Në fund të korrikut 1980, teksa kish nisur në Moskë edicioni aq i kontestuar i 22-të i Lojërave Olimpike të verës, një revistë satirike italiane, 11 male, arriti të kontrabandojë atje mijëra kopje të një numri “fake” të gazetës Pravda, që hapej me lajmin e një putsch-i ushtarak në kryeqytetin sovjetik, që kish çuar në përmbysjen e regjimit, shkëputjen e Rusisë nga BRSS dhe shpalljen e menjëhershme të pavarësisë nga të gjitha republikat e tjera të Bashkimit. Në Bukovsky Archives lexoj se gazeta ish dizajnuar dhe shtypur aq besueshëm, sa nuk dallohej dot nga versioni zyrtar; dhe se për këtë incident shkroi edhe NYT.
Pak vjet më parë, në gusht të vitit 1968, një tjetër edicion “fake” i gazetës Pravda, në rusisht, qarkulloi në Çekosllovakinë e sapo-pushtuar nga trupat e Traktatit të Varshavës, pjesë e protestës kundër ndërhyrjes.
Të dyja herët, bëhej fjalë për një kombinim të aktit rebelues me performancën artistike: Pravda e rreme vepronte më fuqishëm tek ata që e dinin dhe e dallonin se ishte e tillë: një gënjeshtër që i afrohej pikërisht asaj së vërtete (Pravda në rusisht do të thotë “e vërtetë”), të cilën e maskonte organi zyrtar i pushtetit sovjetik, skenë që aftësonte shndërrimin e rrenës në realitet.
Sipas një njoftimi që nuk kam arritur ta verifikoj, në vitin 1942, edhe nazistët shpërndanë në territoret e pushtuara të Bashkimit Sovjetik një edicion “fake” të gazetës Pravda, në rusisht, ku lajmërohej “Një dhuratë nga Adolf Hitler-i për popullin rus”: fundi i kolkozeve dhe ri-shpërndarja e tokës bujqësore familjeve që e punonin (“dekolektivizimi”). Por në faqen e parë të “Pravdës” naziste, slogani “proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni” ishte zëvendësuar nga “Proletarë të të gjitha vendeve, bashkojuni luftës kundër bolshevizmit.”
Për t’u shënuar se, këtë herë, printimi i një numri të rremë të Pravdës synonte të bindte fshatarët në zonat e pushtuara se nazistët e kishin seriozisht: tek e fundit, Pravda nuk do të gënjente dot, madje edhe kur e botonte pushtuesi.
Deri edhe bolshevikët e orëve të para do të tundoheshin nga forca performative e një edicioni të rremë të gazetës: në vitin 1923, kur Lenini ishte sëmurë, por ende pranohej si arbitër suprem i mosmarrëveshjeve në kokë të pushtetit sovjetik, Byroja Politike diskutoi mundësinë e printimit të një numri të rremë të Pravdës, ekskluzivisht për Leninin – në mënyrë që ky të qetësohej dhe të mos përzihej më në cic-micet e përditshme të politikës. Thuhet se këtë operacion të pashembullt e pengoi, në minutën e fundit, Trocki[1] (Robert Service Trotsky, a Biography, Pan Macmillan 16 Apr 2010, f. 300).
Kësisoj, “e vërteta” e emrit të gazetës do t’i shërbehej veçan liderit të revolucionit botëror; çka do ta shndërronte gazetën vetë nga dritare drejt realitetit, në ekran amortizues të së përditshmes. Ne që kemi jetuar realitetin e Shqipërisë të fillimviteve 1980, do të kujtojmë se Zëri i Popullit, i atyre kohëve, do të botohej – me përparësi – për konsum nga Enveri tashmë edhe ai i sëmurë; ose si pjesë e kujdesit shëndetësor për të; dhe jo një herë vetëm, por praktikisht çdo ditë.
Që udhëheqja e lartë sovjetike kish botuar (kish dashur të botojë) një edicion fals të Pravda-s, ma solli në vëmendje këto ditë një pasazh i romanit Now Wait for Last Year, nga Philip K. Dick; njëri prej personazheve e përmend këtë si diçka që pat ndodhur “vërtet” (ndoshta autori është ngatërruar; ndoshta bota e romanit nuk përkon tërësisht me tonën). Romani i Dick-ut ndërthur intrigën politike me udhëtimet në kohë dhe interferencat nga realitete paralele, prandaj mendova se edhe edicioni “fake” i një gazete si Pravda mund të shërbejë, në fakt, si portal drejt një realiteti paralel ose alternativ.
Të modifikojë realen, duke i nxjerrë përpara një pasqyrë deformuese – ja një funksion i papritur i arkivit.
Shënim: imazhi në kopertinë është për ilustrim; nuk i referohet ndonjë edicioni të rremë të Pravda-s.
© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] I njëjti Trocki që, në 1927, do t’i shkruante kolegut dhe bashkëluftëtarit Orxhonikidze: “Kush u beson fjalëve, është idiot.” Studiuesi Andrea Graziosi, autor i një studimi kritik për burimet arkivore në Bashkimin Sovjetik (The new Soviet archival sources, Hypotheses for a critical assessment, Cahiers du monde russe, 40/1-2, 1999), e sjell këtë citat duke shtuar se “ne [historianët, A.V.] rrezikojmë të jemi njëlloj idiotë, kur u besojmë dokumenteve që, në fakt, janë thjesht fjalë të shkruara.” Ai sjell edhe një citat nga Stalini, të vitit 1931: “Kush, veç burokratëve të pashpresë, mund të mbështetet vetëm në shkresurina? Kush tjetër, veç minjve të arkivave?” Në fakt, edhe pse një regjimi totalitar i duhet, megjithatë, e vërteta për të funksionuar, gjithnjë do të gabojmë po të mos i trajtojmë dokumentet e asaj kohe si fake Pravdas, ose po të mos mbajmë parasysh funksionin performativ të këtyre dokumenteve (forcën e tyre perlokutive, në rastin konkret; ose çfarë synonin të arrinin autorët e tyre). Për fat të keq, mediat në Shqipërinë e pas 1990-ës e kanë shpërfillur krejt këtë aspekt të interpretimit të dokumenteve nga ajo periudhë, duke e gënjyer lexuesin jo më pak se vetë propagandistët dhe aparatçikët e regjimit totalitar, autorë të dokumenteve; shpesh nëpërmjet kriterit pseudo-heuristik, se çdo dokument i mbrojtur me sekret, thotë vetvetiu të vërtetën.
Me botimin e numrave të rreme, pra të falsifikuara të gazetës Pravda janë marrë edhe britanikët. Përmendet një rast i njohur i “edicionit” të datës 28 shkurt 1921, i shtypur në Londër dhe i dërguar dhe shpërndarë ehe në zonat kufitare të ish-B.S.[History of Anglo-Soviet Relations, Vol. I, f. 51, Coates Y& Coates, Londër, 1945]. Çështja është aq e njohur sa është përmendur edhe në debatet kuvendore në House of Commons në legjislaturat e viteve 1930, 1931, 1948, 1966.