STRUMBULLARI I NJË QYTETI

Intervistoi Arta MARKU

Me Ardian Vehbiun, për librin “KULLA E SAHATIT”

“Kjo emblemë e varur pezull në kohë, e paasimilueshme në paradigmë, strumbullar dhe pasqyrë e vetëdijes qytetëse, heroikisht i bëri ballë çdo adoptimi të dhunshëm nga ana e shtetit. Monument i askujt, i ndërtuar nga askush, i papërvetësueshëm. Mbijetoi si kumt për syrin, fjalë e braktisur në rrymë të kohës, jetime, e rritur me pekulet e shikimeve në atë teatër permanent që ishte qendra e Tiranës. Në të vërtetë më të shumtët prej nesh, as nuk e dinim se kush e kishte ngritur dhe pse. Në përlavdim apo kujtim të kujt, ndoshta pse prania e saj ishte shndërruar në kusht elementar për perceptimin e qytetit.”

Kjo është Kulla e Sahatit, sipas Ardian Vehbiut… dhe me të drejtë. 

Do të flasim për detajet e librit tuaj, për këndvështrimin tuaj, për mënyrën se si e keni parë dhe se si e keni interpretuar Kullën, por do ta fillojmë së jashtmi, nga kopertina. Libri i parë, sepse në dorë kemi një ribotim, i takon vitit 2003, 15 vjet të shkuara. Kishte në atë kohë në kopertinë një fotografi të vjetër të Kullës së Sahatit, kur Kulla ishte mbizotëruese, mbi pullazet. Është shumë më lart mbi pullazet e çative, ora është me numra romakë… Fotografia flet në mënyrë të drejtpërdrejtë, pra është shpjegim i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë i titullit. Kësaj radhe, në këtë ribotim, më duket sikur është prirja që nëpërmjet kopertinës të flitet simbolikisht për brendinë e librit. Pra, kemi Kullën të shndërruar në një laps, që vizaton objektet e tjera rreth e rrotull…

Librin e pata botuar në krye me K&B, një shtëpi botuese që drejtonte Ardian Klosi dhe Juta Bezenberg. Kam përshtypjen se kopertinën e ka bërë Juta, që është fotografe dhe ka futur dhe disa fotografi të tjera në atë libër, në versionin e parë. Ajo e ka kuruar anën grafike të librit dhe mua më pëlqen kopertina e librit të parë. Për botimin e dytë diskutuam pak edhe me Brikena Çabejn (botuesen) edhe me Annën, që është administratore e shtëpisë botuese, për t’i dhënë diçka tjetër kopertinës. Më pëlqente ideja e Kullës si laps, sepse ka një ngjashmëri vizuale. Por edhe mund të shihet si laps që vizaton objektet e tjera të qendrës, sepse është një ide që ndeshet edhe në libër. Kulla duke qenë permanente i jep qenie dhe pamje të gjitha objekteve të tjera të qendrës.

 -Është strumbullari.

Ne e shikojmë Kullën, por dhe Kulla na shikon duke qenë atje. Dhe na shikon jo vetëm ne, por shikon edhe objektet e tjera që ka përreth. Ky ishte koncepti im që në krye dhe mendova se ndoshta një piktor, një artist, mund ta realizonte në kopertinë. Dhe, kështu lindi ideja e Kullës që vizaton.

-Pra, është një mënyrë tjetër, është një mënyrë vizuale e asaj që brenda librit thuhet me fjalë. Kur ju e keni shkruar këtë libër, në 2003, nuk ka ekzistuar as Hotel Plaza, nuk ka ekzistuar as Torre Drini, të cilat në fakt e kanë dëmtuar, e kanë shkatërruar siluetën e Kullës që ishte përcaktuese për Tiranën. Tashmë ato janë mbi të, të dyja. Mbi të gjitha është Plaza, në vetvete një objekt interesant, por Kullës i bën dëm. Çfarë i kanë sjellë librit ndryshimet marramendëse të ndodhura gjatë hapësirës kohore mes botimit dhe ribotimit? Libri në këtë ribotim i merr në konsideratë edhe këto objekte të reja? Pra, a ka kapituj të shtuar apo është i njëjti libër si herën e parë?

Librit i kam shtuar pjesë. Është rreth 20 për qind i ri, por gjithmonë i referohet periudhës së para ’90. Nuk ka shumë ekskursione në të tashmen, por kjo përmendet ndonjëherë tek-tuk thjesht për një konsideratë timen, pa marrë në analizë çfarë i ka ndodhur Kullës në kontekst. Sepse, besoj e tashmja meriton një ese më vete, përndryshe uniteti tematik i esesë do të thyhej.

-E meriton një ese më vete. Mendoni që ta shkruani? Do ta shikoni tashmë ndryshe Kullën në hapësirën kohore të pas ’90?

Kisha materiale për kullat që po ngrihen në Tiranë dhe për ndryshimet që sjellin në kontekstin urban, sidomos në qendër. Thashë t’i shtoja si apendiks te ky botim, por pastaj m’u duk sikur do ta lodhja lexuesin kot. Ashtu do të hapja një tematikë krejt tjetër, të lidhur me ndryshimet e pas ’90, të cilat nuk kanë të njëjtën natyrë me ato të para ’90. E kam nisur ta shkruaj librin besoj në ’99 dhe në fillim nuk e dija se ç’do të bëja me të. Thjesht më vinte për ta shkruar si ese. Madje, mbase nxitja për ta shkruar besoj më ka ardhur – atë kohë jetoja në New York dhe punoja në Manhattan – nga ballafaqimi me arkitekturën e Manhattan-it. Përvoja ishte shokuese, por njëkohësisht dhe shumë stimuluese nga ana intelektuale, se përpiqesha të kuptoja se ç’është ky qytet. Ka një pasazh në një libër të Céline, që tregon se si i afrohet personazhi kryesor New York-ut nga deti për herë të parë, befas i del New York-u përpara dhe thotë: Ah, është i pari qytet që shoh, që rri në këmbë. Më ka mbetur në mendje kjo.

-E bukur. Sepse qytetet shtrihen zakonisht.

Po, New York-u rri në këmbë, sidomos Manhattan-i. Thashë, për mua ishte një shok i madh. Gjithmonë kam pasur interes për qytetet dhe kam jetuar në disa qytete të rëndësishme, si në Romë dhe në Napoli, por Manhattan-i ishte diçka krejt e re dhe më nxiti të mendoj për arkitekturën, jo dhe aq në vetvete se sa në raport me njeriun. D.m.th.., si e modifikon ajo jetën e qytetarit. Dhe, duke menduar për Manhattan-in në fillim, gradualisht kalova mbrapa në kohë dhe fillova të mendoj për Kullën e Sahatit dhe jetën tonë në totalitarizëm.

-Po pse pikërisht Kullën dhe jo një objekt tjetër?

Është çështje personale. Unë gjithmonë e kam pasur Kullën në sy, meqenëse kaloja aq shpesh në qendër dhe…

-Keni kaluar kaq afër Kullës dhe keni parë edhe Xhaminë, minaren që është gjithashtu elegante, vertikale. Megjithatë, Kulla është ajo që meriton të identifikojë Tiranën?

Kullën unë e kam parë si student. Gjithmonë duke shkuar në universitet… jam vonë, jam herët. Në një farë mënyre lidhet me përditshmërinë time. D.m.th., Kulla ishte atje që më maste, unë sikur të isha akrepi që i vija rrotull. Edhe kur dilja në darkë e njëjta gjë, shihja sa është ora. Në njëfarë mënyre ishte qendra e jetës time si qytetar i Tiranës. Xhamia nga ana tjetër ishte dhe nuk ishte. Në kuptimin që, ishte objekt i bukur në vetvete, por që ishte e privuar nga funksioni. Nuk funksiononte. Ishte thjesht një ornament në qendër.

-Edhe po të ishte në funksion, kam përshtypjen se nuk do të ishit kaq i interesuar ta lidhnit me elementin fetar identitetin e Tiranës. Apo gaboj?

Për mua, që jam rritur në një atmosferë krejt të laicizuar, [xhamia] është shenjë e Tiranës së vjetër më shumë se sa shenjë e fesë islame, sepse ka qenë atje edhe kur feja nuk praktikohej. Ne i kalonim pranë, uleshim te shkallët ndonjëherë, i shikonim afresket. Ishte një objekt shumë familjar. Por, nga ana tjetër kur flas për funksionalitet të Xhamisë, kam parasysh edhe atë funksion që është i ngjashëm me atë të Kullës. Sepse, edhe minarja shërben njëfarësoj për të fiksuar jetën e përditshme nëpërmjet këngës së myezinit.

-Nëpërmjet faljes… Na tregon orën, kohën edhe ajo.

Po. Tregon orën. D.m.th.. janë dy mënyra të ndryshme për të treguar orën dhe për të organizuar jetën e qytetit. Njëra fetare, tjetra laike. Dhe në fakt, ata që janë marrë me historinë e sahateve të qyteteve dhe kullave të sahateve, në përgjithësi e kanë vënë re që këto kanë lindur të bazuara mbi rregullimin e orareve në manastire, nëpërmjet lutjeve. Gjithmonë ka qenë një bazë e ritit fetar për organizimin e ditës nga njerëz që i përkushtohen Zotit dhe pastaj ka kaluar në laicitet ose në realizimin e jetës së qytetit, i cili nuk i kushtohet më Zotit, por qytetarit, si të thuash.

-Le të flasim pak, po e quaj, një lloj historiku të Kullës së Sahatit duke e parë vizualisht. Përpara se ajo të kishte një orë, me sa dukej, koha matej ndryshe atëherë nëpërmjet kambanës, çfarë mund të themi për Kullën dhe për ndryshimin e formës së saj, të fytyrës së saj?

Në fakt, kur e sheh e kupton sa e rëndësishme është pjesa e sipërme e Kullës. Duket sikur gjithë Kulla ekziston si strukturë për të treguar atë gjënë sipër. Ajo është vendi ku të shkon syri, sepse kur e shikon në një formë tjetër, gati-gati nuk e njeh. E vjetra është tjetër lloj kulle dhe po ta shikosh dhe ndryshimi që i është bërë në raport me sot, sikur është oksidentalizuar pak. Ndoshta vetëm sa është laicizuar. E vjetra është kullë tipike e një qyteti oriental. Ngjan me atë të Elbasanit, ndoshta dhe me atë të Shkodrës.

 

-Të gjitha këto kulla, kam përshtypjen, se duhet të kenë qenë dikur me kambanë. Lajmëronin kohën çdo orë duke i rënë kambanës.

Kemi të bëjmë me njëfarë zhvillimi teknologjik, të një qyteti osman si të thuash. Ndoshta dhe në imitim të çfarë ndodhte në Perëndim, u pa, edhe në perandorinë osmane, nevoja për të pasur një formë laike, jo fetare të organizimit të ditës nëpërmjet kambanave për të lajmëruar orët. Por arkitektura, siç e shohim, është ndryshe. Natyrisht unë nuk jam ekspert as i historisë së arkitekturës, as i arkitekturës vetë.

-Imazhet flasin vetë.

Po. Imazhi pikërisht këtë më thotë: kësaj Kulle, që duket tani kaq e ndryshme, në fakt i ka ndryshuar vetëm pjesa e sipërme. Dhe kjo ka rëndësi, sepse tek e fundit qytetarët atë shikojnë, majën e bukur. Ndryshe nga kullat për të cilat flasim sot, të cilat kanë funksionalitet gjatë gjithë gjatësisë së trupit, p.sh., për të shërbyer si zyra ose si apartamente banimi etj.

-Për të shfrytëzuar hapësirën tek e fundit.

Ndërsa te Kulla e Sahatit, jo. Kjo është thjesht një makinë, si të thuash, për të arritur lartësinë.

-Edhe një detaj tjetër në aspektin e jashtëm të Kullës. Ora që kemi sot ka numra arabë. Në fillimet e saj, kur për herë të parë është vendosur  një orë, ajo ka qenë me numra romakë dhe deri vonë ka qenë me numra romakë. Kam përshtypjen që kësaj arkitekture numrat romakë  i shkojnë më shumë. Është ajo që shihet te kopertina e librit tuaj të parë…

Në fakt kanë një lloj vjetërsimi numrat romakë, që mund të jetë dhe i shtuar, mund të jetë artificial. Ndonjëherë e sheh sot në orën e dorës, disa kanë numra romakë sepse duket sikur është një vjetërsi stilistike, për një shkelje syri, sepse askush nuk kërkon të falsifikojë dhe ta tregojë si të vjetër.

-…ama edhe kullat e sahatit që kam parë në qytete të ndryshme evropiane, kryesisht në Itali, i shoh me numra romakë…

Sepse ashtu kanë qenë.

-Sepse kanë ruajtur frymën e kohës.

Sepse numrat romakë përdoreshin për orët. Edhe tradita e tillë ka qenë, por kam përshtypjen që numrat romakë njëfarësoj i shkonin dhe arkitekturës që ndërtuan italianët rreth e rrotull, në qendër, deri lart te universiteti. Sepse, dhe ajo kishte referenca të forta ndaj arkitekturës së Romës imperiale.

-Shkruani: “Kulla është e vetmja siguri pas së cilës mund të kapem, pas së cilës mund të mbahem për të qëndruar në këmbë jo vetëm si mysafir, por dhe si i kthyer”. Dhe, pastaj flisni për një lidhje sentimentale me Kullën. Çfarë do të thotë lidhje sentimentale e një individi me një objekt, që është objekt publik? Me një objekt që është i të gjithëve dhe i askujt? Si kryqëzohet lidhja, historia juaj vetjake me historinë kolektive pikërisht te Kulla e Sahatit?

Janë disa pika të qiellit të Tiranës, skyline siç i thonë anglisht, që për mua kanë pasur shumë rëndësi gjithmonë. P.sh. mali i Dajtit ka qenë gati si një perëndi që më përshëndeste çdo mëngjes. Kjo është gjë e veçantë për Tiranën. Kur jeton në një qytet tjetër që është i sheshtë, menjëherë të mungon mali. Do që ta shikosh dhe nuk e gjen dot. Tjetër referencë, sërish e lartësisë, është Kulla. Ka qenë për mua, sepse e kam konsideruar si timen në kuptimin që jam identifikuar lehtësisht me të, gjë që nuk e bëja dot me objektet e tjera në qendër sepse kanë qenë gjithmonë të konotuara ose politikisht ose historikisht, në një mënyrë që unë nuk e gjeja timen. Ndërsa te Kulla e kam gjetur veten, sepse është një monument edhe teknologjik edhe laik edhe i bukur, se edhe kjo ka rëndësi. Është edhe eleganca edhe misteri gjithashtu. E kam përmendur pak edhe në libër, madje që fëmijë e mbaj mend, kur kaloja aty më bënte gjithmonë përshtypje që dera kishte një dryn. Dryni gjithmonë më bënte që të mendoja.

-Në përfytyrimin tim, dryni asaj dere ishte shumë i madh për derën dhe dera ishte shumë e vogël për Kullën.

Edhe mua ashtu më duket. Tani nuk e di sa i përgjigjet realitetit kjo, sepse njeriu i rregullon vetë kujtimet. Por, ai dryn gjithmonë më dukej i madh dhe i ndryshkur dhe misterioz. Çfarë është mbyllur, thosha në fillim, atje. Dhe më vonë bëja të njëjtën pyetje, por të kthyer përmbys, çfarë mbahet jashtë, çfarë nuk lihet që të hyjë.

-Nuk ka qenë e mundur më parë, para viteve ’90, që të hyje në Kullën e Sahatit? Ju kur keni hyrë për herë të parë?

Nuk kam hyrë asnjëherë…

-Duhet të jetë një ndjesi krejt e ndryshme duke e parë Kullën, një gjë të ngushtë dhe vetëm me shkallë. Duhet të jetë dhe mbytëse pak, duhet të jetë klaustrofobike. Duhet të jetë komplet tjetër nga ndjesia kur e sheh nga jashtë.

Është e gjitha shkallë. Madje ndonjëherë thonë për rrokaqiejt në New York, por edhe në qytete të tjera që, ka një limit për lartësinë, sepse nëse kalohet ky, atëherë kulla do të jetë vetëm ashensor.

-Shumë qytete i kanë tejkaluar këto limite me kohë. Çfarë i ka bërë njeriut kjo? Çfarë i bën njeriut tejkalimi i këtyre lartësive?

E shkëput nga dheu.

-Nuk e kam fjalën kur je brenda në kullë, por kur je jashtë. Ju përmendni në libër Aristotelin që thotë, qyteti duhet të jetë aq i madh sa zëri i tellallit të dëgjohet deri në skajet. Pra, përmasa njerëzore. Arkitektura greke e ka pasur tipike përmasën njerëzore. Romakja e tejkaloi. Dhe, sidomos në kohën tonë përmasa njerëzore nuk ekziston më. Qytetet nuk janë më të arritshme. Tirana nuk arrihet, të mos flasim pastaj për metropole të mëdha. Por, mbi të gjitha në lartësi. Kjo ndikon negativisht në psikikën tonë?

Ka mbetur ndjenja e komunitetit ndoshta në mëhalla të caktuara ose në lagje të caktuara… Unë mbaj mend se si ka qenë, madje dhe në vitet ’60 e kam një farë ideje se si ishte ky komunitet dhe nuk mund të krahasohet më. Tani, Tirana është e pakapshme nga njeriu, individi. Por ka një logjikë të vetën dhe ngaqë ne nuk e kapim dot, na kap ajo ne, pa e kuptuar.

-Është logjika e zhvillimit?

Është logjika e qytetit të madh që ka interesat e veta. Dhe si çdo teknologji, sepse në fund të fundit qyteti është një lloj teknologjie, kërkon të ruajë, të përjetësojë dhe të riprodhojë veten.

-Më parë, Tirana kishte siluetën e vet urbane që e identifikonte. Po t’i afroheshe qendrës nga rruga e Durrësit dalloje siluetën e pangatërrueshme me dy elemente vertikale, Kullën e Sahatit dhe xhaminë. Sot nuk përvijohen më në sfondin e qiellit. Dhe më shumë se sa Plaza që është larg, siluetën e dikurshme e ka prishur Torre Drini, kam përshtypjen.

I bën dëm sepse nuk ka ndonjë estetikë ajo ndërtesë për të qenë kaq në plan të parë. Përndryshe, tani e rrethuar me ndërtesa të larta, që me gjasë që do të shtohen, Kulla do të vijë duke u dukur si një zog në kafaz. Prapë do ta duam, por do të na vijë keq. Mua që tani më vjen pak keq, siç më vjen keq për rininë time, më vjen keq edhe për Kullën. Janë e njëjta gjë për mua. Ka një plan të përfytyrimit ku janë i njëjti objekt, si kujtimi im i materializuar në një ndërtesë, e cila sa vjen dhe ripërmasohet për shkak të kontekstit që ndryshon. Është dhe një nga temat e librit ky ndryshim i vazhdueshëm i kontekstit përreth Kullës, që bëhet edhe më i perceptueshëm, ngaqë Kulla vetë nuk ndryshon. Kjo gjë sjell ndryshim edhe në psikologjinë e të gjithë atyre që te Kulla gjejnë veten, siç jam unë. Por, nuk besoj se jam vetëm unë. Ka dhe shumë banorë të tjerë të Tiranës që e përjetojnë këtë.

-Kulla nuk ndryshon dhe ky është fakt. Kulla është gjithmonë e njëjta. Edhe kur e lyejmë me të bardhë, ajo pak më vonë do të zverdhet gjithsesi. Por, ka një këndvështrim tjetër ku duhet të qëndrojmë. “E parë nga afër, – thoni për kullën, – është madhështore në raport me pamësin”. Pra, kur ti je përballë saj, ajo vërtet duket madhështore por jo në aspektin e përmasës. Madhështi, jo në kuptimin e madhësisë por të mrekullisë. “E parë nga larg është madhështore në krahasim me qytetin. Nuk zvogëlohet kurrë”, – thoni. Çfarë do të thotë ky këndvështrim, nuk zvogëlohet, kur ajo në fakt në momentin që ka Plazën afër, duket me të vërtetë e vogël.

Është e vërtetë. Por, këto unë i kam shkruar në kohën kur e përfytyroja Kullën siç ka qenë, pa Plazën. Por edhe tani, ajo për mua nuk zvogëlohet. Plazën unë e shoh më tepër si një kërcënim se sa si një mik, një bashkudhëtar të Kullës në qytet. Është një kërcënim, është një rrezik për ekzistencën e këtij objekti, gjithnjë në vështrimin e qytetarëve. Akoma nuk është në të njëjtin plan me Kullën nga pikëpamja e përjetimit të qytetit nga banorët. Është diçka tjetër, kështu që Kulla mbetet ajo që është, madhështore dhe monument edhe për nga forma duke ngjarë dhe me obeliskun e me të tjerat, edhe nga fakti që është e vogël, bazën e ka shumë të vogël. Ti mund të shkosh atje dhe të ngresh kokën e ta shohësh. Është një ndjesi e jashtme me atë që kemi përjetuar të gjithë kur kemi vajtur e parë rrokaqiejt në Perëndim. Ka një vështirësi që përtej një lartësie të caktuar, ato duken të gjitha të larta njëlloj. Ne, ma merr mendja, psikologjikisht nuk jemi në gjendje ta kuptojmë diferencën përtej një lartësie të caktuar. Një ndërtesë që është 100 metra ne na duket e njëjtë me një tjetër 200. Në kuptimin, që kur sheh nga afër një ndërtesë 50 kate dhe pastaj një tjetër me 100 kate, të duket sikur nuk ka ndonjë diferencë shumë të madhe. Por, po të largohesh e kupton që nuk kanë të krahasuar.

-“Sahati, është atje, – shkruani, – në emër të organizimit të hapësirës së qytetit për ta vaksinuar këtë të fundit, kundër kaosit”. Pra, e diskutuam. Ka gjithmonë nevojë qyteti për një strumbullar rreth të cilit sillet. Si duhet të jetë ky objekt, që të jetë strumbullar i qytetit, çfarë karakteristikash duhet të ketë? Me çfarë modelesh mund të krahasohet Kulla jonë e sahatit?

Kulla e Sahatit është perfekte, për mendimin tim, në këtë rol.

-Pse pikërisht Kulla dhe jo një kambanare të themi?

Sepse sahatin e sheh, ndërsa kambanoren e dëgjon. Në kuptimin që, orën te Kulla ti mund ta shohësh në çdo moment sa është, ndërsa kambanoren duhet të presësh që të bjerë. Në një kuptim je në mëshirën e saj. Mund të bjerë për një sekondë, apo mund të bjerë pas një çerek ore. Ndërsa Kullën e sheh. Në këtë kuptim Kulla ka dy tipare që e bëjnë të përshtatshme si strumbullar. Është permanente në kuptimin që ka qenë aty dhe është dhe organizon qytetin rreth vetes, por sidomos për tiparin e dytë që është matja e kohës. Pavarësisht se ne sot e kemi orën me vete në telefona, në aksesorët e tjerë elektronikë, nuk është se kemi nevojë për ta parë atje përtej. Por, megjithatë syri shkon vetvetiu.

-Në fakt, atëherë kur na duhej për të matur kohën, nuk funksiononte si e tillë.

Në kohën kur filluan të mungonin dhe dritat në Tiranë, për një kohë të gjatë nuk punonte. Sepse me sa duket ngecte motori e besoj se do ta kenë fikur pastaj, sepse ishte e vështirë ta kalibroje.

-Asokohe të gjitha orët rreth e rrotull nuk përkonin me njëra – tjetrën. Në faqe të ndryshme të Kullës shihnim kohë të ndryshme.

Sepse iu prish ora dhe vetë Tiranës dhe Shqipërisë në atë kohë. U prish koordinimi i jetës sociale. Nuk ishte më vend normal Shqipëria. Ishte një vend që po priste katastrofën dhe segmente të caktuara, qoftë dhe brenda Tiranës, e jetonin kohën në orë të ndryshme. Disa si shumë të ngadalshme e disa si shumë të shpejtë. Ndoshta kjo meriton të studiohet më vete, përjetimi i ndryshëm i kohës në momente krizash nga segmente të caktuara të popullsisë: ata që humbin, ata që po bëhen gati të fitojnë… si rrjedh në mënyra të ndryshme koha. Por, në Tiranën e asaj kohe ndodhi edhe që ora vetë, ose sahati, mbeti. Kështu që, gjithsecili ishte i lirë ta kalibronte sipas dëshirës dhe interesit.

-Le të flasim pak dhe për modele të ngjashme, një krahasim me sahate të tjera në Lindje, por dhe në Perëndim. Apo është më tepër model perëndimor ky yni?

Nuk e di. Në Lindje nuk kam qenë përveçse në Stamboll. Stambolli është në kufi midis dy qytetërimeve, por kullat e sahatit në qytete të tjera, më tepër ngaqë kanë qenë për mua objekte të reja, i kam parë më tepër si kuriozitete dhe si gjëra të bukura. Nuk kam arritur dot ta përjetoj sahatin në një qytet tjetër, sikurse e përjetoj Kullën e Sahatit në Tiranë.

– Më duket se sahatet, në përgjithësi, nuk janë, ose rrallëherë janë, kulla në vetvete, të shkëputura. Janë kulla që duhet të jenë pjesë e një ndërtese të caktuar.

Sepse shumë qytete në Perëndim, besoj, e kanë kapërcyer fazën kur organizoheshin rreth një sahati. Ky është si model pak më mesjetar. Ose i kohës së Rilindjes evropiane. Më vonë kanë ndodhur gjëra të tjera në qytet. Edhe në Romë shikon orë, por jo kulla. Në Romë është dhe konfiguracioni i qytetit i tillë, që varet nga lagjja ku je se çfarë do të kesh si pikë reference. Në New York pastaj nuk ekziston asgjë e ngjashme.

-Në një moment ju thoni për Kullën e Sahatit: mori atributet e një blasfemie. Çfarë doni të thoni?

Blasfemi në raportin me ndryshimet që po shkruheshin në qendër. Sepse ajo nuk mori pjesë në to, përveçse si spektatore. Në një kohë kur gjithçka përreth modifikohej për të shprehur ideologjinë e kohës, Kulla vetë nuk ndryshonte. Ishte apolitike dhe duke qenë e tillë tregonte me gisht politizimin, natyrën thellësisht politike të asaj që po ndodhte në qendër. Ishte si një spektator ose si një pikë kontrasti, që ndihmonte. Nuk ishte e vetme, ndoshta dhe xhamia merrte pjesë aty. Por, ne xhaminë ishim mësuar ta filtronim. Nuk e shikonim praktikisht. Ishte si në një pikë të verbër (blind spot), sepse nuk ia gjenim dot një përdorim përtej ornamentit në qendër. Brezi im u rrit në këto kushte. Ndërsa, Kulla ishte atje, në një kohë kur rreth e përqark u prish Pazari i Vjetër, u ndërtua Pallati kulturës, u  prish Bashkia, u ribë sheshi disa herë. Gjithë këto gjëra kaq thelbësore, jo vetëm për qendrën, jo vetëm nga ana arkitektonike, por edhe për jetën e banorëve të Tiranës të cilët ishin mësuar ta përjetonin qendrën në një mënyrë të caktuar. Ka shumë rëndësi për identitetin e gjithsekujt, se si e jeton qytetin.

Për shembull, te Bashkia ka pasur lokale. Ishin Reklamat e Kinemasë [një varg tabelash ku afishoheshin posterët e filmave dhe oraret, për çdo kinema, A.V.]… një vend për të cilin thuhej: “te reklamat”. Ishte një pikë e nxehtë e qytetit, do të thoja edhe e dashur, megjithëse nuk kishte ndonjë gjë specifike aty. Mbaj mend vetëm gështenjat që binin nga lart. Ishte një pemë e madhe, gështenjë e egër, që e mbushte trotuarin poshtë me “frutat” e veta. Gjëra që në vetvete ndoshta nuk kanë ndonjë vlerë, por që ua jep qyteti vlerën duke i zgjedhur mes të tjerave. Dhe ajo ishte një pikë e nxehtë. Po ashtu Bashkia. Të gjitha këto gjëra të reja që ndodhnin rreth Kullës u ndryshuan, sipas një plani edhe arkitektonik natyrisht, por mua më intereson plani ideologjik. Për të shprehur një gjë të caktuar aty rreth e rrotull Kullës. Kulla vetë nuk mori pjesë në këto. I vetmi rol i saj ishte si dëshmitare.

-E megjithatë, mbeti mbizotëruese në aspektin e lartësisë. Ju thoni që: “Urbanistika e pasluftës në Shqipëri kishte një farë alergjie sado të ndrojtur ndaj kullave, teksa mbetej e dashuruar pas shtrirjes”. Pse e lexoni faktin që gjatë diktaturës Tirana nuk u rrit në lartësi, si një lloj alergjie ndaj lartësisë dhe jo si pamundësi financiare?

… Tregojnë një histori në librat e antropologjisë për një indian-amerikan, prijës, nga ata legjendarët, i cili, në pleqëri erdhi të vizitonte Chicago-n. Nuk kishte qenë ndonjëherë më parë. I treguan rrokaqiejt e Chicago-s. I thanë, çfarë mendon për këto? Ky i pa, por nuk është se shfaqi ndonjë habi shumë të madhe. I thanë, po nuk të duket çudi? Shiko se ç’bëhet këtu. Ne kemi kapur qiejt. Nuk e di, tha, nuk po më duket ndonjë gjë. Ne e kemi zakon që shtëpitë t’i ndërtojmë njëra përbri tjetrës, ndërsa ju i ndërtokeni njëra mbi tjetrën. Ai kështu, kaq thjesht e pa këtë gjë. Ndërsa tek ne, në vitet ’40, ’50, ’60 që ndoshta ishte periudha e ndërtimeve të mëdha, kishte vend. Nuk kishte mungesë vendi, që të shkoje në lartësi.

-Nga ana tjetër kjo ndikoi që asgjë të mos e rivalizonte Kullën derisa u ndërtua 15-katëshi.

Për mua ka qenë një moment pak patetik, përpjekja për ta ndërtuar 15-katëshin në atë kohë. E kam përmendur edhe në libër, ishte si një sprovë që edhe ne mund të bënim ndërtesa të larta edhe pse nuk ishte dhe aq ndërtesë e lartë…

-Parë nga këndvështrimi i sotëm nuk ishte dhe aq ndërtesë e lartë, në fakt ishte trefishi i ndërtesave të zakonshme. Ishte shumë e lartë.

Ne na dukej shumë e lartë. Unë kam qenë në gjimnaz atëherë, megjithëse ndërtimi mund të ketë vazhduar dhe më pas. Por, kur u ngrit ajo strukturë kishim dhe një farë krenarie që, ja, më në fund u bëmë edhe ne me një ndërtesë të tillë. Kam shtuar një episod në botimin e dytë: Në gjimnaz, me disa shokë të klasës, jemi ngjitur me këmbë deri në majë të godinës së pambaruar, nëpër ato shkallët prej betoni, ashtu siç ishin, pa parmak, avash-avash dolëm në tarracë dhe u habitëm me ç’na doli përpara. Na u duk sikur pamë një gjë që nuk duhej parë. Sikur bëmë një akt, një lloj mëkati, sepse pamë një Tiranë, atë mbrapa hotelit, që ishte si e prishur, si e keqe, si e shtrembër. Nuk e kishim parë ndonjëherë ashtu në atë mënyrë. Pa çka se ato rrugica ne të “Sami Frashërit” i kishim përshkuar me dhjetëra në mos qindra herë.

-Po, parë nga brenda është tjetër gjë.

Nga lart ishte e frikshme. Dhe ideja tjetër që, këta që do të vijnë në hotel çfarë do të shikojnë këtu! Pse kështu do të na e shikojnë Tiranën!

-Kaq e keqe ishte!? Pullaze të e kuqe dhe hurma. Me siguri kështu do të ketë qenë me çati të kuqe dhe me hurma.

Tani, unë i kujtoj me nostalgji ato, sepse më duket si një vlerë e qytetit të atëhershëm, por mendo që për mendjen e një adoleshenti që admiron teknikën, lartësinë, lustrën, teknologjinë, ajo ishte: obobo ç ‘paskemi në Tiranë! Në këtë kuptim e them.

-Meqë jemi te 15-katëshi. Ju nuk mund ta shikoni Kullën e Sahatit si një objekt të vetmuar. Sepse, asnjëherë një objekt arkitektonik nuk mund të shikohet vetëm pa u vënë në kontekst. Ai duhet parë në krahasim me fqinjët. Dhe ju e ballafaqoni Kullën e Sahatit si me xhaminë, si me 15-katëshin, Pallatin e Kulturës, me Bankën. Le të flasim pak duke filluar nga 15-katëshi, meqë jemi këtu, për ballafaqimin e Kullës me 15-katëshin dhe disa objekte të tjera të qendrës.

Gjithmonë nga perspektiva ime prej qytetari, sepse një specialist i shikon ndryshe këto gjëra.

Si qytetar, i shikoj si dikush që është rritur me Kullën; dhe pastaj shikon këto objekte që mbijnë rreth e rrotull Kullës disa dhe të larta si 15-katëshi, që e rrezikonin njëfarësoj dominimin e saj; i shikon, pra, si kërcënim ose si të padëshirueshme. Nga ana tjetër, sheshi midis tyre ka ardhur duke u zgjeruar, sepse më parë ishte Bashkia që i jepte një farë mbylljeje tjetër sheshit. E bënte më të vogël dhe më të ngrohtë.

-Gjithë Tirana ka qenë më e vogël dhe më e ngrohtë.

Edhe më mikpritëse për njeriun. Mirëpo erdhi duke u hapur e duke u hapur. Filloi të hapej si një nga ato plagët që nuk mbyllen dot më. Dhe kjo vazhdon edhe sot e kësaj dite. Qendra e Tiranës, për mua, është ose një plagë që nuk mbyllet dot, ose një lloj alopecie. Pra, një vend ku bien flokët dhe vazhdojnë të bien rreth e rrotull dhe hapet e hapet dhe nuk arrin dot ta kontrollosh më.

-Le ta pranojmë më mirë të hapur, sepse mund të kujtojnë njerëzit se po hedhim idenë ta mbyllim dhe ta ndërtojmë. Jo, më mirë e hapur.

Jo, për të ndërtuar jo… Megjithatë, mua më vjen keq, sepse te rruga e Dibrës ose tek e Barrikadave ka pasur gjallëri të madhe. Edhe në vitet ’70 se në ’60 po e po, aty ka qenë zemra e Tiranës, ndërsa sot është shumë e trishtuar, e zbrazur.

-Pse jo? Dalin gjithmonë prioritete të reja. Njerëzit gjejnë disa fokuse të reja me joshëse, më në modë dhe braktisen të vjetrat.

Po janë vende që mezi krijohen. Asnjë nuk e di që njerëzit do investojnë shpirtërisht në një zonë të caktuar. Ti si arkitekt ose urbanist shpreson që të ndodhë kjo, por nuk mund ta dish me siguri. Për shkak të një kombinimi të panjohshëm rrethanash, vende të caktuara papritur bëhen të dashura për njerëzit dhe ata fillojnë të shkojnë aty, lënë takimet. Kjo ndodh jo vetëm në Tiranë, ndodh në çdo qytet tjetër.  P.sh. në New York, në Manhattan, është një mëhallë, Lower East Side quhet… Po ta shikosh nga jashtë thua kjo është një gërmadhë, një gjë pa asnjë vlerë. Mirëpo për banorët e qytetit vende si ky janë shumë të dashura, sepse aty ka lokale të vogla, klube ku luhet muzikë xhaz. Kanë histori ato, sepse aty ka luajtur filani apo fisteku dhe mbahen në këmbë me këtë histori. Kështu, edhe në Tiranë sot e kësaj dite ka vende që e kanë këtë magji që ia kanë dhënë njerëzit, Nuk e kanë nga arkitektura. Arkitektura mund të ndihmojë, por nuk është e thënë. Po sjell në vështrim pedonalen, e cila nuk është as vend tamam, është një hapësirë midis ndërtesash, megjithatë ka ngjitur te njerëzit. Sepse, shkojnë aty. Gjithnjë e shikoj plot. Shkojnë, lënë takime. Njerëzit lënë të takohen në vende që u pëlqejnë. Këto vende nuk duhen humbur…

-Por qyteti duhet zhvilluar… Është i pashmangshëm ndryshimi…

Megjithatë, nëse ti fillon dhe bën ndërhyrje me kritere të tjera qofshin dhe funksionale, nganjëherë e vret organicitetin e qytetit. Nuk është më vend i gjallë ai, pastaj. Mund të ndodhë edhe që një ndërtesë shumë e bukur, e projektuar nga arkitektët më të mirë, që fiton madje çmime në konkurse, nuk ngjit madje e dëmton indin urban. Njerëzit nuk shkojnë atje. Nuk kanë arsye pse të shkojnë. Mund të jetë një muze i përsosur, por të jetë i rrethuar nga boshllëku. Asnjeri nuk shkon atje, përveçse vizitorët dhe turistët, dhe kjo gjë e vret qytetin. Sepse, çfarë do të bëjnë aty? Krijon dhe probleme sociale, sepse një zonë, me një mur që mund të jetë 100 metra i gjatë pa asnjë dyqan, pa asnjë hyrje, pa asnjë gjë, mund të kthehet në vend të rrezikshëm natën. Ose fillojnë e shkruajnë mbi të, bëjnë graffiti. Zona e humbet furnizimin me gjak, si ndonjë gjymtyrë e trupit që ka pësuar trombozë. Fillon të degradojë. Është shumë delikate.

Sa i përket ndërhyrjeve në Tiranë, ato janë bërë nga politika, le ta zëmë dhe nga qëllimet më të mira. Në rastin tonë nuk ka qenë kështu, po le ta marrim për të mirëqenë, për hir të argumentit. Qytetarët zakonisht nuk janë pyetur. Ose edhe kur janë pyetur, mendimet e tyre nuk është se janë marrë parasysh.

-Nuk e di nëse është kjo zgjidhje në fakt. A duhen pyetur njerëzit? A e kuptojnë njerëzit, a di njeriu paraprakisht se çfarë do të ndodhë në një vend që do të ndërtohet? Ajo vjen më pas ndoshta, njeriu e kupton më vonë.

Mund të ketë institucione dhe struktura me specialistë, të cilët janë në gjendje ta ruajnë balancën. 

-Pra jemi te mendimi i specialistit. Gjithsekush e njeh fushën e vet.

Specialisti mund ta ruajë balancën mes vlerës arkitektonike, vlerës sociale, komunitare të zonave të caktuara. Sepse, e kupton që qyteti ka nevojë të zhvillohet, por e kupton që edhe qytetit i duhen ruajtur komunitetet, përndryshe dëmi social që shkaktohet është i pallogaritshëm. Qoftë në faktin që, njerëzit hallakaten, nuk i kanë më ato struktura sociale të mbrojtjes që të ndihen mirë, por edhe nga ana psikologjike. Madje është konstatuar si rriten neurozat, për shkak të ndërhyrjeve të shumta në strukturat urbane; sidomos agorafobia, ankthet, dhe forma të tjera të ngjashme, sepse njerëzit nuk arrijnë dot të orientohen në beton. Nuk është strukturë normale, sidomos kur ndryshon dhe shpejt. P.sh. kur ka mëhalla të vjetra, jo vetëm që mëhalla është e bukur…

-Gjithmonë shkojmë te përmasa njerëzore, që është shumë e rëndësishme për njeriun.

Është komuniteti. Janë ato që i kanë quajtur anglisht eyes on the street. D.m.th. sytë e njerëzve në rrugë, që në Shqipëri i kanë pasur gjithmonë plakat dhe që shërbejnë si kamera të sigurisë. Siç janë kamerat sot, ishin plakat dikur. Ato merrnin vesh çdo gjë që ndodhte dhe ishin dhe një lloj sigurie për të gjithë banorët, dhe për fëmijët e vegjël që kalonin aty. Funksiononin në mënyrë perfekte mëhallët. Ne kur ishim të vegjël shkonim në shkollë, unë e kam pasur shkollën relativisht afër, por mund të ktheheshe në shtëpi edhe natën, nuk kishte problem, sepse ishte mëhalla, ishin gjithë këta njerëz që shërbenin si kamera. Sepse komuniteti ishte i fortë. Është shumë i rëndësishëm komuniteti. Nuk është e thënë që të jetë një vlerë e kapërcyer, sepse sot e kësaj dite, njerëzit e duan komunitetin.

-Më kujtuat kohën e vështirë, vitet ’97. Ishte shumë e rrezikshme të lëvizje nëpër Tiranë vetëm dhe, në momentin kur hyja në rrugicën time, sadoqë bosh, pa njerëz, fillonte qetësia ime. Aty filloja ndihesha e qetë, sepse isha në mëhallë.

Komuniteti është shumë i rëndësishëm. Për fat të keq, jo thjesht për shkak të ndërhyrjeve urbane, por në Shqipëri janë shkatërruar komunitetet. Ngaqë shumë njerëz kanë ikur, kanë ardhur shumë njerëz të rinj. Këta kanë shkatërruar komunitetet që kanë lënë dhe ende nuk kanë formuar dot komunitete të reja, në vendet ku kanë ardhur.

-Gjithsesi janë probleme në mos të pazgjidhshme, vështirë të zgjidhshme. Sepse nuk janë vetëm problemet e Shqipërisë, tek e fundit. Po le të kthehemi te Kulla e Sahatit. Ajo që më bëri përshtypje ishte një moment kur ju përmendni poetët, të cilët siç thoni, e shijonin shumë praninë e Kullës teksa pinin një gotë birrë, e shijonin shumë përshëndetjen e saj kur ktheheshin nga Tirana, sidomos kur ishin të rrezikuar për të mbetur jashtë Tiranës.

Ishte ngushëlluese.

-Ishte shumë ngushëlluese e megjithatë, ata nuk i shkruan dy vargje për Kullën e Sahatit, ndërkohë që shkruanin për shtyllat e tensionit të lartë, për oxhakët e fabrikave etj. Si shpjegohet?

Unë nuk është se i kam kontrolluar, por përshtypja ime… 

-me gjasë keni të drejtë. Së paku nuk na ka mbetur në mendje ndonjë poezi për Kullën. Do të thotë se diçka që mbetet, nuk është shkruar…

Unë lexoj, por sidomos në atë kohë lexoja shumë edhe poezi si student i letërsisë që kam qenë, nuk mbaj mend të kem ndeshur në një poezi të mirë për Kullën. Kam përshtypjen që ishte një lloj autocensure, sepse Kulla ishte apolitike.

-Ishte një ndërtesë tek e fundit. Mund të mos i këndoje një ndërtese, por mund të ishte së paku e pranishme në poezi.

Është autocensurë, e hiqnin ose e mbanin për vete. Ose ishte kaq e çmuar saqë e mbanin për vete. Nuk donin ta ndanin me të tjerët. Ishte një lloj sekreti individual, për t’u shijuar në heshtje.

-Interesant më duket si këndvështrim.

Nuk ka pasur. Në atë kohë ka qenë edhe një lloj prirjeje ndër poetët, që t’u thurnin vargje objekteve. Sot nuk ndodh më. Kështu që brezit të ri mund t’i duket e çuditshme të thuash pse s’i kanë kënduar Kullës. Fundja, pse do t’i këndohej Kullës? Mirëpo atëherë kështu bënin. Këndonin për fabrikën, këndonin për oxhakun, për hidrocentralin, për digën.

-Por jo vetëm në realizmin socialist, jo vetëm në letërsinë e asaj metode. Me një objekt mund të krijohen lidhje sentimentale. Siç keni thënë ju në libër, që keni lidhjen tuaj sentimentale me Kullën dhe i kushtuat një libër… pse jo?

Në realizmin socialist kërkonin objekte me kuptim. Por, me kuptim ideologjik. Kulla nuk e kishte. Kulla kishte një kuptim intim ose identifikues për individin ose për qytetarin. A mjaftonte kjo për të nxjerrë një vjershë në publik? Mund të krijonte dhe probleme në raste të caktuara. 

-Sqaroni për librin se nuk është një libër kujtimesh. Dhe në fakt është një interpretim, megjithatë mund ta provokojë kujtesën tonë. Dhe ju vetë keni zbuluar shumë gjëra gjatë rishikimit. Unë p.sh. “zbulova” një detaj që është krejt periferik, por është një detaj për të ilustruar momentin e kujtimit. Nga ky libër u kujtova që kongreset e PPSH-së janë bërë në Pallatin e kulturës, te Teatri i Operës përpara se të ndërtohej Pallati i Kongreseve. Ka plot detaje të tilla. Ju vetë çfarë “zbuluat”, çfarë ju risolli në kujtesë, gjëra të harruara, rishikimi i këtij libri?

Po. Është e çuditshme se atëherë kur i shkruaja këto, kryesisht mes viteve 1999 dhe 2000, e kisha shumë më të freskët kujtesën për Tiranën time, sepse unë kisha ikur nga Tirana pastaj. Unë në ’90 u largova dhe nuk u ktheva më.

-Ju kishit ikur, ama kujtesa ruhet, ngurtësohet ashtu siç ka qenë në momentin që ikni. Për ne do të ishte ndoshta pak më e vështirë, sepse ndryshimet ndikonin.

P.sh. unë mbaja mend që, te salla e Operës dhe Baletit parullat e përdorura për kongreset e PPSH-së, nuk i hiqnin, i linin aty. Dhe ti mund të shkoje të dëgjoje simfoninë e shtatë të Beethovenit mu nën parullat e kongreseve, Lavdi PPSH, e kështu me radhë…

-Ka qenë diçka sipër Pallatit të Kulturës…

Lavdi PPSh ka qenë. Edhe sipër Bankës ka pasur, edhe sipër ministrive; dalin në fotografitë e kohës. Sa i përket qendrës, kur e rishikova esenë para botimit të dytë, vura re gjëra që i kisha harruar ndërkohë. I kisha harruar midis kohës kur e pata shkruar për herë të parë dhe momentin të tanishëm. Kisha harruar p.sh. si ishte shkatërruar Bashkia. Ishte dramë më vete ajo. E rrethuan vendin me mur…

-Thoni se njerëzit që nuk donin ta shihnin shkatërrimin, se ndiznin cigare në momentin që kalonin aty, për të shpërqendruar vëmendjen, për të mos parë…

Po. Do e hedhin në erë, s’do e hedhin në erë. Kur do ta bëjnë… Pastaj thanë do ta bëjnë në mëngjes herët… do largonin njerëzit nga qendra.

-Në fakt ndodhi natën, në mëngjes herët?

Po. Diçka në orën 04 të mëngjesit, por u tund sepse ishte një shpërthim i madh për qendrën e Tiranës. Unë shtëpinë e kam aty afër, te Ministria e Arsimit. Gjithë këtë unë e kisha të harruar. Jo se e kisha harruar, por nuk e kisha menduar më atë atentat që iu bë qendrës. Të shkatërrosh një ndërtesë të tillë, që atëherë edhe e përgojuan shumë. Thanë është e shëmtuar, është e keqe, kanë derdhur italianët shumë beton, gati- gati si një muhabet kasapësh që thonin: ky derr nuk po e vrasim dot aq i shëndoshë është.

Mirëpo ndërtuan pastaj muzeun që e prishi gjeometrinë, harmoninë e sheshit. Dhe që atëherë shkoi e tatëpjetë e gjithë puna. D.m.th.. raporti i qytetarëve me sheshin. 

-Edhe pse nuk kanë të bëjnë me thelbin e librit ka dhe disa momente shumë kureshtare ky libër. Dhe unë për njërën prej tyre, dua të flasim. Në momentin kur flisni për Pallatin e Kulturës dhe për hapësirat  e Pallatit të kulturës, përmendni një sallë mbledhjesh në katin e dytë, prej nga Mehmet Shehu, gjatë një mbledhjeje, shikon dikë në rrugë, një djalë me flokë të gjatë… Cila është historia dhe sa lidhje ka me të vërtetën?

Ka qenë një histori që qarkullonte në Tiranë në atë kohë, me siguri ka ndodhur se është afër mendsh. Ishte periudha e luftës kundër shfaqjeve të huaja, kryeministri Shehu ishte veçanërisht aktiv, i ashpër. Bëhej një mbledhje në një sallë të katit të dytë. Më duket se quhej salla e leksioneve, atëherë. Kjo sallë kishte dritare të mëdha, të cilat shikonin nga rruga, nga ana e Sahatit. Dhe Shehu shikon nga dritarja, siç ishte i ulur, një person që ecte, por që kishte flokë të gjatë dhe pantallona kauboj, siç visheshin atëherë. “Gango” i thoshim ne atëherë, tani ka ndryshuar kuptimi i fjalës “gango”, por atëherë këta quheshin “gango” që kishin një rrip me një tokëz të madhe, një bluzë të ngushtë, ndoshta dhe një golf sintetik.

-Kur i shohim tani na duket shumë e shëmuar, por atëherë…

Atëherë ishte edhe një lloj deklarate, ajo veshje. E pa këtë Mehmet Shehu dhe i thotë rojës a ndonjë bashkëpunëtori aty:  Shkoni dhe silleni këtu. Zbritën ata poshtë, e gjetën atë tipin dhe i thanë hajde se të kërkojnë në mbledhje. Nuk e di si e morën, me zor a me qejf. E sollën aty dhe Mehmet Shehu filloi t’u thotë njerëzve: Ja shikoni ky është një ilustrim i shfaqjes së huaj. Po çfarë je ti? – i tha atij djalit, Adriano Celentano-ja je që i mban flokët kështu? Ky ishte një muhabet që qarkullonte. Nuk mund ta garantoj, por më pëlqen ta rrëfej.

-Qoftë edhe sikur të jetë e trilluar është shumë e bukur.

Nuk është se morën ndonjë masë ndaj tij, por thjesht e përdorën si ilustrim të nevojës për t’i luftuar këto shfaqje të huaja. Mbase edhe e porositën të qethej, të rregullonte pamjen. Po mua më pëlqen edhe që Adriano Celentano-ja vazhdonte të konsiderohej si kryegangsteri italian në atë kohë. Gjithmonë kishte një lloj frike ndaj Adrianos veçanërisht, se mos korruptonte rininë shqiptare, sidomos vajzat. Mesa duket edhe vajzave u pëlqente, u dukej tërheqës, prandaj emri i Adrianos përmendej si gangsteri kryesor i Italisë e mbase i gjithë Europës.

-Z. Vehbiu, thatë pak më parë se mundet që një ese tjetër për sheshin për qendrën do të shkruhet. Mundet apo keni projektuar diçka?

Kam material. I kam botuar te revista “Peizazhe të fjalës” një revistë që del online, administrator dhe kryeredaktor i së cilës jam. Ato kanë dalë atje.

-Ju do t’i zhvilloni?

Ka një numër të madh esesh që vazhdojnë të trajtojnë temën e qendrës së Tiranës, të kullave, ajo që biseduam mes raportit mes urbanistikës dhe komuniteteve, por edhe në lidhje me çështjen e Teatrit. Kam shkruar unë, por edhe të tjerë. Kjo temë është një nga më të rrahurat veçanërisht gjatë këtij viti të fundit. Tema jo thjesht e Teatrit [Kombëtar], por e raportit të qytetarëve me qytetin.

-Pra del jashtë kontekstit të një kohe, jashtë një ngjarje?

Jemi përpjekur të zhvillojmë një temë që, për mua, është e rëndësishme për ta perceptuar historinë e Tiranës si një histori të përplasjes, konfliktit, të luftës midis qytetit dhe kryeqytetit. Pra, Tirana qytet dhe Tirana kryeqytet. Për mua është një përplasje elementare, çelës, për të kuptuar se çfarë ka ndodhur dhe çfarë do të ndodhë në Tiranë. Sepse, është një përplasje që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Ka një kryeqytet, në kuptimin që shteti i ka institucionet kryesore këtu dhe që kërkon t’i imponohet Tiranës qytet, e cila ka interesa që nuk përkojnë me ato të kryeqytetit. Tirana qytet ka interesa të tjerë. Kjo është një temë që, për mua, do të meritonte edhe një konferencë. Nuk them që të marr unë pjesë dhe të flas, por konferencë për të parë se si ndërveprojnë këto dy entitete, qyteti dhe kryeqyteti.

-Dhe se si konfliktohen në këtë rast qyteti dhe kryeqyteti?

Nuk kanë interesa të njëjtë. Kanë interesa të ndryshëm, shpesh të kundërt. Dhe dikujt i takon që t’i harmonizojë. Të ulet në tavolinë dhe t’i harmonizojë këto gjëra, sepse lindin pastaj konflikte sociale. E kam shkruar disi këtë tek Peizazhet, do t’i kthehem prapë sepse është një temë që më duket e nxehtë edhe në raport me zhvillimet e fundit. Zhvillimet në urbanistikë janë në qendër të vëmendjes, ka interes të shtuar për to edhe nga qytetarët, edhe nga mediat, ma merr mendja dhe nga pushtetarët.

-Sepse Tirana është në zhvillim.

Secili sipas këndvështrimit të vet. Ka interes për të përmirësuar jetën e njerëzve, ka interes për të bërë para dhe pasuruar, ka interes për të riprodhuar pushtetin nëpërmjet investimeve urbane. Të gjitha këto gjëra meritojnë të shihen jo veç e veç, siç janë parë deri tani, por bashkë, në ballafaqim.

Ky ka qenë libri im i parë, ose më mirë libri im i parë shqip që botova. Më parë kam shkruar me një koleg timin një libër që u botua në italisht. Por, ky është libri i parë shqip dhe në njëfarë mënyre këtu gjen të gjitha temat e shkrimeve të mia publicistike, eseistike të mëvonshme. Këtu është hedhur fara. Nganjëherë thonë që, një autor, një shkrimtar shkruan vetëm një libër, dhe ky është për mua libri që kam shkruar. Të tjerët janë zgjatime të tij, ndonjëherë të çuar dhe shumë shumë larg siç janë variacionet rreth një teme në muzikë: ndonjëherë ka ca variacione që as nuk i lidh dot lehtë me temën. Kështu mund të jenë dhe librat që kam shkruar më vonë, por që gjithnjë kanë për strumbullar temën e kulturës dhe të semiotikës në përgjithësi dhe të semiotikës të qytetit në veçanti.

 

Shënim: Intervista më lart, e marrë në vjeshtë 2018 fill pas ribotimit të librit tim “Kulla e Sahatit” nga Botime Çabej, është përgatitur si tekst nga redaksia e programit “Bibliotekë”, të RTSH. Falënderoj Arta Markun për intervistën aq të mirë dhe për kujdesin e treguar më pas. Teksti është prekur për gramatikë dhe qartësi.

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: