Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

PRIVATJA, PUBLIKA DHE TË PËRGJUESHMIT

Kur u bënë publike, në një gazetë gjermane (Bild) përgjimet e bisedave mes funksionarëve dhe enforcers të Partisë Socialiste, që linin të kuptohej – me gjasë – për shitblerje votash dhe parregullsi të tjera në zgjedhjet, shkrova se, edhe sikur përgjimet vetë të kenë qenë të autorizuara nga gjykata (gjë që mbetet për t’u konfirmuar), mënyra si u përdorën ishte në shkelje të së drejtave të njeriut dhe, për këtë arsye, edhe e kalbët në vetvete. Dhe siç edhe u konfirmua, ato publikime aq të dyshimta nuk luajtën asnjë rol në zgjedhjet e 30 qershorit, sikurse nuk bindën asnjë prej të huajve (të cilët ishin edhe targeti i tyre) që t’ia hiqte mbështetjen Ramës dhe qeverisë së tij. Operacioni rezultoi një fiasko – dhe i vetmi efekt i tij afatgjatë do të jetë që shitblerja e votës, e cila ishte edhe arsyeja e autorizimit të gjykatës për përgjime, do të mbetet tani e pandëshkuar dhe, në të ardhmen, do të bëhet me mënyra më të mbrojtura ndaj përgjimit.

Shpresa se përgjimi – i autorizuar ose i paautorizuar – mund të ndihmojë për të vendosur drejtësi i ka rrënjët te bindja irracionale se shoqëria më e drejtë është ajo që kontrollohet tërësisht prej ruajtësve të rendit (dhe se vetë drejtësia është produkt i mbikëqyrjes prej këtyre ruajtësve). Çfarë është, në fakt, një makth, një distopi nga më të konsumuarat: jeta ku sekretet nuk ekzistojnë, ku “ne nuk kemi asgjë për të fshehur”, ku tejdukshmëria është dekretuar virtyt. Këtë temë e gjej tani të trajtuar te një vepër e Milan Kunderës, Testaments Betrayed: An Essay in Nine Parts, HarperCollins 1995, pasazhe nga e cila po i sjell të përkthyera më poshtë.

Kundera tregon se çfarë i ndodhi shkrimtarit Jan Prochazka, figurë e rëndësishme e Pranverës së Pragës dhe që u vu nën vëzhgim të rreptë pas pushtimit rus të vitit 1968. Aso kohe Prochazka e kalonte kohën në shoqëri të një figure tjetër të opozitës, profesorit Vaclav Cerny, me të cilin kthenin ndonjë gotë dhe “i jepnin gojës.” Të gjitha bisedat e tyre, shkruan Kundera, u regjistruan fshehurazi dhe, një ditë në 1970 ose 1971, policia vendosi që t’i transmetonte si serial në radion publike, me synimin për të diskredituar Prochazka-n. Kjo taktikë pothuajse pati sukses, shkruan Kundera, në privat çdokush thotë gjithfarë gjërash, merr nëpër gojë miqtë e vet, përdor gjuhë të rëndë, thotë budallallëqe, tregon barceleta të ndyra, përsërit veten, e bën tjetrin të qeshë duke i thënë gjëra skandaloze, hedh ide heretike që nuk do t’i kish pranuar kurrë në publik, e kështu me radhë. Natyrisht, shkruan Kundera, ne sillemi të gjithë si Prochazka dhe, në biseda private, përgojojmë shokët tanë dhe përdorim gjuhë kuajsh; në fakt, ne sillemi në privat ndryshe nga ç’sillemi në publik. Dhe pikërisht kjo është baza e jetës së individit – pa çka se si fakt mbetet i pavetëdijshëm, i papranuar, gjithnjë i errësuar nga ëndrrat lirike të shtëpisë së tejdukshme prej qelqi dhe rrallëherë i vlerësuar si vlera që duhet mbrojtur përtej çdo vlere tjetër. Kështu, vetëm me kalimin e kohës filluan njerëzit ta kuptojnë (por duke u revoltuar edhe më fort) se skandali nuk ishin muhabetet e çartura të Prochazka-s, por përdhunimi që i ish bërë jetës së tij; sikurse të kuptojnë (gati, si pas një goditjeje elektrike) se privatja dhe publikja janë, në thelb, dy botë të ndryshme dhe se respekti për këtë diferencë është kushti i domosdoshëm, sine qua non-i, që njeriu të jetojë i lirë; dhe se perdja që i ndan këto dy botë nuk duhet prekur dhe se ata – fanatikë ose oportunistë – që i grisin perdet janë kriminelë.

Kur mbërrita në Francë nga ajo Çekosllovaki e mbushur mikrofonash, vazhdon Kundera, pashë në një kopertinë reviste një foto të madhe të Jacques Brel-it, duke fshehur fytyrën nga fotografët që e kishin gjetur mu përpara spitalit ku po merrte trajtim për kancer të avancuar. Befas ndjeva se kisha ndeshur të njëjtën të keqe që më kish bërë të ikja nga vendi im, thotë ai; transmetimi i bisedave të Prochazka-s dhe fotografimi i një këngëtari të sëmurë për vdekje, që fsheh fytyrën e vet, i përkisnin së njëjtës botë; dhe unë thashë me vete se, kur të bëhet zakon dhe rregull që jeta private e një personi të bëhet publike, do të hyjmë në një epokë kur mbijetesa e individit të vihet mirëfilli në rrezik, përfundon Kundera.

Kur po i përktheja këto rreshta, gati-gati po i dëgjoja disa të kërcenin përpjetë: “Nuk është e njëjta gjë! Çfarë lidhje ka! Ata (enforcer-ët e PS-së) po shkelnin ligjin!” – pa e kuptuar se shkeljet e një të drejte duken gjithnjë më të arsyeshme, më të përligjura, kur bëhen në emër të transparencës ndaj një kundërvajtjeje, një krimi ose një padrejtësie. Ka njerëz që nuk i japin rëndësi dallimit midis një krimi që duhet ndëshkuar sipas ligjit dhe metodës që është ndjekur për ta zbuluar krimin (dhe mënyrës si ndëshkohet pastaj krimi). Sikurse ka njerëz edhe që nuk e kuptojnë se krimi – çdo krim – nuk mund të kryhet jashtë një kuadri ligjor të caktuar, i cili e përcakton si të tillë. Unë nuk i kuptoj këta njerëz, të cilët më duken gjithnjë të bezdisur nga respekti për të drejtat qytetare. Dhe sidomos, nga respekti për të drejtat e atyre qytetarëve të cilët janë objekt i zemëratës kolektive, zakonisht të nxitur nga mass mediat.

Këto të fundit, dhe po flas për Shqipërinë, kanë synuar dhe mbase edhe arritur ta normalizojnë, në sytë e atyre që i ndjekin, shkeljen sistematike të kufirit midis privates dhe publikes, ose grisjen e asaj perdeje të paprekshme, për të cilën flet Kundera. Ngado që të kthehesh dëgjon dhe lexon për dokumente dhe dosje të zbardhura, letra dhe foto private të vjedhura dhe të botuara pastaj në faqen e parë, përgjime të autorizuara dhe të paautorizuara, por gjithsesi të bëra publike ilegalisht; aq sa të duket sikur misioni (sublim) i mediave është që ta informojnë publikun pikërisht për çfarë ndodh në jetët private të personave publikë; ose për ta indinjuar publikun sa herë që zbulohet një kontrast, një kontradiktë, një mospërputhje flagrante midis fytyrës publike të një personazhi (edhe kjo e pompuar nga media, me metoda gati hagjiografike) dhe fytyrës private; gjithnjë me presupozimin se njeriu e tregon fytyrën e tij “të vërtetë” në privat, ose larg syve të botës. Çfarë edhe bën më të lehtë për t’u justifikuar pastaj: e kallëm kamerën në vrimën anale të atij tipit, sepse “na intereson e vërteta”. Çfarë edhe vjen me një presupozim të dytë, po aq të hatashëm sa i pari: gjithçka ndodh dhe thuhet në publik është e skriptuar dhe, prandaj, e rreme.

Dhe këtu çështja nuk është tek efekti i publikimeve të “Bild-it” ndaj individëve të inkriminuar dhe ndaj politikës së Tiranës në përgjithësi; por te efekti i kësaj mënyre informimi në vetëdijen e çdo qytetari në Shqipëri dhe në masën e përjetimit të lirisë individuale nga gjithkush. Përndryshe, çdo përgjim i sotëm përkthehet në një masë e shtuar sigurie nesër – dhe kriminelët e shkelësit e ligjit janë të parët që arrijnë t’i rikrijojnë hapësirat e tyre private. Përkundrazi, mediat që rendin “për të kryer detyrën”, madje duke iu zëvendësuar institucioneve që duhej të kujdeseshin për informacione të tilla, rrahin të na shndërrojnë të gjithë ne në përgjues e në voyeurs, spektatorë të paftuar të jetës së të tretëve. Ky rol mund të jetë gjithçka, përveçse ai i qytetarit; aq më tepër kur përgjuesit i kërkohet të harrojë a të mos e vërë re se edhe atë vetë po e përgjojnë, dhe se e njëjta dorë që e çjerr perden e privatësisë të X-it apo Y-it, nuk do të ngurrojë t’ia çjerrë perden edhe atij; dhe se, e vetmja arsye që atë e lënë rehat, është se ai, si individ, nuk ngre peshë për sistemin, është i parëndësishëm, tendencialisht zero, një palë sy dhe veshë anonimë në galeri. Çfarë është mbase e kundërta e asaj që i njeh qytetarit kushtetuta.

Dhe atyre që sërish do të më thonë “po ata po na vidhnin votën”, do t’u përgjigjem vetëm kështu: një shoqëri që nuk e pranon se respekti për individin si subjekt i lirë vjen para aritmetikës së votave dhe “demokracisë”, kot e ka që luan elektoralçe: sido që t’i bëjë zgjedhjet, prapë këto do të katandisen në skllevër që votojnë për padronët, pasi të kenë shijuar të gjitha hollësitë e mundshme të jetës së tyre private.

 

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

14 Komente

  1. Dakord per ceshtjen e privatesise, por vetem nja dy gjera qe me duket se nuk sqarohen ne shkrim:

    Cfare ka private ne nje bisede telefonike mes kryeministrit dhe nje funksionari te angazhuar ne procesin elektoral te cilet flasin per zgjedhjet? (flas per pjesen e zbardhur sepse patjeter qe mund te kene pjese private).

    Ku bazohet hipoteza se zbardhja e pergjimeve dhe deshtimi i tyre si operacion politik do te coje ne mosndeshkimin e vjedhjes se votes? (ne nje sistem me gjyqesor te pavarur dhe hetim po ashtu te pavarur veshtja eshte perhere potencialisht e trajtueshme- a nuk duhet qe prokuoria te kishte vepruar qekurse disponoi pergjimet qe mandej te mbyllte rrugen e kesaj loje?)

    Une banoj ne Shqiperi, por eshte e udhes qe kur trajtohen gjera te tilla mendoj une, te vihet ne krahasim si trajtohen situata te tilla ne Perendim? (edhe ne draftin e fundit te qeverise shqiptare per mediat garantohet sekreti i burimit te informacionit, pra premisa e publikimit te skandaleve te ketilla)
    Me aq sa kam lexuar, mediat ne ShBA i publikuan Donald Trump edhe audiopergjime te kohes kur ai ka qene biznesmen i lire ne jeten e tij e ku fliste per femrat ne menyre te papershtatshme.

    Shkurt: Duke pranuar se perpjekja e PD-se ishte e destinuar te deshtonte dhe udhehiqej nga deshperimi, nuk kuptoj se ku pergjimet kane prekur sferen private te Damian Gjiknurit, Ymer Lales dhe Edi Rames ne kuptim te materialit te publikuar?

    ***

    Dhe këtu çështja nuk është tek efekti i publikimeve të “Bild-it” ndaj individëve të inkriminuar dhe ndaj politikës së Tiranës në përgjithësi; por te efekti i kësaj mënyre informimi në vetëdijen e çdo qytetari në Shqipëri dhe në masën e përjetimit të lirisë individuale nga gjithkush. Përndryshe, çdo përgjim i sotëm përkthehet në një masë e shtuar sigurie nesër – dhe kriminelët e shkelësit e ligjit janë të parët që arrijnë t’i rikrijojnë hapësirat e tyre private…

    Kjo eshte sfide e mbare shoqerise me mjetet e sotme te komunikacionit mjafton te shohesh rastin e gjobes ndaj Facebook. Nga ana tjeter keto ishin pergjime te autorizuara ne rruge zyrtare pas nje padie te PD-se, edhe pse sipas pretendimeve te PS-se prokuroria ka ndryshuar objektin e padise. Por kjo eshte ceshtje ligjore. Ky perkufizim nuk mendoj se vlen per kete rast edhe nese do ta vendosim ne kontekstin e demit qe sjell “kultura e pergjimit”. Ky perkufizim do te vlente per ato qe bejne emisionet investigative te cilave nuk u ushtrohet kontroll sesi montojne, se cfare kane shkelur, apo sesi veprojne. Por per kete kerkohet padi nga qytetari i demtuar. Sa per z. Rama dhe shpuren e tij, te kapur ne pergjime, te vjen ndermend ajo qe thoshin per Carlo Gambinon, te cilit nuk i kapen asnje bisede apo pohim edhe pse i kishin vene nen pergjim shtepine, sepse ai per cdo pyetje pohonte apo mohonte me gjeste.

    Mjerimi ketu nuk eshte te akti ne vetvete qe thjesht sa ilustroi ate qe dihet boterisht ne nje Shqiperi ku behet deputet Mark Frroku dhe Armando Prenga. Mjerimi qendron tek opozita qe eshte shnderruar vete ne portal investigativ. Sigurisht qe do kapitalizoje klikimet, por jo leximet. U pa kjo qe me stisjen e ceshtje Doshi-Meta…

  2. Kam idene se merresh shume me popullin dhe pak me pergjegjesit qe duhen te ishin filtri i cdo marrezie para se te dilte ne publik. Privacy eshte nje vlere post-moderne per shoqeri te tilla, jo per ate njeri nga provinca qe degjon ulerimen e komshiut naten se mureve u mungon izolimi, apo kureshtja nuk e le te flere e te nesermen c’degjon ka gjasa ta kthej ne kapital. E masa e ketyre eshte aq e madhe ne fshat sa nuk mund te kritikoj veten.

    Privacy mund te jete vlere per ata qe i kane vendosur pasurite pikerisht duke shantazhuar, vjedhur e grabitur lirine e te tjereve, se kercenohet pikerisht nga mjetet e veta. Si viktima te kaluara apo te ardhshme na mbetet vetem Schadenfreude kur fajtoret apo te ngjashmit behen viktima te ketyre fushatave.

    I varferi nuk ka privacy, se nuk ka cte fshehe nga syte e tjereve, pervec qe ai nuk duket kurrkund. Kush ka qejf te duket, ka qejf te fshehe, te latoje apo mbuloje qoshe te erreta. Perse duhet te na ha meraku per keta?

    1. Shkruan:

      I varferi nuk ka privacy, se nuk ka cte fshehe nga syte e tjereve, pervec qe ai nuk duket kurrkund. Kush ka qejf te duket, ka qejf te fshehe, te latoje apo mbuloje qoshe te erreta. Perse duhet te na ha meraku per keta?

      Sepse ky është sistemi që ke adoptuar dhe që ke sanksionuar në Kushtetutë. Arsyetimi yt mund edhe të qëndrojë, por le ta çojmë deri në fund dhe të themi se ky sistem – republika, pluralizmi, ndarjet e pushteteve, të drejtat qytetare, etj. – nuk i përshtatet një shoqërie të dominuar nga të varfrit; prandaj duhet zëvendësuar me një diktaturë. Siç edhe do të kish ndodhur, po të mos e pengonte këtë situata ndërkombëtare. Sistemi që kemi në Shqipëri është artificial. I vetmi avantazh që mund të nxjerrim prej tij është ta shfrytëzojmë, si shoqëri, për t’u edukuar qytetarisht, sipas parimit “në mos qoftë u sajoftë”. Në kuptimin që, meqë sistemin nuk e ndërrojmë dot, atëherë le t’i përshtatemi ne sistemit, me shpresë se ashtu do të emancipohemi. Por siç e thotë edhe Kundera në pjesën që kam cituar më lart (po e përmend jo si autoritet, por për të lidhur muhabetin), ky sistem ka nevojë për individë që të funksionojë, dhe individët kanë nevojë për privatësi. Me fjalë të tjera – nuk mund të kërkosh zgjedhje të lira dhe ndarje pushtetesh dhe kushtetutshmëri, teksa shpërfill privatësinë: prandaj edhe quhet sistem.

  3. Çfarë ndodhi me përgjimet e Bild-it ishte, në fakt, shkelje e dyfishtë e privatësisë. Shkeljen e parë e bëri, pas gjase me vendim të gjykatës, prokuroria – pra, ishte shkelje E LIGJSHME e privatësisë. Shkeljen e dytë e bënë ata që ia vodhën gjykatës materialet e mbrojtura me sekret hetimor dhe ia dhanë një gazete… gjermane për t’i publikuar. Kjo e dyta nuk mund të përligjet me kinse nevojën “për të shpëtuar demokracinë”, sepse rrethanat dhe koha kur u bë publikimi tregon se ishte fjala për një operacion politik, me synimin për të penguar katastrofën politike të PD-së dhe të Presidentit Meta. Edhe pse unë nuk u besoj detyrimisht atyre që thonë se këto përgjime ishin vjedhur prej kohësh dhe se po mbaheshin për shantazh (blackmail) dhe se Basha ishte në dijeni të tyre; pra, edhe pse unë nuk u besoj këtyre gjërave sa kohë që nuk janë verifikuar, prapë kam frikë se rruga nga kasaforta e prokurorisë te faqet e Bild-it ka kaluar nëpër shumë kanale ujërash të zeza dhe fëlliqësish, madje edhe me bashkëpunimin aktiv të forcave të interesuara në destabilizimin e Shqipërisë. Për mendimin tim, kështu do të ndodhë rregullisht, brenda një sistemi katrahurë, ku kushtetuta nuk vlen për gjë tjetër, veçse si armë në duar bandash para-mafioze (partitë politike) për të mbajtur ose, alternativisht, për të marrë pushtetin. Armiku i këtyre bandave, armiku kryesor, ekzistencial, filozofik nëse duam, është individi i lirë. Prandaj dhunimi i privatësisë – aq më tepër në rrethanat e Shqipërisë së tanishme – nuk mund t’i shërbejë kurrë as republikës, as kushtetutës, as demokracisë. Është një metodë që u duhet lënë në përdorim ekskluziv detektivëve privatë, që merren me tradhtitë bashkëshortore. Punët e shtetit dhe të ligjit duhen zgjidhur qytetarisht.

  4. ato publikime aq të dyshimta nuk luajtën asnjë rol në zgjedhjet e 30 qershorit, sikurse nuk bindën asnjë prej të huajve

    Më duket mua, me bindje, se mund të thuhet vetëm e kundërta, që këto zgjedhje aq të dyshimta, nuk luajtën asnjë rol shtesë mbi perceptimin në publik të përforcuara tashmë nga përgjimet o thjesht për mënyrës j se se si bëhën zgjedhjet, por të varësisë ekonomike prej pushtetit që sigurojnë këto zgjedhje (se për pavarësi politke as që nuk bëhet më fjalë).

    Pa dashur ta minimizoj rolin e vëmëndjes mbi privatësinë ndaj pushtetarëve, qofshin këta edhe hajdutë të “pakonfirmuar”, pyetja që shtrohet, dhe që e ka prekur edhe Durimpaku në një koment tjetër më sipër, është: a konsiderohet ndërhyrja në pavarësinë ekonomike, si p.sh. nëpërmjet kërcënimeve për flakje nga puna, apo për të insistuar në bërjen publike të bindjeve politike të qytetarëve, njëkohësisht edhe shkelje e privatësisë, qoftë edhe duke i mbajtur njërzit të varfër, lexo të zhveshur, sic thotë Durimpaku? Dhe nëse konsiderohen të tilla, janë gjë këto shkelje të privatësisë të një shkalle më të ulët apo më të lartë se zbulimi i ca bisedave ku protagonistët, përndryshe administrator të publikes, vartës dhe eprorë të njëri tjetrit, e degjenerojnë komunikimin që duhet të ishte zyrtar në një banalitet që nuk thua dot se i përket as mejhanes, por as dhomës së gjumit? Sepse përndryshe të krijohet përshtypja, e gabuar them unë, se humbja e privatësisë ka të bëj gjë me zbulimin pa dashur të banalitetit, dhe jo me zhbërjen sistematike dhe lakuriqësisë nga mungesa e pavarësisë ekonomike dhe politike. Sepse po të bëjmë këtë gabim, gjithmonë sipas mendimit tim, një pjesë e publikut do ngatërrohet dhe do thotë, “në djall vaftë privatësia”, nëse e vetmja gjë që mbrojmë është Banaliteti.

  5. Ne opinionin tim botimin e pergjimeve ne Bild e shoh vetem ne kuader te zhvleftesimit te te gjitha institucioneve themelore te shoqerise dhe shtetit shqiptar, te pushteteve te tij. Jemi deshmitare te asaj se edhe per sherrin me fqinjet, njerzit kane mesuar t’ i drektohen Gjykates se Strazburgut.
    Prej me shume se njezet vjetesh behen te gjitha adetet e rastit, por institucionet themelore te shtetit ndeshin ne veshtiresi para opinionit te « konsujve » te huaj.
    E keqja sheh punen e saj e nuk ndalet ne debate kot.
    Si nje refleks i trasheguar njerzit ishin te prirur te hapnin faqet e gazetave. Kjo i perket te kaluares. Nje e vertete mbi moralin humbet shume ne gojen e nje imorali. Per shkak te asaj se çeshte ai, njerzit (mbase me te drejte) vene ne dyshim ate qe thote. Rasti Meta, sa per ilustrim.
    Edhe me efektin e saj te kundert. (Me kujtohet se ne vitet ’80 degjonim se njerzit kur dilnin nga shtepia merrnin çadren edhe pse e shihnin se qielli ishte fare i paster, sepse Corriere… kishte thene se binte shi)
    Kjo vetiu te shtyn temendosh se te vertetat shqiptare do te terheqin me shume vemendjen nese shfaqen ne faqet e gazetave te huaja.
    Ne kete kuptim, daljen e pergjimeve te Bild jam i prirur ta shoh me shume si nje akt te dikujt qe beson ne vertetesine e tyre (ne te vertete ato qe thuhen aty nuk kundershtohen nga askush), beson se ato kane potencial per te shkundur te gjithe shoqerine, por qe e di se ne Shqiperi ato do te zhvleftesoheshin.

    Asgje nuk ndodhi. Po qe se i reziston tri diteve te para te habise, gjithçka kalon. Ky eshte kontributi i vetem i politikes shqiptare.

  6. Ndryshe nga shembujt e Kunderës, në qoftë se gjykata e ka firmosur përgjimin, mua ai më duket i ligjshëm: personat janë përgjuar gjatë një funksioni publik (në valë të fushatës zgjedhore). Gjithashtu, nëse unë jam në krevat (në privatësinë time) dhe marr një telefonatë pune së cilës i përgjigjem, kjo më shndërron, në ato çaste, në person publik, të përgjueshëm, në rast se e ka vendosur gjykata. Përndryshe i them “mos më çaj dërrasat” telefonatës dhe nuk u përgjigjem fare, por në momentin që ngre receptorin…
    Këtu në Itali po bëhet luftë e madhe ndaj atyre që quhen “i furbetti del cartellino”. Zakonisht ia lënë një shoku të punës teserën që ai të timbrojë për ta, ndërsa ata vetë gjenden diku tjetër. Për t’i kapur “guardia di finanza” i filmon (duke luajtur golf, duke bërë pazar…). S’ka pasur ndonjë deri më sot, me ç’di, që të akuzojë organet e akuzës se po u prishin privatësinë.
    Mendoj edhe se e vlen të heqim një paralele të shkurtër me videon që doli në Austri ditët që dilnin përgjimet e Bild-it: atë të takimit të zënvendëskancelarit austriak me rusët në një vilë në Majorka. Ishte: 1) një përgjim i pautorizuar; 2) i disa viteve më parë; 3) i nxjerrë një javë para zgjedhjeve europiane, pra me qëllim të pastër politik. Përfundimi: dorëheqje nga posti i zëvendëskancelarit, zgjedhje të parakohshme në shtator, partia e tij u dëmtua në zgjedhje. Penalisht: asnjë dënim, poooor moralisht i dënuar dhe me karrierë politike të marrë fund.

    1. Privatësia shkelet edhe në mënyrë të ligjshme, njëlloj sikurse edhe dikujt mund t’i hiqet liria në mënyrë të ligjshme (kur e arrestojnë). Por vendimi i gjykatës për të përgjuar dikë a diçka nuk ia heq përgjimit natyrën e shkeljes së privatësisë, vetëm sa e bën këtë shkelje të ligjshme. Në gjyq, një avokat mund të vërtetojë se vendimi i gjykatës për shkelje të privatësisë ka qenë i paarsyetuar mirë, çfarë do ta bënte pastaj shkeljen të paligjshme (sikurse mund të vërtetojë se një arrestim ose një perkuizicion ka qenë i pambështetur: gabime të tilla kushtojnë shumë shtrenjtë, në të gjitha kuptimet). Me një fjalë, privatësia gjithnjë shkelet, sa kohë që dikush merr një informacion për mua, të cilin unë do të kisha preferuar ta mbaja privat. Pa privatësi shteti nuk mund të funksionojë, politika nuk mund të funksionojë, ruajtja e rendit nuk mund të funksionojë, gjykatat nuk mund të funksionojnë. Nëse një institucion i autorizuar për këtë vendos që privatësia e një akti të caktuar meriton të shkelet për hir të interesit publik, kjo nuk ia heq gjë aktit përkatës privatësinë. Një telefonatë e Ramës mbetet private, edhe kur e kanë përgjuar dhe e kanë bërë publike mediat.

      Nëse nuk ka pasur, në Itali, ankesa se të përgjuarve u është prishur privatësia, kjo – besoj unë – ka ardhur ngaqë përgjimi ka qenë i rregullt, a regola d’arte, me vendim të gjykatës. Nga ana tjetër, të prekurve nga një përgjim i parregullt nuk u intereson aq të bëjnë zhurmë në media, sa ta përdorin dyshimin për parregullsi për t’u mbrojtur, kur të dalin para gjykatësit. Jam i sigurt se avokatët e tyre e dinë këtë edhe më mirë. Ajo që ndodh në Perëndim është se shumë politikanë detyrohen nga organizatat e tyre dhe institucionet që të japin dorëheqjen, për të kufizuar dëmet dhe mbrojtur imazhin përkatës (të partisë, të qeverisë, etj.); pra edhe kur janë përgjuar me gjasë në mënyrë të paligjshme ose edhe thjesht të papërligjur. Jam i sigurt se Perëndimi i ka akoma disa mekanizma për të mbrojtur privatësinë, siç ka akoma disa mekanizma për të mbrojtur individët ndaj fyerjeve dhe shpifjeve (ka akoma shpresë se edhe përgjuesit përgjohen); në Shqipëri nuk janë aq shkeljet e privatësisë në vetvete që shqetësojnë, sa mungesa e respektit për të drejtën e gjithkujt për privatësi, respekt edhe të themeluar në ligj; ose bindja se privatësia e personit publik është në mos e keqe absolute, të paktën tundim për të kryer krime.

      1. Ka edhe nje element tjeter qe me duket se ju nuk i jepni rendesine e duhur si ne shkrimin kryesor ashtu edhe ne komentet tuaja. Nëse nje person eshte publik, duke nenkuptuar ketu me “publik” mbajtjen e funksioneve publike te zgjedhura, apo te emeruara, dhe jo egzibicionizmin vehtjak ne publik si star, atehere ai/ajo ka pranuar ta kufizoje privatesine e vet dhe ti lere rruge asaj qe quhet transparence e funksionit. Ne kete kuptim jo cdo telefonate e Edvin Rames eshte kaq private, sa psh nje telefonate tuaja. Neqoftese Edvini po flet me nje minister ne telefon per nje prokurim publik qe kushton 200,000 euro dhe po i rekomandon atij qe kete tender t’ia jape filanit, apo fistekut, eshte ne shkelje te plote te funksioneve te veta publike, pa folur akoma per shkelje penale ose te natyrave te tjera administrative. Nëse kjo telefonate pergjohet ligjerisht, atehere ketu jo vetem qe nuk shkelet privatesia e zotnise ne fjale, por perkundrazi po mbrohen interesat publike. Nese kjo telefonate po pergjohet joligjerisht, nga nje gazetar investigativ psh, atehere eshte detyre qytetare e gazetarit qe ta beje publike dhe ketu nuk shkelet privatesia e zotnise ne fjale sepse privatesia ne asnje rrethane nuk mund te sherbeje si justifikim per shrytezimin e pozicionit publik per perfitime personale. Megjithate neqoftese ai gazetari, apo cilido qe kryen pergjimin e perdor ate pergjim per perfitime per vehte duke bere “balckmail” psh atehere ai vete po kryen nje veprim te denueshem penalisht dhe moralisht.

        Mbase mund te jete e drejte ajo qe thoni ju se:

        “në Shqipëri nuk janë aq shkeljet e privatësisë në vetvete që shqetësojnë, sa mungesa e respektit për të drejtën e gjithkujt për privatësi, respekt edhe të themeluar në ligj;”

        por me duket se kjo eshte nje semundje foshnjerie e demokracise shqiptare, qe duam apo nuk duam do kohen e vet per t’u tejkaluar. Problem me i madh mbetet fakti qe personave te fuqishem dhe me pushtet ne Shqiperi “nuk u rruhet fare” (me falni shprehjen) edhe kur ligjierisht apo joligjerisht ua zbulojne petet lakrorit te tyre me kakë dhe jo vetem vazhdojne te sillen sikur nuk ka ngjare gje qe i demaskon ata, por edhe drejtojne gishtin nga ata qe kane bere publike brendesine e lakrorit. (Shif reagimin e Prokurorise shqiptare ndaj “paligjshmerise” te publikimeve te pergjimeve ne Bild)

        1. Në fakt unë mendoj se një kryeministër, pavarësisht nëse Rama, Berisha, Meksi, Nano, Majko ose *Basha (asterisku tregon event të pamundshëm) duhet të ketë mundësinë që të bëjë një telefonatë në sigurinë se nuk po e përgjojnë – dhe se ky është THELBI i mënyrës si funksionon shteti dhe pushteti. Kryeministri nuk mund të gjykohet nga çfarë bën në sekret, por nga çfarë bën në publik – Kushtetuta pritet që t’i parashikojë të gjitha instrumentet e kontrollit, për veprimtarinë e ekzekutivit. E kuptoj që gjatë përgjimeve të autorizuara nga gjykata mund të qëllojë edhe që të KAPET një telefonatë nga kryeministri, por kjo do të konsiderohej aksident; sepse nuk besoj se një gjykatë mund të autorizojë përgjimin e kryetarit të qeverisë. (Dhe argumenti ynë këtu nuk mund të mbështetet mbi aksidentin.) Nëse realiteti në Shqipëri është i tillë, ku shteti të mos funksionojë dot ligjërisht, pa u përgjuar kryeministri, presidenti dhe kushedi kush tjetër në krye të punëve, atëherë jemi duke u tallur me njëri-tjetrin. Po dua ta përsërit edhe një herë, për të shmangur keqkuptime – shteti dhe pushteti mund të funksionojnë normalisht vetëm në atë masë që SEKRETI ADMINISTRATIV respektohet si pjesë e normalitetit. Kjo lidhet edhe me BESIMIN që kanë qytetarët, për politikanët që i kanë zgjedhur vetë – besoj se i brendashkruhet edhe parimit të përfaqësimit në politikë. Ato mekanizma të kontrollit – kushtetuese, të ligjshme – për të cilat fola mund të funksionojnë vetëm së bashku dhe krahas BESIMIT te politikani; dhe humbja e besimit te një instancë e kalibrit të Kryeministrit përkthehet në zgjedhje të parakohshme, jo në miratimin e përgjimit të telefonit përkatës. Ajo çfarë ndodhi dhe po ndodh në Shqipëri vjen – për mendimin tim – si pasojë e një paaftësie të përgjithshme për ta kuptuar THELBIN e kushtetutës që është adoptuar; sepse deri më sot palët e kanë përdorur ligjin themeltar të shtetit si lodër, ose më mirë akoma si shkop për t’u rrahur me njëra-tjetrën. Nëse arrijmë deri atje, sa të quajmë të pranueshme PËRGJIMIN e instancave më të larta të pushtetit, atëherë ky shtet ka dështuar; njëlloj siç dështon një avion modern, në momentin kur e merr për ta fluturuar majmuni.

          1. Jam plotësisht dakort me argumentin e besimit, por nuk e kuptoj se si i vjen gjë në ndihmë atyre që janë thënë më parë në shkrim. Mos po u kërkohet gjë shqiptarëve që ta hanë mosbesimin me bukë, të harrojnë çfarë kanë parë dhe çfarë kanë ngrënë nga klasa politike, dhe të përtypen mirë për të mbështetur njëzëri proçesin e vetingut ndaj shkelësve të privatësisë, dhe largëqoftë, të sekretit hetimor?
            Kur thoni:

            Kryeministri nuk mund të gjykohet nga çfarë bën në sekret, por nga çfarë bën në public

            është gjë një standard vetëm për kryeministrat shqiptar? Së paku në historinë modern të SHBA-ve ka dy a tre President që janë gjukuar pikërisht dhe kryesisht për ato që kanë bërë në privat, Nixon, Clinton, dhe së fundmi edhe Trump, për këtë të fundit sikur të mos ishte për faktin që jeta e tij publike nuk është më pak e çuditëshme se jeta e tij private. Dhe askush nuk thotë dotë që këta (amerikanët) nuk e kanë Kushtetutën me K të madhe.

  7. “një shoqëri që nuk e pranon se respekti për individin si subjekt i lirë vjen para aritmetikës së votave dhe “demokracisë”, kot e ka që luan elektoralçe”

    Ky eshte argument i shkathet dhe ne dukje i sakte, por gjithesesi i rreme. Vjedhja e deformimi i votave me lloj lloj marifetesh te pista eshte po aq shkelje e privatesise dhe lirise se individit, sa dhe nje pergjim. Ata qe jane pergjuar (ligjersisht apo jo) veprojne ne nje kontekst, ku sic thoni me siper, kushtetuta perdoret si kerbac per te rrahur tjetrin. Dhe po shteti qartazi ka deshtuar dhe nje nga menyrat per ndaluar banden kleptokratike te Edi Rames eshte me pergjime. Siguria e mospergjimit duhet te vendoset e te funksionoje kur te kesh nje shtet funksional dhe pengesa kryesore drejt kesaj gjeje tani per tani eshte protodiktatori Rama.

    1. Shkruan:

      nje nga menyrat per ndaluar banden kleptokratike te Edi Rames eshte me pergjime

      Deri më tash përgjimet – edhe kur nuk janë përdorur thjesht për shantazh – nuk më duket se kanë dhënë ndonjë rezultat politik.

      1. E vertete, nuk kane dhene ndonje rezultat politik por situata ka degraduar aq shume sa asnje mjet nuk mund te perjashtohet me. Pastaj, banda kundershtare PD, sigurisht qe s’do t’ia dije as per ligj, norme, etike, privatesi e kshu gjerash. Duke ditur qe te vetmin pushtet qe kane tashme eshte masa e militanteve qe i ndjek verberisht, eshte e pritshme qe do behen dhe me te deshperuar ne metodat e mjetet qe perdorin per te luftuar.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin