A po e manipulojnë mass mediat publikun e tyre në Shqipëri? Pyetja në vetvete është idiote – ndoshta duhej riformuluar kështu: a po e manipulojnë trashë mass mediat publikun e tyre në Shqipëri?
Para disa ditësh, u përhap në mënyrë virale (ta përdorësh këtë mbiemër është klishe tashmë), në portalet dhe në rrjetet sociale, një video-montazh, ku historiani Paskal Milo jepte disa sqarime për prejardhjen etnike të nënës së Skënderbeut dhe për fenë origjinale të këtij.
Muhabete të vjetra. Dhe në çdo kuptim: siç e sqaroi Miloja vetë, ishte fjala për deklarata të tij të vitit 2018 (për më tepër, të nxjerra nga konteksti), të cilat në kohën kur u bënë publike – dy vjet më parë – u përcollën me indiferencën e nevojshme.
Përkundrazi, po të gjykoje nga reagimi i tanishëm i “patriotëve” në mediat, mund të arrije në përfundimin se vendi qenkësh në zgrip të revoltës, se nuk mbante më (poshtë tradhtarët!). Nuk mbeti burrë mustaqelli pa u indinjuar me këtë atentat të ri ndaj shqiptarisë; madje njëri kërkoi edhe që historianit Milo “t’i hiqej shtetësia shqiptare”!
Pse u riaktivizua befasisht kjo video? Kush e bëri, me siguri nuk u shty nga motive mirëfilli historiografike – tek e fundit, çështja e “nënës së Skënderbeut” nuk ka asnjë aktualitet dhe as mund të diskutohet seriozisht mes jo historianëve dhe gjenealogjistëve; dhe aq më tepër vlen argumenti për fenë e Skënderbeut në lindje. Këto janë gjëra të vështira edhe për historianët vetë…
Përshtypja ime: interesi pasionant i amatorëve për këtë temë dhe për të dënuar ata që devijojnë nga “vija patriotike” është vetvetiu tregues i një mendjeje të cekët. Dhe meqë mendje të cekëta ka sa të duash, histeria e tanishme nuk duhet të habisë kënd.
Po pse pikërisht tani, pyet konspiracisti. Çfarë po ndodhte tani, që të nxirrej nga dollapi kjo video e vjetër, provë e një polemike të vjetër? Vërtet: çfarë po ndodhte? Të ketë vallë lidhje kjo mesele me atë ndërtesën e vjetër që… ? Nah.
Lajmet që krijohen prej mediave i kanë quajtur “jo-lajme”. Në fakt, më shumë se gjysma e atyre që përcillen si lajme, nga mass mediat, janë krijime të mediave vetë, të zyrave të marrëdhënieve për publikun dhe të manipuluesve profesionistë të opinionit. Madje për këtë nuk ka nevojë njeriu as të gënjejë: mjafton të kërresh një status në Facebook, që të ta marrin të gjitha mediat dhe portalet – me kusht që të jesh dikushi (titull lajmi tipik: ministri i njohur M.K. sapo tha në Facebook se nuk do t’u përgjigjet më kritikave në Facebook.)
Videoja me Paskal Milon është shembull i një jo-lajmi. Që tërheq vëmendjen, sepse më duket tipik për mënyrën si operojnë mass mediat dhe qarqet e tjera të interesuara për manipulimin e publikut.
Ose, për ta thënë më shkoqur: lajmi këtu nuk është çfarë ka thënë Miloja për nënën e Skënderbeut në 2018-ën, por që ai video-montazh u hodh në qarkullim dhe u shoqërua me indinjatë të madhe pikërisht tani, ose pa ndonjë arsye “kalendarike” (duke qenë kalendari alibi e pranuar e gjithë manipuluesve të skrupullt).
Me këto gjëra në mendje, hapa sot faqen online të gazetës TemA, dhe më doli përpara ky “lajm”:
Po, e patë mirë: bëhet fjalë për një artikull të një reviste holandeze Vrij Nederland, të para 12 vjetëve. Sërish, lajmi këtu nuk është përmbajtja e këtij artikulli relativisht të vjetër dhe të mirënjohur për të gjithë ata që merren me biografinë e Lulzim Bashës, por rimarrja e tij sot, si lajm i fshehur pas një jolajmi.
Këtë argument mund ta riformuloj kështu: (1) kujt i bëhet ende vonë sot se si është arsimuar Basha në Holandë këtu e disa dekada më parë; (2) kujt i bëhet vonë se çfarë ka shkruar një revistë holandeze për këtë punë në vitin 2008? dhe (3) kujt i është kujtuar kjo gjë dhe e ka botuar sot në vitin 2020?
Pyetje për njerëz të ngeshëm dhe dyshues; por edhe të dyshimtë, sa kohë që ia bëjnë ato vetes.
Për ata që ende duan të dinë se “ku dua të dal” me këtë shkrim, po shtoj: kjo nuk është gazetari, por një përpjekje për të na vënë të gjithëve në lojë. Tema si ajo e nënës së Skënderbeut ose e studimeve të Bashës në Holandë janë të tilla që nuk vdesin kurrë – e kanë të garantuar intrigën, sidomos në mendjen e naivëve.
Dhe siç e thashë, të vetmet lajme këtu, janë që mediat ende i shesin si lajme.
© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë ribotimi dhe kopjimi pa leje. Shkelësit do të përndiqen ligjërisht.
Realisht, në Shqiperi, dhe jo vetem, gazetaria eshte biznes. Eshte pak si e pakuptimte te presesh qe pronaret e mediave (ne Shqiperi) te jene nxites te nje gazetarie te mirefillte.
Thjesht clickbaits. Sigurisht me pasoja te renda në nje publik te hutuar e te pa qete.
Nuk ka keqpërdorim më abuzativ funksioni prej një mjeti komunikues se sa tentativat e dështuara të mass mediave për të manipuluar sado pak opinionet e individit. Më trashë këto orvatje janë bërë edhe ke e ashtuquajtura “temë”. Jo më kot gjithë ajo “lukuni” lexuesish të dikurshëm i kanë kthyer shpatullat.
Ne aspektin gazetaresk eshte ndoshta jo-lajm, por i pershtatet mjedisit kulturor. Eshte e njejta situate me tema te tilla historike te para 50-40 viteve: cfare i tha Mehmeti Fahri Balliut ne veshin e djathte tre dite para vetevrasjes. Disa kane hapur kanatet e historise para kohe me rastin e Bashes. Jo me kot ligja ka vendosur te drejte autori 70 vjete e arkivi 25. Tani qe shume gazeta nuk kane arkiv online, edhe keto informacione kur dalen pas 12 vitesh kane tisin e sekretit,… e shantazhit.
Por (1) Tema e Bashës nuk është temë historike – sa kohë që ai është në krye të partisë më të madhe të opozitës; dhe (2) artikulli holandez për Bashën atje ka qenë, i botuar; nuk është se vajti ndonjë dhe rrëmoi në dosjet dhe arkivat. Nuk është se dua t’u tregoj atyre te TemA se çfarë të botojnë: por më ngacmon mekanizmi i krijimit të lajmit ZERO.
Mass mediat kanë krijuar një mjedis virtual të vagullt. Është e vështirë të gjej besueshmërine për shkak të shumëanshmërise dhe informacioneve të shumta nga individët të ndryshëm të cilët duket sikur produkti i vetëm i tyre është i orientuar drejt sajeses dhe manipulimit të lajmit.
Një lajm i së shkuarës , vendoset përseri në qendër të vëmendjes në të tashmen arsyeja mund të jetë një tekë për “kaos”, shpërqendrim , devijim të mendimit të arsyeshëm nga ana e atyre që e lexojnë.