Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Gjuhësi / Jurisprudencë

FJALA DHE DJALA

Burri kur jep fjalën, ther djalën.[1]

Proverbi pranëvë dy akte: njëri gjuhësor – dhënia e fjalës, si performativ; tjetri jo-gjuhësor – sakrifica e fëmijës.

Dhënia e fjalës është premtim, por është më tepër se premtim: BÉ.[2] Beja konsiston në shqiptimin e një formule të shenjtë (formule sacrée, Benveniste), si garanci të vëtetësisë së një dëshmie ose premtimi. Është shqiptimi, thekson Benveniste, që konstituon të drejtën (ius dhe dicere, iu-dex).[3]

Bésë Agamben-i i ka kushtuar një vepër të plotë, duke e quajtur “sakramenti i gjuhës” (il sacramento del linguaggio).

Sipas këtij filozofi, béja është garanci e vërtetësisë dhe efikasitetit të gjuhës (linguaggio); ajo vendos një marrëdhënie midis fjalës së shqiptuar dhe fuqisë së invokuar.[4]

Béja, vëren Agamben-i, është “logosi i Zotit”; edhe në kuptimin që çdo fjalë e Zotit është bé, meqë vetvetiu instituon lidhjen mes gjuhës dhe botës.

Forma arkaike e bésë, ndër shqiptarë, duket të jetë e tipit “mbë gur.” Të zakonshme janë edhe bétë që invokojnë objekte të tjera të natyrës: dheun, malin, lumin; ose institucione të familjes (Sinani).

Béja, thotë Agamben-i, bashkon në vete magjinë, fenë dhe të drejtën – në kuptimin që të treja këto praktika dhe institucione sociale do të dalin që andej.

Po çfarë është dhënia e fjalës? Nga pikëpamja komunikative, është garanci se gjuha dhe bota do të merren vesh mes tyre.

Béja, në fakt, nuk ka të bëjë me natyrën (përmbajtjen) e gjësë së premtuar dhe as me faktin nëse garancia jepet për të shkuarën apo për të ardhmen; por vetëm me atë lloj marrëveshjeje të gjuhës me botën, i së cilës folësi bëhet garant, para Zotit.

Edhe kur nuk përmendet, vëren Agamben-i, Zoti është gjithnjë i pranishëm, si aftësues i bésë.

Dhe kjo “therja e djalës”, që del në proverbin shqip, çfarë është tamam?

Duke thirrur në skenë dramën dhe funksionalitetin e sakrificës (aktit sakrifikal), kjo gjymtyrë e proverbit mishëron atë pjesë të bésë, që Agamben-i e quan “mallkimi” – ose ndëshkimi, që përbetari thërret mbi vete, nëse béja rezulton e rreme.

Mallkimi në kontekstin e besë, për atë autor, është edhe ai sakrament; madje jo vetëm; performativi i mallkimit pararend dhe paralajmëron sistemin penal.[5]

Sipas Benveniste-it, ndëshkimi për be të rreme, në mendësinë antike (homerike) dhe atë indo-europiane në përgjithësi, nuk ishte punë për njerëzit: ndëshkimi duhej të vinte nga Zotat, sepse këta janë garantët e besë: shkelja e fjalës së dhënë është delikt kundër hyjve.

Por burri nuk ka nevojë ta therë djalën: mjafton të mbajë fjalën. Therja e “djalës” është atje, si mundësi, vetëm për të ilustruar katastrofën që sjell shkelja e fjalës së dhënë.

“Beja që bahet në krye të djelmvet njihet ndër be të randa”, thotë Kanuni i mbledhur nga Shtjefën Gjeçovi.

Sa ma e randë beja, aq ma e randë fjala (si guri).

Por po më duket çudi që Agamben-i, në traktatin e vet për bénë, nuk i jep shumë rëndësi asaj që ky akt gjuhësor i përket, në thelb, një sistemi social të bazuar në oralitetin.

Edhe pse béja e ruan edhe sot forcën e saj, siç e shohim në momente solemne të konstituimit të drejtuesve të shtetit, ose në skenën e gjyqit – sërish, ne sot kemi kaluar në një sistem tjetër, ku vendin bésë ia ka zënë firma (nënshkrimi); dhe, deri diku, moralitetit alfabetizimi (literacy), që është edhe baza e burokracisë.

Vendin aktit gojor ia ka zënë akti shkrimor[6].

Në shoqëritë pa shkrim, béja ishte ndoshta forma supreme e regjistrimit të një akti gjuhësor – ku përbetari vihej të fliste, për ta thënë me Agamben-in, logosin e Zotit.

Fjala e dhënë ka shërbyer, në thelb, si gur themeli i rendit social. Dramat në mos tragjeditë e lidhura me fjalën e dhënë, bénë dhe nevojën për ta mbajtur atë, shfaqen kaq shpesh në mitet dhe legjendat popullore.

Edhe sot, të gjithë ne, përballë dikujt që e shkel bénë dhe nuk e mban fjalën që ka dhënë, reagojmë ndryshe, duke përjetuar një lloj ndryshe lëndimi, nga çfarë ndiejmë përballë dikujt që nuk e përfill firmën që ka vënë.

Nëse fjala i jepet Tjetrit, duke konstituuar një lloj marrëdhënie dy-palëshe ekskluzive, nën autoritetin e “logosit së Zotit”, firma i apelohet autoritetit shekullar të Shtetit.

Të krahasohet “një fjalë goje” me “një copë letër”.

Në të dy herët – béja dhe firma – lidhen kontrata; por palët angazhohen në mënyra të ndryshme.

Forcën e dikurshme të sakramentit të bésë ne sot e ndiejmë si angështi, sa herë e kuptojmë se nuk po e mbajmë fjalën që kemi dhënë.

Zoti i dikurshëm i Logos-it, që rregullonte shoqëritë orale, tani na manifestohet si ankth.

Proverba qarkullon edhe në trajtë tjetër: Shqiptari kur jep fjalën ther djalën. Edhe kjo mbrehje e sakramentit në qerren kombëtariste mjafton, në kontekstin tonë, për të konfirmuar rrëgjimin e tij.

 

© 2020, Peizazhe të fjalës. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


Bibliografi minimale:

Giorgio Agamben, Il Sacramento del linguaggio, Archeologia del giuramento. Laterza 2008.

Kanuni i Lekë Dukagjinit, i mbledhur nga Shtjefën Gjeçovi.

Roy Harris, Rethinking Writing, Continuum, 2000.

Émile Benveniste, Le Vocabulaire des institutions indo-européennes, Les Éditions de Minuit, 1969, vol.2, chapitre 3, ius et le serment à Rome; chapitre 8, Le serment en Grèce.

Shaban Sinani, Etnos në epos, Naimi 2011.

Shënim: faqet e citimeve i kam lënë qëllimisht jashtë: të interesuarit veç do të përfitonin, po t’i kërkonin vetë.

Imazhi në kopertinë: Skena e betimit, në Bayeux Tapestry.


[1] Studimi Besë dhe fe, i Albert Riskës, që u botua te Peizazhet të fjalës para pak ditësh, u bë shkas që t’i mblidhja këto shënime të miat, të vëna mënjanë prej kohësh, kur po lexoja librin e Agamben-it për bénë.

[2] Semantikën dhe pragmatikën e kësaj fjale në shqipe, sipas përmasës antropolinguistike dhe në çerdhen e saj leksikore bashkë me terma si besë, besim, besnik, betim etj., e ka trajtuar gjerë Shaban Sinani, në veprën e cituar.

[3] Megjithatë, ky autor dallon midis sacramentum (që ka dhënë serment në frëngjishte dhe që është konsakrimi ndaj zotave dhe gatishmëria për t’u ndëshkuar, në rast mosmbajtje të fjalës) dhe iurare (që është përsëritja e formulës së shqiptuar). Për temën tonë, të “fjalës së dhënë”, ky dallim nuk është esencial.

[4] Lidhjet e së me besën janë për t’u trajtuar veçan; këtu po mjaftohem të përmend se besa është efekt i drejtpërdrejtë i bésë. Fjalët betohem dhe betim janë kuptimisht të lidhura ngushtë me bé; forma foljore më e vjetër, në shqipe, është bëj bé.

[5] Mallkimi, si akt gjuhësor, i kapërcen kufijtë e bésë; sikurse edhe blasfemia (bestemmia).

[6] Roy Harris, që e ka studiuar aktin nënshkrimor, vëren se një firmë është aq ekskluzivisht shkrimore, sa “nuk mund të lexohet me zë”, si pjesa tjetër e tekstit.

6 Komente

  1. Ne Kolonje, sa here cuditeshin per dicka qe degjonin, thoshin: Bej be? Shpesh nuk do te thoshte hic qe nuk e besonin, por thjesht qe ishin cuditur/gezuar shume nga e reja qe kishin mesuar. Nganjehere pergjigja komike ishte: beeee. Ndersa ne Tirane thoshin “zej be!” ose “zuri be” Ne te dy rastet perdorimet tregojne se beja si dukuri ka ngelur ne perdorime dytesore dhe figurative, dhe e ka humbur peshen e idese se be-se.

  2. “Shqiptari kur jep fjalën ther djalën” duhet te kete hyre me krishterimin. Eshte nje forme aforizmatike e historise se sakrifikimit te Isakut nga i ati, Abrahami: Zoti i tha Abrahamit sille djalin e parelindur ne malin Moriah dhe sakrifikoje per te treguar besnikeri ndaj meje. Dhe Abrahami e mori djalin e tij Isak, e shpuri ne malin e shenjte dhe pa iu dridhur dora vuri thiken ne qafen e Isakut. Pastaj Zoti i tha lere se doja te te vija ne prove. Mer e ther qingjin…dhe qe nga ai moment sakrifikimet per popullin e zgjedhur beheshin vetem me kafshe…
    Sipas islamikeve, Abrahami nuk e beri kete gje me Isakun, por me Ismailin, sepse ky ishte djali i pare i tij…

    1. Ligji romak mbeshtetej ne kontratat verbale,handshake deals.Kanuni eshte I mbeshtetur ne traditen bizantine te Justinian apo te car Dushanit si thone gojet e liga .

      1. Tradita orale, ndër shqiptarë, është kombinim i traditës pagane, traditave indo-europiane dhe traditës së të krishterë në disa forma edhe kjo (paleokristiane, bizantine, sllave, katolike). Tekstet e shkruara janë të vona dhe derivative. Unë më lart flas për themelet orale të besë dhe të besës; gjithë duke mbajtur parasysh që oraliteti e anulon temporalitetin.

  3. Béja eshte institucion akoma ne fuqi ne zonen e Mirdites, me ane te cilit i akuzuari shfajsohet ose jo. “Do t’i coj béne” eshte shprehja qe perdoret nga akuzuesi, per personin qe dyshon.
    “Per at ungjill, e shenjte béja e Zotit qe e bafsha e me nimofte, as nuk e di, as kam hak as hile!” eshte pak a shume formula e bé-se.
    Kur dikush akuzohet per “gjak borxh” beja behet ne prani te 24 burrave, njerez te zgjedhur, me autoritet. Ne nje rast te tille, beja e te akuzuarit duhet te miratohet unanimisht, qe do te thote qe pas tij, te gjithe nga 24 burrat te bejne be njelloj per pafajsine e tij, duke u bere keshtu garant per te. Nese njeri nga ara nuk ben bé (nuk leshon pengun), béja nuk quhet.
    Besohet fort se béja ne te rrene sjelle mallkime te fuqishme dhe denimi te vjen nga Zoti e te ndjek me breza.
    Duke pire kafe me dike jo te pashkolluar, i cili nga tre femije, dy i ka shume te semure, nje e ka me tumor, nje me autizem te grades se funit, me pat thene, – shkova ne fshat dhe pyta nanen plake, nane a din gja, a thu t’part tane kan ba bé kun rrejshem? Nanes i kishin rreshqit lotet ne faqet e rreshkme e i ishte pergjigj, – jo bre bir, vec punt e Zotit, asigja tjeter.

  4. Lidhja e fjalës së dhënë me fuqitë mbinjerëzore, zotat, e ka burimin në të menduarit e fjalës të barabartë me shpirtin, frymën. “Fjala del andej nga del shpirti”, është një shprehje madje më e fuqishme e sakrale se “kur jep fjalën, ther djalën” (që, në një kontekst të caktuar, mund të tingëllojë edhe si ironike), ka në thelb dorëzaninë hyjnore të atij që betohet. Qoftë bekimi, qoftë mallkimi, apo amaneti, janë të lidhur me ritualin të folurit duke thirrur si dëshmitar/ë të zotave të veçantë, por edhe të qiellit, tokës, gurit, etj, sepse secili prej tyre kishte një hyjni të vetën mbrojtëse dhe ndëshkuese.
    Gojëdhëna tregon për një të vrarë në pabesi, i cili ia la amanet një shkurreje të tregonte të vërtetën e fatit të tij dhe se, kur një bari këputi një degë dhe e bëri fyell, fyelli nxirrte vetëm fjalët e amanetit të të vdekurit dhe asnjë melodi tjetër.
    Prandaj bërja e besë së rreme ndëshkohet shumë rëndë, njëlloj me prerjen e mikut në besë.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin