Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

MUZG (nga SAKI)

marrë nga vëllimi Beasts and Super-Beasts (1914)

përktheu Arben Dedja

Norman Gortsby u ul te një stol i Hyde Park-ut, me shpinën të kthyer nga një lëndinë e mbuluar me gëmusha, kufizuar anash nga hekurat rrethuese të parkut dhe me fytyrën nga Row-i dhe shëtitorja e gjerë e karrocave. Hyde Park Corner-i, me trafikun dhe buçimën e borive, ndodhej në të djathtë. Ishte ora gjashtë e tridhjetë e një mbrëmjeje fillim-marsi dhe muzgu kish rënë sakaq përmbi skenë, i zbutur nga vegimi i hënës dhe fenerët e rrugës. Shëtitorja dhe trotuaret qenë krejt bosh, porse kish plot figura të shpërfillura që lëviznin heshtazi në mugëtirë ose uleshin aty-këtu si pa u ndjerë mbi karrige e stola, gati të padukshëm në hijet e errëta që i mbështillnin.

Gortsby-it kjo skenë i pëlqente, i shkonte gjendjes së tij shpirtërore. Sipas tij, muzgu ishte ora e të mundurve. Burra e gra, që kishin luftuar e humbur, që rrekeshin ta fshihnin nga sytë e kureshtarëve fatin e mbrapshtë dhe shpresat e kota, dilnin në këtë orë përhitjeje, kur askush nuk i njihte dhe rrobat e ngëna, shpatullat e rëna dhe vështrimi i trishtuar mund të kalonin të pavënëre.

 

Një mbret të mundur me habi e shohin,

ç’e hidhur gjë qenka zemra e njeriut.

 

Endacakët e muzgut nuk donin shikime të habitura ngulitur përmbi ta, ndaj vërtiteshin si lakuriqë nate, duke kërkuar trishtueshëm të dëfreheshin në një vend argëtimi të zbrazur ndërkaq nga përdoruesit e ligjshëm. Matanë shqytit mbrojtës të gëmushave dhe kangjellave dallohej një vazhdë dritash farfuritëse dhe trafiku të zhurmshëm e të vërtikshëm. Rreshta një mbi një dritaresh flakëritëse shkëlqenin në muzg duke e zbutur terrin dhe duke nxjerrë në pah strofullat e të tjerëve, të atyre që dinin të mbroheshin në luftën e jetës ose që, sidoqoftë, nuk e pranonin ende të ishin mundur. Kësisoj fantazia e Gortsby-t i vizatonte gjërat, teksa rrinte i ulur mbi stolin përgjatë shëtitores thuajse të shkretë. E llogariste edhe ai veten te të mundurit. Nuk kish probleme parash; të desh, mund edhe të bareste nëpër bulevard, mes dritave dhe zhurmës, mes radhëve bërryltare të atyre që i gëzoheshin mirëqenies ose luftonin për ta arritur. Kishte dështuar në një ambicie më të hollë dhe, dora-dorës, me zemër të shituar dhe të zhgënjyer, seç ndjente një si ëndje cinike tek vështronte dhe klasifikonte byrazerët e tij bredharakë të shkonin në punë të vet nëpër ravat e errëta mes fenerëve të rrugës.

Në stolin përbri u ul një i moshuar që kish në sy një hije të venitur sfide, ndoshta e vetmja gjurmë respekti për veten e një individi që kish reshtur së sfiduari me njëfarë rezultati gjithçka e gjithkënd. Rrobat e tij nuk mund të quheshin dosido ose, së paku, në atë gjysmerrësirë e kalonin provimin, por as fantazia më e ndezur nuk do të mund ta shihte duke blerë një kuti çokollatë për gjysmë korone ose duke harxhuar nëntë grosh për një karafil për t’u vënë në thile. I përkiste pangatërrueshëm asaj orkestre virane nën muzikën e së cilës nuk kërcen kush; ish prej atyre që ankohet pa bërë të rrjedhë qoftë një pikë loti në faqen e atij që e dëgjon. Kur tjetri bëri të ngrihet, Gortsby imagjinoi kthimin e tij në një rreth familjar që e qortonte dhe e linte pas dore ose në ndonjë strehë tërë igrasi, ku pagesa e përjavshme e qirasë modeste ishte fillimi dhe fundi i interesit rreth tij. Ajo figurë e zbythur u largua ngadalë, e gëlltitur nga hijet dhe vendin ia zuri shpejt një djalosh i veshur këndshëm, por me humor jo më të mirë se parardhësi. Si për të nënvizuar faktin që bota po sillej keq me të, tek plandosej në stol, i sapombërrituri shau zëlartë dhe rëndshëm.

“S’qenkeni me të mira” tha Gortsby, duke kujtuar që ai tipi e priste një reagim.

I riu iu kthye me një vështrim të një çiltërsie aq çarmatosëse, sa e vuri menjëherë në beh.

“As ju s’do të ishit, të kishit hallin që më ka zënë” tha. “Kam bërë budallallëkun më të madh të jetës.”

“Ashtu?” tha Gortsby, ftohtë.

“Mbërrita sot pasdite dhe shkova në Patagonian Hotel të Berkshire Square-it” vazhdoi djaloshi; “por kur erdha aty zbulova që e kanë shembur ka ca javë dhe në vend të tij po ndërtojnë një kinema. Shoferi i taksisë më këshilloi një hotel tjetër aty pranë, ku vajta. U nisa letër të mijve për t’u kumtuar adresën e re dhe pastaj dola për të blerë një sapun – pata harruar të marr me vete dhe i kam zët sapunët e hoteleve. Shpiva ca këmbët vërdallë, mora një drink në bar, u hodha nga një sy vitrinave dhe, kur vendosa të kthehem, u ndërgjegjësova që nuk më kujtohej më as emri i hotelit, as rruga. Bela e madhe për dikë që nuk ka as miq e as të njohur në Londër! Natyrisht, mund t’u shkruaj të mijve për të mësuar adresën, por letrën time do ta marrin nesër; ndërkaq jam pa një dyshkë; kisha marrë me vete një shilingë që vajti për sapunin dhe drink-un, dhe ja ku jam tani duke u endur me vetëm dy kacidhe në xhep e pa një strehë për të kaluar natën.”

Në fund të rrëfimit bëri një pauzë kuptimplotë. “Do të mendoni se ju kam molloisur një përrallë krejt të pagjasë” tha shpejt e shpejt djaloshi, me një nuancë prekjeje në zë.

“Jo krejt e pagjasë” tha Gortsby me ton kritik; “më kujtohet që më ka ndodhur edhe mua njëherë, në një kryeqytet të huaj, isha vetë i dytë, bile, gjë që e bën gjithçka akoma më absurde. Për fat, na erdhi ndër mend që hoteli ndodhej buzë një si punë kanali dhe, me ta gjetur kanalin, mundëm të gjejmë edhe rrugën e kthimit.”

Djaloshit i ndriti fytyra. “Në një qytet të huaj nuk do ta kisha edhe aq problem” tha; “do të shkoja menjëherë te konsulli për ndihmë. Kurse në vendin tënd ndjehesh krejt i braktisur po të zuri ndonjë telash. Veç në mos hassha në ndonjë burrë për së mbari që ta besojë historinë dhe të më huajë pak para, ka shumë gjasa që do të më duhet ta kaloj natën në Mol. Gjithsesi, jam i kënaqur që nuk e gjykuat skandalozisht të pabesueshme çka ju tregova.”

Në fund të komentit shtoi një dozë të mirë ngrohtësie, si duke hedhur fjalën që Gortsby-it nuk i mungonin vetitë e një bujari.

“Sigurisht” tha Gortsby ngadalë, “pika e dobët e gjithë kësaj historie qëndron bash në faktin që s’ma tregon dot sapunin.”

Djaloshi bëri të ngrihet, filloi të rrëmojë nxitimthi xhepat e pardesysë, pastaj brofi në këmbë.

“E paskam humbur” belbëzoi me inat.

“Të humbësh hotel dhe sapun në një dorë të vetme të bën të mendosh për një pakujdesi me dashje” tha Gortsby, por djaloshi nuk priti të dëgjonte komente të tjera. U vërsul drejt shtegut, ballëlartë, me një mospërfillje sto zori.

“Gjynah” tha Gortsby, thellë në mendime “të dalët për të blerë sapun ishte i vetmi detaj bindës i krejt historisë, e pra qe pikërisht ky detaj që e vuri në krizë. Të kish pasur idenë brilante të fuste në xhep një kallëp sapun të mbështjellë dhe të zbukuruar me merakun e një shitësi parfumerie, do ta quaja gjeni, në llojin e vet. Sigurisht, te njerëz si këta gjenialiteti qëndron te kujdesi i pafund për të marrë çdo masë paraprake.”

Me këtë mendim në kokë, Gortsby u çua të ikë dhe, tek bënte përpara, lëshoi një klithmë. Përdhe, ndanë stolit, pa një pako të vockël vezake, mbështjellë e zbukuruar me merakun e një shitësi parfumerie. S’mund të ish tjetër pos një kallëp sapuni, që me sa duket i kish kërcyer nga xhepi i pardesysë djaloshit, kur qe plandosur në stol. Një çast më vonë Gortsby përshkonte me çap çmendak shëtitoren e mbështjellë nga muzgu, duke hedhur rreth e rrotull sytë me padurim, në kërkim të figurës djaloshare me pardesy të çelët. Pothuaj ishte dorëzuar kur e shqoi objektin e vet të ndjekjes të nguronte në cak të shëtitores së karrocave, siç duket mëdyshas për të vazhduar mespërmes parkut apo për t’u drejtuar kah sokakët plot gjallëri të Knightsbridge-it. Kur dëgjoi Gortsby-in ta thërriste, u kthye prerazi, me pamje armiqësore.

“Prova kryesore për vërtetësinë e historisë suaj doli në dritë” tha Gortsby, duke i tundur para sysh kallëpin e sapunit; “duhet t’ju ketë rënë nga xhepi kur u ulët; e gjeta përtokë. Ju kërkoj ndjesë për keqbesimin, por shenjat i kishit të gjitha kundra dhe, meqë tani iu apelova dëshmisë së sapunit, do të më duhet ta pranoj vendimin. Nëse t’ju huaj një lirë të artë mund t’ju shërbejë –”

Djaloshi nxitoi t’i heqë çdo dyshim duke e futur monedhën në xhep.

“Kjo është kartvizita ime me adresën” vazhdoi Gortsby; “mund të m’i ktheni paratë në çfarëdo ditë të kësaj jave. Ja edhe sapuni – mos e humbni prapë, e paskeni mik për kokë.”

“Çfarë fati që e gjetët” tha djaloshi dhe, pastaj, me një zë të këputur, belbëzoi një si punë falenderimi dhe u turr në drejtim të Knightsbridge-it.

“I gjori djalë, nuk është në vete” ia bëri Gortsby. “S’kam pse habitem; do të jetë ndjerë aq i lehtësuar. Për mua është një mësim i mirë, nuk duhet të jem shumë i rreptë për t’i gjykuar njerëzit nga dukja.”

Teksa kalonte prapë përpara stolit ku qe zhvilluar drama e vogël, pa një zotëri të moshuar që hetonte aty poshtë dhe anash, me sa duket në kërkim të diçkaje, dhe njohu ortakun e parë që ish ulur pranë tij.

“Keni humbur ndonjë gjë, zotëri?” pyeti.

“Po, zotëri, një kallëp sapun.”

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin