Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

DHJETË MARIFETE TË SIGURTA PËR T’U BËRË AUTOR KLASIK

nga Giulio Mozzi

përktheu: Arben Dedja

[Ky artikull është botuar në vibrisse më 8 maj 2015]

  1. Mbiemri “klasik” donte të thoshte, në ato fillime, “i klasës”, ose që i përkiste “klasës” për antonomazi: më e kamura e gjashtë klasave në të cilat Servio Tullio kish ndarë, në bazë të pasurisë, pra kapacitetit për të paguar taksat, popullsinë romane. Jashtë “klasave” kishim “proletarët”. Në një pjesë – të stërcituar – të Noctes Atticae (libri XIX, paragrafi 8), Aulo Gellio për herë të parë (me sa dimë) e përdor fjalën duke iu referuar shkrimtarëve: këndej “scriptor classicus”, andej “proletarius”. Në daçi të bëheni “klasikë”, pra, e kuptoni vetë ju me cilët duhet të shoqëroheni.
  2. E mirë de mirë, është etimologji popullore: por ka shumë që “klasikë” quajnë shkrimtarët që i lexojmë “në klasë”. Në daçi të bëheni “klasikë”, pra, bëni kujdes në marrëdhëniet tuaja me ministrinë, drejtorët e shkollave, inspektorët, mësuesit, punonjësit e bibliotekave, e soj e sorollop.
  3. “Klasik”, le t’i lëmë mënjanë polemikat e shekujve të shkuar, mbahet akoma shumë shpesh si i kundërt me “romantik”; dhe personifikimi i “romantikut”, dihet, është bohémien-i. Kështu që, në daçi të bëheni “klasikë”, kujdesuni për pamjen e jashtme; silluni mirë; dhe, ç’është më e rëndësishmja, vidhjuni vdekjes nga veremi në një papafingo të Montmartre-it.
  4. T. S. Eliot-i mbronte tezën (nuk më kujtohet mirë se ku: po eci me tahmin) që nuk ka “klasikë” pa një perandori. Në daçi të bëheni “klasikë”, pra, zgjidhni një “perandori”, ose një institucion të rëndësishëm apo një vlerë të lartë idealesh (more vesh: komunizmin – por është demode –, krishtërimin, antikrishtërimin, tifozerinë juventine, beatles-ianët etj.) ku t’i gjeni vend vetes dhe të dini kujt t’i drejtoheni.
  5. Një fjalë bajate (por që gjen të një mendjeje, sa për të përmendur një emër, edhe vetë Charles de Sainte-Beuve-in) thotë që ata që sot na duken si “klasikë” në lule të moshës kanë qenë “revolucionarë” apo “skandalozë” (ai merr si shembull Molierin). Në daçi të bëheni “klasikë”, me pak fjalë, duhet të llogarisni mundësinë e një revolucionarizimi adekuat, i aftë që të bëhet, në një hark të caktuar kohor, konservatorizëm adekuat.
  6. Një tjetër fjalë bajate thotë që “klasikë” janë ata libra që “nuk lexohen: rilexohen”. Në daçi të bëheni “klasikë”, pra, përpilojini veprat tuaja në mënyrë të tillë që të rezistojnë – jo pse të errëta, por më shumë për kthjelltësi të tepruar: “klasiku” shpesh identifikohet me “apolonianin” – ndaj një kuptueshmërie të menjëhershme. Në çdo lexim lexuesi duhet të perceptojë praninë e një mbetjeje, të diçkaje që leximi pasardhës do të mundte, ndoshta, t’ia falte.
  7. Në qoftë e vërtetë analiza e “lëmit letrar” që propozon Pierre Bourdieu-ja te Les Régles de l’art, duhet të keni parasysh që të fituarit në të ardhmen e statusit të klasikut, domethënë e një pushteti maksimal në lëmin letrar, lidhet ngushtë me të qenit i emargjinuar në kohën e tanishme në lëmin ekonomik. Ose: në daçi të bëheni “klasikë”, duhet t’i nënshtroheni varfërisë; t’i kundërviheni pasurimit (sidomos tuajit); ta përçmoni paranë e poshtër; të parapëlqeni darkën e përkorë me një lexues tuajin të vërtetë ndaj shkëlqimit bosh të çmimeve letrare; e kështu e kështu. (Mos u hiqni edhe aq freak, ama: shih pikën 3).
  8. Dihet që librat “klasikë” janë të bukur, por të mërzitshëm: një roman i bukur që të zbavit do të mbetet për jetë të jetëve “roman i bukur që të zbavit”, pa u bërë dot kurrë “klasik” (doni një shembull? Konti i Montekristos). Në daçi të bëheni “klasikë”, pra, duhet të mbani për moto frazën e famshme që e mendoi (por nuk e tha) don Abbondio-ja teksa Kardinali i çante veshët: “Njeri i shenjtë! Po ç’torturë!” (Të fejuarit, kapitulli XXVI).
  9. “Klasikët” janë “model”: jo vetëm për ndjekësit, por edhe për ata që, ndër brezat e ardhshëm, do t’i bëjnë hasha (po të më teket ta kundërshtoj X-in, X-i prapëseprapë do të jetë vendimtar në atë çka bëj) apo do të rreken t’i tejkalojnë (“xhuxha mbi supet e gjigantëve”). Në daçi të bëheni klasikë, pra, kujdesuni të pajiseni me modele: nuk ka “klasik” vetmarak, por të gjithë “klasikët” gjenden të vendosur në një fluks universal vazhdimësie.
  10. “Klasik” bëhesh, kjo dihet, pas vdekjes: o burra, pra, përgatituni të vdisni.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin