Disa prej jush do ta kenë lexuar një reagim të aktores dhe regjisores Sesilja Plasari ndaj çështjes së Teatrit, ku sugjeronte – pa dyshim në mënyrë metaforike – që kryeministri Rama të ekzekutohej me gijotinë.
Për këtë është folur tashmë gjerë e gjatë dhe nuk dua ta zgjat më tutje. Dua veç të vë në dukje se TemA, e cila e përcolli këtë shfryrje të Plasarit, e shoqëroi me një hyrje “redaksionale”, ku shpjegon mes të tjerash se GIJOTINA qenka:
“mekanizëm… që përdorej në të kaluarën dhe që përdoret ende në disa vende borgjeze për t’u prerë kokën atyre që dënohen me vdekje.”
Këtë “në disa vende borgjeze” kisha kohë pa e parë në shqipen publike, aq sa pothuajse kisha harruar se bota ka akoma vende borgjeze madje me disa syresh që përdorin ende gijotinën. Dhe më shkoi madje mendja se, ajo gijotina simbolike e Plasarit, po të vendosej te sheshi i Teatrit, mbase do t’i tregonte Europës se ishim bërë edhe ne “vend borgjez”; me ç’rast edhe sakrifica e ekzekutimit nuk do të shkonte as politikisht kot.
Pastaj e kuptova që TemA do ta ketë marrë përkufizimin e gijotinës nga fjalori.shkenca.org, një sajt që ka hedhur online Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, të vitit 1980: punë e lëvdueshme, por për një vepër që sot duhet gjykuar si me vlera historike më shumë se praktike.
Ka qenë tipike për atë Fjalor, që t’i shoqëronte përkufizimet e koncepteve me “bishta”, ku të shprehej qëndrimi revolucionar i leksikografisë shqiptare. Ja disa përkufizime karakteristike që gjeta:
PLURALIZËM: Doktrinë filozofike idealiste, sipas së cilës qeniet, sendet e dukuritë e botës kanë disa fillime dhe janë të pavarura e pa lidhje të brendshme ndërmjet tyre.
LIBERALIZËM: Shfaqje e oportunizmit ideologjik e politik, që në thelb mohon luftën e klasave në emër të «humanizmit» abstrakt, të «lirisë absolute» të individit, të një jete «të qetë» e «pa telashe» etj.; heqje dorë nga lufta klasore konsekuente kundër armiqve të jashtëm e të brendshëm, kundër njollave të shoqërisë së vjetër dhe ndikimeve të sotme të ideologjisë së huaj, pranim i bashkëjetesës paqësore me ideologjinë armike. Lufta kundër liberalizmit.
TALMUDIST: Njeri skolastik; njeri pedant.
KUBIZËM: Rrymë krejt formaliste e subjektiviste në artin dekadent e cila duke hequr dorë nga paraqitja reale e botës objektive, përpiqet, nëpërmjet figurash e formash të ndryshme gjeometrike (kubesh, katrorësh, trekëndëshash etj.), të japë skulptura e piktura të ngatërruara gjoja për të krijuar idenë e sendeve.
BURSË: Institucion financier e tregtar në vendet kapitaliste, ku kapitalistët ndjekin kursin e monedhave të arit, të aksioneve e të letrave të tjera me vlerë, luajnë me to dhe bëjnë marrëveshje financiare e tregtare për të nxjerrë fitime në kurriz të masave punonjëse dhe të njëri-tjetrit.
E kështu me radhë. Duke qenë Fjalori i 1980-ës pasqyrë dhe përmbledhje e përdorimeve të fjalëve shqipe në ligjërimin publik të kohës, disa nga këto përkufizime i përgjigjen realitetit, sa kohë që fjalët përdoreshin vërtet me ato kuptime.
TemA, që u referohet tani faqeve të një vepre ikonike të asaj faze të totalitarizmit kulturor në Shqipëri, dëshmon edhe ajo, në mënyrën e vet, kujdes për trashëgiminë kulturore të ngjashëm me atë të mbrojtësve të Teatrit, për ndërtesën përkatëse.
E megjithatë, me GIJOTINËN është kaluar kufiri: nuk ka nevojë të jesh “vend borgjez” për t’ua prerë kokat të dënuarve – edhe feudal do të mjaftonte; në kuptimin që nuk ka gjë “borgjeze” te gijotina dhe tek akti i ekzekutimit publik nëpërmjet ndarjes së një koke nga trupi përkatës. Madje, po të duam të jemi mendërisht pedantë, mund të shkojmë edhe më tej dhe të themi se vrasja nëpërmjet shkëputjes së kokës nga trupi parakupton një koncept materialist të jetës dhe të vetëdijes, duke e lidhur atë me trurin, si organ i mendimit dhe i “unit”. Përkundrazi, dënimi me varje, që shkakton vdekjen nëpërmjet asfiksimit, i mbetet besnik konceptit që e barazon shpirtin me “frymën”; aq sa, nga pikëpamja tradicionale, gijotina nuk është veçse një formë e tej-evoluar, ose groteske, e një makine torture.
Redaktorët e TemA-s duket se kanë harruar se Fjalori i 1980-ës, me gjithë pasurinë leksikore që përmban dhe virtytet e tjera, dokumenton sa gjuhën shqipe të kohës, aq edhe ideologjinë sunduese të totalitarizmit; aq sa të gjitha përkufizimet e termave me natyrë “delikate” nuk përdoren dot më, përveçse për të ilustruar se si i gjykonte këta terma dhe konceptet përkatëse aparati i propagandës i KQ dhe fiLLozofët e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste. Përndryshe, është mirë që të mbajmë parasysh se në Shqipërinë e atyre viteve, që nuk ishte “vend borgjez”, të dënuarit ekzekutoheshin me metodën burrnore dhe ushtarake të pushkatimit, kur nuk ekzekutoheshin me metodën tradicionale të varjes në litar.
© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Lutje lexuesve: kini mirësinë që të mos diskutoni, në komentet, për Teatrin dhe angazhimin e Sesilja Plasarit. Janë gjëra që kanë po aq lidhje me shkrimin lart, sa edhe një nudo e Modigliani-t me studion e një mjeku gjinekolog.
Dy ide më shkuan vetëtimthi në kokë kur e lexova përkufizimin e gijotinës duke ju referuar “vendeve borgjeze”.
Ndoshta i ndikuar nga fakti, që në gjuhën që flas përditë prej disa dhjetëvjeçarëve fjala “borgjeze” ka një informacion pak më ndryshe nga ai që i ngarkon shqipja totalitare dhe shërben për të treguar një kastë sociale të caktuar pa e paragjykuar keq moralisht. Madje “bügerlich” tregon një nivel më të lartë qytetërimi se ai i zakonshmi, mesatari. Asociimi i parë ishte, që në një shqipe të së ardhmes referimi tek “vende borgjeze” ishte bërë për të treguar, që “vende më të mira se ky i yni e përdorin gijotinën”; pra që në “një shoqëri normale dhe të emancipuar, si ato borgjeze; pra jo primitive dhe feudale/orientale, qytetarët i ndëshkojnë gabime ashtu siç duhet, pra me gijotinë, dhe nuk i lënë gjërat që të zvarriten apo të mbesin pa u ndëshkuar fare”. Pra “gijotina” është simbol i drejtësisë dhe i shtetit ligjor, që ne nuk e kemi.
Ideja e dytë që më shkoi në kokë ishte se në kohën e përpilimit të Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe të vitit 1980 kur i referohej “vendeve borgjeze” mbahej parasysh një realitet historik leninist i fillimshekullit të XX-të. Kjo lipset të ketë qenë pjesë udhëzimeve me natyrë ideologjike të kohës, që ishin me siguri determinative dhe çdo shmangie mund të të çonte në “gijotinë” (ne i kemi pas thënë “gijotinës” si mjet pune të referuar në aktualitetin e atëhershëm në mënyrë Majakovskiane “muri i bardhë”). Ky referim i detyrueshëm tek një periudhe historike leniniste për të shpjeguar “oksidentin” e viteve ’80 ishte në vetvete paradoksal, ngaqë dënimi me vdekje në perëndim ishte në zbythje në atë kohë. Pas Kartës së Helsinkit në vitin 1977 “vendet borgjeze” ishin ato evropiane, dhe pikërisht atje dënimi me vdekje ishte pothuajse i ndaluar/apo i pezulluar për ekzekutim kudo. Shtetet e Bashkuara të Amerikës në shqipen publike të asaj kohe nuk hynin edhe aq në kategorinë “borgjeze”, ngaqë SHBA përfaqësonin “imperializmin”, si faza me e lartë dhe e fundit e kapitalizmit. Borgjeze ishin Italia dhe Franca, Gjermania Perëndimore ishte ende naziste, Greqia ishte monarko-fashiste e këto të tjerat si Austria e Zvicra ishin pa ndonjë domethënie ideologjike për të cilësuar në ndonjë lloj forme. Pjesa tjetër e botës perëndimore nuk ekzistonte, ishte e bardhë.
Por ç’mund të kishte ndodhur në Institutin e Gjuhësisë sikur dikush në vitin 1977 në vijim të përpilimit të Fjalorit në fjalë të kishte prapësuar këtë formulim më pretendimin, se dënimi me vdekje në perëndimin aktual, pra në “boten borgjeze” nuk ka pothuajse asnjë domethënie konkrete aktual në kuptimin e procedurës penale për sa i përket ekzekutimit të dënimeve?
Do t’i kishin prerë kokën!