nga Natasha Shuteriqi
Marrëdhënia ndërtekstuale e “Rubairave” me “Plak topall dhe ashik”
Në qoftë se sot do të isha në fillimshekullin XX dhe do të kisha përballë Fan Nolin përkthyes, do t`i bëja një pyetje të përafërt me atë që i kanë bërë gati një shekull më vonë Eco-s pas përkthimit në frëngjishte të romanit “Lavjerrësi i Fukosë”: Si arrinte të përshkruante aq saktë hapësirat?[i].
Pyetja ime për Nolin do të ishte: Si arrin të m’i përcjellësh aq saktë instinktet epshore? Do të kisha ngecur në dy përvoja tekstore të Nolit, përkthimin e “Rubairave” dhe poezinë e tij te vëllimi “Album”, Plak topall dhe ashik, nëse fare rastësisht, falë një emisioni televiziv të mos më qasej në formën e një receptimi aktiv teksti i një kënge tipike shkodrane Plak me marak. Kjo m`ì ngatërroi tekstet dhe nuhata si lexues një tekst të vetëm që vërtitej brenda mendimit tim, i cili më sulmonte tekstet e tjera dhe, më tej akoma, më krijonte një të katërt apo të pestë që si një diagramë matematikore përvijonte fushën ku priteshin bashkësitë semantike dhe topike.
Atëherë, marr pozicionin e receptuesit: receptuesit – në ndijimin e tekstit të këngës në fjalë sepse referuar Y.Chevrel, kjo veprimtari luajti një rol të dorës së parë në ecurinë komunikuese timen si perceptues [ii] në bashkëveprimin e marrëdhënieve të të tria teksteve.
E përdëllyer nga erotizmi i teksteve të cilat i dhanë kuptim një imazhi të ri të perceptuar mbi to, pasi i bëra të ekzistojnë brenda një mendimi dhe imazhi të vetëm, referuar Plangaricës[iii], krijova infratekstin tim si lexues bashkëpunues, kalova në një nivel të dytë (tanimë sipas Chevrel-it), nga niveli i lexuesit të tekstit, te niveli i publikut. Duke marrë këtë pozicion të perceptuesit tekstual, mendova të shmangem, të heq dorë dhe të kaloj në analiza operacionale, mbështetur në lëmenjtë ku do të më ndihmojë jo gjetja e sa më shumë referencave, por përzgjedhja pikërisht e atyre që do të më çojnë te një kuptim sa më i saktë i secilit prej teksteve. Shkurt, si lexues i lexuar ndieva thirrjen e tekstit zanafillor, i cili më udhëzoi dhe modeloi shkrimin drejt evidentimit, emërtimit dhe synimit prej një teksti fillestar nëpërmjet tentativës për një analizë të plotë të perceptimit tim dhe receptimeve që më qasen. Por, ndërsa shqyrtoj dhe mbështetem në tekstet që kam shtruar, më qartësohet gjithnjë e më shumë bindja se ndërtekstualiteti gjen një mundësi shpjegimi edhe përmes analizës stilistike, krahas krejt analizave të tjera.
Objekt i vëzhgimit zanafillor ishte teksti Plak topall dhe ashik, të cilin Fan Noli e ka sjellë përmes një toskërishteje të butë dhe jo pak të dendur me turqizma, sa ç`kishte përcjellë edhe Rubairat e Khajamit. Duke shtrirë kështu si në një fushë pokeri tekstet që ngacmojnë disa hapësira imazhesh, pohojmë edhe një herë Frey-n se poezia nuk është vetëm pasqyrim. Ajo nuk riprodhon veçse një hije të natyrës: detyron natyrën të reflektojë në formën e saj përmbajtjesore[iv]. Dhe, në këtë rast, natyra përmbajtjesore e poezive të Nolit devijon menjëherë imazhin drejt Khajamit dhe dashurisë së tij për jetën, verën dhe dashurinë e pamoshë. Por përkrah teksteve që evidentuam na qaset papritur teksti i këngës Plak me marak, i cili na çon në pohimin se një tekst nuk është asnjëherë i izoluar, por gërshetohet gjithmonë me vepra të tjera, me të cilat dialogon. Në vitin 1968, Bakhtin[v] kishte theksuar se shpesh, në të njëjtën faqe apo edhe në të njëjtën fjali, ekziston prania e njëkohshme e dy “zërave” të ndryshëm, të cilët përfaqësojnë dy pika të ndryshme vështrimi, që nënkuptojnë dialog me njëri-tjetrin dhe që pasurojnë strukturën semantike të veprës. Këtë dukuri, e cila është krejtësisht linguistike, Bakhtin e quajti shumësi zërash (ose polifoni). Dukuria analoge e aplikuar në tekstet e shkruara bëhet ndërtekstualitet[vi].
Nëse të përkthesh do të thotë të kuptosh sistemin e brendshëm të një gjuhe dhe strukturën e një teksti të caktuar në atë gjuhë, si dhe të ndërtosh një sistem të dyfishtë tekstor, (Eco 2006: 17), arrijmë në përfundimin se ndërsa Noli përkthente Khajamin, duhej të kishte stiluar një proces, i cili, po aq sa parakuptonte një situatë normimi gjuhësor, po aq edhe konfliktonte gjuhësisht me dy realitete që qëndronin tetë shekuj larg në kontekste linguistike dhe kulturore. Për të kuptuar se si Noli ka normuar procedet e veta stilistikore, mjafton të kujtojmë Chevrel-in, sipas të cilit poezia është padyshim fusha ku rregullat janë ndjerë më fort, pasi në të bashkohen rregullat e gjuhës me ato të gjinisë. (Chevrel 2016:135). Duke vendosur në një anë normimin gjuhësor dhe rregullat e poetikës dhe në anën tjetër procesin e përkthimit, si një vështirësi për të thënë gati të njëjtën gjë, sipas Eco-s, arrijmë të evidentojmë mënyrën se si Noli ka proceduar për të sjellë Rubairat në shqip. Kjo procede do jetë udhërrëfyesja që do paqësojë mekanizmin e mbledhjes së copëzave-nyje kuptimore të teksteve të tij origjinale, me udhën nga ku na thërret teksti fillestar, që nuk është veçse një (i vetëm) në kontekst tjetër, tashmë të njohur (Rubairat).
Poezia është ikonike. Përgjatë leximit të saj, Noli nuk ka lexuar fjalët por ikonat[vii]. Ato kanë krijuar një imazh të ngrirë në vetëdijen e tij. Që kjo ikonë e ngrirë është gjëja[viii] për të cilën flet Eco ndërsa përpiqet të shpjegojë vështirësinë e të përkthyerit, ne e kuptojmë nga pohimet e vetë Nolit mbi vuajtjen e veshjes me fjalë të figurës ikonike khajamiane të formuar në vetëdijen e tij krijuese. Në Introduktën që paraprin përkthimin, Noli liston origjinalitetin e Rubairave, duke renditur në fakt, në mënyrë të përgjithësuar, vështirësitë (në emër të përkthimit si procede) që has veshja stilistike, leksikore dhe topike e vështrimit të të njëjtit objekt estetik, i cili duhet të përkojë me frymën e luhatshme të Rubairave sipas gjendjes së poetit në çastin e krijimit. Duke pohuar në këtë formë shumësinë e personaliteteve në një ikonë të vetme, përkthyesit i është dashur të qartësojë sistemin poetik, të normojë rregullat gjuhësore (që përmendëm më lart) të luajë me kuptimet dhe nënkuptimet, si dhe të gjejë rrobën e duhur për ta veshur vargun.[ix]
Një nga këto ikona që vjen në imazhin e ndjesisë së frikës ndaj ikjes së moshës, është strumbullari që vërtit mendimin e Rubairave dhe që Noli përpiqet të bëjë qokë[x], duke e ndërkallur imazhin në kushtet e një antiteze elegante: E dashur mbushmà Kupën që kthjellon/Të sotmen nga vrer qìkën, tmerr q`afron/Po nesër? Nesër nofta fryra, humba/Në shqotën ku e djeshmja fluturon (strofa 60); metonemisë së shoqëruar me thirrje: U-bëra prap djal i ri: Sill verë! (str. 62); metaforës që luan me përmasën e lëvizjes: Se Koha nëpër këmbë po na shket (str. 66); shkrirjes së pasthirrmës me similitudën: Më shkuan shokët! Vdekja pa mëshirë/ m`i shtrydhi një nga një si Rrush në Tirë (str. 74) etj.
Gjendja përgjatë së cilës ikona ka mbetur e ngrirë në vetëdijen rikrijuese, ka skalitur dhe veshur me mish imazhin e frikës ndaj kohës që shkon dhe moshës në ikje. Kjo është një pikënisje nga ku do të gjurmojmë tekstualitetin, i cili, në rastin tonë, vjen nëpërmjet së njëjtës pendë e stil. Nëse duam t`i dallojmë këto procedime te Noli, sipas Kutelit, ato dalin në pah më së miri nëpërmjet të lexuarit gjithëpërfshirës[xi].
Ngacmuesi i parë, i vërtetë që të shpie drejt kërkimit është kujtesa.
Dale moj, se kam një fjalë… dale moj se s`jam më djalë… një lexues bashkëpunëtor është gjithmonë një lexues i lexuar, i cili ndjen më së pari tekstin ta thërrasë dhe të kërkojë drejt një teksti tjetër, që, përveçse një teme të njohur, pa dyshim paraqet edhe stil e tregues kuptimorë familjarë.
Për të qenë më konkretë, i referohemi qokave ku gjejmë prizmin përmes së cilit, jashtë çdo kronologjie, do të lexojmë tekstet e Nolit dhe Khajamit, që pa dyshim janë të pranishme njëherazi në kujtesën tonë si lexues. Nga Khajam veçuam strofat 3, 20, 29, 31, 33, 34, 36, 45, 66, të cilat në kujtesën tonë erdhën si forma të fshehta takimi me tekstet e Nolit.
Evidentimi i tipareve të foljeve dhe përputhshmëria e imazheve/efekteve që ato krijojnë.
Identifikimi i parë shtresëzon foljet që realizojnë dinamikën e ikjes, por me synimin për të detajuar efektet e frikës përzierë me dhembjen: Khajam – u plakëm, (nesër) zbresim, (koha) shket, vdiq, (e nesërmja) s`na gjen. Noli – s`jam (më djalë), më rrjedhin djersët (nga lodhja) qenkam plakur, s`ka takat, të mbuloni (me dhe)
Duke i shtresëzuar tiparet e foljeve do të krijonim fusha semantike të cilat priten në efektet e tyre stilistikore:
Khajam.
u plakëm – konstatim i qartë, dorëzues dhe i pakthyeshëm;
(nesër) zbresim – ikje nga një realitet moshor, plakje, por ende një fije shprese;
(koha) shket – konstatim i plakjes dhe dorëzim;
(e djeshmja) vdiq – konstatim dhe pohim i aktit të mbarimit të një procesi;
(e nesërmja) s`na gjen – pohim, por edhe një fije shprese për të jetuar të tashmen.
Noli.
s`jam (më djalë) – konstatim i qartë, dorëzues dhe i pakthyeshëm;
më rrjedhin djersët (nga lodhja) – pohon, por ende kemi tentativa për të qëndruar;
qenkam plakur – konstatim i qartë, dorëzues dhe i pakthyeshëm;
s`ka takat – konstatim i qartë, dorëzues dhe i pakthyeshëm;
(kur) të mbuloni (me dhe) – pohim, por edhe një fije shprese për të jetuar të tashmen.
Dinamika e lëvizjes që sjell kuptimi i foljeve është imazhi i individit që luhatet mes fundit të jetës dhe dëshirës për ta shijuar atë edhe në atë hon ku ka arritur. Nëse do të realizonim prerjet ku fushat semantike takojnë mes fjalëve, atëherë grupet që do të rikrijonim do të ishin:
Grupi i parë: u plakëm, (koha) shket, (e djeshmja) vdiq, s`jam (më djalë), qenkam plakur, s`ka takat
Ky grup i parë ravijëzon pohimin e pakthyeshëm se imazhi ka ngrirë në buzë të ikjes. Është konstatim a pohim, që, pavarësisht çdo konteksti, lexohet në të njëjtën dritë, lakuriqësia e një ndjenje që heroi as e mohon, as e kundërshton, por e pohon atë si fakt që s`ka rrugëdalje.
Grupi i dytë: (nesër) zbresim, (e nesërmja) s`na gjen, më rrjedhin djersët (nga lodhja, (kur) të mbuloni (me dhe)
Në këtë grupim të dytë fusha semantike pëson një zhvendosje, falë edhe referentit që ajo ka si synim qasjeje. Lëvizja merr tjetër drejtim. Foljet e këtij grupimi shmangin imazhin e lëvizjes në ikje të grupit të parë dhe devijojnë drejt një tjetër lëvizjeje: tundimit për të mos u dorëzuar, për të përfituar edhe pak, ndjesi e cila pushtohet te Noli nga folja në urdhëroren e butë, lutëse dale (prit).
Kjo dinamikë, e quajtur tekstuale nga Kristeva, siç shihet, na hedh drejt një leximi të njëtrajtshëm të të dy teksteve, i cili në fakt e mund njëtrajtshmërinë e tekstit si të tillë. Duket sikur Noli vjershëtar, nëpërmjet aludimit në poezitë e tij (referueset) kërkon ta bëjë lexuesin bashkëpunëtor. Në këtë shtrirje, infrateksti nis të lëvizë dhe njëjtëson lexuesin duke nxjerrë një imazh të vetëm që duket se merr homogjenitet në vendosjen e rrafsheve kuptimore të foljeve të këtij grupimi.
Nga kjo përqasje semantike prodhohet dinamika, procesi që aktivizon kujtesën e përbashkët, gati pavetore (kemi pohuar Nathalie Peigay-Gros, 2011: 53) dhe tekstet, nga ky këndvështrim, pushojnë së ekzistuari si referenca të autorëve dhe gati i fshijnë skajet tekstuale respektive.
Por, këtu fjala gati na qartëson, e ndihur nga dallime semiotike, të cilat referojnë shenjues që dallojnë mes tyre. Për të bërë identifikimin e dytë, na ndihin kohët e foljeve dhe mjetet stilistikore.
Koha e tashme e foljeve te Khajam aktualizon në secilin prej grupimeve ndjesinë e moshës që tashmë po ikën çdo ditë. Për më tepër, foljet që evidentuam në këto kontekste te Khajam janë shumë të orientuara dhe nuk luajnë me poliseminë. Metafora koha nëpër këmbë po na shket vjen menjëherë pas pasthirrmës ah, duke krijuar simbiozën e ikjes me dhimbjen. Si të dojë ta derivojë ndjesinë, kjo lidhje stilistike pasurohet me metaforën dhe asidentin e djeshmja vdiq, e nesërmja s`na gjen. Metafora krijon lidhje interesante me një antitezë të mbetur në tentativë, sepse në fakt dyston të njëjtën ide (iku koha, s`ka as dje as nesër, ka vetëm sot). Asidenti e rrit nxitimin, e shpejton mundësinë për të jetuar dhe shfrytëzuar vetëm atë që kemi sot. Atëherë shenjuesi merr konturet e një imazhi që ndjesinë e moshës në ikje e shoqëron me emocionin e frikës dhe nxitimit për të përfituar atë që ai dëshiron, por gjithmonë me dhimbje.
Noli, duke cekur skajet (besojmë vetëm skajet) e parodisë, i rimerr foljet duke realizuar përdorime të shfazuara të kohëve të tyre. Përdor kohën e kryer të thjeshtë për treguar në këtë mënyrë një gjendje që përzgjatet (kapite, sfilite, këpute, etj). Por kjo përzgjatje nuk shkon dhe humbet. Ajo shoqërohet gjithashtu nga pasthirrma (si në rastin e Khajam) moj. Pasthirrma moj specifikon referentin dhe realizon kontekstin qesharak të poezisë, e cila pasurohet nga një kombinim metrik i përsosur i numrit të rrokjeve në vargje me kohët e foljeve. Tri vargjet e para të çdo strofe i kemi tetë-rrokshe, ndërsa vargun e katërt e kemi pesë-rroksh (dihet tashmë që kjo thyerje përkon me ecjen çalamane të heroit lirik). Zgjatja e veprimit që të përcjell koha e kryer e thjeshtë në foljet e tri vargjeve të para, këputet në mes, aktualizohet nga koha e tashme e foljeve në vargun e fundit. Noli ka punuar në magjen e tij me nikoqirllëk, asnjë rrokje s`ka dalë tepër, dhe konteksti e realizon qëllimin: teksti është rishkruar në një stil më të ulët, krahasuar me Khajam, është afër tij, por humori i ndan imazhet.
Si përfundim, nëse semantika afron, semiotika ndan.
Por të gjitha foljet vrapojnë drejt së njëjtës domethënie. Ndaj, për hir të së vërtetës duhet pohuar se më tepër sesa ndarje këto tekste realizojnë marrëdhënie bashkëpranie mes tyre.
Sigurisht që në gjithë e curinë e ndërtekstualitetit është fare e rrallë, madje ndoshta përjashtohet krejtësisht, mundësia që secili prej teksteve në fjalë të merret në tërësinë e tij; privilegjohet një element (fonik, konceptual, tematik…); Chevrel 2016: 132]. Në këtë kuptim, duke lënë pak mënjanë elementë të tjerë do t`ì referohemi atij konceptual, sepse në perspektivën e të lexuarit global, ky element është homogjen dhe përbën korpusin bazë të procesit të ndërtekstualitetit. Që të analizosh perceptimet konceptuale duhet para së gjithash të saktësosh normëzimin semantik të gjuhës së përdorur. Normëzimi semantik i gjuhës së përdorur nga njëra anë i përket marrëdhënies mes shenjave gjuhësore dhe asaj që ato shenjojnë (foljet, pasthirrmat, figurat) dhe nga ana tjetër marrëdhënies mes mendimit korrespondues (konceptit) dhe produkteve gjuhësore me të cilat formulohen mendimet (Klaus.G, 2006:144).
Te Khajam dhe Noli i ndeshim ndjesitë të ndërkallura me njëra-tjetrën: E shkurtër është jeta, ja, u plakëm (Khajam), Qenkam plakur, e kuptova. (Noli). Thëniet janë të drejtpërdrejta sepse referojnë të njëjtën fushë semantike: konstatimin apo pohimin për fazën e fundit të jetës njerëzore. Në këtë rast, peshën në fjali e mban fjala plakje.
Produkti gjuhësor ardhur nga Khajam është sentencë, e cila realizohet me anë të një fjalie pohuese, ndërsa te Noli, kemi përdorimin e dy modaliteteve foljore brenda një fjalie: habitorja dhe pohorja, që e kthen tonin e poezisë drejt humorit. Për të zgjeruar pastaj fushën semantike me foljet këpute, sfilite. Kjo ndan tonalitetet te dy poezitë, siç është normale të ndodhë në një proces ndërtekstualiteti ku toni i tekstit të dytë (zakonisht parodik) është më i ulët.
Pasi je distancuar nga tekstet, të mbetet në shije ndjesia që provon heroi lirik: frikë, keqardhje, dëshirë. Padyshim që nuk jemi në gjendje të përcaktojmë paktin që Noli ka bërë me tekstin në origjinal, por ama ajo që është e dukshme konfigurohet në rrafshet ku ndërteksti merr kuptim. Të dyja tekstet rëndojnë erotizëm.
Nëse i referohemi disa fjalorëve shpjegues, termi erotik, (nga i cili vjen erotizëm), shpjegohet si kompleks i manifestimit të impulseve seksuale në rrafshe psikologjike, afektive, të sjelljes[xii]. Këto impulse janë të dukshme te Khajam dhe gati të paturpshme te Noli.
Te Khajam krijohen imazhe që referent kanë shqisën e të parit, me të cilën krijojnë metonemi të mrekullueshme: 1- Ty natën të kujtonj e psherëtinj/Nga malli digjem, si qiri kam shkrirë; 2-Zëmërën me sy e dashura ma ndes/Zëmërën –qirime flagën rron e vdes;3- Me syrin bukuri e dritë çpall,/në zëmërën dashuri e zjarr më kall. Syri i lexuesit aktivizon ngjyrën e kuqe, por jo si referent, si rrjedhojë. Sepse referenti që vjen nga similitura (shembulli 1), nga metaforat (shembulli 2 dhe 3) dhe elipsa (shembulli 2) nuk është gjë tjetër veçse një produkt konceptual i realizuar figurativisht nga e kuqja prej zjarrit (nxehtësi). Imazhi mishton marrëdhënien mes përftesave ligjërimore[xiii] dhe konceptit që ato përcjellin në formën e një metonemie mbresëlënëse.
Noli është më i drejtpërdrejtë, në kërkesën e tij: Gjithë peshën e mban folja dale, e përsëritur katër herë, nëse pranojmë që semantikisht kjo folje është e barasvlershme me foljen prit (prit-e). Folja dale (sado që në urdhërore) në fakt merr nota lutëse. Duket se heroi lyp. Në mendjen e lexuesit shqipfolës, folja dale vjen në kontekste të qarta lutëse, madje me vlerën e fjalisë së paplotë (dale, prit të flas unë; dale të të shoh pak; dale të të them një fjalë në vesh; dale, prit, mos u nxito). Referenti luan përsëri me shqisën e të parit, por imazhi i Nolit është i ndryshëm nga imazhi i Khajam. 1-Dale, moj, se kam një fjalë,/Se më rjedhin djersët valë; Dhe më s’ecënj dot;2- Dale, moj, se më kapite,/Më këpute, më sfilite,/Prite, moj, ashikun, prite/Që të vjen me not; 3-E arriva dhe ia thashë, 4-Dhe më s’ecënj dot.;Që të vjen me not. Semantikisht të gjitha foljet i përkasin lëvizjes, madje specifikisht ecjes së mundimshme. Kjo përforcohet nga hiperbola (shembulli 1) që i jep përmasë lodhjes dhe nxitimit, enumeracioni (shembulli 2) që nxit sensin e humorit, apostrofi (shembulli 2) që çon në një nivel më të lartë humorin, i cili shpërthen në kontrastin final (shembulli 4). Ai zjarri që digjte heroin e Khajamit, është po i njëjti i heroit të Nolit që në të dyja rastet është erotika dhe instinkti i heroit lirik që nxiton të fitojë atë ç`ka i ka mbetur. Sepse ndjesitë e përcjella janë instinktive dhe të ngjeshura me erotizëm: 1-Ty natën të kujtonj e psherëtinj/Nga malli digjem, si qiri kam shkrirë; 2-pikova gjak u çora e u shemba; 3-Te flag` e bukur zëmra-flutur turet/kur unë psherëtinj për ty me mall; 4-shpejt! Nesër zbresim që të dy në Lomë. (Khajam)
Erotizëm që te Noli shfaqet si një tjetër përmasë sjelljeje: instinkt, i realizuar me morinë e foljeve dhe tonet lutëse të habitores.
Ky erotizëm i Khajam, që merr nota filozofike (siç e përmend edhe Noli vetë në Introduktin që paraprin Rubairat), kthehet në modalitet sjelljeje instinktive te Noli, duke aluduar tekstin e mëparshëm, sigurisht edhe duke e rrotulluar kuptimin (Piegay-Gros. N, 2011). Për ta përmbyllur këtë evidentim, ngurtësojmë pezull një kuptim, imazh dhe efekt sjelljeje nga teksti i parë, i cili shfaqet në dykuptimësi të veçantë në tekstin e dytë.
Ndalemi te dy fakte tekstuale: Khajam-E prisnja! si rrufeja më tronditi/e dashuria më shkoi, më neveriti; Noli- Hapi gojën, dhe vajtova,/Qenkam plakur, e kuptova,/M’ardhi keq, po s’e mohova.
Përballim sintagmat: e prisnja dhe hapi gojën dhe vajtova. Në këtë rast teksti fillestar e ka të dukshëm gjurmën nëpërmjet llojit të fjalisë së përdorur (mungesore) dhe produktit thëniesor. Ky i fundit është kaq konvencional, i shkoqur, sa teksti i parë është dukshëm qartë i referuar në tekstin e dytë. Për të vijuar me dy tekstfaktet e mëposhtme
Khajam: S`e çmonja kur e kisha…Ah! Ç`m`a priti/Në Ferrin nga parajsa më vërtiti.
Noli: Dhe nga jeta u mërzita,/Dhe nga lumi u vërvita/Që të vdes, se u korita/Dy-tri herë sot.
Në Fjalorin e Gjuhës Shqipe për foljen vërtit shkëputëm njërin nga kuptimet që përkon me dy tekstet: vërvít (vërvís) folje kalimtare; -a,-ur -e hedh tutje diçka me vrull; e flak: vërviti gurin. Sipas Gros-it, teksti burim do të pikaset lehtë kur copëza e thirrur përmban një fjalë apo një shprehje aq të rrallë për të qenë e lidhur ngushtë me një kontekst të përcaktuar (Piegay-Gros. N, 2011:135). Folja në të dyja tekstet na dërgon të njëjtin shenjues, me përputhshmëri të plotë semantike. Kemi një lloj agramatikaliteti: kalimi nga forma veprore (Khajam) në formën pësore (Noli), por nuk cenohet referenti, përkundrazi, ai njëjtësohet në imazh dhe ndan në këndin e të vështruarit. Këtë dallim të hollë e realizon forma veprore që ndjesinë e sjell nga jashtë brenda dhe pësorja që e zhvendos nga brenda jashtë.
Për ta përmbyllur analizën me detajimin e Gros-it drejt kontekstit të përcaktuar, aludimi i Nolit përcjell si Parajsë dashurinë dhe si Ferr shpërfilljen. Gjithashtu, përdorimi lidhëzave (dhe, që) në nisje të fjalisë i zhvesh ato nga funksioni që i cakton gramatika, krijon enumeracion duke e zgjeruar konceptin fillestar për Ferrin si shpërfillje të dashurisë (e hasëm në tekstin e parë). Ky zgjatim i mendimit nolian kontraston me konçizitetin e anasjellës (inversionit) te Khajam, por operacionet mendore të lexuesit saktësojnë të njëjtat kontekste thëniesore, ndërsa prodhojnë efekte ndijore të ndryshme (njëri filozofik dhe tjetri humoristik).
Për t`iu rikthyer efekteve instinktive epshore të Nolit, bashkëvendosim strofën e parafundit: Po ti, Zot, më ngushëllove/Pas një tjatre më lëshove,/Dhe nga mbytja më shpëtove,/Lavdi paç, o Zot.; me strofën 66 të Khajam: Ah mbushmi kupat! Zemra na thërret/se koha nëpër këmbë po na shket/e djeshmja vdiq, e nesërmja s`na gjen/ç`mërziti kur e sotmja ka lezet?
Po ta vëzhgosh vargun si një të vetëm, hasim një lloj tragjikomizmi që vjen nga prania e dëshirës erotike dhe pamundësisë trupore[xiv]. Khajami filozof, përmes dhimbjes (e sqaruam më lart rolin e pasthirrmës), thërret për të jetuar çastin gati me nxitim. Dominante në funksionin e saj brenda sentencës, fjalia shkakore (se koha nëpër këmbë po na shket), është sfond tragjik, i cili thyhet nga pyetja retorike e realizuar brenda periudhës së shkurtër që mbart një fije humori në të (ç`mërziti kur e sotmja ka lezet). Noli satirizon duke u tallur edhe me vetë dhimbjen, duke përdorur trajtën e shkurtër më në funksion kundrinori, i cili e mbyll qarkun e veprimit rreth vetes (më: ngushëllove, lëshove, shpëtove-vetë kupton, vetë mërzitet, vetë gjen rrugëdalje), por që në fakt është po i njëjti veprim i nisjes. Kemi një farë rrethvetërrotullimi të imazhit, ndjesisë dhe reflektimit. Këtu buron humori që përcjell edhe keqardhje, tragjizëm për këtë energji të shpërdoruar e të pashpresë.
Që Noli nuk ka mbetur indiferent ndaj temës erotike, këtë e kanë pohuar edhe studies të tjerë[xv], madje e kanë analizuar atë në marrëdhënie me erotikën e letërsisë shqipe deri në kohën e shkrimeve të tij. Por ne mendojmë se teksti fillestar i Rubairave ka gjetur një terren tejet të përshtatshëm në personalitetin krijues e ndijor të Nolit, duke përcjellë pjesë të tijat drejt tekstit të ri.
(c) 2020, Natasha Porocani-Shuteriqi
[i] Eco, Umberto, Të thuash gati të njëjtën gjë, Dituria, Tiranë 2006, fq. 210.
[ii] Chevrel. Yves, Letërsia e krahasuar, Naimi (Shtëpi botuese dhe studio letrare), Tiranë 2016, fq. 69.
[iii] Në veprën e tij Aspekte të gjuhësisë së zbatuar II, Plangarica trajton nocionin e Inftratekstit, i cili sipas analizës së tij është teksti i lexuesit, përtejteksti a infrateksti, që si i tillë përftohet në raport me tekstin letrar në një proces të të lexuarit që jo thjeshtë dekodon e zbërthen, por njëherazi përfton një tjetër tekst, një përtejtekst, ku barten natyrshëm tharmet estetike dhe letrare që i ka bujarisht në pronësi ai tip lexuesesi që arrin të përftojë këtë proces të veçantë të lexuarit te tekstit letrar. (Tiranë 2018:131)
[iv] Frey. Northrop, Teoria dei modi, dei simboli, dei miti e die generi letterari, Piccola Biblioteca Einaudi, Torino 1969, fq. 112.
[v] https://it.pearson.com/aree-disciplinari/italiano/idee-per-insegnare/intertestualita-insegnamento-letteratura.html
[vi] Termi “intertekstualitet” u fut në kritikën letrare nga psikanalistja franceze me origjinë bullgare Julia Kristeva më 1978, në një kuptim pjesërisht të ndryshëm nga ai aktual.
[vii] Kur flasim për aspektin ikonik të perceptimit, duam të qartësojmë se po përdorim konceptin, por jo shtjellimin e tij.
[viii] Eco,Umberto, vepër e cituar, fq. 9.
[ix] Noli, Fan, Vepra I, Botimet Dudaj, Tiranë 143-157). Noli pohon: Mënyra me të cilën Omar Khajami lot me kuptimet e ndryshme të këtyre fjalëve ua ka turbulluar kokën të gjithë këndonjësve dhe përkthenjësve të tij, të cilët që nga kohët e vjeta e gjer sot kanë dashur t`a simplifikojnë punën me sëpatë Dardhari, dyke na e paraqitur Omar Khajamin a vetëm Anakreontian e Hedonist, a vetëm Epikurian e Skeptik anti-fetar, a vetëm Fetar e Mistik.
[x] Këtë term e kemi huazuar nga Plangarica, Aspekte të gjuhësisë së zbatuar (2017), i cili, ndërsa saktëson terminologjinë e përkthimit nga frëngjishtja, shkruan: Për të vijuar më tej, skaji repère, mendojmë se duhet përkthyer me qokë, ndërsa të ardhurat prej tij repérer, repérage, repéré përkatësisht me qokëtoj, qokëtim dhe i qokëtuar; përkthim i tillë nuk është bërë ende në shumë gjuhë të tjera. P.sh. në anglisht, për mungesë të një fjale që do ta jepte barasvlershëm nocionin përkatës të gjuhësisë franceze, përdoret skaji reper i huazuar nga frëngjishtja. Është parapëlqyer skaji qokë, sepse i përgjigjet më mirë skajit gjegjës frëng repère, se që të dy vijnë nga fusha e marrjes, e vënies së diçkaje (qokë, popël, kunj, etj.) si skaj orientimi, sepse fjala qokë me kuptimet dhe përdorimet e saj në gegërisht i përgjigjet më mirë jo vetëm nocionit të orientimit, saktësisë, urtësisë, maturisë, por edhe shërben si temë më pak e zënë për të formuar çerdhe homogjene terminologjike fjalësh : qokëtoj, qokëtim, i qokëtuar, qokëtues, i qokëtueshëm, etj.
[xi] Kuteli, Mitrush. Shënime kritike, Shtëpia Botuese Grand Print, Tiranë 2007, fq 39.
[xii] Cituar nga Lisandri Kola, Modeli i erotizmit simbas Arshi Pipës tek poezia „Epsh“ përmes proçedimesh figuracionale, http://kens.al/revista/Kens.pdf
[xiii] Edhe në këtë rast termin e kemi referuar nga T.Plangarica, (Cikël ligjëratash pranë Universiteit të Elbasanti, 2013)
[xiv] Këtë konstatim për herë të parë e ka pohuar Agim Vinca në artikullin Fushata kundër Nolit, akuzat e pavend të Sabri Hamitit, Rilindasi, 10/06/2012
[xv] Këtu i jemi referuar disa mendimeve studimore: Krifca-Beqiri Majlinda, Femra në poezinë shqipe të decieneve të para të shekullit XX, fq. 140; Hamiti Sabri, Konferenca e parë shkencore ndërkombëtare Erotizmi në Letërsinë shqiptare, nëntor 2011, gazeta Mapo, 21/11/2011, Goce Blerina, Mungesa e erotikës në letërsinë e shkruar, revista Haemus-blogspot/03/2016.