Më 2 korrik 2020, Gazeta Dita botonte pjesë nga libri i Servet Pëllumbit Përmbysja e komunizmit, në përkujtim të së ashtuquajturës “ngjarje të ambasadave” të 30 vjetëve më parë, kur mijëra qytetarë shqiptarë hynë me forcë në trojet e ambasadave në Tiranë, në kërkim të ikjes nga vendi.
Ajo ngjarje aq komplekse ende mbetet për t’u analizuar në hollësi, por Pëllumbi, te fragmentet e nxjerra në Dita, ndalet veçanërisht në origjinën e shprehjes “jashtëqitje e kombit”, që u përdor për të ikurit më pas.
Thotë Pëllumbi:
Ndërkaq, më 13 korrik 1990, në mitingun më të madh të organizuar ndonjëherë në sheshin “Skënderbej”, “të ikurit” u quajtën me shprehjen qarkulluese të R. Alisë, “jashtëqitje e kombit”.
Paradoksale është që R. Alia, pas mitingut, këtë shprehje donte ta vinte në gojën e Kadaresë, që ishte në tribunën e mitingut dhe mori fjalën, por që nuk ka pranuar asnjëherë të ketë përdorur një shprehje të tillë.
Sipas autorit, shprehja është e Ramiz Alisë, aso kohe në krye të regjimit totalitar në Shqipëri, por ky u orvat t’ia linte autorësinë Ismail Kadaresë, që – si poet – kish më shumë autoritet në lëmin e metaforave. Madje Xhelil Gjoni dëshmon se Alia i paskësh kërkuar Kadaresë edhe që të shkruante një poezi me këtë subjekt dhe titull:
[N]ë një moment, Ramiz Alia, unë në atë kohë isha ndihmës i tij, më ka thënë: “Ore më kanë thënë që Kadare paska thënë për këta të ambasadave se janë jashtëqitje e kombit. Nuk i thua që të bëjë një poezi për këta?” Duket se Ramizit i pëlqeu kjo figurë. Unë e gjej Kadarenë në sallën e Kuvendit Popullor dhe i them se shoku Ramiz ka dëgjuar se ti ke thënë që qytetarët e ambasadave që ikën janë jashtëqitje e kombit. Ramizi më porositi të them se ai sugjeron të bësh një poezi për këtë çështje. Ismaili më tha se këto fjalë nuk i kishte thënë. Kjo është e vërteta. Se nga e dinte Ramizi, është punë e tij”.[1]
Për ta përmbledhur: ky cilësim për të ikurit, “jashtëqitje e kombit”, u kalua gojë më gojë pas 2 korrikut; ia kanë atribuar Kadaresë dhe pikërisht në fjalën e tij në mitingun e 13 korrikut 1990 në Tiranë; por në fakt Kadareja këtë nuk e ka thënë (dhe në mitingun e 13 korrikut nuk ka qenë fare i pranishëm).
Tani, nëse e ka thënë apo jo Kadareja këtë gjë, kjo nuk është se ndryshon gjë në statusin e shprehjes dhe përdorimin e saj si shibboleth: ata që e përdornin, rreshtoheshin automatikisht me Ramiz Alinë, Xhelil Gjonin dhe grupin e “xhonturqve” që po kërkonin ta mbronin shtetin totalitar dhe pushtetin e kupolës përmes reformave gjysmake, në ato muaj përmbysjesh të mëdha kontinentale.
Alia aso kohe kish nevojë të madhe për përkrahjen publike nga Kadareja, por ky i fundit po bënte plane të tjera, të cilat i realizoi pak javë më pas, duke kërkuar strehim politik në Paris.
Meqë Kadareja nuk e ka thënë këtë, gjasat janë që kjo metaforë, jashtëqitje e kombit, të jetë shpërndarë si pjesë e një psy-op-i, duke u huazuar nga manuali politik i Fidel Kastros dhe teknika e tij për ta pastruar Kubën nga disidenca dhe kundërshtarët e vet, duke i lejuar këta të ikin nga ishulli.
Sërish Servet Pëllumbi:
Alia u kishte thënë të vetëve se duhet të veprojmë si Fidel Kastro që u hapi kufirin kundërshtarëve dhe atyre që donin të emigronin në SHBA dhe ata që ikën nga Kuba na qenkeshin “jashtëqitje e kombit”.
Këtu bëhet fjalë për çfarë njihet si éxodo de Mariel[2] (anglisht Mariel boatlift), kur më shumë se 125 mijë kubanë u lejuan të largohen, drejt SHBA-ve dhe që zuri fill kur gati 10 mijë vetë u futën, brenda pak orëve, në territorin e ambasadës së Perusë në Havanë, për të kërkuar largimin nga Kuba. Ato ditë shtypi zyrtar i Havanës filloi t’i quajë të ikurit escoria (“skorie”, angl. dregs): për herë të parë fjala shfaqet në 7 prill 1980, në një editorial në Granma, organin zyrtar të Partisë Komuniste të Kubës – fiks një javë pas shpërthimit të parë të ambasadave në atë vend. Ideja ishte që refugjatët të paraqiteshin si antisocialë (shumica madje si “homoseksualë” dhe “përdorues drogash”).
Një tjetër fjalë e përdorur me përçmim ato ditë ishte gusanos “krimba”; epitet që Fidel Castroja e kish përdorur për të denigruar pronarët e pasur të tokave që u larguan nga Kuba në fillim të viteve 1960, pas rrëzimit të diktaturës së Fulgencio Batista-s. Ky term i përdorur prej jefe-s komunist të Kubës për herë të parë në 2 janar 1961, synonte ta përshkruajë rezistencën e brendshme ndaj regjimit të ri jo si produkt të pakënaqësisë popullore, por si mbetje (resago) të një së kaluare të kalbur. Thoshte Castroja atëherë:
“Los gusanos no pueden vivir sino de la pudrición […] no podían vivir ni hacer de instrumentos del imperialismo, como no fuese en el mundo y en el medio corrompido en que vivía nuestro pueblo antes del día luminoso del 1ro de enero de 1959.”[3]
Por njëzet vjet më vonë, ishte fjala escoria që do të shndërrohej në epitetin zyrtar të regjimit. Me kuptimin zgjyrë, “mbeturinë e ngurtë, që del gjatë shkrirjes së metaleve a kur punohen metalet e nxehura,” kjo fjalë, që në shqipe dëgjohet edhe si skorie, ka marrë edhe kuptimin “pjesa më e pavlefshme e diçkaje, mbeturinë, fundërrinë”. Madje Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, në versionin e vitit 1980, jep për skorie edhe kuptimin figurativ “mbeturina të huaja për shoqërinë socialiste, të trashëguara në ndërgjegje nga bota e vjetër ose elemente të huaja që e prishin pastërtinë e ndërgjegjes.”
Le të themi pra se kjo skorie, në gojën e Fidel Castro-s, vinte si term standard i totalitarishtes; dhe referimi ndaj shkrirjes së metaleve nuk duhet marrë për rastësi: skoriet janë rezultat i procesit të “farkëtimit” të njeriut të ri, duke hyrë kështu epiteti në një sistem kryemetaforik të punimit të metaleve (mjaft të përmend këtu shembuj si farkë, farkëtoj, farkëtohet, kudhër, farkëtar, çelik, hekur, hekuri rrihet sa është i nxehtë, etj., të gjitha fjalë të atij sistemi – të cilat lidheshin, me rrugë semantike, sa me eksperiencën proletare, kovaçhanet fonderitë dhe furrnaltat, aq edhe me virtytet e metaleve dhe rolin e “farkëtimit” në edukim).
Ai editorial në Granma, i prillit 1980, përcaktonte edhe parullat që do të shoqëronin indinjatën popullore, në Kubë, ndaj ekzodit:
Nuestro pueblo trabajador piensa unánimemente: “¡Que se vayan los vagos! ¡Que se vayan los antisociales! ¡Que se vayan los lumpens! ¡Que se vayan los delincuentes! ¡Que se vaya la escoria!”[4]
Skoriet kështu vihen në një rrafsh, të paktën konotativ, me parazitët, antisocialët, lumpenët dhe delinkuentët; dhe këtu është për t’u vënë re se regjimi, me gojën e organit të vet zyrtar, nuk i cilëson këta as si armiq të pushtetit, as si armiq të popullit, as si agjentë të imperializmit amerikan – por thjesht si nënprodukte toksike të metabolizmit socialist. E njëjta gjë do të vlejë, në analizë të fundit, edhe dhjetë vjet më pas, për ekzodin e ambasadave – kur regjimi Alia u kujdes që t’i paraqiste këta si të gënjyer, ose të papjekur; shpesh edhe si njerëz me të kaluar kriminale ose njerëz me vese sociale (parazitë, prostituta, ish-të dënuar, kumarxhinj, “huliganë”, “vagabondë”, etj.), por jo si armiq.
***
Arkeologjia e kësaj metafore, escoria, në spanjishte, na ndihmon ndoshta të zbulojmë prejardhjen dhe ndoshta forcën e saj: ajo përdoret në disa përkthime spanjishte të letrës së parë të Shën Palit Korintasve (I, 4:13), mes të cilëve edhe te Biblia de las Americas:
cuando nos difaman, tratamos de reconciliar; hemos llegado a ser, hasta ahora, la escoria del mundo, el desecho de todo.
Dhe te Biblia Reina Valera, edicioni i vitit 1960:
Nos difaman, y rogamos; hemos venido a ser hasta ahora como la escoria del mundo, el desecho de todos.
Përkthim që në versione të teksteve të shenjta shqip e kam gjetur kështu:
Kur na shajnë, përgjigjemi me mirësi. Jemi bërë si plehrat e botës dhe ende jemi si fundërrinat e njerëzve.
Ose
Kur na përgojojnë, përgjërohemi. Deri tani jemi bërë si plehrat e botës, fundërrinat e çdo gjëje.
E njëjta shprehje, në ndonjë version anglisht të Biblës, del si the scum of the earth:
When we are slandered, we answer kindly. We have become the scum of the earth, the garbage of the world – right up to this moment.
Krahas me këtë, shprehjen e gjen të përkthyer si world’s garbage, the scum of the world, the filth of the world, the trash of this world, the world’s garbage, the world’s dirt, the trash of all things, the refuse of this world, etj.
Shprehja latinisht, në Vulgata është:
blasphemamur, et obsecramus: tamquam purgamenta hujus mundi facti sumus, omnium peripsema usque adhuc.
Ku latinishtja purgamenta ka kuptimin “bëzhdile, gjëra që mbledhim me fshesë për t’i hedhur”.
Metafora e Shën Palit është komentuar gjerë e gjatë, teksa edhe ka hyrë në përdorim në ligjërimin e përditshëm të shumë kulturave ku ndiqet feja e krishterë. Por mua më çoi atje, në të vërtetë, titulli i një libri të Arthur Koestler-it, The Scum of the Earth, shprehje që ai e përdor për të arratisurit nga burgjet, të ikurit nga kampet e përqendrimit, njerëzit pa atdhe (apatridët) që ishin mbledhur në Francën e paraluftës (1940): kish mes tyre hebrenj që i kishin shpëtuar përndjekjes naziste, antifashistë, komunistë, intelektualë, njerëz që nuk i dëshironte asnjë autoritet. Për ta thënë me fjalët e Koestler-it vetë: të syrgjynosurit, të përndjekurit, njerëzit e kërkuar nga policia anembanë Europës, mijërat dhe milionat që, për arsye të kombësisë ose besimeve, janë bërë the scum of the earth. Shumë prej tyre nuk do t’i mbijetonin Luftës II Botërore: Koestler-i ishte nga të paktët që i bishtnoi vdekjes.
Imazhi që të sjellin në sy përshkrimet e Koestler-it në atë libër nuk janë, tek e fundit, aq të ndryshme nga ato të dykorriksave, në pritje për të kaluar “andej” – të kapur si në çark në kloakën e Europës. Duke kapërcyer muret rrethuese të ambasadave, këta kaluan në një hapësirë transitore, duke u zhveshur nga identiteti formal, duke u bërë “të panevojshëm” për shtetin. Që këtej, edhe nguti i regjimit Alia për t’i pajisur këta sans papiers me pasaporta.
(vijon)
© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi në mediat. Shkelësit do të përndiqen ligjërisht.
[1] Kjo, në një intervistë dhënë gazetës Panorama; cituar nga ky burim.
[2] Këtu dhe më poshtë i referohem një artikulli nga Enrique Del Risco, të ri-botuar në blogun Academia de la Historia de Cuba en el Exilio, me titull “Gusanos, mercenarios, bandidos, escorias: Historia de las falsificaciones contada por sus palabras”. Ngjashëm me termin dykorriks, edhe pjesëmarrësit në ekzodin kuban do të njiheshin më pas me termin marielitos.
[3] Gusanos nuk mund të jetojnë veçse në kalbësi […] Nuk mund të jetonin, as të bëheshin vegla të imperializmit, përveçse në botën dhe mjedisin e korruptuar, ku gjendej populli ynë para datës së ndritur të 1 janarit 1959.”
[4] Populli ynë punonjës mendon unanimisht: “Të shporren përtacët! Të shporren antisocialët! Të shporret lumpeni! Të shporren kriminelët! Të shporren skorjet!”
Një mënyrë e mirë e citimit të Shkrimeve të Shenjta, është edhe prurja në shqipen e sotme/përshtatja e përkthimit të Kristoforidhit:
12 E mundohemi duke punuar me duart t’ona; kur përqeshemi, bekojmë; kur ndiqemi, durojmë;13 Kur shahemi, lutemi; u bëmë posi të fshirat e botës, posi lëmishtet e të gjithëve gjer më këtë ditë.14 Nuk shkruaj këto për të turpëruar juve, po u këshilloj juve posi bij të mi të dashur.15 Sepse në paçi dhjetë mijë mësues më Krishtin, po nuk kini shumë etër; sepse unë u polla më Krishtin Jezu me anë të ungjillit.16 U lutem juve pra të bëni si bëj unë.17 Prandaj u dërgova juve Timotheun, i cili është biri im i dashur edhe besëtar më Zotin; ky do t’u sjellë juve ndër mend udhët e mia që janë më Krishtin, sikundër mësoj kudo më çdo kishë.
12 E mundohemi tue punuem me duert t’ona; tue u përqeshun, bekojmë; tue u ndjekun, durojmë;13 tue u nemun, lutemi; u bâmë porsi të pshimet e botës, edhe porsi plehet e të gjithëve deri tashti. 14 Nukë shkruej këto për me u turpënuem juve, por u mësoj juve porsi djelmtë e mi të dashun.15 Sepse në paçi dhêtë mijë mjeshtra më Krishtin, por nuk keni shumë atëna, sepse u kam pjellë juve më Krishtin me anë të ungjillit.16 U lutem juve pra, të më merrni mbrapa. 17 Prandaj u dërgova juve Timothenë, i cilli âshtë djali êm i dashun edhe besëtar më Zotin, ai ka me u prumë ndër mend juve udhët e mia qi janë më Krishtin, sikurse mësoj gjithkund më qishdo kishë. (gegërisht).
Ka nje varg Bibla i cili ilustron gjendjen e Shqiperise ne Korrik 1990:
Lamentations 3:45
You have reduced us to scum and garbage among the nations.
Megjithese eshte paksa jashte ,familja Popa vdiq e harruar e askush nuk I kujton si parasjellesit e 2 Korrikut .