nga Dashnor Kokonozi
Kërkesa që më erdhi këto ditë nga një botues i njohur në Tiranë (UEGEN) për të përkthyer (në fakt ripërkrthyer) romanin Lëkura e shagren-it të H. de Balzakut, m’u duk mundësi e mirë për t’iu kthyer disa pasazheve të romanit të cilave u shihja një ritëm tjetër, por para së gjithash titullit të tij, që asnjëherë nuk më ka bindur dhe që ka cilësinë magjike të ngatërrojë më shumë ata që dinë frengjisht se sa ata që nuk dinë.
Nga vjen ky titull? Do të jap edhe për këtë mendimin tim, por le ta shohim së pari funksionin e tij në universin e gjuhës në të cilën është shkruar.
Siç dihet nga të gjithë, me këtë roman, Balzaku nisi të bëhej Balzak. Me të fillon seria e Komedisë njerëzore.
Titulli La peau de chagrin për dikë të pafamiljarizuar me gjuhën ka nevojë për të shtjelluar vetëm pjesën e tij të dytë chagrin. Edhe pse ka debate për shekullin se kur ka hyrë në gjuhën frënge, pothuaj të gjithë pranojnë se origjina e kësaj fjale është nga turqishtja (prapë turqit!) sagrij ose çagri që nënkupton pjesën e prapme të ijes e deri pjesën e sipërme të kofshës së mushkës, gomarit etj., dhe më tej, për metonimi përfshiu në tërësi si emërtesë lëkurën e kafshëve që shërbente për të prodhuar daulle, këpucë, por edhe kapakë librash etj.
Në shek. XVI fjalorët e frëngjishtes e japin në formën La peau de sagrin, që më tej “par contagion” u shndërrua në peau de chagrin, si pasojë e fqinjësisë me një fjalë tjetër, thuajse homofone, chagrin (dëshpërim, mërziti, pikëllim etj).
Kuptimi i figurshëm që ka brenda frëngjishtes (por aspak në shqip) vjen nga fakti se për të bërë një daulle, lëkura e bagëtive a cilësdo kafshë tjetër, ka nevojë të laget mirë (madje të qëndrojë gjatë në ujë), të tezaret fort e të vendoset në suportin në të cilën do të përdoret. Me kohë, kjo lëkurë e lagur ka cilësinë të tkurret, të ngushtohet dhe kështu, nën tension e kryen më së miri funksionin e saj.
Kuptimi filozofik i këtij fenomeni (për t’u kthyer te roman i Balzakut) vjen nga fakti se antikuari misterioz i jep personazhit tonë një lëkurë të tillë që ka cilësinë magjike të realizojë dëshirat e tij, por pas çdo dëshire që ai shpreh, ajo ngushtohet, deri sa nuk mbetet më asgjë. Pra një fenomen që gjithsesi, mbetet brenda natyrës fizike të këtij materiali.
Nuk bëhet më mirë e më qartë. Por brenda universit frankofon, ama!
Fjala chagrin nuk i thotë kurrgjë një lexuesi tjetër, të cilit do vendi qoftë. Kjo besoj se është arsyeja që në anglisht ai është përkthyer me titullin Magic skin (që mbetet titulli im i parapëlqyer), ndërkohë që në italisht është përkthyer La pelle di zigrino.
Jam i sigurtë se italianit të mesëm, fjala zigrino nuk i flet shumë si fjalë e rrallë që është, por po qe se hap cilindo fjalor të gjuhës së tij, ai do të gjejë menjëherë shpjegimin e saj.
Po lexuesit shqiptar çfarë i thotë Lëkura e shagren-it? Asgjë. I hapa të gjithë fjalorët dhe nuk gjeta asgjë.
Siç e thamë, që në origjinën e saj turke, fjala chagrin nuk shënon lëkurën por një pjesë anatomike të themi të mamiferëve (po shtoj unë) sepse del e përdoret si për kafshët (kuajt, dhitë etj) ashtu edhe për njerëzit.
Tek kthehemi prapë te romani ynë, them se duke respektuar një ligj të shenjtë të përkthimit, sipas të cilit më mirë është të përkthesh me një fjalë të qartë edhe pse jo fort të saktë e precize se sa ta lësh me një kuptim të turbullt, të paqartë, të pakuptueshëm. Ky është mëkat ndaj lexuesit. Përkthyesi nuk ka të drejtë ta bëjë atë të kthejë sytë nga ana tjetër se i duket se është ai që nuk merr vesh. Ndërkohë që është përkthyesi që nuk di se ç’bën.
Në frëngjisht chagrin del dhe i korrespondon fjalës croupe. Dhe me këtë emër, anatomikisht, në mënyrë familjare frengjishtja siç shënova, i referohet jo vetëm kafshëve (është kjo pjesa anatomike nga del lëkura më e mirë për lidhjen e librave), por edhe pjesës së ijeve dhe vitheve të një gruaje.
Pra, nisur nga kjo, më fort do të pëlqeja që atij romani t’i ishte vënë titulli Lëkura e bythës, se sa ta kishin lënë ashtu siç e kanë lënë (edhe pse “gjeografikisht” nuk i bie tamam aty, luan disa cm., por ama thotë diçka) duke shpjeguar gjëra të errta me gjëra akoma më të errta.
Lëkura e shagrenit, nuk i thotë asgjë lexuesit shqiptar, e largon nga libri më shumë se sa e afron. Akoma më shumë i ngatërron ata që dinë diçka për kuptimin e fjalës chagrin, se i shpie në drejtime të tjera.
Nuk ju pëlqen Lëkura e bythës?
Le të shkojmë më tej atëherë, me shpresën se do të gjejmë ndonjë mundësi tjetër.
Fjala turke sağri që në origjinë thamë se i përgjigjet lëkurës së gomarit, mushkës, por edhe hemionës (një lloj gomari i egër i Azisë), sot përgjithësisht i korrespondon lëkurës së dhisë a kecit, më të cilën përgatiten ato që njihen me emrin e përgjithshëm punime lëkure (marokinerie), çanta, rripa mesi, kuleta etj.
Them se po ta shohësh pa paragjykime kjo fjalë, dhi, është një nga mundësitë e tjera që mund të “implementohet” me sukses, sepse e ka cilësinë thelbësore aq e nevojshme për të shpjeguar një filozofi të caktuar, atë që trajton autori, tkurret.
Atëherë nga na ka mbirë ky shagren-i ?
Si për pjesën më të madhe të ndikimeve, madje “urdhërimeve të kohës”, edhe në këtë rast duhen hedhur sytë nga Rusia sovjetike. Është vërtet fjala për një nga gjuhët dhe letërsitë më të mëdha të botës. Por duhet të dish të përfitosh prej saj.
Dikur flitej se shumë nga përkthyesit e kohës kanë përdorur gjerësisht rusishten. Por këtë nuk e kam as provë dhe aq më pak akuzë. Ka qenë një direktivë e tërë. Libri që ishte përkthyer në Moskë kalonte pa shumë probleme edhe në Tiranë. Çudia është se edhe shume vite pas prishjes së marrëdhënieve me B.S. raporti i hyrjeve në bibloteka nuk ndryshoi. Administrata ndihej më e sigurtë kur letersia perendimore vinte pasi kishte kaluar nëpër sitën e Moskës. Gjithsesi, nuk i jap të drejtë vetes t’i gjykoj përkthyesit e asaj kohe nga lartësia e informacionit që kam sot. Në kohën e tyre ata na ndihmuan të rritemi, edhe pse jam i bindur se përkthyes të një brezi të dytë si E. Tupja, P. Misha, A. Klosi do të gjenin zgjidhje tjetër.
Titulli në rusisht është «Шагреневая кожа» (shqipto: shagrenivaja kozha) Lëkura e shagrenit. Pra, shagren-i është lënë i paprekur dhe është përkthyer vetëm кожа, lëkura… Këtu kam frikë se përkthyesit shqiptarë kanë rënë në kurth duke e marrë këtë fjalë (Шагреневая) për një kalk të fregjishtes, chagrin. Por nuk është aspak kështu. Mbase për arsye të marrëdhënieve historike të të dy gjuhëve, Шагреневая në rusisht nuk është aq pa kuptim sa edhe në shqip. Të gjithë fjalorët asaj i japin kuptimin lëkurë e ashpër, por edhe lëkurë raje ose lëkurë peshkaqeni me të cilën prodhoheshin kuti bizhuterie etj., gjë që i rri disi në periferi filozofisë së romanit, por është mjaft më mirë se në shqip, ku nuk ka kuptim fare.
Termi do të ketë shkuar në Rusi në sajë të një artizanati të tillë, që në Francë nisi të ushtrohej andej nga viti 1740. Për arsye të caktuara një zanat i tillë, punimi i lëkurês së peshkaqenit, i kërceve (cartilage) të disa peshqve etj., nuk di të jetë ushtruar në Shqipëri. Mbaj mend samarxhijtë e vjetër në Tiranë që njihnin një teknikë inkustrimi në dru, por me materiale të tjera, kryesisht plastikë me ngjyra.
E vërteta është se edhe sot pas kaq vitesh, fjala shagren nuk ngjiti, nuk zuri vend në shqip (nuk e gjen në asnjë fjalor), nuk krijoi gjedhe e lidhje në gjuhën tonë, nuk ka jetë të pavarur në të, një jetë pra që nuk i mungon ta ketë në rusisht.
Në këto kushte, them se do të ishte shenjë respekti për lexuesin që ajo fjalë (si pjesë e titullit të një libri të madh), të gjejë ekuivalentin e saj letrar edhe në gjuhën shqipe.
Dhe të gjitha variantet, Lëkura e … mushkës, dhisë, cjapit, deles, berrit, dhisë (të gjitha këto kanë chagrin-in e tyre anatomik), mund të pranohen, sikundër mund të pranohet fare mirë edhe Lëkura e daulles, Lëkura që tkurret etj. Të gjitha këto janë mjaft më të pranueshme e në përputhje me konceptet e mirëpranuara të përkthimit, se të zgjidhej varianti më i paqartë e që nuk i thotë asgjë lexuesit: Lëkura e shagrenit.
Në mos, zgjidhja ime është versioni anglez: Lëkura magjike. Në të shoh si në një rruzull magjik logjikën anglosaksone që shkon drejt e në thelb të problemit, duke shmangur çdo hollësi të panevojshme.
Gjithsesi, kam bindjen se ka ardhur koha të ndërhyhet.
(c) 2020, Dashnor Kokonozi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Ciao Dash,
Në “An English-Albanian Dictionary” të Stuart E. Mann unë, ama, gjeta (fq. 338): shagreen (shë-grijin), em. shavrén, sagrín.
Kështu që fjala shqip ekzistonte qysh përpara se të përkthehej libri i Balzakut (fjalori është botuar në Cambridge më 1957).
Nuk u besoj fort përkthimeve angleze. Vlejnë shumë për tekstet e vjetra, se transmetojnë në çdo por mentalitetin pragmatik anglosakson për t’i thjeshtëzuar gjërat, që atë rast, të ndihmon.
Unë përktheva dhe botova “La sinagoga degli iconoclasti” të J. Rodolfo Wilcock-ut vjet në shqip dhe titulli i përkthimit anglisht është “The Temple of Iconoclasts”, në një kohë që gjithë përkthimet e tjera, përfshi edhe atë në frëngjisht, përdorin termin “Sinagogë”, si origjinali.
Ose titulli i poezisë së famshme “Sono una creatura” të Ungaretti-t, Patrick Creagh e jep: “Alive”.
Çështje mendësie them unë, dhe ne jemi pak larg.
Kështu që unë jam që të ruhet shagrini, por, natyrisht, shija ime është relative.
Prandaj: përrallë të rrëfeva pa desha e të gënjeva.
Nuk besoj se ka lexues të zellshëm shqiptar të brezit tonë që të mos e mbajë mend “Lëkurën e shagrënit” . Kur e lexova m’u desh gjithashtu të hapja fjalorët po nuk gjeta ndonjë përqasje që t’i jepte kuptim prandaj me mendjen time në mënyrë të pandërgjegjshme mbase, e kam përqasur gjithnjë me “ chagrin” (dëshpërim, mërziti, pikëllim etj).
“Lëkura magjike” ose “ Lëkura që tkurret” i afrohet më tepër asaj çka të sjell romani .
Po ky shkrim sot më erdhi tamam në shteg sepse po mendoja për lidhjen që duhet të ketë një titull me librin dhe sa informacion duhet të të japë mbi ngjarjen që të pret . Mendoj që nuk është e domosdoshme që titulli të jetë çelësi që hap portën për të hyrë , mjafton të jetë shtysa që i jep portës për të hyrë ne ngjarje.
Po gjithsesi ( nëse autori i shkrimit pranon sugjerime ) modestisht mendoj se titulli “Lëkura e shagrenit” ta jep një shtysë të fortë ta lexosh librin. Natyrisht fjala “shagren” do kishte nevojë për një shpjegim gjëre e gjatë në introduktë.
Faleminderit Benit e Ajkunes per komentet. Natyrisht asgje nuk na pengon ta mendojme me qetesi kete pune duke i shtruar ne tavoline te gjitha argumentet. Interesi eshte te dale versioni me i mire, edhe pse ai keqkuptimi qe permend Ajkuna eshte masiv.
Fort interesant rasti i atij fjalorit te anglishtes qe fjalës shagren (shagreen) i jep shpjegimin, em. shavrén, sagrín.
(Ne nje tjeter, qe kujtova se ishte ai qe permend Beni, fjala anglishte shagreen jepej me shqipen lekure e ashper, qe eshte shpjegimi i rusishtes, qe permendet ne shkrimin tim siper. Pra nga dy fjalore te anglishtes, njeri rezerveohet te marre shpjegimin shavrén, sagrin edhe pse eshte i meparshem, duket per hir te origjinaliteteit secili rezervon te drejten te vendose vete per shqipen )
Nga ka dale ajo fjale me siper, shavren, sagrin? ? Ec e gjeje. Nuk del gjekundi, as ne fjaloret e meparshem te shqipes dhe as ne ato te mevoneshmit.
Mbase diku edhe do te kete ekzistuar. Them une.
Nje here ne nje mikrofjalor italisht shqip te viteve 30 gjeta te shpjeguar me “fanoster” fjalen italisht finestra. Ia thashe kete nje mikut tim Llambi Durolli, burre i ditur, drejtor i Muzeut etngorafik ne Vlore. Po, me tha, e kam degjuar ne Vuno qe perdorin “fanostra” per dritare.
Nuk ka dyshim se edhe perkthimet vjetrohen, marin rrudha por ne rastin e kesaj fjale qe e sugjeron per shqipe nje fjalor i anglishtes me fort kemi nje faresoj ekskruasance leksike ndaj te cilave duhet mbajtur nje distance higjenike.
Por, nuk e fsheh se do te isha i kenaqur po ta kisha gjetur te dekretuar ne ndonje fjalor te shqipes.
Nuk e gjeta dhe kjo u be sebep per shkrimin e mesiperm.
Interesant! Une nuk jam i fushes dhe pa hyre ne shume detaje qe nuk do te kishin me shume vlere nga argumentet e sjella ketu, por veç nga ç’lexova me siper preferenca ime do te ishte “Lekure per daulle”.
Aty eshte e gjithe veshtiresia. Emri ne origjine eshte nje “rajon anatomik” qe me kohe e ka marre lekura e kafsheve qe nxirrej nga ajo nahije. Pastaj perdorimi eshte i shumellojte. Eshte per daulle siç thua ti, por eshte edhe per sende te tjera, edhe pse me kohe shoh se gjithnje e me teper eshte specializuar si emertese e nje lekure te caktuar me te cilen lidhen librat me vlere, por edhe objekte te tjera te perdorimit te perditeshem. Kjo shtron pyetjen pse Lekura e daulles dhe jo Lekura e kolltukut te drejtorit etj.
Prandaj po te kalohet te funksion me te cilin eshte sjelle nga autori, eshte fjala per nje lekure qe tkurret. Ketu ka me pak arsye per te humbur, por ka ende, megjithate. Sepse ne te vertete te gjitha lekuret tkurren pas regjjes a ku ta di çfare procesi.
Kjo eshte arsyeja qe e shoh me interes zgjidhjen e perkthyesve ne anglisht, qe jane fikusuar te funksioni magjik qe luan ajo lekure ne roman.
Ketu mbyllet shtegu per interpretime a keqkuptime te lexuesi.
Ja, pra, perse mua me duket si pandershmeri nga ana e perkthyesit qe te perdore ne titull nje fjale, per te cilen lexuesi do te hape nje fjalor te mesoje se çfare eshte dhe nuk do te gjeje asgje, asnje shpjegim.
Kjo nuk ndodh ne asnje gjuhe te botes, perveçse ne shqip.
Tashti po me vjen ndermend nje situate sa e ngjashme me kete, aq edhe e ndryshme, qe duket e thjeshte por nuk eshte me pak e nderlikuar. “Notre-Dame de Paris”. Ne frengjisht i referohet katedrales se famshme. Perkthyesi ne shqip (nuk me kujtohet cili ka qene) i ka ra drejt dhe e ka perkthyer “Katedralja e Parisit”. Nuk e besoj se ne Paris eshte vetem nje katedrale, rrjedhimisht peshtjellimi qe krijohet ne kete rast lidhet me pyetjen, ne rregull, po cila katedrale? Po ta perkthesh “Zoja Jone e Parisit”, sic do t’i binte literalisht dhe duke respektuar edhe terminologjine katolike, shumica e lexuesve shqiptare nuk do ta kuptonin se perse behej fjale, aq me shume qe ne terminologjine ortodokse dhe me gjere ajo qe njihet si “Zoja jone” eshte ne fakt “Shen Meri”. Fakt eshte qe titulli i filmit ku Xhina Lolobrixhida luan Esmeralden u perkthye si “Shen Meria e Parisit”. Duket qe edhe anglishtfolesit e kane pasur problemin e perkthimit te ketij titulli qekur e perkthyen “The Hunchback of Notre-Dame” duke e lene “Notre-Dame ne frengjisht dhe duke e bere kurrizon pjese te titullit.
Përshëndetje Lyss!
Nuk është mjeshtëria ime, por do të kisha guxuar me “Lëkura joshëse/ndjellëse/mikluese/rrenëse e lakmisë” apo thjesht “Lëkura e lakmisë”. Tek kjo e fundit, veç efektit metaforik, mund të përftohej dhe një qasje antitetike mes dy dukurive të kundërta: tkurrjes e bymimit…
Por e kam të qartë se, duke qenë më shprehës si titull në krahasim me përkthimin e parë, do t’i zbulonte lexuesit qysh në krye diçka që nuk e thotë as vetë origjinali.
Do të isha kuturisur edhe tek fjalët “shollë” e “ysht/ur”, por nuk ma mban
Lëkura e rrëgjuar
(RRËGJUAR mb._që është tkurrur,që i janë zvogëluar përmasat, që është bërë më i vogël, më i shkurtër, më i ngushtë ,etj.
Lëkura e rregjur
( Lëkurë që ka kaluar procesin e rregjjes gjatë përpunimit dhe është tkurrur)
Lëkura e vitheve
Mbase duhet kerkuar me tej, por ne parim jam me idete e Ervinit dhe Fatmes. Edhe pse ka mundesi qe te ndeshemi me nje fenomen qe Kristoforidhi e ka verejtur qarte ketu e 150 vjet me pare, ate te nevojes se nje fare kohe te pershtatjes me nje fjale te caktuar (shqipe, pergjithsisht), nderkohe qe deri atehere per te kemi perdorur nje fjale tjeter, te huaj (zakonisht).
Shoh pak ne kete histori edhe nje fare fataliteti, nje miniature te fatit tone historik, te pozicionit ekstrem delikat e te rrezikshem te gjuhes që flasim (flas si gjuhe me pretendime kultivuese, jo si grumbull britmash, ofshamash,ulerimash, renkimesh etj., qe kumunikojne nje gjendje te caktuar), me sakte te perpjekjeve qe duhet te beje per te ekzistuar si e tlle, nderkohe qe fati e deshte te ishim pjesë sado periferike perandorish me gjuhe shume te kultivuara (romake, bizantine e me pas osmane) te cilave u paguam taksa e u dhame ushtare, por qe nuk u pame ndonje benefic te madh. (Ah po, tani se fundi kemi ate bazen ajrore te Kuçoves, por klasa politike nuk ka kohe te vrasë mendjen te kuptoje se ne kembim te ca vendeve pune, na futi ne listen e bombardimeve atomike prioritare te Moskes. Nuk jam hiç soveranist dhe as e shoh te nevojeshme, por nuk e kuptoj keshtu miqesine, o te shtrengohemi fort e te shkojme ne shtrat, me breket ne dore o te peshtyhemi si lamat.
Fati politik rralle here eshte i ndryshem nga ai gjuhesor, por ketu largohemi nga tema).
Shkurt, qe te mos duket fare pa kuptim ajo qe thashe (te tjere, shohin krejt boten brenda nje pike uji), kam frike se edhe sot nuk kane ndryshuar shume gjera.
Edhe ne kete miniproblem prirja do te jete per te zgjidhur figurativisht midis direktivave te dikureshme te Moskes dhe “orjentimeve” te Uashingtonit (Shagreni kunder magjise).
Te paret qe nuk lejonin te ndryshohej gje dhe te dytet qe jane te prirur te ndryshojne gjithçka per te mos ndryshuar asgje.