, e marrë kjo në vetvete, të ketë tipare femërore ose mashkullore: ajo është histori tjetër). Në vija të trasha, nga ç’lexoj, shoh që veprat e shkruara nga gratë kanë një skripturë me cilësi bazale më të mira (më korrekte, me më shumë përkujdesje, më të disiplinuar et.), që pasqyrohet pastaj edhe në një paraqitje më të mirë të tekstit (faqosur më mirë, më i lexueshëm et.): po të duam të përgjithësojmë, mund të flitet për një qëllim komunikues më eksplicit. Veprat e burrave janë shkruar mesatarisht më shkel e shko dhe njëherazi – shpesh në po atë tekst – kanë një qëllim ekspresiviteti më të madh, me dhunë të gjuhës, përdorim e abuzim të groteskut, bollëk citimesh të dukshme apo të fshehura, nganjëherë, bile, me mistilinguizëm[1] brenda (flas për mistilinguizëm të vërtetë, jo për ato sajesat që kur kemi të bëjmë me një personazh që është francez ky thotë “Parbleu!” ose që kur ngjarja zhvillohet në Napoli shfaqen gjurmë dialekti në dialogë). Ma ha mendja se gjithkush që, pakashumë, bën të njëjtin zanat me mua vë re pakashumë të njëjtat dukuri. E mirë pra: gjithçka që paraqet tipare të parashikueshme, sikur edhe thjesht në bazë të gjendjes civile, vështirë të gjejë zë te një botues, cilido qoftë ai. Do të më thoni: po për sa kohë që ka botues që botojnë libra të gjitha tëpka! Do të përgjigjesha duke thënë që ndërkohë nuk është tamam ashtu; pastaj që kemi të bëjmë me ca botues që kanë bërë një zgjedhje zhanri (në kuptimin letrar). Në gati të gjithë romanet policorë në fund gjejnë fajtorin, apo jo?
  7. Shtatë nga veprat që përmenda më kanë mbërritur përpara tre qershorit ose kur libraritë ishin praktikisht të mbyllura dhe shumë botues kishin pezulluar çdo aktivitet (me vartësit në asistencë, kontratat me bashkëpunëtorët të pezulluara, përkthimet të shtyra, punimin e librave në proces të ndërprerë, etjera). Po ç’po ndodhte, në ata muaj, me zakonet në të lexuar të italianëve? “Në maj të 2020-s përqindja e italianëve (15-74 vjeç) që deklaronte se kish lexuar të paktën një libër ishte 58%, me një rënie prej 15 pikësh me marsin e një viti më parë. Vlera zbret në 50% po të merren në konsideratë vetëm dy muajt e fundit, pra mars-prilli 2020. Kush nuk ka lexuar libra në mars-prill 2020 përbën 50% të popullatës, kurse mbi bazë vjetore po ajo përqindje është 42%” (sondazh i Cepell-Aie). Natyrisht botuesit, në muajt kur qenë mbyllur, ia bënë pyetjen vetes: vallë, ç’do të ketë dëshirë të lexojë populli italian, kur e gjithë kjo pakashumë të kalojë ose, të paktën, të fillojë të kalojë? Sot, 23 gusht, libri i parë me temë aktualitetin në klasifikimin e Amazon-it ndodhet në vend të tridhjetëetretë (Carlo Calenda, I mostri), i mundur thellë nga libra për fëmijë, emra të mëdhenj (Ozpetek, Sandro Veronesi) dhe doracakë për konkurse. Asnjë libër që ka të bëjë me epideminë ose me mënyrën si ta përballim apo mbi jetën në kohën e një epidemie etjera është te 100 të parët në klasifikim. Patjetër, mund të thuhet që janë profeci që vetërealizohen: botuesit vendosin të mos i botojnë ca gjëra e, kësisoj, këto gjëra nuk hyjnë në klasifikim. Por edhe po ta pranojmë që kemi të bëjmë me një gabim, është fakt që paskemi të bëjmë me një gabim për të cilin i gjithë sistemi editorial është në një mendje.
  8. Katastrofat e mëdha prodhojnë gjithmonë një letërsi specifike. Në sa libra, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, është treguar përvoja e kampeve? Në shumë, tepër. Sa syresh kanë mbijetuar? Fare pak. Në Itali, ç’lexohet tjetër pos A është vallë, njeri i Primo Levi-t, sot e gjithë ditën në vend të dyzetekatërt në klasifikimin e librave më të shitur në Amazon? Diario clandestino, i një autori sidoqoftë ndoshta akoma popullor si Giovannino Guareschi, në këtë klasifikim ndodhet në vend të 66.617. Ja pra, ndoshta të botosh libra të një “aktualiteti” aq të ngushtë nuk është tamam garanci e një suksesi të qëndrueshëm.
  9. Daniel Defoe e shkroi dhe botoi The Journal of the Plague Year më 1722. Kemi të bëjmë me një vepër të trilluar (natyrisht e bazuar në dokumente), jo me ditar autentik. Murtaja për të cilën flet autori është ajo që preku Londrën më 1665, kur Defoe ishte pesë vjeç. E mirë, pra: një motiv “aktualiteti” ekzistonte: më 1721 murtaja kish goditur Francën, një farë frike në Angli e kishin. Por ju lus të vini re tre shmangie: The Journal është vepër e trilluar dhe jo dëshmi, e shkruar më shumë se gjashtëdhjetë vite pas ngjarjeve që përshkruan, dhe është “aktuale” jo pse në atë moment kemi murtajë, por ngaqë ekziston frika e një importimi të murtajës. Bashkëkohësit e Defoe-it nuk kishin, me gjasë, një kujtim të qartë të asaj që murtaja kish qenë. Ndër të tjera, The Journal është edhe një pamflet politik, sepse nëpërmjet rrëfimit të sukseseve dhe dështimeve në orvatjet për t’i vënë një fre epidemisë, në fakt bën propozime konkrete mbi profilaksinë, komunikimin, menaxhimin e shëndetit publik, etjera. A ka gjasa që rrëfimin e këtyre tre muajve (duke shpresuar të jenë vetëm tre) të bllokimit të Italisë ta bëjë një libër i shkruar mbas gjashtëdhjetë vitesh, nga një pesëvjeçar i sotëm? S’do të habitesha. Siç nuk habitem që kujt shkruan sot për sot i mungon ajo – po përdor një shprehje bajate – ajo distanca nga faktet, nga vetja, nga përjetimet e veta, etjera, që konsiderohet universalisht e stërdobishme, në mos edhe e nevojshme, për krijimin e një vepre cilësore.
  10. Këto ditë po ndjek gjithë merak kurbën e të prekurve që, pas një staze të gjatë, ka filluar të rritet. En passant, ju këshilloj të lexoni artikullin që ka dalë tek Il Post, me titull Perché bisogna fare attenzione a paragonare i contagi di oggi a quelli di maggio. Por nëse ngrëmë kokën dhe hedhim një vështrim rrotull, nuk mund të mos ndërgjegjësohemi që bota është pothuaj e tëra në flakë. Le ta pyesim veten: sa inteligjencë, sa thellësi, sa ndjeshmëri, sa aftësi artistike duhet të ketë, për të rrëfyer jetën e një familjeje italiane në muajt e lockdown-it, që ky rrëfim të spikatë përballë një bote që digjet? Ne, këtë inteligjencë, këtë thellësi, këtë ndjeshmëri, këtë aftësi artistike, jemi vërtet të bindur që e kemi?

[1] Tekst i karakterizuar nga një përzierje gjuhësh ose edhe stilesh e regjistrash të ndryshëm.

2 Komente

  1. Lexo “die Wand” roman i Marlen Haushofer dhe nuk ke për ta haruar për kusurin e jetës. Në italisht e gjen të përkthyer me titullin “La parete”.

    1. Lexova vetem faqen e pare, por nga fillimi nuk mu duk gje. Ndoshta i “sinqerte” (edhe Vehbiu sec ka nje artikull mbi “ndershmerine” e autorit), por pa permbajtje. Duhet edhe une ta kisha ate librin e Adornos ketu prane qe ta citoja (“Krijimet artistike, edhe pse nuk jane konceptuale apo gjykuese, jane logjike.”), ose ate te atij francezit, si te flasim per libra qe nuk i kemi lexuar.

      Heute, am fünften November, beginne ich mit meinem Bericht. Ich werde alles so genau aufschreiben, wie es mir möglich ist. Aber ich weiß nicht einmal, ob heute wirklich der fünfte November ist. Im Lauf
      des vergangenen Winters sind mir einige Tage abhanden gekommen. Auch den Wochentag kann ich nicht angeben.

      Te nje ese e Vehbiut mbi perkthimin, kritika e nje botuesi qe justifikonte riperkthimin e botimin e nje vepre, me ra ne sy se kesi kritikash te perkthyesve ndaj kolegeve te tyre, nuk para lexon. Ndoshta i konsumojne ne kafe mes vedi. Por mu kujtua se, nder mjeke e stomatologe shqiptare, keto kritika jane te zakonshme. Madje, sa nje stomatolog kritikoi punen e tij te para disa koheve ne gojen time, duke menduar se ishte e dikujt tjetri.

      Une p.sh. ate fjalin e fundit do e perktheja ndryshe, duke e kaluar pjesen me te rendesishme ne fillim. Nuk e di si eshte ne shqip, qe e panjohura ne fillim, dhe e njohura ne fund – me ka dhene sintaks dikush qe kishte publikuar edhe nje liber te trashe te merzitshem, qe nuk e lexova kurre ne fakultet.

Komentet janë mbyllur.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading