nga Sokol Çunga
Arkivist në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, Tiranë
Arkivi Kombëtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (NARA – National Archive and Records Administration, Washington, DC) ka të çelur në mjediset e muzeut të vet ekspozitën Rightfully Hers: American Women and the Vote (Me të drejtë e saj: gratë amerikane dhe vota) kushtuar 100 vjetorit të të drejtave të grave amerikane për të votuar. Ekspozita është çelur më 10 maj 2019 dhe do të qëndrojë e hapur deri më 3 janar 2021. 9 muaj pas çeljes së saj gazeta “The Washington Post” shkruan një artikull me titull “National Archives exhibit blurs images critical of President Trump” (“Ekspozita e Arkivit Kombëtar mbulon imazhet që kritikojnë Presidenti Trump”). Sipas gazetës, në ballë të ekspozitës ishte vendosur një fotografi e protestës së grave, mbajtur më 21 janar 2017, një ditë pas inaugurimit të Presidentit Trump. Mirëpo, fotografia paraqitet e modifikuar prej kuratorëve të ekspozitës: prej parullave të protestuesve që paraqiten në fotografi është hequr emri i Presidentit Trump, si dhe fjalët që përmendin pjesë të anatomisë femërore. Arkivi Kombëtar, në një prononcim për mediat, arsyetoi se si institucion i pavarur, nuk dëshironte të merrte anë në debatet politike aktuale, por dhe ishte treguar i kujdesshëm me ato fjalë që në sytë e vizitorëve nxënës apo karshi moshave të reja do të ishin të turpshme. Ndërkaq, fotografia nuk është dokument që ruhet prej Arkivit Kombëtar, por një imazh i blerë nga institucioni prej agjencisë Getty Images.
Sigurisht, ky “modifikim” i një fotografie, pavarësisht se origjinali nuk ka gjasë të cenohet, solli reagimin e një sërë shtresash shoqërore dhe intelektuale, të gazetarëve, mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe botës akademike. Si përfundim, Arkivi Kombëtar kërkoi falje për këtë modifikim, pranoi se ishte kryer një veprim i gabuar, dhe premtoi se do ta hiqte fotografinë e modifikuar, duke vendosur, në vend të saj, fotografinë e paprekur.
E para gjë që më kujtoi kjo histori censurimi ishin fotografitë e censuruara në Shqipëri, si dhe në gjithë Bllokun e Lindjes, me qëllim fshirjen nga historia të individëve që secili me radhën e vet u shpallën “armiq” nga regjimet totalitare. Është histori më vete ky kapitull shumëfaqësh i së kaluarës, dhe nuk kam qëllim të merrem me të. Ajo që më ngacmoi në planin individual dhe profesional ishte ndërmarrja e një akti censure që kryhet nga institucioni simbol i ruajtjes së trashëgimisë të luajtshme materiale, ndërhyrja në integritetin e dokumentit. Ndoshta Arkivi Kombëtar i SHBA nuk kishte synim të pastër fshehjen e problemeve aktuale të vendit përmes censurimit. Mirëpo kaq mjafton për të krisur besimin tek sinqeriteti dhe ligjshmëria e institucionit që u përfshi në këtë censurë, por edhe te çdo institucion tjetër që ka detyrë ruajtjen e trashëgimisë dokumentare në çdo nivel.
Konceptet bazë të arkivistikës janë hedhur që në periudhën e Rilindjes Evropiane, në shek. XVII, kur Jean Mabillon botoi themelin e punëve të arkivit, De re diplomatica (1681). Për pothuaj 4 shekuj institucionet arkivore i shërbyen më së miri shteteve dhe pushteteve, me pak përjashtime të vogla. Ndryshimet në praktikën arkivore dhe sjelljen e arkivave ndaj shoqërisë u bënë të dukshme prej viteve ’70 të shek. XX, sikundër vijojnë edhe sot. Arkivat hijerënda mbuluar nga misterioziteti u hapën edhe për publikun e gjerë, jo vetëm për punonjësit apo studiuesit e specializuar. Nën shembullin e muzeve, edhe arkivat përpiqen t’i afrohen shoqërisë me metoda dhe mjete moderne, duke iu përmbajtur sa ligjeve vendore, aq dhe rregullave deondologjike të punës arkivore. Them “përpiqen”, pasi, siç tregon shembulli i mësipërm, jo gjithçka shkon fjollë prej vetiu.
Prej vitesh më sillet e pështillet në mendje një ligjëratë e aktivistit Howard Zinn me titull “Secrecy, archives, and the public interest” (“E fshehta, arkivat dhe interesi publik”, në origjinal gjendet këtu ). Përmes kësaj ligjërate Zinn përpiqet të argumentojë se funksionari shtetëror, nëpunësi civil, instrumenti i zbatimit të ligjit, duhet të jetë i vetëdijshëm për përmasën e tij si person që mendon dhe gjykon jo vetëm brenda kuadrit ligjor, por edhe si individ me arsye dhe i ndjeshëm ndaj problemeve të shoqërisë, teksa jeton brenda kësaj shoqërie. Kësisoj, gjykatësi në gjykatore, mësuesi apo pedagogu në katedër, historiani në studio dhe arkivisti në institucionin e tij nuk janë vetëm instrumente që veprojnë verbërisht në bindje të ligjit, por janë dhe pjesë integrale e një shoqërie që ka nevojë për cilindo prej tyre, në mënyrë që të ruhet demokracia, të respektohen të drejtat e njeriut, shoqëria të funksionojë shëndetshëm. Profesionalizmi i sinqertë dhe i respektueshëm i dikujt vetvetiu kthehet në kontroll mbi shoqërinë nga dikush tjetër, interesat e të cilit jo gjithmonë anojnë kah interesave të shoqërisë dhe së mirës publike. Duke zbatuar misionin e vet të mirëpërcaktuar me ligje, vendime, qarkore dhe rregullore, profesionisti i një vendi demokratik nuk ka asgjë më shumë, e as më pak, se profesionisti që ushtronte profesionin e vet besnikërisht në Gjermaninë naziste apo Rusinë komuniste. Në këtë mënyrë, teksa e quan veten të pa politizuar, profesionisti i shërben kryekëput politikës së pushtetit. Më tutje Zinn sugjeron se mosbindja e profesionistit dhe, veçanërisht, e arkivistit ndaj pushtetit nuk është politizim i profesionit, por humanizim i një instrumenti pashmangshmërisht politik. Përkthyer me gjuhën e sotshme, ky veprim është angazhimi i arkivistit në aktivizëm që mbështet shoqërinë dhe të drejtat e njeriut. Profesionizmi i vërtetë i historianit dhe arkivistit fillon atëherë kur ata nuk i binden kontrollit social të një shoqërie jo demokratike, por luajnë rolin e tyre në ndërtimin e demokracisë së vërtetë.
Është shumë e thjeshtë të justifikojmë kuratorët e ekspozitës së Arkivit Kombëtar me argumentin se po zbatojnë ca ligje shumë delikate, sipas të cilave institucioni duhet të jetë i pavarur dhe i depolitizuar, duke ruajtur, njëkohësisht, pastërtinë e moralit të masave. Mirëpo, teksa Arkivi Kombëtar ruan këtë parim ligjshmërie, vetvetiu profesionalizmi i respektuar kthehet në anshmëri që shkon në mbrojtje të retorikës presidenciale sot në SHBA. Kështu, vërtetë respektohet ligji dhe ruhet depolitizimi i institucionit, por përmes këtij veprimi forcohet dhuna shtetërore dhe pavarësisht çdo argumenti, u është mbyllur goja të drejtave të njeriut. Për të përmendur logjikën e Howard Zinn-it, do të ishte fare e thjeshtë për Aristotelin që përmes silogjizmave të përligjte skllavërinë, zhdërvjelltësia e dialogjeve të Platonit do të mjaftonte për të predikuar bindjen e heshtur ndaj shtetit, kurse gjuhëmprehtësia e Makiavelit do t’ia arrinte fare lehtë të na bindte se duhet parë qëllimi, jo mjeti. Atëherë, kemi të bëjmë vërtetë me zbatimin e parimit të ligjshmërisë, apo kjo është vetëm mjegulla që mbulon mashtrimin?
Teoria e sundimit përmes forcës dhe mashtrimit është e stërlashtë. Makiaveli e artikuloi qartë duke përdorur metaforën e luanit të fortë dhe dhelprës dinake. Kronologjikisht jemi larg errësirës së Mesjetës, mirëpo, a ka ndryshuar vërtetë shoqëria njerëzore? Episodi i Arkivit Kombëtar të SHBA-ve është ilustrim fort i qartë. Për ta mbyllur, citoj sloganin e vendosur në ballinën e The Washington Post: Demokracia, në errësirë, vdes (Democracy Dies in Darkness)!
Na-na, nuk te lejojme te vesh ne dyshim demokracine tone te kulluar me ne krye kryedemokracine amerikane! Anti-demokracia i perket gjithmone te kaluares, (packa se ishim po ne dje dhe pardje qe bertisnim per demokracine, si ne kohe te nazismit, si te “komunizmit”). Fotografia e retushuar eshte bere per arsye estetike, por jo se ka dashur te fshehe dicka! Nenpunesit e vegjel i kemi ne xhepin e vogel! Kush nuk do ta gezoje demokracine e rehatise se xhepit, perfundon ne rruge te madhe e me balte!
Kam pas nje profesor ne shkolle qe kur na shikonte qe e humbisnim durimin me riperseritje ad nauseam te dickaje te rendesishme, e nderpriste leksionin dhe na thonte: une e di qe ju ketu jeni te tere njerez inteligjente, por ju lutem mbajeni vath ne vesh kete keshille – kurre mos e nenvleresoni paaftesine e njerezve te thjeshte per te kuptuar cfare eshte esenciale dhe e rendesishme ne nje situate.
Veth, tha…
https://www.bbc.com/news/world-africa-51242972
Media kete radhe akuzohet per racizem nga retushimi.