Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Urbanistikë

TIRANA E FOTOGRAFIVE

nga Sokol Çunga
arkivist, paleograf i paleografisë greke

Në punën time modeste, paleografinë e greqishtes dhe historinë e librit, të cilën kryej prej vitesh, shpesh më vjen e natyrshme pyetja: “Cilat mund të kenë qenë arsyet që nuk kemi trashëguar numër të madh dëshmish të shkrimit në gjuhën shqipe?” Aq sa e natyrshme është pyetja, po aq e natyrshme është edhe përgjigja: sepse nevojat praktike nuk e diktonin, dhe ligji nuk e mbronte ekzistencën e shqipes. Po të marrim të mirëqenë hipotezën se shqipja (në format e veta arkaike) është shkruar herët, dhe po të lëmë mënjanë teoritë konspirative, përgjithësisht këto janë shkaqet kryesore që kanë sjellë mosruajtjen jo vetëm të cilitdo monumenti tjetër të shkrimit shqip, veç të njohurave, por edhe të një numri të pallogaritshëm monumentesh të shkruara, qoftë në pergamenë apo letër, qoftë mbishkrime në gur, metal, dru, etj.

Pa u futur në hollësi shkencore (të cilat po i lë mënjanë për të mos u stërzgjatur në shembuj dhe analiza), ca rregulla të botës mesjetare, Humanizmit Europian, Rilindjes dhe epokës moderne janë të njohura: një tekst i panevojshëm, si fillim, nuk justifikon ekzistencën dhe, nëse ekziston, nuk është e domosdoshme të ruhet. E vështirë të dimë sot se sa kopje të “Mesharit” të Buzukut kanë qarkulluar në gjuhën shqipe. Por dimë se Reforma e Kishës Katolike (ose Kundër-Reforma) përcaktoi heqjen nga qarkullimi dhe asgjësimin e teksteve biblike dhe liturgjike në gjuhë të paautorizuara apo gjuhë të cilat nuk ofronin garanci për ruajtjen e paprekshmërisë së doktrinës. Thënë me fjalë të tjera, gjuhët minore, mes tyre dhe shqipja, nuk përmbushnin kushte gjuhësore për të shprehur njësoj si latinishtja doktrinën e krishtere, nuk ekzistonin filologë të këtyre gjuhëve, të cilët do të garantonin qëndrim dogmatik pa shkarje në herezi apo apostazi. Kjo, vetvetiu, dekurajon lëvrimin e mëtejshëm të shqipes brenda arealit kishtar katolik.

Po aq, pjesa tjetër shqipfolëse, e ndodhur nën administrimin e Kishës së Lindjes, me qendër Konstandinopojën, nuk ka prodhuar tekste për përdorim fetar në gjuhën shqipe. Arsyeja është e thjeshtë: çdo gjuhë tjetër veç zyrtares krijon hapësirë për skizmë apo herezi. Nga sa dimë deri sot, në arealin ortodoks që ndodhej nën Patriarkanën e Konstandinopojës, hasim raste sporadike të përdorimit të shqipes si gjuhë liturgjike, dhe këto jo më herët se shek. XVIII.

Në të dy rastet, qëllimi është i justifikuar teologjikisht, ndaj mbi këto baza merret vendimi. Askush nuk ka qëllim në vetvete të zhdukë një gjuhë (të paktën kjo nuk mund të vërtetohet me metodat shkencore ende në veprim). Autoriteti suprem shpirtëror ka vepruar duke përmbushur detyrimin parësor të fronit që mban: kujdeset për grigjën.

E më pas, po të përmendim arsimin, gjërat janë më të thjeshta: gjuhët minore nuk mbanin dot barrën e shkencave të natyrës dhe të shkencave humane. Po ashtu, gjuhët e traditës dominonin dhe u braktisën vonë (rastet janë të pakta, por tema doktoratash në latinishte vazhdojnë ende të shkruhen në Europë).

Si përfundim, askush nuk deshi të padrejtësonte shqipen. Askush nuk mendoi për vjetërsinë e një monumenti të shkruar, teksa nuk e ruajti atë, qoftë në nivel qendror qeverisës, qoftë në nivel individual. Madje, as vetë prijësit tanë fisnikë, që na lanë trashëgim emrat arbërorë, nuk duket se kishin ndonjë parapëlqim të shquar për gjuhën amtare. Pasi as tradita ekzistonte, as ligjet parashikonin gjë.

Bëra këtë meditim të mësipërm për të mbërritur në një paralelizëm: pavarësisht formatit të tyre tejet të ndryshëm, monumentet e shkruara dhe monumentet e trashëgimisë kulturore të paluajtshme nuk ndryshojnë në karakter. Ndërtesat që nuk janë historike, por përmbajnë vlera për historinë e Qytetit, qoftë emocionale sot, qoftë edhe arkitekturore dhe monumentale nesër, nuk sjellin asgjë, përpos harresës, kur trajtohen si të panevojshme dhe ligjërisht të pa mbrojtura. Gjithë rrugëtimi i gjatë i ndërtesës së Teatrit Kombëtar, që kur u përurua më 8 gusht 1939, deri sot, mund të mos jetë shembull i ngjashëm me zonat arkeologjike, të cilat datojnë që në paleolit, por në domethënie është po aq i rëndësishëm sa edhe pjesët e mbetura të Tiranës historike që ka përreth: xhamisë së Et’hem beut, Kullës së Sahatit, mbetjeve të Kalasë së Tiranës, apo Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe ndërtesave qeveritare. Bashkë me çdonjërën prej tyre, po aq sa ato, Teatri është simbol i qytetit.

Gjithmonë e më shpesh përsërisim keqardhjen për humbjen e Pazarit të Vjetër të Tiranës (pavarësisht se, të nesërmen e çlirimit të Tiranës, Pazari ishte shkatërruar me gjithsej, e s’kishte mbetur shenjë e traditës). Keqardhja, pastaj, shkon në skajin verior të Pazarit, kur në vitet ’60 u shkatërrua bazilika ortodokse, natyrshëm kapton Sheshin “Skënderbej” dhe shtrihet tek i dikurshmi Bar-Restorant “Kursal”. Me rend kronologjik, i vjen radha Bashkisë së vjetër dhe hamamit pas saj… Është krejtësisht e lehtë të shtrihemi kështu, me mendje, në gjithë kryeqytetin, duke kujtuar ndërtesa, të cilat pavarësisht në kanë pasur apo jo statusin “monument”, sot nuk ekzistojnë dhe krijojnë boshllëk të ndjeshëm në historinë e Tiranës dhe në historinë kolektive të banorëve të saj, të vjetër e të rinj, vendas a ardhacakë. (Këtu, për të pafundmen herë, më kujtohet ekspozita e pagëzuar “muze” në sqetull të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila vazhdon të shitet si vlerë dhe tërheqje turistike prej autoriteteve qendrore dhe lokale, e ndodhur mu nën hundë të Teatrit, ndërmarrje që çuditërisht folka më shumë se Teatri!!!) Nëse në ekzistencën e një kombi, gjuha është elementi i pazëvendësueshëm që ruan thelbin e bashkimit kombëtar, Qyteti është elementi meta-gjuhësor që bart identitetin e shoqërisë ndër breza dhe shekuj, duke folur përmes formës trepërmasore të tij. Fatkeqësisht, Tirana është shndërruar në një qytet memec dhe analfabet njëherazi, pa gjuhë që artikulon, pa kod gjuhësor; është shndërruar në një qytet pa imazh, është kthyer në një qytet fotografish, të cilin, për ta kuptuar, duhen hapur koleksionet e vjetra fotografike, kryesisht të rrugëtarëve a pushtuesve, e pastaj të fotografëve vendas të gjysmës së parë të shek. XX. Pse-në ndoshta na e thotë, ashtu, me gjuhën e vet cinike (duke pasur parasysh shkollën përkatëse filozofike, jo kuptimin modern të fjalës), Andistheni, filozofi grek i viteve 445-360 para Krishtit: Τὰς πόλεις ἀπόλλυσθαι, ὅταν μὴ δύνωνται τοὺς φαύλους ἀπὸ τῶν σπουδαίων διακρίνειν (Qytetet shkatërrohen atëherë kur [ato] nuk shquajnë dot të mirët nga të ligjtë).

Shpesh, dhe jo vetëm lidhur me sa më sipër, më kujtohet zgjidhja e romanit “Dosja H.” i shkrimtarit Ismail Kadare: pllakat e gramofonit, ku studiuesit e huaj kishin regjistruar gjenezën e epit, faktet që vërtetonin katërçipërisht lidhjen e shqipes, shqiptarëve dhe Homerit, u shkatërruan nga ushtritë serbe dhe, kësisoj lidhja humbi përgjithmonë. Formulën e kemi gati, gjithsesi: fajin e ka serbi a greku!

P.S. Lus lexuesit që do të dëshironin të komentonin, të mos hapen në enciklopedizma gjuhësore, arkeologjike dhe historike, të cilave lehtësisht u dal zot edhe vetë. Qëllimi i këtij shkrimi është parja e historisë në makro-kohë, në dobi të një çështjeje më të rëndësishme se rravgimet e vetëkënaqura akademike.

 

© 2020, Sokol Çunga. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Ilustrimi: Pamje e jashtme e ndërtesës së Kinema Savoia-s, Tiranë, 14 mars 1940. Foto: Istituto Luce Cinecità.

12 Komente

  1. „Cilat mund të kenë qenë arsyet që nuk kemi trashëguar numër të madh dëshmish të shkrimit në gjuhën shqipe?”

    Arsyet janë në shkatërimin e Shqipërisë qëndrore prej Mehmetit II, veçanërisht në shkatërimin e Krujës dhe vrasjen e banorëve të saj. Kruja ishte qendra kryesore politike e arbërve mesjetarë, – nëse mund të kishte ndonjë shkrim mesjetar në shqip, vendi ku do të ruhej ishte pikërisht aty. Përndryshe qendra kishtare e arbërve ishte Ohri. Por fatkeqësisht edhe për shkrimet jo greke në Ohër dhe manastiret përreth menduan disa mehmetë të tjërë të shek XIX
    .
    Qe, Faveyrial, Historie de l’Albanie, fq. 229 (përkthimi im nga gjuha e frëngjve):
    „Dokumente të çmuara ekzistonin akoma në manastirin e Shën Naumit, i ndërtuar në shekullin e dhjetë në një kodër në jug të liqenit të Ohrit, por ato u shkatërruan me urdhër të patriarkut grek në 1850, ose 1851. Murgu Serafim, autor i këtij akti vandal, i thoshte në 1856 peshkopit Popov dhe tre shoqëruesve të tij, një diakoni dhe dy priftërinj francezë: «Sa më ka kushtuar shkatërrimi i kaq shumë veprave. Por tashmë patriarku më kishte urdhëruar tri herë të ndryshme që ta kryeja. Në fund më shkruajti: „po të urdhërojmë për herën e fundit, nëse ndërkohë të gjitha arkivat nuk digjen do të zvendësohesh dhe çfarë nuk e ke bërë ti kanë për ta bërë të tjerët. Vetëm atëherë u detyrova ti mbledh grumbull përpara manastirit dhe ti djeg. Por çfarë pendimi që kam pasur! ”Ky fakt na u tha nga personat e mësipërm pas kthimit të tyre prej Ohrit. Dhe është e çuditshme, nuk janë vetëm arkivat e Patriarkanës së Ohrit dhe të Shën Naumit që u shkatërruan nga Patriarkana. Historiani rus Venelin tregon se ato të Tërnovës së madhe u asgjësuan gjithashtu me urdhër të patriarkut grek. Për ta përfunduar, thuhet se në malin Athos dikur ka pasur shumë dorëshkrime latine por pas një beteje të përgjakshme, nga murgu në murg, u dogjën të gjitha“ (Fund i citimit)
    Nëse, siç kam lexuar diku, ndonjë princ arbër, murg në Athos, ka shkruar ndonjëherë diçka, tani e merrni vetë me mend ku ka përfunduar edhe ai tekst.

  2. Nëse e kuptoj analogjinë drejt, deri në fund, më vjen të them që kjo ndërtesë, duke qenë pjesë e modernizmit si një stil arkitekturor “lingua franca”, i përdorur, ndër të tjerë, nga fashistët në vendet e pushtuara prej tyre, në gjuhë do të ishte e barazvlefshme me gjuhën greke të Kishës Ortodokse ose gjuhën latine të Kishës Katolike, dhe jo gjuhën shqipe të Buzukut. Pra, nuk do të ishte modernizëm i “ritit shqiptar” (vetëm vendndodhja nuk e bën të tillë), por modernizëm i “ritit ndërkombëtar” në njëfarë mënyre anonim, përderisa as materialet dhe as forma e ndërtesës nuk bëjnë ndonjë qokë ndaj, fjala bie, qerpiçit ose tjegullave apo dheut të kuq të zonës (Shkolla e Kuqe?), ndryshe nga ministria për karshi me tullat e kuqerremta. Po i quaj këto elementë të fundit, shqiptarë, ose më gjerësisht mesdhetarë, meqë rrjedhin instinktivisht nga banorët ndërtues (ashtu si dhe gjuha shqipe) dhe natyralisht nga klima dhe materialet e zonës, pa pasur domosdoshmërisht nevojë për ndërhyrjen e arkitektit (patriarkut/diktatorit) hero. Shembull i mirë për të ilustruar çka po them është Fallingwater, pak a shumë e të njëjtës periudhë, ose dhe ndërhyrja nga Max Dudler sot në Hambacher Schloss. Problemi i radhës pas prishjes së këtij teatri – për mendimin tim pa lidhje të qarta arkitekturore me identitetin lokal shqiptar – është ai i ngritjes së një teatri të ri po ashtu po aq anonim.

    Nuk mendoj se kjo që them përbën purizëm në arkitekturë sepse i konsideroj, për shembull, Dhërmiun dhe Tamarën, po aq natyralë dhe të rritur nga toka sa dhe një kaktus në shkretëtirë dhe jo në Antarktidë, sepse në shkretëtirë piqen kushtet për shprehinë specifike që është kaktusi dhe në Antarktidë jo. Ashtu si në majë të një mali shkëmbor piqen kushtet për ndërtimin e një fshati të gurtë. Ndërhyrja artificiale me stile uniformizuese nuk më duket pasurim i kulturës për aq kohë sa sakrifikon kulturën dhe tendencat natyrale ekzistuese. Apo ndoshta siç na mësojnë ca “rregulla të botës mesjetare, Humanizmit Europian, Rilindjes dhe epokës moderne” këto tipare të natyrshme të ndërtimit në Shqipëri nuk janë të domosdoshme të ruhen?

    Pra, dhe teatri që u prish dhe ky që po kërkojnë të ndërtohet janë të dy kontributorë në shndërrimin e Tiranës në qytet memec.

    1. Kleopatra,

      Nuk është e vërtet që teatri ishte pjesë e gjuhës moderne “lingua franca” të përdorur nga fashistët. Përkundrazi, ishte, në një lloj mënyre, një kundërvënie ndaj gjuhës moderniste, me refernca të forta të arkitekturës se rilindjes italiane. Ishtë një lloj pararendës i arkitekturës postmoderniste, atëherë kur postmodernizmi s’kishte hyrë ende në fjalorin e historisë së arkitekturës.

      Por në rastin e ruajtjes ose jo të një objekti, të qënit arkitekturë vendase nuk është ndonjë kriter gjykimi. Janë një sërë faktorësh që duhen marrë parasysh, dhe prishja duhet të konsiderohet gjithmonë si masa e fundit më ekstreme. Kurse në këtë rast duhej evituar me çdo kusht.

      1. Vlerësoj këdo që ka përuljen për të ndryshuar mendim apo qëndrim ndaj një çështjeje, kur përballet me një antitezë të mirë argumentuar.

        Por duke qenë se ju nuk e bëni këtë në komentin tuaj, atëherë rrëmova këtu në blog për të kuptuar më mirë pse ju mendoni kështu si shkruani. Dhe, për çudi më duhet të pranoj, gjeta një shkrim tuajin ku e quani ndërtesën “emblematike të arkitekturës moderne” (dhe jo post-moderne) dhe shpreheni në paragrafin e fundit se mendoni që “teatri duhet prishur” (dhe jo prishja duhej evituar me çdo kusht). Ndoshta mua më ka shpëtuar komenti apo shkrimi tjetër juaji ku qartësoni pse ndryshuat jo vetëm interpretimin dhe leximin e kësaj godine, por edhe qëndrimin ndaj çështjes së teatrit.

        https://peizazhe.com/2018/06/26/fajin-e-ka-arkitektura/

        Vlerësoj edhe këdo që, si John Milton, argumenton në traditën humaniste të dy krahët e një argumenti për të mbërritur tek “e vërteta”, dhe ndoshta ju bëni pikërisht këtë. Kudos to you! Kështu, në realitet, unë nuk kam pse të pres koherencë në komentet apo mendimet tuaja, përderisa gjithkush është në liri të mendojë ç‘të dojë.

        Thënë kjo, nuk kam ndonjë përgjigje ndaj solipsizmës suaj. Ama, ndërkohë, do të vazhdoj të mendoj që post-modernizmi në arkitekturë filloi (siç mirëpranohet në kanonin e historisë së arkitekturës) me Bonaventura Hotel në Los Angeles (i cilësuar post-modern nga Charles Jencks) dhe jo me arkitekturën fashiste siç thoni ju sipas midesë.

        1. Kleopatra,

          Shkrimi që i referoheni ju është në thelb ironik, në fakt absurd, që në titull. Të paktën për një lexues normal, arsyetimi që “Fajin e ka Arkitektura” duhet të tingëllojë absurd. Që ju e keni lexuar gjithë shkrimin dhe nuk keni kuptuar, vlen për tu diskutuar, ngase mund ta kem edhe unë fajin.

          Megjithatë, unë nuk shprehem në shkrim për klasifikimin definitiv të arkitekturës së TK, por për arsyet sepse një njeri i zakonshëm nuk i përqaset asaj me entuziazëm. Qëllimi ishte të ballafaqonte mungesën e mbeshtetjes të atyre që i shohin vlerat e arkitekturës vetëm tek monumentaliteti, me absurditetin e konkluzionit që ata arrijnë si pasojë e saj. Nuk ishte qëllimi i shkrimit të argumentonte patjetër një anë të një debati. Ishte thjeshtë një skicë për të reflektuar dy këndvështrime, pa e anatemuar as njërin as tjetrin, por me shpresën për të kuptuar. Pra ishte një shkrim i nuancuar, ndonëse unë vet e kam qëndrimin e qartë.

          Për llojin e arkitekturës, të cilës ju i referoheni, unë shprehem:

          Në ndryshim nga shumica e arkitekturës italiane të viteve tridhjetë (le ta quajmë arkitekturë fashiste), ajo e ndërtesës së teatrit nuk është as arkitekturë monumentale, as simbolike, dhe as një objekt i njësueshëm, i unifikuar. Përkundrazi, është një objekt i dyzuar, i zhveshur nga dekori, dhe pa pretendime monumentale, ndonëse emblematik për arkitekturën moderne, përsëri e paintegruar dhe me akses të dyshimtë urbanistik.

          Në atë paragraph, “embelamtike” i referohet mungesës së pretendimeve monumentale në modernizëm, jo patjetër vetë ndërtesës. Përndryshe edhe postmodernizmi i hershëm kishte si pikënisje modernizmin.

          Këtë radhe shpresoj të më kesh kuptuar.

        2. Thoni:

          Ama, ndërkohë, do të vazhdoj të mendoj që post-modernizmi në arkitekturë filloi (siç mirëpranohet në kanonin e historisë së arkitekturës) me Bonaventura Hotel në Los Angeles (i cilësuar post-modern nga Charles Jencks) dhe jo me arkitekturën fashiste siç thoni ju sipas midesë.

          Nuk e kam sipas midesë. I referohem Alodo Rosit, dhe Massimiliano Fuksas, si përfaqsues por dhe pararendës të postmodernizmit, me referenca të drejtëpërdrejta ndaj De Chirico’s, racionalizmit Italian, por edhe asaj që ne e quajmë rëndom arkitekturë fashiste.

        3. E rilexova shkrimin tuaj te pare me me kujdes (bashke me komentet) dhe po ashtu, keto dy te fundit. Keqkuptimi eshte i gjithi i imi dhe per kete ju kerkoj ndjese.
          Kerkoj ndjese edhe per zhvendosjen e vemendjes dhe diskutimit jashte shkrimit ku po komentojme.

  3. Kjo qe thua Kleoatra do asgjesonte gjithcka qe mund t’i rezistonte kohes ne Tirane ne emer te te qenit e huaj (kisha, xhami, vila e shtepi). Kultura rritet dhe ajo qe eshte “tirane e vertete” nuk nis para eres sone, dhe ndryshon me kohe. Problemi eshte qe shkaterrimi masiv i kryer sistematikisht, me arrogance absolutiste dhe me ideologji qe prihen nga perfitimi maksimal, i organizuar sic ndodhi me qeverine e dy zgjedhjeve te fundit, ka qene me i suksesshmi kunder stabilitetit shpirteror e kulturor (dhe pamor) te qytetit. Nuk eshte problemi se kullat apo teatri i ri jane modele arkitekture te huaj, por sa i flasin qytetit ne gjendjen qe ka, cfare i shkaterruan qe t’i marrin vendin dhe , pa harruar, si dhe pse u ndertuan binate e qendres.

    1. Po shkruaja më shumë për arkitekturën, sepse për qasjen e qeverisë ndaj shkatërrimit dhe ndërtimit jam dakord me sa thoni ju dhe nuk kam diçka për të shtuar.

      Më shumë sesa një zgjedhje either/or midis arkitekturës së huaj dhe asaj vendase, po mendoja për një shkrirje ose simbiozë të të dyjave. Nuk e imagjinoj dot rezistencën ndaj teknologjive të profesionit në një botë të globalizuar. Por mund të imagjinoj një përzierje të këtyre teknologjive me motive dhe teknika vendase.

      Për analogji, në Tokyo, McDonlads shërben hamburger me karkaleca vendi që vështire t’i gjesh tjetërkund. Ose dhe Coca Cola me shije frutash vendi. Pra mund t’i imagjinoj të gjitha këto ndërtesa kulturore (xhami, kisha, teatro, etj.) që të kenë njëfarë shijeje, në mos Tirane, të paktën Mesdheu nëpërmjet, për shembull, materialeve.

  4. Ne historine mijeravjecare dalin ne thelb dy lloje qytetesh:
    1- antiket ku qendra i dedikohej politikes (feja perfshire), tregtise dhe diku artit e diku sportit ( tek greket teatri, tek etrusket dhe me vone romaket sportit, amfiteatri, hipodromi)
    2- mesjetaret ku qendra i dedikohej fese, tregtise dhe zejtarise, nderkohe qe pushteti ishte neper keshtjella ose periferi, kurse per artet e sportet nuk kishte vend

    Ruajtja e qendrave mesjetare, praktikisht mban larg rikthimin e modelit antik, pra qe qytetit te jete politik, ti dedikoje hapesire qendrore artit e sportit, krahas tregtise.

    Qendra e Tiranes u modelua sipas modelit antik, duhet te kishte diku vend edhe per artin e sportin, nderkohe qe hapesira eshte tipike politike, qofte me ndertesat administrative e qofte me mundesine e mbledhjes se gjithe popullates se qytetit per te shprehur vullnetin( ne kohen e Enverit u eliminua tregtia, te ciles i takonte rikthimi).

    Nuk ka dyshim qe per banoret e vjeter, Tirana osmane sipas modelit mesjetar ka vend te vecante, por Tiranes iu dha nje luks qe nuk e gjen verdalle neper kryeqytetet europiane, te kesh bashke Via Triumphalis, Circus Maximus, Teatrin, Agora/Foro apo pallatin e pushtetit ( pa harruar edhe ndertesat fetare).

    Ky demin e madh e beri me shkeputjen e sheshit Skenderbej, nga funksioni i agoras/foros, per ta kthyer ne lulishte e pyllishte per pleqte dhe kalamajte e zones.
    Tek stadiumi problemi qendron me shume tek kulla ( vetem nje arkitekt me imagjinate perverse mund ta perfytyroje nje gje te tille) sesa vlerat arkitekturore te nje stadiumi obsolet ( gjithe stadiumet e reja kudo ne bote rinovohen nga pikepamja arkitekturore). Tek teatri mund te ndertonte nje te ri gjekundi me ne bulevard ( normalisht te gjithe do refuzonin, ta zeme prishjen e piramides, pallatit te kongreseve apo edhe hotel dajtit, pavaresisht se keto jane 3 kufoma te pakallura) dhe ne mungese te nje opsioni me buze rruges e me peshe te madhe fale hapesires se blerte perreth nje rinovim te aktualit ( i cili ne fakt nuk luan peshen e teatrit ne qytetet antike, kujtojme teatro me 10 apo 20 mije vende).

    Gjithe kjo histori u mbeshtet me shue se c’duhej tek kujtesa e individeve sesa tek koncepti i qytetit, apo ekzistenca e tij e pavarur nga kujtesa e banoreve. Kjo ne nje kohe qe ne cdo lagje eshte bere kerdia dhe s’ka asnje lidhje me lagjet si kane qene. Perderisa askush nuk ruajti lagjet e veta, nuk eshte shume e sinqerte sjellja per qendren.
    Pa harruar qe duhet te jesh me tepee naiv sesa mund te besohet, qe ndokush te thote qe mire e hengri lagja ime po nuk e prisja per qendren.

  5. Ne vjeshten e 1454, sulltan Mehmeti II u dergonte nje leter 12 zoterve (archon) te Morese duke iu thene se e pranonte deklarimin e besnikerise se tyre ndaj Portes se Larte, dhe se ” asgjen nuk ndryshon… dhe se ju do te jeni me mire sa sa c’keni qene me pare…”

    Mbas renies se Konstantinopojes ne veren e 1453, zoterit apo despotet ne Greqi apo ishujt e saj, kishin marre turra vrapin per te vene vehten, familjen dhe tokat e tyre ne protektoration e Mehmetit, dhe kjo u kurseu turqeve jo pak mund, gjak dhe pasuri. Mehmeti ishte mese i ndergjegjshem per kete fakt. Prandaj kushdo qe pranonte te vihesh ne pushtetin e tij, pa dhune dhe me vullnet, ai u linte liri veprimi ca dhe me te gjere se sa ajo qe gezonin ne kohen e Bizantit.

    Ne letren e tij derguar zoterve te Morese, Mehmeti perkujdeset qe t’i permend me emer secilin prej tyre. Nje nga ata eshte nje shqiptar Petro Bua, dhe njerezit e tij. Kur behet fjale per njerezit, ketu kihet parasysh njerezit e armatosur qe keta archonde kishin nen vehte. Petro Bua kishte numrin me te madh, rreth 6 mije vete te armatosur. Madje ne panikun e 1453, kur dy vellezerit e perandorit te bizantit Konstantinit, te cilet ishin despotet e Morese, dhe ne kontrast me vellane e tyre, qe vdiq ne lufte, po beheshin gati te braktisnin Morene, dhe te iknin ne Itali, Petro Bua ne krye te 30 mije shqiptareve te armatosur u be gati te merrte pushtetin e te vinte ne krye njerezit e mbeshtetur prej tij.

    Bartolomeo Minio, proveditori i republikes se Venedikut ne Nauplion ne vite 1479-1483, ne nje nga raportet e tij te permuajshme, derguar Signorias, pershkruan se ” greket dhe shqiptaret nuk shkojne me njeri-tjetrin, nuk pranojne te jene nen komanden e njeri-tjetrit, nuk martohen me njeri-tjetrin … dhe per sherbimet fetare kane papas-et e tyre …

    Lufta e pare e veneto-turke filloi ne 1463 dhe perfundoi ne 1479, me armepsuhimin e famshem te neshkruar nga Mehmeti II. Shqiptaret e Morese ishin motori levizes ne kete lufte. I gjeje kudo. Ne periudhe qetesie apo turbullire.
    Shpesh gjen gati nje kordinim apo sinkronizim te turbullirave ne Shqiperi, me turbullirat ne More Si Venediku ashtu edhe turqit kishin veshtiresi te mbanin kapakun mbi keta shqiptare ” gente de natura scandalosa”, qe s’e kishin per gje ti shpallnin lufte edhe njeres fuqi ashtu edhe tjetres, e nganjehere te dyjave bashke ne te njejten kohe.
    Ne disa nga dokumentet qofte venedikase ashtu turke rreshtohen emrat e krereve te rrebeleve. Ne nje nga keto, permenden 5 vete me mbiemri Prifti.

    Duke qene se mbiemri Prifti ka shume mundesi ta kete pasur fillesen me “zanatin”, “rolin” apo posicionin social te patriarkut, dhe duke qene se nje “zanat” do te pakten dy breza qe te shnderrohet ne mbiemer, ateher pyetja del se ne cfare gjuhe do ta kete mbajtur liturgjine ai, ne kohen vet, diku aty nga vitet 1400 – 1450?

Komentet janë mbyllur.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading