ERË TV

nga Idlir Azizaj

(një ndodhi anti-shqiptare)

Sipas Scott Fitzgeraldit, sociologut më interesant në botë, pat ekzistuar në histori një epokë e ashpër e gurit; më pas një epokë më e butë e gurit; pastaj epoka e bronzit; e mandej një epokë e qelq-kristalit. Brenda interesit më sipër, mund të shtojmë dhe një epokë: atë të Facebookut. Epokë, ku vajza seksrrojtura e djem me mjekër vikinge – në kompensim të pantallonave të modës skinny stretch – i lypnin njëri-tjetrit martesë. I dërgonin secili tjetrit foto duke ngrënë pizza në Hong Kong, ose mjedisin e punës nga zyrat e OSBE apo Eulexit. E pastaj martesa kryhej, duke arritur kulmin ceremonial me vajzën që dilte nga pishina me kostum banje Michael Kors, ndërsa burri e tërhiqte lart, kapur nga gryka e shishes Desperados. Pjesa e mëtejshme e post-martesës, pasi ishin shpërndarë gjithandej fotot e dasmës në FB, konsistonte në çiftin e ulur në të njëjtën dhomë. Secili me kokën ulur në mënyrë religjioze përballë telefonit të vet; dhe secili brenda hapësirës në shtrirje të këtij rrjeti, duke numëruar “like” e “share” të imazheve.

Kështu secili pjesëtar i çiftit përjetonte nga larg e nga afër atë gjakësi të perandorëve romakë: pulqerin lart (like) kur perandori vendos t’i falë jetën gladiatorit; dhe poshtë (dislike) për të kundërtën. Sepse të jetuarit brenda hapësirës së FB është tamam jetë në qui vive! Në epokën e mallit virtual, mes turmave me “friends” fallco e pa trup, sistemi kish arritur përsosmërinë e fëlliqësisë: i kishte bërë fantazmat jo më të frikshme. Ku dëshirat silleshin rrotull të mirave e serviseve të nevojshme, por për qenie “inutile”. Veçanërisht kur imazhet në këtë rrjet vihen në lëvizje, që në rang teknik donte të thoshte: hapje e TV në FB. Në këtë “animacion” fillon dhe rrëfimi ynë.

Sepse na ishte njëherë – se pastaj u përsërit disa herë – një shpatull. Dhe nuk ishte shpatull thjesht, por pjesë, ingranazh i një Interviste. Dhe vetë intervista ishte Kryeministër. Ky i fundit ishte pastaj një bust i plotë, ku natyrisht përfshihet dhe shpatulla. Por nuk ishte shpatulla e fillimit të këtij rrëfimi. Intervista nuk ishte një herë, sepse ajo ishte gjithë kohën.

Koha mbushet me objekte, ose nga objektet. Një nga to ishte vetë shpatulla që na ishte njëherë, si u tha në fillim. Paçka se nuk dukej. Ndërsa shpatulla e të intervistuarit nuk ishte më objekt. Por i përkiste tashmë hapësirës. Dhe brenda kësaj hapësire na u fut një herë, më vonë, dhe kocka e shpatullës. Sërish ajo robtohej nga koha e intervistës. Që vijonte pa fund. Aq sa nuk kishte më kohë tamam. Prandaj askush s’e vinte re kalimin e kohës. Kryeministri vazhdonte të ishte vijimësisht Intervistë në mungesë të kalimit të kohës.

Por brenda kësaj kohe na ishte njëherë dhe një gushë. Ajo gushë ishte në vijim të shpatullës. Një klavikulë dukej bartte grykën: nga shpatulla e fillimit në zonën e gabzherrit. Dhe i gjithë ky “udhëtim” kryhej brenda kohës së Intervistës. Por ndërsa intervista vijonte si përjetësisht, pra e pakohë, udhëtimi më sipër dukej rrinte fort nën peshën e kohës, si thonë shpesh analistët.

Pikërisht brenda kësaj kohe të rëndë na ishte njëherë një Mjekër. Ajo ngrihej përmbi grykën, futej në hapësirën e intervistës. Të intervistës që ishte njëherë e mirë.

Por kjo vijueshmëri e skajshme mund të bëhet e padurueshme. Atëherë, për të dhënë iluzionin e kohës, na ishte njëherë një Gojë. Dhe ajo ishte mbi mjekër, që vetë kishte qenë njëherë e një kohë, ashtu si dhe shpatulla, që na ishte njëherë qysh në fillim. Dhe kjo gojë mbahej në kohën e intervistës. Në këtë mënyrë ajo figuronte më pas në hapësirën e intervistës.

Si qielli vetë, intervista nuk përbënte imazh në vetvete. Prandaj goja më sipër jepte ca doza të imazhit; e spërkaste me imazh, si rasti unik, ku vreshtari spërkat hardhinë me gurkali për ta mbrojtur nga vrugu.

Fjalët vërtet i merr era vërtet, si thuhej shpesh. Veçse në këtë mënyrë prodhohet kuptimi, i cili vetë është veç folje dhe erë. Por sot, në fillim ishte imazhi, dhe pastaj vetë verbi “scroll”. Sepse era tashmë ishte mbledhur e futur në gisht; dhe ndërsa shenjat dixhitale imitojnë sot erën e verbit të dikurshëm, lënë dhe gjurma biometrike mbi imazh, ndërkohë që imazhi në ekran natyrisht që nuk është bio.

Kësisoj goja fliste sa për t’i shtuar jetën intervistës. Ndryshe intervista konsiderohej e padukshme. Dhe për ta bërë ende të më të dukshme – sa për të mos u dukur si vampir intervista – na ishte njëherë brenda saj një Hundë. Por nuk ishte e vetme, as dhe në fillim. Ndodhej në të njëjtin plan me shpatullën, me klavikulën-urë, me grykën-intervistë, dhe me gojën-erë. Të themi se këto bashkë ishin fragment harte nga harta e një vendi. Por në vend të vendit ishte natyrisht intervista. Vetë intervista natyrisht nuk ishte vend në vetvete. Por ishte doemos qëllim në vetvete. Dhe dihet se për këtë duhet justifikuar mjeti. E mjeti më i mirë për këtë ishte syri, por pasi ka avancuar qëllimi.

Kësisoj na ishte njëherë një Sy. Si të gjitha ato që kishin qenë njëherë diku brenda pafundësisë së intervistës. Dihet se syri kushtëzohet në ato që sheh nga çka thuhet në kohën e intervistës. Nuk është çudi pra, që syri ishte përmbi gojën.

Nëse nuk përmendëm më parë se na ishte njëherë një hundë para syrit, nuk është dhe aq rastësi. Sepse bota e intervistës po aq bazohej në kumtin e Heraklitit: të botës që ka përbërje zjarri, ku zjarri është element bazë. Herakliti mund të jetë kësisoj pronari autentik i Zjarr TV. Por duke qenë se zjarri djeg gjithçka, kështu u dogj dhe hamendja e mësipërme. Ndërsa syri vetë nuk punon me hamendje. Këtë e vërteton dhe fakti se si na ishte njëherë një Ballë.

Balli ngrihej përmbi syrin, për të dhënë idenë e një ballkoni. Nisur nga kjo, intervista e kryeministrit ishte një “panorma” . Kësisoj ballin e kishin marrë dikur si fasadë të mendimit, pikërisht ngase hapur lart, ballkon përmbi syrin. Njëlloj si një akademi kinemaje e vendosur ballë për ballë malit në periferi, i cili nga kamera ngjan diç me kacekun e erërave të Eolit te Odiseu.

Dihet se syri nuk jeton në kohë; porse garanton ekzistencën e hapësirës së intervistimit. Pikërisht saje tij – syrit – intervista duket sikur ecën pa na vjedhur kohë. Iluzion ky. Ngase kohën e vjedhin fjalët. E për ta fshehur disi këtë vjedhje, na ishte njëherë një Vesh.

Ishte vesh, por brenda hapësirës së intervistës, natyrisht. Të gjitha më sipër shfaqeshin ngadalë, gradualisht, gjatë kohës së pafund të intervistës. Kohës me të cilën skalitej si në bronz busti i të intervistuarit. E brenda asaj kohe, shfaqja dhe dalja e sa më sipër ishte e zorshme. Çdo lindje ishte fort lindje e vështirë në epokën e imazhit publik. Dhe çdo foshnjë në bark uronte të ishte shtatanik. E lindja e fragmenteve më sipër ishte gjë e dhunshme. Pikërisht sepse koha e intervistës ishte tashmë pafundësi. Kur vetë intervista ishte krejtësisht hapësira. Dhe dihet mirë se sa e vështirë është jetesa ekskluzive në hapësirë. Sidomos kur çdo njeri përdoret thjesht si objekt për të krijuar këtë kohë-pafundësi për një intervistë të shtrirë në infinit.

Dhe në këtë pikë ia merrte intervista – e po aq kryeministri – qiellit. Sepse ky i fundit “është me Lukrecin” , si thuhej asokohe me gjuhën e politikës vulgare. E se bazohej te elementi ajër.  Veçse qielli ishte tashmë diçka që i përkiste së kaluarës. Me retë dhe me shiun nuk ngjizej dot imazhi i intervistës. Demode janë gjërat e tij.

Dhe si kundërshtim i kësaj, na ishte njëherë, më në fund, një Gazetar. Dikur në kohën e intervistës, ky ishte futur me shumë epsh, ishte shfaqur më në fund i plotë: shpatull e klavikulë e grykë e gojë e hundë e ballë e sy. Kishte pësuar fshikullime e poshtërime për një kohë të gjatë – sepse seancë sado-mazokiste është Intervista. E me mundim, pas epshit të fillimit, fytyra e tij ishte bërë e plotë, porse natyrisht brenda kornizës së intervistës. Dhe çdo fytyrë si ajo, në rrugëtim nga epshi te mundimi e pastaj te konfigurimi (Udha nga WilleVorstellung, thoshte duke çjerrë fytyrën e vet Schopenhaueri), kjo fytyrë është një botë e përtejme.

Kjo shpjegonte dhe arsyen pse gazetari epsharak në fjalë rrinte tashmë ulur mbi një kolltuk prej lotësh. Në kolltuk të ndërtuar tërësisht me lotët që pat derdhur ai gjatë fshikullimit, dhunimit, bindjes dhe mundimit. Duke i shtuar dhe lotët e haresë në fund të triumfit. Deri në çastin kur u konfigurua si fytyrë. Ku iu lejua ta fuste surratin më në fund në tablonë e Intervistës.

Dhe me epshin e ri: për t’i zvarritur e munduar të tjerët më pas, pretendentët; për t’i trandur ata në kohën e dhunshme të Intervistës pa fund, kolltuku e lëshoi gradualisht ujin e lotëve. Dhe kripa e tyre kristalizohej përditë, duke i siguruar kolltukut gjendjen e ngurtë.

Natyrisht ndonjë kristal kripe depërton dhe sot e kësaj dite, hera herës, në mollaqet e tij. Dhe mund të përfytyrojmë lehtë si lëviz e kruhet. Por mesa duket, kjo është një lëvizje-marifet. Sa për të ricikluar iluzionin se Intervista është e padukshme, e hapur për të gjithë, dhe nga të gjitha anët, pra diçka që bie gjithsesi në sy.

Sikundër i bie ish-gazetarit menjëherë në sy dhe epshi flakadan i kandidatëve të mëpasshëm në tokat e Intervistës. “Dhe gruaja e Lotit nuk ua vuri veshin engjëjve që e porositën të mos e kthente kokën drejt tokave të përzhitura të Sodomës; dhe kështu u shndërrua në statujë kripe”! Dhe në Biblën e Karrierës, të kthesh kokën me dhembshuri nga kandidatët pasardhës, nga ata që vuajnë si dikur ti, kushton shtrenjtë.

Tregojnë se kripa ishte dikur mall shumë i rrallë. Dhe ushtarëve, në vend të rrogës, iu jepnin një dozë kripë. Për këtë arsye Franca, bija e preferuar e kishës, e quan ende sot rrogën “salaire”.

Me rrogën e paktë prej mësuesi fshati malësie, Migjeni nuk arriti të detektonte sytë edhe më jeshilë, prej rosaku, të urisë … për imazh publik. Që rritet brenda një stomaku të veçantë; brenda një barku që do epokën e vetë për t’u formuar. E për ekzistencën e tij duhet të kujtohesh jo vetëm kur ai stomak të dhemb. Ndryshe ti përfundon në Ftyrë të zbehtë, (mëse-të-zbehtë, do thoshte André Maurois) çka nuk e bën dot të shikueshme ftyrën në FB.

Atëherë, sajë kësaj urie vigane për epokën pa heronj ku jetojmë, pretendenti i radhës para Intervistës polli një Dëshirë. E dihet se që kur pjell të thahet zorra. E një cisternë iu rrit atij në trup. Me pjellën e vet përkrah, ai endej nëpër një plazh me guralecë, si pula në kërkim të zhureve për të tretur grurin në bark. E mblidhte ai ujin e paktë, sa pak ujë mund të bartin guralecët në breg. Këtë rezervë të cisternës e transportonte në veten e tij, në të vetmin ishull real që mundësonte FB. Dhe kripën nuk e hante dot në gjellë (pa u futur ende në Intervistë, domethënë); por e dallonte kur lypte më kot në plazh një gur totalisht të zi, sapo dallga zbythej e kthehej mbrapsht në thellësi.

(c) 2020, Idlir Azizaj. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa lejen eksplicite të autorit.

3 Komente

  1. Uauu! ishte raki shqeto, apo e perzier me uiski sepse nuk mjaftonte1? Megjithate, e cova deri ne fund me kenaqsi!

    1. Eshte shkruar per ata qe pijne raki kur shohin intervistat e Rames, pa e perplasur goten ne televizor. Ti vazhdo pi.

  2. Nuk e di pse gjithmone njerezit kur vjen puna tek arti apo letersia e shikojne ate si derivat te realitetit. Grotesku shqiptar i pa fund eshte me te vertet nje ushqim i mire, dhe lum ai qe ka aftesine per ta shfrytezuar, por arti si art abitohet ne nje tjeter realitet, duke u eksperiencuar ndryshe nga life-world. Por kur arti apo letersia kap ate momentin magjik qualitativ, “realiteti” humbet, apo “transhendohet”, dhe mbetet vetem art, kete gje mendoj se ka arritur ky shkrim brilant i I.Azizajt.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin