Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

NJË ROMAN PER T’U LEXUAR

Elegant. Në stil, në rrëfim, në fabul, në strukturë. Romani “Habia” i shkrimtarit Dashnor Kokonozi, botuar nga Uegen, është vërtet elegant. Në kuptimin jo vetëm të shijes së hollë e mjeshtërisë në shkrim, por edhe në ndërtimin e ngjarjeve e të personazheve, sikurse në dialogët dhe reflektimet e tyre. Elegancë që e shoqëron lexuesin faqe pas faqe, kapitull pas kapitulli, pavarësisht se aty tregohen ndodhi dramatike, ndjenja turbulluese, dilema tronditëse, ankthe marrorëse; por edhe situata absurde e groteske, shpeshherë shoqëruar nga nuanca komike, fryt i një konteksti sa paradoksal aq edhe i njëmendtë. Ekuilibër i vështirë për t’u mbajtur në rrëfim, por i arritur falë thjeshtësisë e lehtësisë me të cilat përballohen historitë e personazhet, çka ofron edhe ndjesinë e qasjes diskrete ndaj dukurive njerëzisht tragjike.

Ngjarjet zhvillohen në Tiranën e totalitarizmit, ndërsa personazhet kryesore u përkasin familjeve që kanë të bëjnë me administratën shtetërore të asaj kohe. Gjithçka fillon me një ndodhi tragjikomike, ose të paktën kështu tingëllon nga lartësitë e së sotmes. Ministri njofton personelin e dikasterit se pritej të vinte për vizitë e t’i nderonte me praninë e vet Sekretari i Përgjithshëm i Partisë, i cili do të bënte një analizë të situatës e do të jepte këshilla për sektorin në vështirësi. Natyrisht lajmi pritet me entuziazëm e me duartrokitje në këmbë.

Në sallën e mbledhjes gjendet edhe Zoe Bendo, një nga nëpunësit e Ministrisë, i cili ndjek me vëmendje lëvizjet dhe fjalët e Sekretarit të Përgjithshëm. Ky i fundit fillon me tonin klasik moralist, por termat e para tregojnë qartë se po preken probleme serioze: neglizhencë, shpërfillje, riorganizim të punës. Leximi i fjalimit nga ana teknike është i përkryer. Toni i rëndë e dramatik, i ndërprerë nga duartrokitjet e rastit, shoqëron fjalimin në mënyrë të efektshme. Të pranishmit me kokë poshtë, të zhytur në mbajtjen e shënimeve, mbi blloqe e fletore, shkruajnë pa reshtur.

Të njëjtën gjë bën edhe Zoe deri në çastin kur provon një ndjesi të çuditshme, që e huton, gati e tremb, sepse shënimet rrjedhin vetë, duket sikur e paraprijnë fjalimin, derisa e kupton se gjithçka po dëgjon aty e ka shkruar ai vetë. Në fakt, ishte analiza e fundit ekonomike e nxjerrjes së mineraleve që ia kishin porositur pa i dhënë shumë shpjegime. Pas habisë së parë, i vjen për të qeshur kur kujtohet se kishte duartrokitur gjërat e shkruara nga ai vetë. Fut në xhep fletët, nuk mban më shënime dhe vijon ta admirojë tonin e shefit të madh, në gojën e të cilit fjalët merrnin tjetër vlerë. I duket sikur Sekretari i Përgjithshëm, herë pas here, shikon në drejtim të tij, por nuk e beson. Derisa ai e ndërpret fjalimin, ul letrat në tavolinë dhe i bën një pyetje nëpunësit, sa të thjeshtë, aq edhe të frikshme.

Nga ky moment e tutje fillon edhe ankthi i tmerrshëm i Zoes dhe i familjes së tij, që duhet të përballojë një shpatë të padukshme që i rri mbi kokë. Lexuesi që e njeh atë kohë e kupton rëndësinë e situatës, por ka mundësinë ta shijojë të shoqëruar me aspekte komike që dalin aty këtu papritur, si për t’i kujtuar se ngjarjet janë në thelb paradoksale e qesharake, pavarësisht pasojave dramatike.

Peripecitë e familjes Bendo, gruas e fëmijëve të rritur, shkojnë e ndërthuren me fate të tjera njerëzish, ku nuk mungojnë lidhjet e dashurisë dhe ndërlikimet e saj. Dashuria në kohërat e totalitarizmit, mund të titulloheshin disa pjesë të romanit, ku ndjenjat, lidhjet, tradhtitë, seksi, nuk trajtohen me nota epike, por me natyrshmëri e normalitet në një situatë që nuk ka asgjë të natyrshme e normale. Sepse pushteti dhe sistemi totalitar është vrimë e zezë, e padukshme në pamje të parë, por katastrofike në efektet e saj, kundrejt  planetëve dhe yjeve përreth.

Karakteret e personazheve shtjellohen gradualisht, në një mjedis kafkian, por pa teprime psikologjike. Galeria e tyre, sikurse fabula, pasurohet këndshëm me disa personazhe të dorës së dytë, nga pikëpamja filmike figurantë, por tejet të efektshëm për të riprodhuar mjedisin shoqëror. Poeti, banakieri, ministri, punonjësi i ministrisë së brendshme, fatorinoja, shoferi, hidrauliku, mjeku… Së bashku me përshkrimin e detajuar të jetës së përditshme të kryeqytetit të atëhershëm romani mbush atë çka i mungon historisë, e cila na jep data, ngjarje të rëndësishme, emra, por nuk na thotë asgjë për çka ndodhte pas perdeve të shtëpisë, pas dyerve të zyrave, përtej sjelljeve publikisht korrekte, brenda mendjes së njerëzve.

Romani i Dashnor Kokonozit na shpie në përditshmërinë e dikurshme, duke rrëfyer jo bëmat e pushtetit, por efektet e tij tek njerëzit e thjeshtë, jo ngjarjet e përplasjet historike, por pasojat e tyre tek ndjenjat e dashurisë, madje jo arrestimet e internimet, por frikën e ankthin që i pararend ato. Në një farë mënyre romani shpjegon anatominë e pushtetit duke treguar të padukshmen, sistemin ripërtëritës, se si virusi i totalitarizmit ndikon dhe e kushtëzon jetën deri në qelizë. Se si papritur njerëzve u rrëshqet toka nën këmbë, se si gjenden befas në rëra të lëvizshme, ku përpëlitja rrezikon t’i thithë më shumë, ku zbrazëtia sociale i rrethon dhe i vetmon pashmangshmërisht si “të prekur” nga një sëmundje ngjitëse vdekjeprurëse, duke i shtrënguar të luftojnë për mbijetesë.

Të numërosh ekzekutimet, dënimet, internimet, vetëvrasjet, është më e thjeshtë se sa të përshkruash pasojat njerëzore të tyre, por edhe frikën e një sistemi të llahtarshëm në mekanizmin e vet djallëzor, i cili e detyron njeriun në pritje të ankthshme, gjatë së cilës rreket dëshpërimisht të interpretojë sinjale, batuta, reagime, që vijnë me jehonë nga lart, nga Olimpi i pushtetit, ku zotat vendosin për fatin e vdekatarëve. Një frikë tjetërsuese e sfilitëse, sepse është më torturuese pritja se sa fundi vetë, por thelbi i së cilës duhet kuptuar deri në fund.  “Nëse nuk keni pasur ndonjëherë frikë në jetën tuaj, përpiquni të merrni me mend dhe respektoni frikën time”, thotë dikush në roman.

Megjithatë, aftësia e autorit është se na e sjell atmosferën asfiksuese të asaj kohe me një farë lehtësie, pa i hequr asgjë dramaticitetit e tensionit narrativ, madje duke përdorur nota tragjikomike që kanë një efekt çlirues tek lexuesi. Ngjarjet e personazhet vërtiten në një realitet të ndërkryer, ku veprojnë ligje gravitacionale krejt absurde e të palogjikshme, por që kanë kuptim vetëm në atë univers. E nuk është rastësi që ato përfundojnë pikërisht atje ku logjikja e normalja zakonisht pezullohen, por ku mund të arrihet qetësia shpirtërore, si çlirim nga frika.

Tema madhore e të vështira për t’u trajtuar, por romani i Dashnor Kokonozit ia arrin qëllimit me qasje elegante e të matur, duke na shkaktuar aty këtu refleksione, buzëqeshje, makth, por ndoshta edhe habi për faktin që aty pasqyrohemi ne, shoqëria shqiptare, e dikurshme por jo shumë e largët.

 

5 Komente

  1. Faleminderit z. Devole. Eshte kenaqesi t’i terheqesh vemendjen nje lexuesi te nivelit tend.

  2. URIME autorit, duke ja njohur deri diku gjuhen jam i bindur per suksesin.

  3. Koci, gjithsesi faleminderit prej teje, por sipas lajmeve te fundit qe vijne, gjithçka tregon se suksesi i nje vepre në Shqiperi varet nga nje numer i madh faktoresh (per kete nuk dyshon njeri), por (dhe kjo eshte e veçanta) ne to ne asnje rat nuk perfshihet e nuk ka asnje vlere puna që ka bërë autori me vepren e tij. Per te mirë a per të keq.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin