Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

REZYME DHE EULOGJI

Para ca muajsh, një mik i familjes, dr. Q, na pat thënë se dëshironte të shkruante diçka për babanë tim – për dhjetëvjetorin e vdekjes; dhe me atë rast pat kërkuar që t’i jepnim ndonjë dokument për ta ndihmuar. I dhamë një dosje që im atë e kish bërë bashkë me gjasë për ndonjë aplikim a nevojë tjetër burokratike. Dr. Q punoi ca kohë dhe pastaj më dërgoi një draft të shkrimit që kish bërë, për ndonjë sugjerim. E lexova, por nuk po e kapërdija dot: informacioni në tekst ishte i saktë dhe qasja e autorit tejet dashamirëse, por nuk m’u duk kjo mënyra si duhej të mbahej mend dikush, dhe aq më tepër im atë.

M’u kujtua, atëherë, një dallim i hollë që pat bërë, edhe pse kalimthi, eticisti dhe publicisti David Brooks[1], midis virtyteve të rezymesë (CV-së) dhe virtyteve të eulogjisë: të parat, thotë ai, janë ato që ti përmend në rezyme, aftësitë që sjell në tregun e punës dhe që kontribuojnë në suksesin tënd të jashtëm; por të dytat janë më të thella – sepse janë ato që të përmenden në funeral, dhe që ekzistojnë në thelb të qenies sate: nëse ti je i mirë, trim, i ndershëm dhe i besës, dhe çfarë lloj marrëdhëniesh ke pasur me të tjerët.

Dhe ashtu mendova se shkrimi i mikut tonë Dr. Q përqendrohej në rezymenë e tim eti, jo në virtytet e tij të eulogjisë, duke u ndalur tek arritjet e tij – gradat dhe titujt, botimet, postet që kish mbajtur; jo te njeriu. Dhe njëkohësisht mendova: ndoshta shumë njerëz do ta kujtojnë tim atë për virtytet e rezymesë, jo të eulogjisë; sepse të parat janë botërishte dhe mund t’i gjesh kollaj edhe në një CV çfarëdo; të dytat rroken më me vështirësi. Është gjithnjë më lehtë, për shembull, të renditësh a të numërosh veprat që ka shkruar dikush, se të shpjegosh çfarë e shtynte të shkruante dhe të identifikosh çfarë shihte ai si mision të vetin në jetë. Ashtu edhe u binda se nuk isha personi i përshtatshëm, për të gjykuar një shkrim për tim atë.

Brooks vëren, tek eseja e lartcituar, se mund të duket sikur virtytet e eulogjisë janë më të rëndësishme se ato të rezymesë, por e vërteta është se sistemi ynë arsimor është fort i orientuar ndaj këtyre të dytave: shumë prej nesh, thotë ai, kanë strategji më të qarta se si të arrijnë sukses në karrierë, se për mënyrën si të zhvillojmë një karakter të denjë. Edhe njëra palë virtytesh edhe tjetra kanë të bëjnë me ambicien – por të rrallë janë ata, mes nesh, që duan të kultivojnë dashurinë, të sakrifikojnë veten në shërbim të tjetrit, të jetojnë në ndjekje të një së vërtete transcendentale, të kenë një shpirt koheziv, e kështu me radhë. Shpesh, kur vihemi para dilemës për të zgjedhur, preferojmë qasjen utilitare ndaj asaj morale.

Dhe kjo dilemë shpesh u del përpara mediave dhe publicistëve, sa herë që u duhet të vlerësojnë dikë; dhe sidomos në momentin kur dikush vdes dhe duhet thënë diçka. Me arsye, do të pranojmë se të ndjerit, në nekrologji, do t’i përmendim jo ato virtyte praktike që e patën ndihmuar për të gjetur punë dhe për të bërë përpara në jetë, por ato virtyte të tjera, që e bënin njeri, në kuptimin e plotë të fjalës. Për ta thënë ndryshe: nuk mund ta përcjellësh dikë në varr, duke i përmendur se ka shkruar dhe botuar 35 artikuj shkencorë në revista ndërkombëtare.

Apo mundesh?

Një shembull i freskët: sapo u nda nga jeta akademiku Gudar Beqiraj, dhe media të ndryshme online dhe besoj tjetërlloj, që e dhanë lajmin, e shoqëruan pak a shumë me këtë tekst:

Akademik Prof. Dr. Gudar Beqiraj, ka mbaruar studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Departamenti i Matematikës. Është specializuar në Gjeostatistikë pranë Qendrës së Gjeostatistikës në Fontainbleau, Francë si dhe në metodat e informatikës së aplikuar në Gjeofizikë në Universitetin Paris VI, Francë. Në 1992 ka kryer punë shkencore pranë Universitetit “La Sapienza”, Romë, Itali. Në vitin 1994 merr titullin “Profesor”, dhënë nga Këshilli i Lartë i Atestimit të Komitetit të Shkencës dhe Teknologjisë. Në vitin 2003 i akordohet titulli “Akademik”, dhënë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Në 2012 është bërë anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve.

Është realizues i algoritmeve dhe programeve të ndryshme në gjuhët e programimit: Algol, Paskal, Fortran, të aplikuara në fusha të ndryshme si gjeofizika, gjeologjia, bujqësia, nafta, mjekësia, etj. Përvojë 45 vjeçare si pedagog i matematikës dhe i informatikës në Universitetet e Shqipërisë si dhe pedagog për sportin e peshëngritjes në Akademinë e Sporteve në vitet 80-të. Përveç kontributeve në fushën shkencore, kontribute edhe në aktivitete e fusha shoqërore.

Nuk ka asgjë gabim, në sa më lart: përveçse që teksti i përket një rezymeje (CV) dhe ndoshta edhe lemës përkatëse në një enciklopedi (Wikipedia); por jo një eulogjie. Arritjet e padiskutueshme të së ndjerit, në fusha të ndryshme, janë me siguri efekt i virtyteve të tij të tjera – të karakterit, të integritetit, të vizionit që kishte në jetë, të marrëdhënieve me kolegët. Të gjithë ata që do ta kujtojnë, me siguri të shumtë, nuk besoj se do ta kujtojnë si “realizues të algoritmeve dhe programeve të ndryshme në gjuhët e programimit” dhe as ngaqë “në 1992 ka kryer punë shkencore pranë Universitetit “La Sapienza”, Romë, Itali”. Për shkak të nxitimit, paaftësisë ose edhe një qasjeje sipërfaqësore ndaj njeriut, këto media e përcollën informacionin për vdekjen e Beqirajt si të ishte fjala për ndonjë aplikim për një vend pune.

Jetojmë në një kulturë, shkruan Brooks, që na nxit të mendojmë si të bëjmë përpara në karrierë, por që na lë të pazotët për t’u artikuluar, se si të kultivojmë jetën shpirtërore; një kulturë që na mëson si të promovojmë dhe të reklamojmë veten dhe si të zotërojmë aftësitë profesionale që na duhen për sukses, por që na jep inkurajim të paktë për përvuejtni, simpati dhe vetë-ballafaqim të ndershëm, të cilat duhen për të ndërtuar karakterin dhe për të eksploruar zonat më të thella të vetes; një kulturë që na shtyn të bëjmë gjëra që i miratojnë të tjerët, jo gjërat që ne vetë na duken të drejta. Me kohë, fillon të na duket se, nëse u pëlqejmë njerëzve që kemi rrotull, atëherë qenkemi vërtet të mirë.

Një rrugë për ta kundërshtuar këtë, gjykon Brooks, është ajo që kanë ndjekur moralistët e traditës – që nga Plutarku; duke sjellë shembuj njerëzish të virtytshëm, sepse përmirësimi moral arrihet më mirë kur zemra ngrohet dhe kur vijmë në kontakt me njerëz që i admirojmë dhe i duam dhe që, me vetëdije dhe pa vetëdije, fillojmë t’i imitojmë; sepse këta njerëz, mendon ai autor, me jetën e tyre, na tregojmë edhe si ta zgjidhim problemin thelbësor të jetës, që është, për ta thënë me Aleksandr Solzhenjicinin, se “vija që ndan të mirën nga e keqja kalon jo përmes shteteve, as përmes klasave, as përmes partive politike – por drejtpërdrejt përmes çdo zemre njeriu.”

Kështu David Brooks. Të cilin e citova dhe parafrazova kaq gjatë, për hir të argumentit qe po dua të bëj, se vdekja e një njeriu të respektuar është edhe momenti i përshtatshëm për të rrëfyer jetën e tij – dhe për t’ia bërë eulogjinë në mënyrë ekzemplare, duke iu përgjigjur heshturazi pyetjes: çfarë kish ky njeri për t’u admiruar, për t’u ndjekur dhe për t’u imituar? Ashtu edhe i ndjeri do të vazhdojë të ndriçojë, me virtytet e tij, nëpërmjet eulogjive që i bëjnë të tjerët; një kontribut më tepër, por jo për këtë më pak i vyer.

 

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi pa leje. Shkelësit e copyright-it do të përndiqen ligjërisht.


[1] David Brooks, The Road to Character, Random House, 2015. Citimet janë të gjitha nga kapitulli “Introduction: Adam II”.

1 Koment

  1. Lexova sot nje profil shume te mire te Ervin Hatibit nga Virion Graci ne revisten ExLibris. Profil qe ilustron me se miri sa e domosdoshme eshte per kulturen te deshmohen virtytet e figurave te njohura, mundesisht sa jane gjalle.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin