Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Libri Shqip

VISARE TË BIBLIOTEKËS KOMBËTARE (I)

 (Tragjedia e Othello’s – “e kthyer” nga at Fan S. Noli)

nga Agron Alibali

Kur e pyetën shkrimtarin e njohur amerikan, John Updike[1], për vendin më të dashur gjatë viteve studimore në Harvard, pa u stepur ai u shpreh pak a shumë: “Biblioteka! Ato kthinat magjike të Widener-it, ku jemi ngatërruar me mijëra herë, dhe ku ndënë shuajt e këpucëve tona kemi shkëmbyer me miliona atome për t’i shpërndarë kudo ku na çuan rrugëtimet e gjalla të jetës”.[2]

 

BKSH – qendra e jetës studimore e kulturore të vendit

Duke perifrazuar autorin amerikan, mund të themi se Biblioteka Kombëtare ishte vendi më i dashur për shumë qytetarë të Tiranës e më gjerë, ku “milionat e atomeve” nga pllakat e dyshemeve të saj shpërndaheshin më tej përmes shojeve tona në hapësirat e shumëfishta të jetës në të katër anët e vendit të mbyllur hermetikisht nga diktatura.

Pakkush në Shqipëri nuk ka ndërvepruar gjatë jetës së vet me Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Në sallat e saj kemi kaluar vite të tëra të jetës sonë. Në kapërcyell të dekadës 1970-1980 njëfarë gare e mirëfilltë ndodhte fill pas Vitit të Ri për rianëtarësimin në BKSH. Radha para sportelit krahasohej me ato të tallonave ushqimorë. Madje, pajisja me kartë anëtarësimi që fillonte me 0 apo që kufizohej tek qindëshet përbënte njëfarë krenarie legjitime. Të kishe kartë anëtarësimi tek renditja e mijësheve ishte diçka demodé …

Biblioteka Kombëtare në Tiranën e periudhës totalitare ishte qendër e mirëfilltë e jetës studimore, kulturore, por edhe shoqërore të vendit. Sallat e studimit të katit të parë ishin të mbushura plot me studiues e lexues, por sidomos me studentë të Universitetit të Tiranës. Në stinë provimesh nuk gjeje vend ku të uleshe. Salla e periodikut, sërish në katin e parë, ishte për literaturë të rezervuar. Pakkush mund të hynte aty.  Rrallë – kur rastiste që punonjësja e shërbimit nuk ndodhej – futesha vjedhurazi dhe shikoja me kërshëri në stendat kopje të The Economist, apo revista të gjuhësisë, historisë, ballkanologjisë, etj.

Kurse Salla Shkencore në katin e dytë ishte për profesorë e studiues të zgjedhur. Tavolinat aty ziheshin fill pas hapjes së sallës në mëngjes, ose menjëherë sapo fillonte turni i dytë, në ora 14:00. Aty dilnin librat, periodiku apo materialet “rezervat”, të cilat mund të shfrytëzoheshin vetëm në sallë.

Ndërkohë që Biblioteka ishte vazhdimisht e mbushur plot, dhe kërkesat për libra nga ashensori i katit të parë mund të vonoheshin, jo rrallë mund t’i bashkëngjiteshe xhiros së famshme e Tiranës – sidomos në vjeshtë e dimër. Meqenëse hyrja e BKSH-së ishte në krah të Adrionit sot, xhiroja e bulevardit bënte një detour dhe vijonte natyrshëm brenda Pallatit të Kulturës, nëpër shkallët e brendshme të tij – që për Bibliotekën ishin të jashtme – e deri lart tek kati i tretë. Këtu niste një radhë tjetër e gjatë për tek kafe/pastiçeria me pamjen e kontrolluese të Sheshit “Skënderbej”.

Ndryshe nga sot, Biblioteka Kombëtare në atë kohë zotëronte gjithë krahun jugor të Pallatit të Kulturës dhe, bashkë me aneksin simpatik tek Rruga e Elbasanit, ishte pa dyshim vendi më tërheqës për rininë dijedashëse të kohës. Bashkëveprimi me librin sillte doemos edhe ndërveprime të larmishme njerëzore.

Sot, kur po i avitet përvjetori i 100-të, Biblioteka Kombëtare vijon të ballafaqohet me sfida të pashembullta. Kryesorja ndër to është indiferenca atavike qeveritare, e trashëguar tash gati 50 vjet, por dhe apatia atipike  qytetare. Ndonjë shembull? Mjafton të përmendim krizën ekzistenciale të hapësirave, reale, virtuale dhe digjitale; faktin e trishtë se qysh nga viti 1983 jo vetëm nuk ka pasur zgjerim, por hapësirat janë ngushtuar aq sa nuk mban më. Tjetër: mund të pajtohemi ose jo me protestën qytetare lidhur me Teatrin Kombëtar. Por mbetet tërësisht legjitime pyetja se si nuk u ngrit askush që të protestojë ndaj “pushtimit” real që po i bëhet tash 30 vjet edhe atyre mjediseve të pakta e të brishta të BKSH-së nga ente publike dhe private italiane?

Por, ndërsa problematika e së tashmes dhe të ardhmes së BKSH-së vlen të trajtohet veçmas, le të përqendrohemi në këtë shkrim – e në  ato vijues-, tek disa nga thesaret e saj të shumta, jo rrallë unikale, të ruajtura edhe falë përpjekjeve vetëmohuese, në mos heroike, të personelit.

 

Noli dhe Biblioteka Kombëtare

Noli duhet të ketë ndërvepruar me Bibliotekën Kombëtare në Tiranën e vogël të viteve 1920. Si anëtar parlamenti vallë a nuk duhet të ketë shkuar ai shpesh tek biblioteka e sapokrijuar në ndërtesën e vogël në ish-rrugën Carnarvon? Natyrisht dallimet me çka ishte mësuar në Boston Public Library, apo Harvard ishin kolosale. Dhe më tej, nuk përjashtohet që në arkivat e shtetit shqiptar të ketë shkresa ku Noli, në cilësinë e kryeministrit, të jetë marrë me Bibliotekën Kombëtare.

Ndryshe nga Faik Konica, Noli nuk shprehu dëshirën që librat pas vdekjes t’i dhuroheshin Bibliotekës Kombëtare. Noli, nga ana e vet, nuk e harroi amanetin e mikut të vet të hershëm. Deri në fund të jetës, ai i ruajti si sytë e ballit librat e Faikut, me qëllim që kur të vinte koha ato të shkonin në BKSH.

Një pjesë e librave të Nolit erdhën në Shqipëri rreth fundit të viteve 1960 dhe u vendosën në Bibliotekën e Universitetit të Tiranës, ku ruhen edhe sot me kujdes e krenari.

Por Biblioteka Kombëtare, gjithsesi, ka në koleksionin e saj pjesën dërrmuese të veprës së Nolit, në mos të plotë. Një kërkim i shpejtë në katalogët online për Nolin sipas emërtesës “libra” na sjell 167 regjistrime njësish bibliotekare.  Krahasimisht, katalogu i Bibliotekës së Kongresit Amerikan përmban vetëm 48 tituj me autor Fan S. Nolin, kurse ajo e Harvardit vetëm 32, ku përfshihen edhe vepra të autorëve të tjerë për të. Biblioteka Kombëtare mbetet, pra, institucioni parësor në mbarë botën ku vepra e Fan S. Nolit ruhet e plotë.

 

Othello e Nolit

Në 23 prill 2016, bash në Ditën Botërore të Librit që përkonte me 400 vjetorin e vdekjes së Shakespeare-it dhe Cervantes-it, Biblioteka Kombëtare paraqiti të digjitalizuar një nga kryeveprat e hershme Shakespeare-it të përkthyer nga Noli.[3] Mirëpo digjitalizimi i Othellos kishte edhe një përkitje të rrallë: ai i jepej botës kulturore shqiptare 100 vjet pas botimit nga Vatra në Boston.

Versionin  e digjituar e shfleton menjëherë tek https://bksh.al/othello.pdf[4]

Noli e përfundoi përkthimin më 18 gusht 1915. Siç del më poshtë, kjo na shtyn të deduktojmë se punën e pati nisur në janar të atij viti. Periudha e vjeshtës dhe dimrit do të mjaftonte që Vatra të mblidhte fondet e duhura për botimin në kuadrin e kremtimeve botërore për 300 vjetorin e lindjes së Bardit.

Përkthimin Noli ia kushton Sir Herbert Deerbohm Tree.[5]  Sikurse shprehet në krye të faqes së parë “loja sipërore e roleve Shakespeare-ane të tij më dha frymëzimin dhe nxitjen për ta kthyer këtë tragjedi të kryemjeshtërit botëror në gjuhën e lashtë të Ilirëve”.

Dhe ja ç’shkruan Noli në krye:

“Parëthënie

Po u jap Shqiptárëve një kryeveprë shakespeariane në gjuhë të tyre.”

Dhe më tej:

Jam munduar pesë muaj që t’a shqipërónj dhe dy muaj që t’a limónj e t’i jap formën e funtme”.

Dhe mandej, me modesti të rrallë, Noli shkruan:

“Këndónjësit do të gjykojnë në e ktheva mirë. Unë mburrem vetëm që munda t’a kthenj.”

Pikërisht në ato kohëra Noli drejtonte o Kishën Ortodokse Autoqefale, o Vatrën, ose ndodhej në udhëtime; kishte, pra, një jetë jashtëzakonisht të ngarkuar e të përshirë me fatet e Shqipërisë, pa pyetur për jetën personale dhe trazimet familjare. Ku vallë e gjente kohën?

Punë si e Nolit. Ja se si krijonte “ustai i madh”. Skema, me sa duket, ishte 5 + 2 + 5. Për të përkthyer Shakespeare-in atij i janë dashur plot 5 muaj. Redaktimi dhe “limimi” i morën dy muaj kohë. Dhe 5 muaj të tjerë për grumbullimin e fondeve dhe botimin me 8 mars 1916. Kjo është data kur Noli ia dhuroi përkthimin e tij bibliotekës së Universitetit të Harvardit, e cila e përpunoi tri ditë më vonë.

Për sa më sipër prof. Nasho Jorgaqi vëren se Noli e nisi punën për shqipërimet e veprave madhore të letërsisë botërore në Vjenë në 1915 pikërisht me Othellon. Duke cituar Nolin, prof. Jorgaqi na sjell një moment kur, një mbrëmje vjeneze, ishin mbledhur disa personalitete veçanërisht të shquara:

“Një ditë takova Norbert Joklin, -na shpjegon vetë ai [fjala është për F.S. Nolin, A.A.]- albanologun e përmendur, më vonë profesor i Universitetit të Vjenës. I them atij se jam përpjekur të përkthej “Hamletin”, “Makbethin”, “Jul Qesarin” etj. Ai më tha: “Ju duhet të na lexoni përkthimet tuaja”. Një mbrëmje u mblodhëm, doktor Jokli, Gjergj Pekmezi, Ismail Qemali, Faik Konica… Unë u lexova atyre disa pjesë nga përkthimet e mia. Doktor Jokli u entuziazmua nga ato dhe më shtyu t’i botoj me çdo kusht.”[6]

 

Othello e Mehmet Konicës dhe e Harvardit

Blerja e librit është në thelb një transaksion tregtar. Raporti autor-lexues ndërmjetësohet përmes “diktaturës” së librashitësit. Kurse dhurimi i librit, shoqëruar me dedikim, e ndryshon cilësisht raportin autor-lexues. I kryer në një vend dhe moment të caktuar, i ndërmarrë nga/për një person të caktuar njëlloj si shkrepja e aparatit fotografik, dedikimi kap dhe regjistron një çast të papërsëritshëm të jetës, duke e kthyer librin në njëfarë dokumenti historik dhe dëshmi të shkruar marrëdhëniesh njerëzore.

Në prill 2016 po i jepja dorën e fundit librit “Faik Konica – Dritëhijet e një diplomati”, ku përshkruhen edhe përpjekjet heroike të Vatrës, të kryesuar nga Noli dhe Mehmet Konica në vitet 1912-1919 për çështjen shqiptare. Përmes dokumenteve arkivore dilte qartë se Noli kishte besim të madh e vlerësim të jashtëzakonshëm për Mehmet Konicën.

Dhe ja ku, papritmas, BKSH-ja zbulonte përmes librit një prekje apo kontakt të rrallë njerëzor midis këtyre gjigandëve. Me të vërtetë, kopja e BKSH-së e Othellos së Nolit ishte veçanërisht e çmuar, madje unikale: ajo ishte dhuratë e Nolit për Mehmet Konicën dhe përmbante një përkushtim të rrallë.

Teksti i përkushtimit ishte jashtëzakonisht miqësor e vlerësues:

 

Përkushtimi sipëror “për kujtím miqësie” i Nolit ndaj Mehmet Konicës, “të Shkëlqyerit Patriót” përmban edhe vendin dhe datën e saktë të dhurimit.

Le të hamendësojmë rrugëtimin e veprës së Nolit në duart e Mehmet Konicës. Kushtet e Luftës I Botërore e bënin të pamundur kontaktin ndërnjerëzor. Pra, me siguri libri me 10 tetor 1916 ka nisur rrugëtimin përmes postës transatlantike Boston – Londër, ku Mehmeti ishte përfaqësues i Vatrës.  Me të vërtetë, Mehmeti sapo kishte mbërritur atje me 23 shtator 1916, dhe kishte njoftuar menjëherë Vatrën.[7]

Fakti që libri ndodhet në koleksionin e BKSH-së në Tiranë, na le të deduktojmë se Mehmeti do ta ketë bërë pjesë të bibliotekës së vet londineze, dhe më vonë e ka transportuar në Tiranë ku u ngul në fillim të vitit 1920, ose kur u kthye nga shërbimi diplomatik në Angli në fillim të viteve 1930. Me siguri Othello-ja e Nolit e ka shoqëruar Mehmetin deri sa ky u largua nga vendi me ngut e zemër të plasur në prag të pushtimit italian të Shqipërisë.

Mjerisht librat dhe bibliotekat janë shpesh gjëja e parë që sakrifikohet kur largohemi nga banesa e momentit, apo nga kjo botë. Pra, me shumë gjasë Mehmet Konica u detyrua ta lerë në Tiranë bibliotekën e vet private. Se ku dhe kujt ia la, këtë nuk mund ta themi.

Mehmeti u nda nga jeta në Romë në v.1945. Sipas studiuesit Bejtullah Destani, Mehmeti në Romë administroi pjesën europiane të bibliotekës së vëllait të vet, por kjo është jashtë temës. Dihet se vitet e fundit të Mehmet Konicës ishin aspak të lakmueshme duke patur parasysh gjendjen kritike të Shqipërisë e Italisë, por edhe ngushticat ekonomike që duhet të përballonte në një vend të huaj me familjen e përbërë nga gruaja dhe tre vajzat e njoma. Sot për sot nuk e kemi të qartë mënyrën se si e Othello-ja e Mehmetit është bërë pjesë e koleksionit të BKSH-së. Mirëpo, siç përmendëm, Noli i dhuroi një kopje edhe Bibliotekës së Harvardit.

Etiketa EX LIBRIS, e vendosur në anën e brendshme të kapakut nga personeli i bibliotekës, paraqet stemën e universitetit si dhe faktin se vepra është dhurim i përkthyesit.

Kurse përkushtimi, ndryshe nga ai për Mehmetin, ishte i thjeshtë dhe lakonik:

Nuk shohim aty frazën “alumn, class of 1912” [ish student i universitetit, diplomuar në v. 1912]. Vallë a do të ketë vajtur personalisht Noli për ta dhuruar dorazi librin në bibliotekën e universitetit të tij, e cila ishte vetëm 25 minuta larg me metró nga shtëpia ku jetonte në Boston?

 

Vlera unikale e kopjes së BKSH-së

Gjatë kërkimeve për gjurmimin e Bibliotekës së Faik Konicës u hodh ideja se një pjesë e humbur e saj mund t’i kishte kaluar pikërisht Bibliotekës së Harvardit. Kërkimin atje e shteruam madje duke hyrë edhe në të ashtuquajturin “The Vault”, një biçim salle në një bodrum të mbyllur e pa dritare, me një derë të madhe hekuri, dhe të siguruar me një dryn të stërmadh e zinxhirë. Ruheshin aty Regjistrat Themeltarë të Pasurimit të Bibliotekës së Harvardit. Për të mos u zgjatur, kërkimi në “kasafortën” e Harvardit nuk solli rezultat lidhur me Bibliotekën e Faik Konicës.

Mirëpo është praktikë standarde e bibliotekave serioze që regjistrat e tyre të pasurimit të pasqyrojnë edhe hyrjet e ndryshme gjatë viteve. Misteri për prejardhjen e Othello-s së Mehmetit ndodhet me siguri në këto regjistra të BKSH-së dhe duhet të njihet nga personeli i saj.

Duke i krahasuar me njëra tjetrën, Othello e Harvardit dhe Othello e BKSH-së kanë vlera të veçanta dhe deri diku përbashkëta bibliografike si dhe të rrallësisë bukinistike.

Megjithatë, duke gjykuar nga rrugëtimi i veçantë i Othellos së Mehmet Konicës, edhe si dëshmi e miqësisë dhe bashkëpunimit të rrallë midis këtyre dy burrave të shtetit dhe korifenjve së paku të kulturës e diplomacisë, mund të themi se sot për sot bleu i zotëruar nga Bibliotekën Kombëtare e Shqipërisë përbën një thesar veçanërisht të çmuar për historinë dhe kulturën shqiptare.

 

(c) 2020, Agron Alibali. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


 

Shënim 1: Mirënjohje e veçantë për shkrimin i takon Dr. Loreta Lolit, të Bibliotekës Kombëtare, që mundësoi çarjen e “bllokadës” fizike dhe digjitale të pandemisë duke ofruar bujarisht e në kohë rekord imazhin e përkushtimit historik.

Shënim 2: (vijon –  pjesa (ii) – Vizioni i Mbretit Zog për Bibliotekën Kombëtare dhe një “radiografi” amerikane e saj në v. 1945).

 

[1] John Updike [1932 – 2009], një ndër shkrimtarët e kritikët më të shquar amerikanë. Vlerësoi lart Kadarenë në analizën e titulluar “Chronicles and Processions” (review of Ismail Kadare’s Chronicle in Stone…), The New Yorker (14 mars 1988).

[2] Shih edhe Neil Gershenfeld, When Things Sart to Think, Henry Holt and Co, New York, 1999, “My only literary connection with John Updike is that we have the same favourite part of Harvard’s great Widener library -…”, f. 20.

[3] Nisma e vlefshme u ndoq pak më vonë me digjitalizimin e veprës origjinale të Naimit. Për më shumë shih njoftimin zyrtar nga faqja e Ministrisë së Kulturës, tek https://kultura.gov.al/naim-frasheri-ne-editimin-digjital-te-veprave/

[4] Faqja nuk është e qassshme në datën e botimit të këtij shkrimi[off-line], ndofta për shkak të zgjerimit të pritshëm të hapësirave digjitale të BKSH-së.

[5] Herbert Deerbohm Tree -1852 – 1917], aktor anglez dhe personalitet i shquar i botës së teatrit.

[6] Nasho Jorgaqi,  “Mbi procesin e punës krijuese e studimore të Fan Nolit”, Gazeta Dita, 11 qershor 2018, tek https://tinyurl.com/yc7z7gzz

[7] “Shtator, 23, 1916 . –  Delegati i Vatrës, Z. Mehmed Bej Konitza i telegrafón zyrës së Federatës në Boston që arriu në Londrë”. Kalendari i Vatrës i Motit 1918, Editoi Fan S. Noli, Boston, Mass 1918, f. 38

4 Komente

  1. Perkthimet e Shekspirit flasin per nje talent te jashtezakonshem te Nolit sidomos po tu besojme zerave qe thone se shqipen e mesoi ne moshen 31 vjecare .

  2. Pa dyshim që është vlere e rralle, dhe gjurmimi juaj me vlere. Ne fondin e Biblio. Kombëtare ka plot pasuri te tilla, por lipset urgjentisht shtimi i hapesirave ekzistuese duke rimarre hapesirat e zena, mandej nje ndertese e re me parametra bashkekohore . Po keshtu Tirana duhet patjeter te kete biblioteken e saj publike, bashkiake. Gjithashtu Durresi e ka krejt te amortizuar aktualen. Sa me shume kohe kalon, aq me te domosdoshme bëhen keto. Keshtu do te shpetohen vlerat antikuare dhe ato te sotme nga lageshtia, myku apo më keq akoma, nga zjarri, siç dhe ka ndodhur.

  3. Po, qysh se edhe ne vatren e leximit ne Tirane, Bibl. Komb., enderrohet per perthithjen e gjithfare shamish te mbushura -sado pak- me para, vetkuptohet se Othellos i eshte bere puci i perjetshem, nderkohe qe Desdemonat lexuese i vertiten tashme larg me enderrime, e ndoshta edhe keto duket kane bere vetvrasje. Agron Alibali u ben nekrologjine artistike e me elozhe, si bujkrobi fjale-bukur qehajahit-delenxhi.

  4. Me siper kam nje gabim ne emrin e autorit te shkrimit, ne vend te Ardian Vehbiut, qe paskam regjistruar gabim, duhet ai i Agron Alibalit.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin