Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Shkencë / Sociologji

VIRUSE NË PËRHAPJE

Veç Kinës, Koreja e Jugut është vendi me më shumë banorë të prekur nga Covid-19 (gati 1000, tani që po shkruaj). Gjysma në mos më shumë e të sëmurëve i përkasin një sekti fetar, kishës Shincheonji, ndjekësit e të cilit praktikojnë rite të tilla që i vënë në kontakt të afërt mes tyre, duke u kërkuar të rrinë së bashku në hapësira të mbyllura dhe të kalojnë një kohë të gjatë duke u lutur, në gjunjë; çfarë edhe besohet të ketë ndihmuar në përhapjen e shpejtë të infeksionit. Edhe një vatër tjetër të virusit, në Qom të Iranit, e kanë lidhur me praktikat fetare të besimtarëve shiitë që shkojnë atje në pelegrinazh. Në fakt, është në natyrën intime të këtyre feve që ta mirëmbajnë dhe ta riprodhojnë besimtarinë nëpërmjet riteve dhe manifestimeve të tjera kolektive, të cilat shoqërohen me grumbullime të mëdha njerëzish shpesh në vende ku nuk qarkullon ajri dhe/ose në kontakt të ngushtë fizik me njëri-tjetrin. Shpresa dhe motivimi, në këtë rast, është se përkatësia e perceptuar, në një grup të madh njerëzish të bashkuar nga i njëjti pasion fetar, do të amplifikojë besimin individual; dhe historia ka treguar se kjo funksionon dhe thjesht si psikoterapi – shumë njerëz kanë nevojë për ritualet kolektive, që të ndihen më pranë Zotit, sikurse të identifikohen në komunitet. Çfarë ka treguar tjetër historia, megjithatë, është edhe se grumbullimet e mëdha të njerëzve në vende të mbyllura dhe kontaktet fizike mes tyre i shërbejnë edhe përhapjes së agjentëve infektivë – mikrobeve ose viruseve, siç edhe ndodhi me koreanët dhe ndoshta edhe me pelegrinët në Qom. Prej kohësh përhapjen e ideve, përfshi këtu edhe fenë, e kanë shpjeguar me rrugë epidemiologjike, duke e krahasuar me përhapjen e sëmundjeve ngjitëse: nëpërmjet kontaktit (memetika). Misionari i (Dëshmitarët e Jehovait që të trokasin në derë, për të të bindur që t’i bashkohesh atij sekti, mund edhe të të ngjitin, pa dashur, gripin, sa kohë që të folurit e tyre shoqërohet me nxjerrje të frymës dhe, për rrjedhojë, edhe emetim të miliona viruseve në ajër: bashkë me frymën e shenjtë, të hyn në mushkëri edhe fryma e Tjetrit me pasojat përkatëse). Mekanizmi këtu ka të bëjë me kontaktin e afërt fizik; jo me fenë si të tillë. Njëlloj sikurse turma kompaktësohet dhe vepron e bashkërenduar falë një qëllimi të caktuar që i vë vetes, ashtu edhe trupat fizikë të individëve të mbledhur bashkë shkëmbejnë mes tyre baktere, viruse dhe materiale të tjera biologjike (deri edhe gjene). Ndonjëherë kështu mund të shpjegohet edhe pse shprehja “janë të sëmurë” për grupe njerëzish që sillen në mënyrë të çuditshme vlen edhe në kuptimin e vet të drejtpërdrejtë. Për këtë arsye, autoritetet tani përpiqen të vënë epidemitë në kontroll duke shkurajuar ose edhe ndaluar tubimet publike dhe mbyllur stadiumet, kinematë, teatrot, festat e komunitetit e kështu me radhë; çfarë nga ana e vet ka impaktin e vet në përhapjen e ideve dhe, në përgjithësi, të memeve. Nga ana tjetër, tubimet virtuale, ose online, nuk preken nga masa të këtilla; meqë deri më sot viruset në kompjuter dhe viruset biologjike ngjajnë mes tyre vetëm për nga dinamika e riprodhimit dhe e përhapjes; çfarë nuk e përjashton që, qarqe të caktuara, të shfrytëzojnë interesin masiv të popullatës për t’u informuar rreth epidemisë së Covid-19, për t’i infektuar kompjuterët përkatës me viruse ose maluer tjetër ose edhe thjesht për të studiuar viralitetin e përhapjes së informacionit në rrjetet (dhe virulencën). Logjikisht, mekanizmat e kontrollit të një infeksioni masiv – të tilla si shkurajimi ose ndalimi i tubimeve masive; ose kufizimi i lëvizjes së lirë të njerëzve – duhet të ndikojnë edhe në “demokracinë e rrugës”, duke ua hequr qytetarëve mundësinë që të krijojnë turma dhe t’i artikulojnë dëshirat e tyre në mënyrë kolektive: politika në kohën e kolerës detyrohet të ndjekë rrugë të tjera, më të tërthorta, për t’i vënë njerëzit në veprim. Tek e fundit, kur popullsia sëmuret, vendet më të mira (në mos të preferuara) për grumbullime të mëdha njerëzish janë spitalet infektive dhe kampet e karantinës së detyruar.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

1 Koment

  1. Ca shkruajnë për 60%, të tjerë për 80% të gjindjes që do të infektohet në një të ardhme të afërt, ndërkohë që derimë tani dhe këtu ku gjendem “të infektuarit” janë në pakicë, krahasuar me pjesën që mbetet të popullatës.

    Janë akoma në minoritet dhe gjithsekush ngutet të gjejë “arsyet” pse u ka ndodhur kështu, që qenkan infektuar pra; të gjejë – ndonëse ky mëtim nuk shprehet hapur – të gjejë fajtorët, të cilët tek e fundit i bie të jenë vetë personat “e infektuar” pak a shumë, që për dreq nuk venë menjëherë te organet përkatëse, por në meshë, bie fjala, apo në një tubim karnevali e kësisoj marrin edhe të tjerë në qafë, edhe literalisht.

    Mirëpo, kur numri i “të sëmurëve”, siç pritet të shkruhet shumë shpejt në vend të përcaktimit “të infektuarve”, të kalojë gjysmën e këta të jenë shumica, ka shumë të ngjarë që të qenit ende i paprekur të ngjallë të njëjtat ndjesi – tanimë në kah të kundërt – e të të trokasin në derë ndonjë ditë ndoca nëpunës me maska e të të shtrojnë pyetje që nuk kanë të bëjnë me sëmundjen tënde të paqenë në këtë rast, por me faktin që vetëm ti paskëshe mbetur pa u “prekur”, për ushqimet e jetën që ke bërë e ndoshta pastaj të urdhërojnë të shkosh me ta kushedi se ku, gjëkund ku mbahesh në shqyrtim për antitrupat që mund të kesh, për gjenet e çuditshme, për palcën e kurrizit, grupin e gjakut, etj., etj.

    Gjëkund ku të marrin gjak tri herë në ditë, ku nuk të lejojnë të takohesh me kënd, ku i duhesh mjekësisë dhe njerëzimit, ku të marrin kampionë nervash dhe palce, ku të fusin përditë në gypa e të hedhin pika në sy për të matur pupilën, për të të shitur pastaj te ndonjë superfuqi tjetër, pasi kanë mbaruar punë vetë, ndërkohë që koha shkon e vitet kalojnë dhe nëse tani je te të pesëdhjetat, atëherë do të bëhesh shtatë- e tetëdhjetë dhe kur të japësh dikur shpirtin nuk do merret vesh në ke qenë a jo “i prekur”, apo koha ka bërë të sajën, gjë që e bën e do ta bëjë sidoqoftë edhe kështu, vetiu.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin