Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

CONTRATIEMPO

Etyd nga Flurans Ilia

 “You are young and life is long,
and there is time to kill today.
And then one day you find,
Ten years have got behind you.
No one told you when to run,
You missed the starting gun.”

Pink Floyd

“I ulur në bythë”… Më kujtohet shpesh kjo shprehje e pleqve të vendit tim. Kjo frazë më grishte kureshtjen kur isha i vogël. Mendoj se qysh kur thua “i ulur” nënkuptohet që do jesh “në bythë”, sepse me vertikale nuk qëndrohet ulur![1]

Ndodhem në një kafé montréaleze “i ulur në bythë” (po pra!) në një orar të pazakontë përballë grykës së metrosë që vjell grumbullin e njerëzve nga brendia e saj nën dhé, drejt damarëve të qytetit, bllokuar aty-për-aty mu në kryqëzimet e semaforëve ku drita e kuqe si me qenë vet sëmundja e kolesterolit brenda trupit të metro dhe polit, ka përqendruar për disa çaste qarkullimin e lëvizjes së trupave që vrapojnë si rruaza gjaku.

Vrapohet me forma nga më të ndryshmet. Vrapohet nëpër qytetet e mëdha të botës. Ato pak çaste në pritje, shfrytëzon kohën e duhur të mendosh se njerëzit në një qytet metropolitan përngjajnë ekzaktësisht me turmën e milingonave që sodisje kureshtar dikur në fëmijëri.

Në kafenetë e ditëve tona pothuajse të gjithë njerëzit janë të pajisur me hi pod, hi phone, smartphones. Që të gjithë marrin dhe japin me hi speed ! Po t’i vëzhgosh me vëmendje, të gjitha “sporte të ulura në bythë” ! Sporte, sepse aktivizojnë trurin, sikurse shahu, tavlla, loja me letra, dominoja, dhe natyrisht gazeta me lajmet e ditës. Këtu, koncepti i “të vrarit të kohës” nëpër kafene nuk ekziston. Për më tepër koncepti “i ulur në bythë”. Sepse kafeja e javës kryesisht serviret në dorë, shpejt e shpejt, me vrap, drejt e në rrugë ku të ndal për fare pak çaste veç semafori. Kohë në të cilën vëzhguesi, sikurse zhytësi, ndalet disa sekonda së thithuri oksigjen. D.m.th. e mbart frymën me vete dhe fillon e vëzhgon nëpërmjet një këndvështrimi vertikal një botë tërësisht horizontale. A thua se je duke jetuar një tjetër jetë? A je duke jetuar një tjetër kohë? Koha akuatike. Një botë krejt e nënujshme. Kjo dalje, nga koha dhe bota, përbën, mu si ajo pika e shtrydhur fort në kafenë e mëngjesit, si ajo bulëza e ajrit që mbart në gjoks ndërsa zhytesh, çastin gjithmonë e më të rrallë të meditimit.

Pothuajse inmobile. Në një kombinim të rastësishëm lëvizjesh mendore, konstaton se termi muzikor contratiempo (nga spanjishtja) që është një “kundrakohë muzikore” në vallëzimin e njohur spanjoll të flamengos vjen si pasojë e përplasjes së takave të valltarit! Nëpërmjet përplasjes së thembrave, ai, valltari, protagonisti i kësaj jete në këtë çast, vjen dhe krijon përmes ritmit, një kundrakohë magjike, kohën e rivlerësimit të kohës, kohën reale të vlerësimit të lëvizjes pasuese në vazhdim.

Më kujtohet një çast Polifemi, gjiganti me një sy. Pastaj tufa e bagëtive nën barkun e të cilave Uliksi me shokët e vet mundën t’i shpëtojnë kontrollit të qiklopit. Në kohën e sotme duhet të kesh një lloj shqise të allasojtë që të përmbledh gjithë çfarë ikën dhe vjen rreth e rrotull. Aq i dendur është informacioni. Lexoj ndërkohë në internet një shprehje që ma zbukuron çastin e meditimit, Zoti jeton në fshat ! Kjo frazë përthyhet brenda meje ndryshe, nëpërmjet zërit unik të Giuseppe Ungaretti-t, M’illumino d’immenso !

Me mënyrën se si bota lëviz, contratiempo është gjithmonë e më tepër një veprim në zhdukje e sipër, në ditët që jetojmë. Njeriu modern sa vjen dhe i largohet peizazhit të natyrës së vet, duke marrë gjithmonë e më tepër hi speed.

Life’s a bitch and then you die
So fuck the world and let’s get high …

Çfarë i bën të rinjtë e sotëm të jenë kaq eksesivë? Përgjigja ndodhet tek pyetja. Jo se nuk ka përgjigje, nuk ka kohë. Sepse koha e të menduarit po vjen drejt një skadence në kontratën që individi sapo ka firmosur me lëvizjen. Ka dy zgjidhje. Ose t’u bësh naftën të gjithave. (Po ç’naftë o mik, mos na kujto naftën aman, nuk i shikon çmimet e naftës si kanë vajtur?! ) … Po qesh me zë. Me zë sikur Gustave Flaubert, kur shqyente me zë të lartë timpanët e veshëve të shekullit XIX me shprehjen, Madame Bovary c’est moi ! Ky shekull po na shpalos dy mundësi, ose të qeshësh me vete, ose të ngrihesh edhe …

… vrapo or mik,
… vrapo,
… Metro, boulot, dodo ![2]

(c) 2020, Flurans Ilia. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Një ndër ushtrimet joga përfshin meditimin kokëposhtë me vertikale 🙂

[2] Metro, punë, gjumë! Refreni i njohur i metropolit.

 

4 Komente

  1. Ulu n’bythe ka kuptimin “ulu aty ku s’ka karrige” por mos rri galic.
    Pra jo thjeshte ulu.
    Kjo s’ka asnje pike rendesie per shkrimin, qe me pelqeu, por gjithesesi…

  2. Eh, pleqtë… Ngjan pleonazëm, por ka edhe që ulen në kokë (yoga), ndaj në rregull e kanë pleqtë. Ju kujtohet: “A e ndezim një cigare duhan?”. Atëhere edhe kjo na dukej pleonazëm, por sot…

  3. Diku nga mosha 8-9 vjeç na erdhi si mesuese e shkolles fillore nje vajze me origjine shkodrane, znj. Pertefe Leka. Ajo, perveçse ishte e bukur, fliste edhe nje shkodranishte mjaft te bukur. Ndryshe nga mesuesit e tjere, per rastin ne fjale ajo perdorte: Ulu nenjun.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin