Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

NJË SGARBI PËR SHQIPTARËT

Nëse duam ta kujtojmë dikë që vdes, do të fillojmë me kontributet e tij unike, vlerat e tij si njeri, si qytetar dhe si mendje, ose për çfarë presim që ai të mbahet mend për mirë. Maks Veloja me siguri ka lënë gjurmë në kulturën e sotme shqiptare si arkitekt, si artist vizual, si eseist dhe si shkrimtar; por edhe me praninë e tij si qytetar, në jetën publike. Por i njëjti Maks Velo do të mbahet mend edhe për “eksternacionet” e tij, ose shqiptimet dhe pozicionimet haptazi kundër myslimanëve, Islamit, “veriorëve” dhe “kosovarëve” – të cilat i ka bërë në publik, shpesh edhe i nxitur nga intervistuesit dhe drejtuesit e emisioneve televizive ku shkonte si i ftuar. Edhe këto po ia kujtojnë, ndonjëherë me ashpërsi të madhe, tani që vdiq. E kam qortuar Velon haptazi për këto pozicionime banale, që në vitin 2014 (lexoni këtu dhe pastaj këtu); por tani dua të shtoj se një njeri që sapo ka vdekur, nuk mund të vihet me shpatulla pas muri për banalitetet e tij dhe, sidomos, për ato sjellje të cilat nuk ia ndan dot nga trauma e burgut dhe e shkatërrimit të veprës. Ndodh edhe e kundërta: disa miq e dashamirës të mirëfilltë të Maksit ia përmendin këtij tani për virtyt, faktin që nuk dinte t’i vinte fre gojës dhe të thoshte gjëra kontroversiale që të tjerët veç i mendonin, për çfarë edhe e ftonin në talk show-t, për ta përdorur si joshë. Paçka se “eksternacionet” e Velos kundër myslimanëve, veriorëve, kosovarëve, çeçenëve, malokëve, unë do t’i interpretoja si jehonë dhe rimarrje e paragjykimeve dhe reflekseve folklorike provinciale të çdo njeriu të kapur në befasi nga zhvillimet kulturore dhe demografike të pas 1990-ës; në kombinim me paragjykime të tjera provinciale, që Maksi mbase i sillte me vete që nga fëmijëria. Këto paragjykime na “ngjiten” njëlloj si viruset; nuk janë tonat individuale në origjinë, por të jashtme dhe të gatshme, të cilat i bëjmë tonat pa dashur, në një përpjekje auto-psikoterapeutike për t’u dhënë zgjidhje të lehtë problemeve munduese. Unë nuk di që i ndjeri t’i ketë aktualizuar ndonjëherë në veprime konkrete – dhe as t’i ketë artikuluar, përtej muhabeteve të kafenesë; Maksi mund të rrinte gjithë ditën me “myslimanë” a me “veriorë”, të hante dhe të pinte me ta, pastaj të shkonte të fliste kundër “myslimanëve” dhe “veriorëve” në mbrëmje, në një talk-show televiziv, ku moderatorët mund edhe ta trajtonin si ndonjë bejtexhi mejhanesh që e kish gati vargun dhe epitetin për gjithkënd, por duke ia shpërfillur ndërkohë mendjen e ndritur prej artisti, arkitekti dhe urbanisti, siç e kish shprehur shumë herë në veprën e vet poliedrike (si do t’i shpjegonin detraktorët e sotëm të Velos motivet vizuale tipike veriore në grafikën e tij?). Si konspiracist safí, i mbërthyer nga paranoja, edhe Maksi besonte se e kish gjetur shkakun “unik” të halleve të Shqipërisë dhe të plagëve të shoqërisë shqiptare. Nuk do ta quaja “antishqiptar” (një epitet që tash mund të përdoret veç me ironi), por më shumë “të pashqiptarizuar mirë”, në kuptimin që ndonjëherë dukej sikur i kish mbetur ora në kohën e Anastas Lakçes; dhe fobitë e tij sociale e fetare do t’i shihja si po aq mbetje të periudhës dhe të mendësisë otomane, sa edhe “primitivizmat” anadollake që me aq pasion i stigmatizonte në publik. Por le të mos harrojmë: i ndjeri nuk synonte gjë të imponohej si ideolog dhe agjitator anti-mysliman dhe as të prezantohej si nxitës militant i konflikteve mes Veriut dhe Jugut, ose shqiptarit dhe kosovarit; përkundrazi, të linte përshtypjen e një shpirti të lënduar dhe të zhgënjyer, që nuk gjente dot prehje, dhe të cilin mass mediat u tunduan ta shfrytëzojnë, duke e cytur të artikulonte publikisht paragjykimet tona kolektive dhe ndonjëherë duke ia veshur me zor paljaçetat e lolos. Ndaj intelektualit dhe artistit, parapëlqyen eksternatorin spektakolar dhe diskursin e tij sa kontroversial aq edhe banal (dhe invektivat e tij ad hominem kundër atyre që i kishin bërë, sipas tij, padrejtësi ose i kishin ngrënë hakun). Një lloj Vittorio Sgarbi, për publikun shqiptar; të cilit tani së fundi po i matej suksesi dhe popullariteti me aftësinë që kish për të nxjerrë në shesh stereotipitë dhe të palarat tona. Ky Maks i “eksternacioneve” deri diku e eklipsoi Maksin arkitekt, artist, eseist, estet dhe shkrimtar, dhe për fat të keq, aq të papjekur jemi, sa gjithsekush e përdori vdekjen e tij për të riprodhuar pozicionin e vet publik – siç kam frikë se po bëj edhe unë vetë këtu duke shkruar këta rreshta.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

5 Komente

  1. Ta kujtosh tjetrin permes kontributeve pa ia njohur vepren eshte disi nekrofilike. Kontributet kujtohen si statistike, apo kopjohen si tekst i gatshem ne Wikipedia dhe ja rituali i hipokrizise sone implementohet edhe si lajm kombetar.

    Diten kur vdekja te trajtohet si ceshtje private do kemi bere nje hap para ne leme te qytetarimit. Vetem keshtu eshte i mundur respekti per te ndjerin ne kete vend.

    Sa per eksplodimet e Velos, them se si nje shumice prej nesh ai e shpjegonte Shqiperine emocionalisht sepse aty e dorezojme te gjithe perceptimin dhe analizen. Kaq i deformuar ne vijimesi sa te duket ky vend, ndodh qe racionalja pushon se qeni perballe nje te keqeje endemike qe ha cdo energji pozitive. Velo thjesht i thoshte publikisht ato qe Tirana i pertyp ne heshtjen hipokrite.

    Ca te thuash: ne kete vend as jeton dot, as e perkufizon dhe shpjegon dot, as e do megjithe mend, as e urren deri ne fund. Me kujtohet dikush qe thoshte se nuk behet shtepia ne kembet e ures. Mbase kishte te drejte.

    Velo kishte nje identitet publik. Nuk eshte pak ne pashallekun e baltes.

  2. Maks Velo ishte piktor,arkitekt .Opinionet e tij jashte ketyre fushave jane po aq painformuara sa te qytetareve te zakonshem.Ndryshimi eshte se shumica I lene keto opinione rreth tavolines se kafenese ai duke patur akses ne mass media I bente publike .Ai eshte nje poster child I jeteve te shkaterruara ne diktature .Vete fati I tij ,I tradhetuar dhe spiunuar nga familja e shoket e tij te ngushte eshte nje autopsi e cmendurise tragjike te atij sistemi .

  3. Gjini, nje i njohur me origjine shkodrane, na thosh ne grumbull njerezish aty nga fillim-mesi i viteve ’90, kur Shqiperia drejtohej nga S. Berisha dhe vendi po shkonte poshte e me poshte ne shume drejtime, “ne verioret nuk kemi ato aftesi drejtimi te vendit sic i kane jugoret”. Nese ky mendim i Gjinit, por edhe sa e sa te tjerve nga Shq. veriore, do te kishte mundesi te shprehej ne gazete e TV, padiskutim qe do te epitohesh si anti-shqiptar, tradhetar, gego-fobiste, etj.. Dhe, po te vesh re, (nuk ka nevoje per mikroskop dhe dylbi), do dallosh se, ata qe prekeshin nga keto fjale “anti-veriore”, ishin pikerisht veriore (me se shumti nga zonat veri-lindore), qe mbanin rekordin ne zbritjen poshte dhe tokat e xanuna, ne gjithfare dallaveresh dhe shkaterrimin e pergjegjsise sociale, qe qytetet e medha ruanin ende, sado pak.
    Eshte e vertete, qe te vertetave te tilla nuk u duhet hedhur benxine, por duhen diskutuar hapur, me qetsi dhe argumenta ne studiot televizive, apo faqe te ketilla si PTF, por qe aq studiot tona televizive e as PTF-ja e te tjera kane qene aq te zonjat sa tu hynin me themel ketyre mendimeve “anti-veriore”, “anti-gege”, “anti-shqiptare”, per te nxjerre te vertetat tona hapur dhe per te bere korrigjimet e duhura. Jo, u lane hajdutet dhe grabitesit te saksiononin pronat qe s’u perkisnin, me gjithe pasojat e tjera, qe i vujame sot.

    1. Shkodra historikisht ka qene nje nga qytetet me te kulturuara te Shqiperise .Kur Shqiperia u zhyt me kaos me vitet 1914-1915 ,Shkodra e administruar nga nje keshill qytetaresh te cilet vazhduan punen e komisionit nderkombetar te kontrollit ishte I vetmi oaz paqeje .Rremuja shumeplaneshe e viteve 90 ishte rezultat i terapise shock ,ide e shkelqyer e nje jugori .E njejta baterdi urbanistike qe u be ne Tirane eshte bere edhe ne jug .30 vjet e $13 miliarde borxh ,plus miliarda $$ te emigranteve me pas po te futesh me google street view 95% e territorit nga jugu me veri ngjan me Kandaharin apo Rramallahun te cilat jane vende ne konflikt .Po te llogarisim edhe 50 vjet e miliarda $$ ndihme te Kines e ish BS e te vetmet landmarks qe kemi jane disa ndertesa qe beri Italiani na del perfundimi I hidhur se paaftesia per tu vetqeverisur eshte sindrom mbare shqiptar .

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin