Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Botime / Letërsi / Lexim

VRAMENDJE BOTUESI

nga Giulio Mozzi

(përktheu Arben Dedja)

 “Teoria e pratica”, 30 korrik 2020

 

  1. Për të vendosur a ta botojë apo jo një vepër letrare ose, në përgjithësi, një libër, një botues ka nevojë të provojë ndjesinë që gjendet përpara diçkaje të kryer, të përfunduar dhe që mbart kuptim. Në rastin e botimeve të ashtuquajtura “letrare”, romani ose përmbledhja me tregime apo vëllimi poetik duhet të japin ndjesinë e një “kohezioni”, “plotësie”: sensacionin e të qenit “vepër”. Në rrëfimet e bazuara te ndërthurja, ndërthurja duhet të funksionojë pa boshllëqe ose ngërçe. Në manualistikë, plotësisë së informacionit i duhet shtuar lehtësia e gjetjes së tij, qartësia në paraqitje, përcaktimi i saktë i kompetencave që mendohet të jenë të pranishme te lexuesi, etjera. Në eseistikë, prania e një “teze” ose e një “yllësie tezash” duhet të shoqërohet me argumentim të përshtatshëm dhe të qëlluar. E kështu me radhë.
  2. Për të vendosur a ta botojë apo jo një libër, botuesi ka nevojë të përfytyrojë kush do ta lexojë atë. Kemi të bëjmë me një përfytyrim të dyfishtë, cilësor e sasior. Cili është lexuesi ideal për këtë libër? Cilat janë kategoritë e lexuesve (“target”-i) që mund të jenë të interesuar për këtë libër? Sa bëhen, në tërësi, lexuesit e interesuar ose të interesueshëm për këtë libër? Cili është lexuesi që ky libër presupozon? Dhe, simetrikisht: cilët janë lexuesit të cilëve ky libër nuk u intereson ose, bile, ua shpif? Etjera. Me të përcaktuar publikun (potencial), duhet studiuar pastaj mënyra për të mbërritur tek ai dhe për ta bindur. Ka, bie fjala, që lexojnë vetëm libra që perceptohen si “për të gjithë” dhe ka që këto libra i injorojnë krejt duke synuar libra “për të paktët”. E njëjta vepër letrare mund të bëhet objekt fushatash reklamuese të ndryshme, për të mos thënë të kundërta. Një “të përjavshmeje femërore” do t’i thuhet që Krenari dhe paragjykim është një roman i shkruar nga një grua për gratë (gënjehet një çikë këtu, ndonëse pjesërisht), një të përditshmeje ekonomiko-financiare do t’i kujtohet që Jane Austen është shkrimtarja e parë që nxjerr në pah marrëdhëniet ekonomike (ç’dashurizeza! në këtë roman vetëm për parà flitet!), menaxherit të një web site-i kushtuar Stephen King-ut do t’i përmendet që elementet horror janë shumë të rëndësishme në të gjitha romanet e Austen-it e jo vetëm tek Abacia e Northangerit, e kështu me radhë.
  3. Për të vendosur a ta botojë apo jo një libër, botuesi ka nevojë të dijë nëse autori ose autorja ka apo jo një publik të vetin. Ky pohim mund të ngjajë i çuditshëm: a nuk ishte detyra e botuesit (shih pikën 2) ta gjëmonte publikun, me gjasë ta krijonte atë? (Si ia bëri Apple-i me smartfonin: e kush mund ta merrte me mend se do të kish një nevojë aq rropullore, përpara se Apple-i ta hidhte në treg). Por sot gjërat nuk venë më si dikur, ekzistojnë mediat sociale me ato kurthet e tyre dhe, sidomos: botuesit e mëdhenj nuk kanë më një vizion të qartë e të spikatur, me atë ankthin e tyre për të uzupuar çdo kind të tregut janë shndërruar thjesht në kontejnër, le që botojnë shumë libra për t’u qendisur pastaj rrotull punën e duhur reklamuese në varësi të titullit. Andaj: je në TikTok, Instagram, Youtube, Facebook, diku tjetër? Sa ndjekës ke? Sa komente merr? Janë llogari të trasha, e di. Por bëhen. (Natyrisht ndodh që bëhet edhe arsyetimi i kundërt: kjo ose ky paska një turrë followers, ç’libër ta vëmë të shkruajë? Rezultati, dihet, është shpesh një tmerr).
  4. Për të vendosur a ta botojë apo jo një libër, botuesi ka nevojë të marrë me mend “kohëzgjatjen”: për sa kohë mund ta shesë? Kur më 1963 (mos qofsha i gabuar) Hoepli botonte librin e Livio Susmel-it Il canarino: allevamento, malattie, cure (Kanarina: mbarështimi, sëmundjet, kujdesi), as që mund ta përfytyronte dot që libri do të qëndronte në katalog dyzet vjet (akoma sot qarkullon rëndshëm në tregun e librave të përdorur). Kur fillimisht refuzoi A është vallë, njeri…? të Primo Levi-t (“Prapë libër me kampe përqendrimi! Mjaft më! Na ka ardhur në majë të hundës!”), ose kur pastaj, më në fund, e botoi në serinë “Saggi” (ku doli edhe Ditari i Anne Frank-ut), Einaudi ndoshta nuk e kish kapur thelbin e veprës: nuk e kish kuptuar që, përveçse dëshmi, A është vallë, njeri…? është një vepër e lartë arti; dhe padyshim as nuk e kish përfytyruar që, ndër shumë (vërtet shumë) librat me kujtime që botoheshin aso vitesh, A është vallë, njeri…? ish mbi të tjerë (sa për sqarim: botimi i A është vallë, njeri…? është operacioni tregtar më i madh dhe frytdhënës në historinë e shtëpisë botuese Einaudi – ma ka thënë vetë Roberto Cerati ca vite të shkuara). Sot për sot, të themi të drejtën, prirja është të vlerësohet mundësia e shitjeve të menjëhershme se sa ato afatgjata.
  5. Për të vendosur a ta botojë apo jo një libër, pra, botuesi ka nevojë të arrijë t’i përfytyrojë atij “dinamikën”. Thuaji zemrës po i Susanna Tamaro-s doli më 1994 në gjashtë mijë kopje (jo ndonjë sforco kushedi çë, asokohe, për një botues si Baldini e Castoldi) dhe filloi të “lëvizë” nëpër librari muaj pasi u botua. Gomorra i Roberto Saviano-s doli më 2006 gjithashtu në gjashtë mijë kopje (minimumi sindikal, asokohe, për një botues si Mondadori). Në rastin e Saviano-s dihet cilat ishin ngjarjet[1]që i hapën udhë shitjeve të mëdha; në rastin e Tamaro-s e shumta mund t’i referohemi lajmit “gojë më gojë”. Inshallah i Oriana Fallaci-t, botuar nga Rizzoli me një trysni reklamuese të hatashme, u shndërrua në malin më të lartë të librave të pashitur në historinë e editorisë italiane. Në periodikët “relacione menaxhimi” të Mondadori-t (të disponueshëm në web site[2]) shitjet e librave të Fabio Volo-s shoqërohen shpesh me komente habie. Përmend këto katër raste për t’ju bërë të kuptoni që sukseset e mëdha, por edhe dështimet e mëdha, nuk janë gjithmonë (siç kujtojnë njerëzit e patëkeq) të programuara. Por mbrothësia e një botuesi nuk varet, nuk mund të varet, nga “goditjet në shenjë”: varet nga aftësia për të shpërndarë, nga secili titull, ekzaktësisht numrin e kopjeve që mund të shiten (për gjykim të njëzëshëm të librashitësve, distributorëve dhe botuesve, shtëpia botuese e zonja për parashikimet më të sakta është Marcos y Marcos; edhe pse tash së fundi dukuria-Ervas ndoshta ka qenë më së shumti e paparashikuar).
  6. Për të vendosur a ta botojë apo jo një libër, botuesi ka nevojë të përfytyrojë si ta “komunikojë” atë. Një romanth i tipit “Na ishte ai dhe ajo, që duan të martohen; se ç’është një tip i keq që u hyn në mes; ndodhin ndeshtrasha, ndarje e të dashuruarve, revolta, intriga; bie pastaj një gjëmë e madhe që i çmbreh të gjithë kuajt; më në fund ai dhe ajo martohen dhe bëjnë një turrë kalamaj: e gjitha e shkruar në mënyrë madhështore, me një gjuhë të kuptueshme nga të gjithë[3]” nuk është vetëm një operacion tregtar i pacipë: është para së gjithash një libër i lehtë për t’u komunikuar. Një roman i tipit: “Një burrë përjetësisht i pavendosur hyn të bëjë pjesë në një komision që nuk vendos asgjë; kalojnë një mijë faqe dhe janë të gjithë aty, prapë pa bërë asgjë; e gjitha kjo e ndërkallur me kapituj filozofiko-mistiko-matematikorë[4]” nuk është vetëm një eksperiment i parealizueshëm dhe tërë pretendime: është para së gjithash një libër i pamundur për t’u komunikuar.
  7. Për të vendosur a ta botojë apo jo një libër, botuesi ka nevojë të përfytyrojë përse ai libër mund të quhet “interesant”. Gjëja në dukje e çuditshme është që motivi i interesit – ajo çka shpenzohet në komunikim, jo ai reali – nuk qëndron thuajse kurrë te bukuria e librit. Me synimet më të këqija i Alessandro Piperno-s, siç e shpjegon Antonio Franchini (drejtues i Mondadori-t) në dokumentarin “Senza scrittori” të Andrea Cortellessa-s dhe Luca Archibugi-t, është një roman “interesant” sepse rrëfen dhe përshkruan një shtresë shoqërore, familjet e palazzinarëve romanë[5], të cilëve deri atëbotë nuk u ishte kushtuar asnjë vepër e romancuar. Motivi i interesit, që Franchini e quan “vjegë”, kërkon natyrisht që vepra të jetë në vetvete së paku e arrirë: por puna është që nëse një zyrë shtypi i thotë gazetarit: “Shiko, se kemi të bëjmë me një roman shumë të bukur”, gazetari do të përgjigjet: “E pastaj?”; ndërsa nëse zyra e shtypit i thotë gazetarit: “Shiko, se ky roman për herë të parë rrëfen aksh gjë, përshkruan aksh mjedis, mbart këtë apo atë motiv për skandal”, etjera, gazetari përgjigjet: “Interesante”. Në përvojën time kam mbërritur bile në pikën, për plot dy herë, të “shes” një roman duke përdorur për “vjegë”… palexueshmërinë e tij. Herën e parë ndodhi me “Perceber” të Leonardo Colombati-t (Sironi 2005): pak muaj përpara se romani të dilte ngritëm një blog ku rrëfeheshin gjëra rreth romanit, duke e paraqitur drejtpërsëdrejti si roman-përbindësh; botuam fotografi të vendeve ku zhvilloheshin ngjarjet, lista të gjata personazhesh, ekstrakte enigmatikë e me radhë; kështu që, përpara se të flisnin për romanin vetë, gazetat filluan të flisnin për llafollogjinë që po bëhej rreth romanit (blogu, sa për të përmendur ca numra, në dy muajt që i paraprinë daljes së romanit, kish nga katër/pesëqind vizita në ditë). Hera e dytë më ndodhi me romanin La dissoluzione familiare të Enrico Macioci-i: i botova disa ekstrakte në blogun tim “vibrisse” duke e prezantuar pikërisht si një “roman të palexueshëm”: dhe, pa kaluar as pak javë, një botues u bë i gjallë.
  8. Për të vendosur a ta botojë apo jo një libër, botuesi ka nevojë të përfytyrojë se si blerësit potencialë do ta kuptojnë që nëse ai libër është botuar nga ai botues, bash nga ai botues, një arsye e ka. Kur filloi të botonte sagën Milenium, Marsilio ish tashmë “ai i romaneve të verdha suedeze” (vazhdon akoma, me nder). Kur minimum fax-i botoi më 2010 Acqua in bocca të Camilleri & Lucarelli-t, të gjithë dashamirët e botuesit e kuptuan që të botohej ai trapllik i turpshëm (aq i turpshëm sa vetë autorët publikisht i falën të drejtat e autorit për bamirësi) kish më kuptim për botuesin se t’ia merrnin shpirtin bankat.
  9. Për të vendosur a ta botojë apo jo një libër, botuesi nuk ka nevojë ta lexojë. Ka libra për të cilat mund të vendosësh symbyllazi, se për t’i shitur nuk ka nevojë të lexohen (e më vjen të them, as të shkruhen). Një autobiografi e Silvio Berlusconi-t me titull Të gjitha gratë e presidentit[6], një memory e Giuseppe Conte-s me titull Si të dalësh nga anonimia bash në kohë për t’u përballur me belanë më të madhe nga të gjitha, një doracak i Ernesto Galli della Loggia-s me titull Si të flasësh në publik duke thënë gjithmonë të njëjtën gjë, etjera, janë produkte editoriale që bile-bile botuesit u shmangen t’i lexojnë (për të mos marrë në qafë puprritë e shijes). Botuesit e mëdhenj pastaj, janë aq të mëdhenj dhe aq metikuloze është ndarja e punës brenda tyre, saqë, në fund të fundit, i vetmi që e lexon vërtet librin përpara se të botohet është autori vetë: fjalë pas fjale, teksa përgatiten bocat (sepse edhe korrektorët e bocave punojnë shpesh në skuadër: njëri bën pesëdhjetë faqe, tjetri pesëdhjetë faqe, tjetri pesëdhjetë faqe të tjera e kështu me radhë).
  10. Për të vendosur a ta botojë apo jo një libër, botuesi duhet të ketë dëshirë ta botojë. Bile-bile duhet të ketë – në përgjithësi – dëshirë të botojë. Duhet të gjakojë të nxjerrë nga ky botim një farë përfitimi – ekonomik, shoqëror, kulturor, autostimë, për veten, për komunitetin të cilit i përket, për fëmijët e vet, për Atdheun, për popullin, e shto ujë e shto miell. Duhet të ketë, botuesi, një farë dëshire për ardhmëri; dhe duhet të ketë dëshirë t’i japë, të ardhmes për të cilën ka dëshirë, trajtën që dëshiron. Ndoshta ty, autore, ty, autor, kjo trajtë ardhmërie nuk të pëlqen. Hajt pra: kërko një botues tjetër.

 

(Titulli i përkthimit origjinal: Për çfarë ka nevojë një botues, për të botuar një vepër letrare? Në dhjetë pika.)


[1] Kjo non-fiction novel është një udhëtim skëterror në botën e aferave kriminale të kamorrës, bash në viset ku ajo ka lindur e gjallon. Si në libër, ashtu edhe gjatë prezantimeve të tij nëpër Itali, autori ka denoncuar me emër e mbiemër kapot e klaneve përgjegjës për krime nga më të tmerrshmet. Për arsye të kërcënimeve të vazhdueshme me jetë, qysh nga 13 shtatori i vitit 2006 Roberto Saviano jeton i mbrojtur me truprojë, caktuar nga Shteti Italian.

[2] https://www.mondadori.com/media-room/news-and-press-releases/2020/bod-approved-results-at-30-june-2020

[3] Alessandro Manzoni “Të fejuarit”.

[4] Robert Musil “Der Mann ohne Eigenschaften”.

[5] Palazzinaro – term i zhargonit romanesk, që përshkruan (me një farë përçmimi) sipërmarrës ndërtimi a të sektorit të pasurive të paluajtshme, të pasuruar saje spekulimeve në ndërtim.

[6] Këtu luhet me titullin e filmit: Tutti gli uomini del presidente (All the President’s Men), film i vitit 1976 i Alan J. Pakula, me Dustin Hoffman dhe Robert Redford.

1 Koment

  1. S’di, a e di Giulio Mozzi sa mirë përkthehet në gjuhën shqipe?

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin