Kujt merret me çështje të lirisë së fjalës, herët a vonë do t’i duhet të ftillojë, me vete dhe pastaj me të tjerët, raportin mes gjuhës dhe lirisë, ose t’i përgjigjet pyetjes se sa të lirë na lejon të jemi gjuha.
Tani, meqë gjuha është një sistem i shtangët, ku për ta thënë me Saussure-in, “tout se tient”, brenda saj është më lehtë të gjesh rregulla, rregullsi dhe disiplinë, se liri. Pa shkuar deri aty sa, me Roland Barthes-in, ta quajmë gjuhën “fashiste”, le të pranojmë se, për gjuhëtarin, liria në gjuhë i afrohet më tepër përkufizimit fichte-ian, dhe pas edhe marksist, si “njohje e domosdoshmërisë.”
Kështu, te vargu i parë i një vjershe të njohur për fëmijë të Naimit:
Një zok të bukur zuri një djalë
Rregullat gramatikore të shqipes na detyrojmë të zgjedhim midis “një zok të bukur”, “zok të bukur”, “një zok i bukur” e kështu me radhë; por jo “një zok e bukur”, që nuk është gramatikisht korrekte; dhe as “një zok të bukura”. Më tej, folja “zuri” me formën e vet gramatikore na lejon të themi se veprimin e ka bërë një i tretë (veta e tretë) në të shkuarën, dhe pikërisht “një djalë”; këtu “zura një djalë” nuk do të ishte e rregullt, ndërsa “zëntë një djalë” (me dëshirore) do të tingëllonte shumë e çuditshme.
Diskutimin mund ta zhvendosim në një plan më të lartë: në raport me origjinalin “një zok të bukur zuri një djalë”, mjafton të ndryshojmë nyjen dhe do të kemi “një zok i bukur zuri një djalë”, ku kryefjala dhe kundrina e drejtë ndërrojnë vend (tani është zogu që e zë djalin) – këtë raport gramatikor e mundëson rasa emërore e togfjalëshit “zok i bukur” dhe fakti që folja “zë” zakonisht kërkon një kundrinë të drejtë.
Edhe një nivel më lart, dhe na duhet të arsyetojmë praninë e nyjave “një”: të krahasohet origjinali me “Zogu i bukur zuri djalin” – e njëjta gjë, por edhe krejt e ndryshme; sepse tani shquarsia edhe e “zok” edhe e “djalë” na lë të kuptojmë se këto dy gjymtyrë janë përmendur tashmë dhe janë të njohura për folësin dhe bashkëbiseduesit; me fjalë të tjera, thënia është marrë nga mesi i një ligjërate. Përkundrazi, “një zok” dhe “një djalë” i përcjellin dëgjuesit idenë se kjo histori sapo ka filluar. Të mos lëmë jashtë as të kryerën e thjeshtë “zuri” – e cila në shqipe shënjon, edhe pse jo aq formalisht sa në frëngjishte, kohën “narrative”.
Më tej akoma: në nivelin prozodik, ose të melodisë së thënies, kemi të bëjmë me poezi; dhe pikërisht me një varg të përbërë nga dy katërrokësha: “një zog të bukur” dhe “zuri një djalë” të ndarë me cezurë, çfarë është edhe karakteristikë e prozodisë së kësaj vjershe (çfarë e bën vjershë) dhe shumë vjershave të tjera të Naimit.
Çfarë dallojmë, në këtë analizë të shpejtë, është se ligjërimi është i tëri, në të gjitha nivelet, një kombinim i shtresuar rregullash, të cilat edhe e mundësojnë; dhe janë pikërisht rregullat, ose “domosdoshmëria”, që e lejojnë subjektin e ligjërimit – të themi “poetin” – të shprehet në një mënyrë të caktuar, duke e realizuar veprën e tij në formë artistike.
Po ç’u bë me lirinë këtu? Përgjigjja kësaj pyetjeje varet nga përkufizimi që i japim lirisë – sepse përtej “njohjes së domosdoshmërisë” kemi edhe lirinë si “mungesë pengesash” – dhe këtu disiplinën gramatikore të ligjërimit vështirë të mos e shohësh si një sistem koercitiv, ose një tërësi të organizuar pengesash. Madje deri në atë shkallë, sa gjuha të detyron të thuash disa gjëra, edhe kur ti si folës nuk do të doje: vargu më sipër, “një zok të bukur zuri një djalë” na detyron ta vendosim ngjarjen në të shkuarën, nëpërmjet kohës së foljes zuri; dhe sidoqë ta ndryshojmë këtë folje, nuk mund të mos e vendosim narrativën përkatëse në kohë – që mund të jetë e tashme, e shkuar ose e ardhme. Gjuha nuk na e jep, si të thuash, lirinë për të mos e specifikuar kohën se kur ndodh ngjarja që po rrëfejmë, në atë masë që jemi të detyruar të përdorim folje (teknikisht, kallzues). Përkundrazi, ka gjuhë ku, nëpërmjet formash foljore specifike, mund të specifikojmë nëse këtë që po themi e kemi dëshmuar vetë, apo na e kanë thënë të tjerët; ndërsa shqipja, që nuk e ka këtë mënyrë të foljes, na lejon të mos angazhohemi detyrimisht hapur me vërtetësinë.
Nga sa më lart, mund të nxjerrim dy përfundime, gjithnjë të shpejta: (1) që gjuha na imponohet si sistem pengesash dhe (2) që liria në gjuhë nuk është aq spontane, sa ç’është disiplina dhe nevoja për t’iu nënshtruar rregullave. Dhe, në fakt, është vënë re prej kohësh nga dijetarët që kjo liri vjen e shtohet, sa më lart që të ngjitemi në nivelet e organizimit të thënies – meqë vetëm ashtu, tek e fundit, mund të themi diçka më tepër ose diçka të ndryshme nga ç’është thënë deri më sot.
Se si ndikon gramatika në organizimin e mendimit, kjo çështje i tejkalon caqet e trajtesës së tanishme; le të themi se kategori të tilla si ajo e gjinisë (mashkullore, femërore) ose e numrit (aritmetika, matematika) ose e kohës foljore (e shkuar, e tashme, e ardhme) ose e përemrit vetor (unë, ti, ne) janë në themel edhe të filozofisë, të logjikës, të epistemologjisë e kështu me radhë. Nëse ndikimi i gramatikës në mendim ka edhe natyrë ideologjike, kjo ende do të meritonte hulumtim të thellë.
Në çdo rast, ato ideologji dhe ato sisteme që kërkojnë të imponohen duke kufizuar lirinë e fjalës të subjekteve (shtetasve, nënshtetasve, besimtarëve) nuk e bëjnë këtë drejtpërdrejt nëpërmjet gramatikës, madje edhe po të pranojmë se studimi i gramatikës së gjuhës amtare në shkolla – një kolonë ende peshëmbajtëse e sistemit arsimor në Perëndim – i trajnon mendjet e fëmijëve me nocionin e disiplinës dhe të nënshtrimit ndaj rregullave.
Ndodh diçka tjetër: ideologjitë e marrin gramatikën si model, sepse joshen nga mënyra si e ushtron kjo koercionin ndaj folësve; ose natyrshmëria e saj, fakti që folësit përgjithësisht nuk e ndiejnë koercionin gramatikor kur flasin, të paktën kur flasin në gjuhën amtare. Do të thoshim, në këtë rast, se gramatika – si tërësi rregullash që qeverisin produksionin dhe recepsionin gjuhësor – është e vendosur në pavetëdije (kompetenca gjuhësore, në kuptimin që i jep kësaj Chomsky, është e pavetëdijshme – edhe pse jo në kuptimin mirëfilli psikanalitik të pavetëdijes). Suksesi absolut i koercionit gramatikor i ka rrënjët pikërisht te natyra e pavetëdijshme e rregullave. Që këtej, ideologjitë do të ëndërronin sisteme të produksionit të ligjëratës të tilla që të përfshinin, në një nivel më të lartë se gramatika, një kompetencë ideologjike të caktuar, po aq të pavetëdijshme sa gramatika. Nëse kjo do të realizohej, atëherë liria e shprehjes, në kuptimin që kjo ka si e drejtë njerëzore themelore, nuk do të ekzistonte fare.
(vijon)
Mjaft interesant ky paragraf: “…Që këtej, ideologjitë do të ëndërronin sisteme të produksionit të ligjëratës të tilla që të përfshinin, në një nivel më të lartë se gramatika, një kompetencë ideologjike të caktuar, po aq të pavetëdijshme sa gramatika. Nëse kjo do të realizohej, atëherë liria e shprehjes, në kuptimin që kjo ka si e drejtë njerëzore themelore, nuk do të ekzistonte fare…”
Nuk e di nese problemi mund te shihet (kete here me nje fare optimizmi) nga perspektiva e bregut tjeter, po qe se e kam kuptuar drejt. Pra meqe praktikisht nje kompetence e tille “sublimimi” eshte e pamundur nga ana e ideologjive (te pakten kjo eshte verejtur deri tani me ideologji te tilla si nazizmi dhe komunizmi), “pavetedijshmeria” e gramatikes, jep shenja qe mund te rreshtohet si nje mjet, si një marqueur qe me kohe nxjerr ne pah “patologjine”, a “veset” e ideologjive, papajtushmerine e tyre me nje sistem aq te natyrshem e delikat siç eshte gjuha, me vete natyren njerzore ne fund te fundit.
Tani me duket se parashtrimi im qe i tepert. Te Shqipja totalitare dhe te libri i fundit, autori shkrimit tamam kete ka bere. Thene ndryshe, ka qemtuar shenjat e dhunimit te gjuhes, per te gjetur poshte tyre gjurme te “nofullave prej gize” te ideologjise.
,