Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

RISHQYRTIMI HISTORIK I KISHËS ORTODOKSE SHQIPTARE

(nga Lazjon Petri)

Titulli: Pesëdhjetëvjetori i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, 1908 – 1958

Përpiloi: Mitropoliti Fan S. Noli, MUS. B., Ph.D.

Botoi: Kisha Ortodokse Shqiptare në Amerikë (Boston, Massachusetts, 1960)

Përzgjodhi, përktheu nga anglishtja dhe plotësoi me shënime: Lazjon Petri ©

 

NGA SHËN PALI TE SKËNDERBEU

“Predikova me mbrothësi Të Vërtetën e Krishtit tej-e-ndanë, nga Jeruzalemi në Iliri”. Kështu do të shkruante Shën Pali në një nga Letrat e Tij drejtuar romakëve (Kreu 15, Vargu 19). Prej të njëjtit epistolar, tashmë drejtuar Titus-it (Kreu 3, Vargu 12), Shën Pali do të thoshte: “Kur të dërgoj Artemasin dhe Tihikusin te ty, shpejto të vish tek unë në Nikopolë[i], sepse atje vendosa të dimëroj”. Këto dy pasazhe do të sqaroheshin nga Shën Jeromi[ii], përkthyesi i parë i Biblës në latinisht, si dëshmi që Shën Pali vizitoi Ilirinë dhe ishte i pari që do t’u mësonte Ungjillin ilirëve, stërgjyshërve të shqiptarëve.

Farlati, dijetari i dëgjuar jezuit[iii], i cili shkroi historinë kishtare të Ilirisë në plot 7 vëllime të rëndësishme, jo vetëm e përqafon shpjegimin e Shën Jeromit për veprën misionare të Shën Palit në Iliri, madje shton që Shën Pali gjatë udhëtimit ilirik vizitoi Durrësin, buzë detit Adriatik. Konica, në librin e tij “Shqipëria: Kopshti Shkëmbor i Evropës Juglindore”, na vë në dijeni të dokumentave që provojnë qënësinë e bashkësisë së krishtere në Durrës, më 58-n pas Krishtit, në kohën e Neronit. Në martirologjinë romano-katolike gjejmë emrin e Shën Astio-s, Peshkop i Durrësit në shekullin e II-të A.D. Për më tepër, është mbajtur edhe një e dhënë tjetër jo pak e rëndësishme: në Këshillin e Parë Ekumenik të Nikeas, më 325 AD, disa dioqeza u përfaqësuan nga peshkopët përkatës të Shqipërisë[iv].

Në fillim, Shqipëria ishte nën autoritetin juridik të Papëve. Gjatë asaj periudhe, rrugën e Shën Palit në Shqipëri, e pasuan dhe përvijuan misionarët romano-katolikë. Kjo është arsyeja pse të gjitha termat kishtarë në shqip erdhën prej latinishtes. Sa për të dhënë disa shembuj: mesha e shqipes nga missam e latinishtes; shenjt nga sanctum; altari nga altarem; kreshma nga quadragesimam; Kërshëndellat nga Christi Natalia; Rrëshajat (Pentecost-a) nga Rosalia; kryqi nga crucem.[v]

Duke qenë pjesë e gadishullit Ilirik, Shqipëria i përkiste Selisë Peshkopale të Romës dhe vazhdoi të ishte kështu deri ditën që Leo-ja i III-të Isauriani, Perandor i Bizantit, ja hoqi fuqinë Romës, më 732 A.D dhe ja kaloi varësinë Patriarkanës së Kostandinopojës, si kundërpërgjigje ndaj Papë Gregorit të III-të, i cili e kishte shkishëruar Leon në fjalë, duke e shpallur si ikonë-prishës dhe heretik. Ky ishte rasti që si bullgarët, ashtu edhe serbët, të futeshin si pykë në Selanikun e Maqedonisë, duke ja lagur barutin Patriarkanës Greke për të mos pasur ndonjë ndikim të qënësishëm në Shqipëri.

Kryqtarët, venecianët dhe napolitanët hodhën poshtë pothuajse të gjitha ç’ishin bërë nga patriarkët grekë, punë, e cila ravijëzohej nga 3 pyka të ortodoksisë greke: e para, në veri, nga Prizreni në Shkodër, Antivar; e dyta, nga Ohri në Krujë dhe deri në Durrës; dhe e treta, nga Janina në Gjirokastër dhe deri në Vlorë, në jug. Por, këto pyka nuk ishin edhe aq të forta dhe fuqia e tyre dalëngadalë po dobësohej e po shkërmoqej. Në fillim të shekullit të XV-të, Shqipëria ishte kryesisht katolike, me 18 vatra episkopale të ritit latin, një pjesë e të cilave gëzojnë histori të pandërprerë nga lindja e krishtërimit deri më sot (lexo: 1958, LP).

Duke hedhur sytë nga dokumentet, mësojmë se cilat janë datat kur princat shqiptarë me më ndikim u bënë katolikë: Topiajt e Krujës përmenden si katolikë, më 1208; Muzakajt dhe Aranitët e Shqipërisë së Mesme, më 1318; Zenebishët e Gjirokastrës dhe Shpatajt e Artës më 1354; Balshajt e Shkodrës, më 1369; Dukagjinasit, më 1400; Kastriotët më 1407.[vi]

Disa peshkopë e princa ishin katolikë të ritit latin dhe disa ishin katolikë të ritit bizantin, apo Uniatë. Për shembull, dijetari kroat Milan Shuflaj, në veprën e tij “Illyrisch-Albanische Forschungen”, i mëshon faktit që gjatë udhëheqjes së Dinastisë Anzhuine (1272-1368), në Durrës ishin dy Kryepeshkopë, njëri i ritit latin dhe tjetri i ritit bizantin. Sa për Dhespotin e Krujës, Stefanin, e dimë që i përkiste ritit bizantin sepse në marrëveshjen mes Skënderbeut dhe Alfonsit të V-të të Napolit, më 1451-shin, e firmosi emrin në greqisht. Për të mos u mjaftuar me këto, sipas një dokumenti të zbuluar nga historiani rumun, Marinesko-ja, At Helia, kapelan i kontingjentit napolitan me vendqëndrim në Krujë, kryeqytetin e Skënderbeut, ankohet se hoqi picirin e përsëri nuk gjeti asnjë dhjak që mund të lexonte në latinisht e t’i jepte një dorë për shërbesat kishtare. Kjo do të thotë që të gjithë klerikët e Krujës përbëheshin nga priftëria e Ortodoksëve të Lindjes, të cilët mund të lexonin greqisht, por jo latinisht. Gjejmë arsye të themi, po ashtu, se Kastriotët e Krujës, përfshi këtu edhe Skënderbeun, ishin katolikë sipas ritit bizantin, e jo sipas atij latin.

PERIUDHA TURKE

Pas pushtimit të Shqipërisë nga turqit, ishte më se e natyrshme që katolikët e ritit bizantin, apo Uniatët, të bashkoheshin me Patrikanën e Kostandinopojës. Sulltanët e Turqisë ishin në luftë me Papët e Romës dhe parapëlqenin të përkrahnin Patriarkët e Kostandinopojës. Në fund të shekullit të XIX-të, rreth 70% e popullsisë shqiptare ishin myslimanë, 20% të krishterë ortodoksë, kryesisht në Jug të Shqipërisë dhe 10% ishin të krishterë katolikë, më së shumti në Veri.

Gjatë sundimit Turk (1478-1912) ishin 5 Peshkopata Ortodokse në Shqipëri: e Prizrenit, e Durrësit, e Beratit, e Korçës dhe e Gjirokastrës. Të gjithë peshkopët e këtyre dioqezave gëzonin titullin e lashtë të Mitropolitit. Me përjashtim të Mitropolitit të Prizrenit, i cili zakonisht ishte serb, pas mesit të shekullit të XIX-të, të gjithë mitropolitët e tjerë ishin grekë. Mitropolitët grekë, jo vetëm e shihnin si detyrë të tyren helenizimin e shqiptarëve ortodoksë, të cilët ishin nën juridiksionin e tyre, por synonin edhe kthimin e tyre në patriotë grekë. Edhe kishat greke së bashku me shkollat greke, të cilat ishin të vetmet shkolla të lejuara për shqiptarët ortodoksë në Turqi, përdoreshin për të njëjtat qëllime prej kësi mitropolitësh. Mitropolitët grekë në fjalë, shkishëronin çdo anëtar të Kishës Ortodokse, i cili guxonte ta quante veten shqiptar apo këdo që lexonte libra shqip. U arrit deri aty, sa të mendohej që edhe vrasja të ishte një armë legjitime për të helenizuar Jugun e Shqipërisë dhe për t’ia aneksuar Greqisë. Politika e këtyre mitropolitëve pasqyrohet tek dy shembujt e mirënjohur: shkishërimi i Vani Kosturit nga Korça dhe vrasja e Papa Kristo Negovanit, më 1905.

Në anën tjetër, turqit përdornin xhamitë e myslimanëve dhe shkollat turke për t’i kthyer shqiptarët myslimanë në turq.

Katolikët e veriut kishin 4 peshkopë dhe 2 Krye-ipeshkëv Mitropolitanë, një në Shkodër dhe një tjetër në Durrës. Nëse kishte një tempull fetar ku predikohej në gjuhën shqipe, kjo ishte Kisha Katolike, në njësitë arsimore të së cilës lejohej edhe mësimi i gjuhës shqipe. Kjo, sepse i kishin krahët e ngrohta prej Perandorisë Austriake dhe fuqive të tjera katolike të Evropës.

Kur Fan Noli u shugurua prift prej Mitropolit Platonit[vii] në New York, më 1908-n dhe filloi misionin e tij shqiptar në Boston, si degë e Kishës Ruse të Amerikës, mbizotëronin kushtet e sipërpërmendura. Programi i Fan Nolit synonte, së pari, të predikohej në një gjuhë që njerëzit e merrnin vesh, pra, të përdorej shqipja në vend të greqishtes në ato kisha ku bashkësia fetare përbëhej nga shqiptarë; së dyti, në vend të priftërinjve dhe peshkopëve grekë, të cilët ishin njëherazi agjentë politikë të një qeverie të huaj, të vendoseshin priftërinj dhe peshkopë shqiptarë; së treti, të themelohej Kisha Autoqefale në Shqipëri.

Ky çlirim prej Patriarkut të Kostandinopojës ishte tejet i domosdoshëm sepse ky i fundit ishte lideri politik dhe fetar i grekëve nën sundimin turk. Patriarku i Kostandinopojës, si i tillë, gëzonte të drejta të një pavarësie të posaçme që nga pushtimi i Kostandinopojës prej turqve, më 1453-shin, deri me 1923-shin. Në atë vit grekët u dëbuan nga turqit prej Mustafa Qemalit, me përjashtim të 100 000 grekëve në qytetin e Kostandinopojës.

Të drejtat e posaçme që gëzonte Patriarku grek i Kostandinopojës ishin këto: njihej zyrtarisht si etnarku, pra, ishte si të thuash, lideri kombëtar i të gjithë të krishterëve ortodoksë së Perandorisë Turke, të cilët thirreshin roum-ë nga turqit. Nuk përbënte dallim në ishin sirianë që flisnin arabisht, karamanianë[viii] që flisnin turqisht, grekë, shqiptarë, bullgarë, serbë, apo rumunë.

Patrikana greke kishte të drejtën e vetos për ngritjen e çdo kishe ortodokse jo-greke në Perandorinë Turke. Patriarku ishe Ministër i Arsimit për të gjitha kombet ortodokse. Patriarkut i takonte vendimmarrja për mbarëvajtjen e të gjitha shkollave greke dhe e drejta e vetos për çeljen e çfarëdo shkolle jo-greke për fëmijët ortodoksë. Patriarku në fjalë gëzonte të drejtën ekskluzive të lidhjeve martesore mes ortodoksëve, si edhe prishjen e kurorave martesore mes tyre. Patrikana mishëronte edhe Gjykatën e Provës sepse kishte të drejtën ekskluzive të hartimit, regjistrimit dhe ekzekutimit të testamenteve të ortodoksëve. Patrikana kishte të drejtën e vjeljes së taksave prej anëtarëve të kishës për të mbështetur priftërinë Ortodokse. Ultimatumet vinin edhe prej Qeverisë Turke, e cila urdhëronte taksa-mbledhësit e parregullt dhe keqbërës të paguanin shumat e vjedhura ose përndryshe do t’u duhej të vuanin pasojat. Thënë ndryshe, Patrikana e Kostandinopojës ishte një shtet grek brenda shtetit turk.

Patjetër që Patriarkut grek do t’i vinte për mbarë t’i përdorte të drejtat e tij të posaçme për të shpënë përpara kauzën greke. Për Patriarkun, ortodoksia ishte veç një armë politike, të cilën e përdorte pa mëshirë përkundrejt të gjitha kombeve ortodokse jo-greke, pasi për të, të qenit ortodoks do të thoshte grek.

Turqit e kishin arsyen e tyre pse ia jepnin këto të drejta fuqiplota Patriarkut: donin, që nëpërmjet tij, të mbanin nën sqetull të gjitha kombësitë ortodokse. U eci suksesshëm kjo strategji deri në fillim të shekullit të XIX. Më pas, Revolucioni Francez popullarizoi teorinë dhe praktikën e shtetit si komb, të cilin nuk e përbashkon feja apo monarku, por gjuha dhe kultura e njëjtësuar. Për rrjedhojë, të gjitha kombet e Perandorisë Turke, njëra-pas-tjetrës, hoqën dorë nga Sulltani i Turqisë dhe nga Patriarku i Kostandinopojës dhe krijuan shtete të pavarura me kishat përkatëse, të vetëqeverisura dhe autoqefale. Shembullin e fqinjëve të tyre e ndoqën edhe shqiptarët.

 

(c) 2020, Lazjon Petri. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[i] Nikopolis, 7 Km larg Prevezës së sotme, është qyteti që u themelua në vitin 29 p.l.k nga Çezar Augusti si përkujtim i fitores së vitit 31 para Krishtit, në betejën e Actium-it, në të cilën u mposhtën Mark Antoni dhe Kleopatra (LP); sipas faqes përkatëse të Wikipedias së dates 10 Shkurt 2020: https://en.wikipedia.org/wiki/Nikopolis;

[ii] Shën Jeromi, apo Shën Jeronimi është shenjti mbrojtës i bibliotekarëve, enciklopedistëve dhe përkthyesve (LP); sipas faqeve përkatëse të 10 Shkurtit 2020: https://sq.eferrit.com/shen-jerome/ dhe https://en.wikipedia.org/wiki/Jerome;

[iii] Jezuitët janë anëtarët e një shoqërie burrash misionarë të Kishës Katolike, të themeluar në vitin 1534, me seli në Romë (LP); sipas faqeve përkatëse të 10 Shkurtit 2020: https://jesuits.org/aboutus dhe https://en.wikipedia.org/wiki/Society_of_Jesus;

[iv] Është e pamundur që të mos të të tërheqë vëmendjen fjala “Shqipëri” (angl. Albania) e përdorur me një lehtësi të papërballueshme nga Fan Noli, a thua se po flitet për shekullin e XX-të dhe jo të IV-t. Vlen të paramendohet që është fjala për dhespotët shqiptarë ose për peshkopët e atyre trojeve, të cilët kishin në juridiksion dioqezat (lexo: ndarjet administrative të Romës së Vjetër) e atyre trojeve që ishin dhe janë pjesë e ‘Albanisë’. Kujtojmë se përmendia e parë dokumentare e ‘Albanëve’, sipas albanologut skrupuloz Robert Elsie, do të bëhej vetëm në fillim të shekullit të XI-të, në një tekst të vjetër bullgar (LP); sipas faqes përkatëse të 10 Shkurtit 2020: http://www.albanianhistory.net/1000_Origins-of-Nations/;

[v] Në versionin anglisht të shkrimit, [rrëshajet] paraqitet [roshayet] dhe [kryqi] si [krüqi], (LP).

[vi] Vlen të thuhet se qytetet shqiptare të listuara në këtë paragraf si edhe në atë pararendës, në original (lexo: në shkrimin përkatës në gjuhën angleze), Fan Noli i përmend kështu: Prizren, Shkodra, Antivari, Ochrida, Croya, Durazzo, Janina, Gjinokastra dhe Valona (LP).

[vii] Mitropoliti Platon Rozhdestvensky (26 Shkurt 1866 – 20 Prill 1934) është një nga 3 misionarët rusë, së bashku me Alexander Hotovitzky-n dhe Jacob E. Grigorieff-in,  të cilët dhanë ndihmë të vyer në themelimin e Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë dhe të cilëve Fan Noli u shprehu mirënjohjen duke u dedikuar librin “Pesëdhjetëvjetori i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, 1908 – 1958”, nga i cili është përzgjedhur ky shkrim (LP).

[viii] Karamanianët, ishin të krishterët ortodoksë që flisnin turqisht, përdornin alfabetin grek për letërkëmbime dhe jetonin kryesisht në Anatoli, Stamboll, Siri dhe në zonën e Ballkanit. Më 1 Maj 1923, karamanianëve i’u desh të shpërnguleshin drejt Greqisë sepse u vu në zbatim Konventa dhe Protokolli që u firmos më 30 Janar 1923 nga Asambleja Kombëtare Turke dhe Parlamenti Grek me qëllim shkëmbimin e popullsive greke me ato turke (LP) ; sipas faqes përkatëse të 27 Shkurtit 2020:

http://dspace.epoka.edu.al/bitstream/handle/1/351/610-1788-1-PB.pdf?sequence=1&isAllowed=y ;

https://en.wikipedia.org/wiki/Capetian_House_of_Anjou

https://sq.wikipedia.org/wiki/Kristo_Negovani

https://sq.wikipedia.org/wiki/Revolucioni_francez

http://orthodoxalbania.net/index.php/al/besimi-orthodhoks/besimi-orthodhoks-2/doktrina/simboli-i-besimit/1507-besorja-e-nikeas

https://www.britannica.com/event/First-Council-of-Nicaea-325

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin