nga Arben Dedja
Quaiéun
U s dí bén i quaiéun,
mo lòu, mè a n cnòss piò d’éun,
i s cràid d’ès, i n’e’ sa ch’ l’è di quaiéun,
e i s spòusa, i à di fiúl,
e i fiúl l’è fiúl ’d quaiéun,
che mè a n déggh mégga, e’ bà l’è e’ bà, ta n’apa
da vlí bén me tu bà, purtèi rispèt,
però sti fiúl, a n’e’ so, mè, i n s n’incórz?
[etj., etj]
E kotë: kjo poezi e Raffaello Baldini-t (1924-2015) kështu nuk kuptohet; e shkruar në dialektin e vendlindjes së poetit, Santarcangelo di Romagna, një komunë e vogël 10 km nga Rimini. Baldini u rrit, iku nga vatra fëmijërore, por e mbajti dialektin e tij gjithmonë me vete nëpër botë (në Bolonjë, në Rennes të Francës dhe, më pas, për 50 vjet në Milano, ku edhe vdiq) dhe me të shkroi krejt veprën e tij poetike. Kryeherazi nuk dëgjonte as t’i përkthente të paktën në italisht poezitë e veta, aq sa Tonino Guerra, miku, bashkëvendasi më i shquar, merrej me përkthimin derisa “Lello” u bind që më mirë ta bënte vetë këtë punë. I kishte mbushur të 52 vjetët kur, më 1976, botoi vëllimin e tij të parë poetik (me shpenzimet e veta); i fundit, “Intercity”, nga është marrë kjo poezi, doli në kolanën e bardhë të Einaudi-t më 2003.
Hmmm. Poezi? Baldini rrëfen, në një nga intervistat e tij sa të thella aq edhe zbavitëse, që komplimentin më të madh për to e pat marrë nga një zonjë, që në fund të një prezantimi iu afrua dhe i tha:
“Che bello! Non sembra neanche poesia!”
Dhe, në fakt, çdo poezi e tij, nga ato fare të shkurtrat gjer te ca vërtet shumë të gjata, të gjitha me një ligjërim bisedor, janë monologë njerëzish të zakonshëm të provincës, personazhe gjithëherë të ndryshëm, të çuditshëm, obsesivë, surrealë. Ka një surprizë në fund ose, nganjëherë, gjithçka ngjan absurde.
Këtu po jap (të plotë) poezinë e mësipërme, të përkthyer nga italishtja:
Koqe
Kur i thonë koqe,
por ata, njoh goxha unë,
çoç kujtojnë veten, nuk e dinë që janë koqe,
martohen, pjellin,
dhe bijtë janë bij koqesh,
jo për gjë, babai baba mbetet, mos e dhëntë
të mos duash babanë, respektoje,
po këta bij, s’e di, nuk e kuptojnë?
kur flasin me babanë
nuk e shohin, nuk e dëgjojnë? apo janë koqe
edhe ata? se aty pastaj ngatërrohet puna,
mes koqesh
ah po, jo se nganjëherë
u shket goja: babai im është koqe,
me kuptim tjetër kjo,
që është flori, zotni burrë,
kjo pastaj është si punë,
si i bie? burrat zotni
a janë koqe të mbaruara?
të kuptohemi, ndodh që një koqe
të jetë edhe burrë zotni,
ndodh të jetë i mirë,
por mund të jetë edhe i keq,
ka koqe të mirë dhe koqe të këqinj,
koqe nuk do të thotë,
dikush është koqe, por del i veshur bukur,
mban syze, bën vaki, dëgjo
po të them, mund të jetë
inteligjent dhe njëkohësisht koqe,
rast i rrallë, por ndodh,
të jesh koqe është një gjë, gjithçka mund të jetë
koqe, mund të jetë edhe me shkollë,
me të lartën bile,
sigurisht po qe injorant,
koqet injorantë, ata janë fatkeqësi,
nuk arsyetojnë, është si t’i flasësh murit,
edhe prepotentë
ndonjëri, unë e kuptoj,
kur them që është koqe çdo gjë mund të jetë,
dikush mund të mbetet
i çoroditur, i bëhet të thotë: epo atëhere
që je koqe, nga dallohesh?
ç’do të thotë, more, të jesh koqe?
ç’është koqëtaria?
eh, ç’pyetje kjo, të lodh,
si ta thuash? më lër të mendohem, nuk ka një shembull?
hë, ja, koqet i bëjnë gjërat së prapthi,
ti i sheh që gabojnë, ti e di
si duhen bërë, provon t’ua thuash, edhe
me edukatë, ata hiç,
yxhym, ti rrekesh t’i ndihmosh,
t’i vësh në udhë të Zotit, ata të shohin
me pamjen: po tani ç’do ky rrotëkari?
shkon puna që të hipin nervat:
“Çfarë koqesh!” shfryn sheshit, dhe kur shfryn sheshit
ka që të dëgjojnë:
“E drejtë, janë koqe, ama”, “Ama?”,
“Ç’t’i bësh? Janë shumë, komandojnë ata”.
(c) 2019, Arben Dedja