Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

KAPËRDIMJE TË HIDHËTA

Lexoj sot në lajmet, se paska vdekur – pas një lëngimi të gjatë me koronavirus – shkrimtari kilian Luis Sepúlveda, 70 vjeç.

Kisha lexuar, në fund të shkurtit, që ish shtruar në spital në Spanjë me vështirësi në frymëmarrje, për t’u konfirmuar pastaj si i infektuar me Covid-19.

Lajm që më lëndon ndryshe nga ato për qindra të vdekur në qytetin ku jetoj, NYC. Njëlloj siç më trondit ndryshe, nga ç’ndjeva kur dëgjova për vdekjen – sërish nga koronavirusi – të një moshatarit dhe të njohurit tim të vjetër, A.K., në Romë.

Ankthi më merr tri pamje të ftohta: helm, ujë dhe thikë.

Sepúlveda-n e njoh për shkrimtar me nam, por (ende) s’i kam lexuar gjë; ia kam dëgjuar emrin poshtë e lart, ia kam parë titujt në librari, dhe kaq.

E megjithatë, për ikjen e tij tronditem ndryshe nga ç’do të isha tronditur për vdekjen e një kimisti, një sopranoje ose bejsbollisti të shquar. Ndoshta ngaqë shkruaj vetë, e rendis veten si të “racës” së shkrimtarëve.

Në mediat flitet mbarë e mbrapsht për celebritete “pozitive”: Tom Hanks & bashkëshortja; aktorja Olga Kurylenko e njohur ndryshe edhe si “Bond girl”; princi Charles; dhe më pas kryeministri britanik Johnson, futbollisti Paulo Dybala

Por Sepúlveda nuk është celebritet, të paktën nuk është si këta; ka bërë emër si shkrimtar dhe si i persekutuar politik – njerëzit e respektojnë për veprën, siç e respektojnë për aktivizmin politik.

Unë që s’ia njoh as njërën as tjetrën, megjithatë trishtohem kur dëgjoj që ka vdekur.

Këta muaj të virusit, vdekja e një emri të njohur gjithnjë ta sjell rrezikun më afër se ç’do të duroje – sepse emrat që ti njeh veprojnë si de-anonimizues ndaj masës së paemërt përtej.

Një epidemi, tek e fundit, të vë përballë ty me një mori të prekurish: ti këtej dhe ata andej. Ti këtej me familjarët dhe miqtë dhe të gjitha konstelacionet e fytyrave të dashura që ke në firmamentin personal; ata të tjerët andej. Ti në karantinën tënde, ata në të tyren.

Sëmundja ngjitëse nuk pyet për emrin dhe identitetin; të hyn në trup nga dritarja. Sëmundja ngjitëse të bashkon, kundër dëshirës sate, me qindra mijëra të tjerët që ka vizituar para teje.

Personazhi i njohur – pavarësisht si dhe pse – zë vend diku midis teje si askushi dhe teje si një-kushi unik; sepse nuk është yti, dhe njëherazi të përfaqëson, është atje për ty; vërtet nuk sëmuret nga virusi për ty, por të lejon ta shohësh sëmundjen tënde tek e tija.

Sepúlveda-n e pat ndjekur hap pas hapi, në jetë, narrativa e marrëdhënies së tij me Allende-n më parë, me Pinochet-in më pas. Njëlloj si Sepúlveda, edhe të tjerët emra të shquar që u prekën nga virusi të vijnë në vëmendje me narrativat e tyre: Boris Johnson kështu, princi Charles ashtu…

Gjithsekujt telenovelën e vet, siç ka qenë rregulli që nga Homeri e këtej.

Të rrallë do të jenë ata mes nesh, që nuk identifikohen intimisht me një emër të madh, një personalitet të dijes, të artit, të politikës, të spektaklit, të sportit; sikurse të rrallë janë në fakt ata mes nesh që do ta pranonin këtë hapur.

Mediat e dinë këtë, prandaj edhe u japin kaq vend emrave në narrativat e lajmeve.

Por lajmi që një i madh, si Sepúlveda, u sëmur dhe vdiq nga Covid-19, të shkakton ankth edhe ngaqë të bën të pyesësh: “kur nuk e shpëtuan dot as atë, si do të më shpëtojnë mua?” Befas, e vërteta e papranueshme se jeta jote mund të mos vlejë (sa ajo e “heroit” tënd) vjen e të shndërrohet në premisë arsyetimi.

Mediat e dinë edhe këtë: prandaj edhe nuk do të lodhen kurrë që të ta kujtojnë.

 

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

5 Komente

  1. Aspektin tragjik të lajmit e shton më tej fakti se Sepúlveda e paska marrë infeksonin pas pjesëmarrjes në një festival letrar në Portugali…Frikës ndaj aktiviteteve sportive dhe përgjithësisht kulturore tashmë u duhet shtuar edhe ajo ndaj festivaleve letrare…Vetëm në Itali janë një duzinë të tilla (shih kalendarin e 2019 tek https://tinyurl.com/y93lxpnc ), kurse në Shqipëri përmenden ato të Korçës, Razmës, dhe një varg në Tiranë etj.

    Duke e parë këtë me optikë paksa më optimiste, “ata”, d.m.th. personeli mjekësor, kanë shpëtuar Boris Johnsonin, por edhe qindra të tjerë, shumë syresh edhe në moshë të madhe. Vallë Sepúlveda, që paska lënguar 6 javë në spital, të ketë pasur ndonjë morbiditet që e ka përfshirë pa dashur në fashën me rrezik të theksuar ndaj virusit të Covid-19? Në këtë kuadër, nuk mund të mos shihen “me helm, ujë dhe thikë”, njoftimet për gjendjen skandaloze në spitalet italiane, siç raporton Corriere della Sera tek https://tinyurl.com/yc7earbc

    Për t’u kthyer tek festivalet letrare tërheq vëmendjen fakti që autori i shquar kilean ishte ngulur prej vitesh në Oviedo, përndryshe kryeqytet i provincës së Asturias. E pikërisht aty ndaheshin dhe çmimet prestigjioze Premios Princesa de Asturias, ku Kadare u nderua në vitin 2009 me Çmimin e Letërsisë. Nuk do të bënte keq juria sikur t’ia japë çmimin Asturias 2020 pikërisht Louis Sepúlveda, edhe si një autokritikë post facto se njerëzit duhen nderuar sa janë në këtë botë, aq më tepër kur i kemi përpara syve, dhe nuk kemi pse t’i qëmtojmë deri në Antarktidë…

  2. R. I. P. po as mos u lodh ta lexosh. Been there done that. Eshte ekuivalenti kilian i Kico Blushit.

    1. Shiko, dakord, eshte e vertete, dhe duhet pranuar se duke qene “latino” ka nje prirje per ta krahasuar me fqinjet e tij gjigande, gje qe i shkakton ndonje problem. E kam vleresuar sepse duke qene njeri i afert i Alendes, ai pas puçit u arrestua, u burgos dhe u torturua. Dhe ndryshe nga sa do te kishte bere nje tjeter qe do ta kalonte jeten duke treguar se çfare i kishin punuar, ai kurre nuk u muar me nje gje te tille, ose pothuajse kurre. Nderkohe qe te tjere sajonin edhe raprezalja familjare dhe tortura imagjinare, ndonse pranojne se kishin dijeni se gjyshi tyre kishte nje lloj njohje nga larg me Alenden. Nderkohe Selulvedes i kam vleresuar fabulat per femije, me te vertete qe e ka modernizuar ne sensin e duhur kete letersi, duke i rujatur nje lloj magjie.

      1. Ky eshte demi me I madh teknik qe i behet letersise amerikano-latine qe shpesh propagandohet vetem per pjesen e saj anti-imperialiste, komuniste etj. Sepulveda ne mentalitet dhe veprim eshte militant komunist I deklaruar dhe krenar per kete. Sic e ka treguar qarte letersia e realsoc, indoktrinimi i shkrimtarit behet gjithmone ne kurriz te talent it artistik. Po qe fabulat e tij per femije mund te jene artistikisht te arrira nuk mund ta mohoj se nuk I kam lexuar.

  3. Pastë ndjesë Sepulveda! Prej tij janë përkthyer në shqip 3 libra: “Ditari i një vrasësi sentimental” & “Historia e një pulëbardhe…” – roman për fëmijë. Unë kam lexuar “Plaku që lexonte romane dashurie”. Më tërhoqi, edhe pse nuk mund të them që u entuziazmova. Ndoshta ngaqë e krahasojmë çdo prozator latinoamerikan me Markezin, Kortasarin, Asturiasin, Vargas Llosan, etj. Pavarësisht shijeve e mendmeve të ndryshme, është një humbje për botën e letrave, mendoj. Doemos, duhen të kalojnë kohë që të gjykojmë më ftohtë veprën e tij.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin