Mbiemri VERDHË, I/E, në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe të vitit 1982, vjen me një grup kuptimesh të figurshme me ngarkesë ideologjike, që prezantohen si të kishin lidhje mes tyre:
- Që mban qëndrim pajtues me klasat sunduese e shfrytëzuese, oportunist, reformist, që ka tradhtuar klasën punëtore dhe i është shitur borgjezisë e reaksionit; kundërrevolucionar. Parti (sindikatë) e verdhë. Internacionalja e verdhë. Shtypi i verdhë a) shtypi oportunist, i shitur te borgjezia; b) shtypi që nget pas gjërave sensacionale për të tërhequr sa më shumë lexues.
- Që ka përmbajtje policore, që përshkruan ngjarje plot krime e vepra të shëmtuara, që nuk synon të trajtojë probleme të rëndësishme shoqërore, por ka për qëllim të nxjerrë sa më shumë fitime dhe është i dëmshëm sidomos për brezin e ri. Roman (tregim) i verdhë. Dramë e verdhë. Letërsia e verdhë. Libër i verdhë.
Ribotimi i vitit 2006 i ka thjeshtuar kuptimet në një: “që ka përmbajtje policore; që shkon pas sensacioneve.”
Të gjitha këto janë të pasakta deri në ulërimë.
Ndryshe nga ç’ka vendosur në tavolinë Fjalori i vitit 1982, kuptimet figurative “kulturore” të këtij mbiemri janë TRE, dhe nuk kanë lidhje prejardheje mes tyre.
Më i hershmi në kohë, është ai i shtypit të verdhë: një lloj gazetarie dhe një kategori mediash të shkruara që synojnë të maksimizojnë shitjet me lajme sensacionale dhe ekzagjerime, por pa e vrarë mendjen për vërtetësinë dhe verifikimin. Sot gazeta të tilla quhen zakonisht TABLOIDË. Termi yellow journalism filloi të përdorej në SHBA nga fundi i shekullit XIX, i krijuar nga Erwin Wardman, botuesi i New York Press. Mbiemri yellow, këtu, e kish origjinën te The Yellow Kid, personazhi i një stripi vizatimor shumë popullor në atë kohë, të krijuar nga Richard F. Outcault: dhe gazetat që e botonin këtë strip, u quajtën disi me përbuzje “The Yellow Kid papers” dhe, që andej, u kalua te Yellow Papers dhe Yellow Press. Vetë personazhi Yellow Kid ishte një çamarrok, zbatharak, ish-morracak, i veshur me një këmishë nate të verdhë, që e kalonte kohën në një “slum” – tipik për New York City-n e atyre viteve. Stripi vizatimor me të njëjtin emër botohej në një faqe të plotë gazete dhe me ngjyra. Ndryshe nga ç’thuhet në ndonjë faqe reference (përfshi këtu edhe Treccani-n), kjo E VERDHË në diskursin publicistik amerikan të kohës nuk ka pasur ndonjë lidhje me The Yellow Peril (“rreziku i verdhë”), që aso kohe i referohej, si term, rrezikut kinse ekzistencial që përbënin popujt aziatikë për Perëndimin, në një kontekst spenglerian. Edhe ky term është i fundshekullit XIX; dhe gjasat janë që shtypi i verdhë të fliste shpesh për rrezikun e verdhë, por përkimi do të ketë qenë i rastit. Po ashtu, The Yellow Kid nuk do të ketë pasur gjë të përbashkët me Dr. Fu Manchu-në, personazhi “antagonist” i një serie romanesh aventurore, nga Sax Rohmer.
Siç mund të merret me mend, partitë, sindikatat dhe sidomos Internacionalja e verdhë nuk kanë lidhje me luftërat komerciale të shtypit në SHBA; por i referohen termit socializëm i verdhë, i krijuar nga një Pierre Biétry, për atë lloj socializmi që duhej t’i kundërvihej Socializmit të kuq, të frymëzuar nga marksizmi (e kuqja i është shoqëruar tradicionalisht socializmit dhe komunizmit). Shumë shpejt, mbiemri I VERDHË me këtë kuptim filloi të përdorej prej marksistëve, si term përbuzës për socialistët jo-marksistë (pak a shumë, me kuptimin “revizionist”). Shprehjen Internacionalja e verdhë e pat përdorur i pari Lenini, për “Internacionalen e Bernës” të krijuar nga partitë social-demokratike europiane në vitin 1919. Të gjitha këto përdorime të mbiemrit sot duhen konsideruar si historizma.
Ideja se mund të kish ndonjë lidhje kuptimore midis shtypit të verdhë dhe socializmit të verdhë do të jetë krijuar në Bashkimin Sovjetik të viteve 1920 e më vonë, ku familjarizimi me zhargonin leninist ecte krah për krah me kritikën “dërrmuese” ndaj shtypit sensacionalist amerikan; në fakt, termi жёлтая пресса (“shtyp i verdhë”) u përdor rëndom për të karakterizuar atë lloj medie sensacionaliste së cilës shtypi bolshevik i kundërvihej. Që andej, shprehja e gjeti rrugën deri në diskursin publik dhe publicitar në Shqipërinë totalitare. Ngatërresa midis sensacionalizmit amerikan dhe “revizionizmit” social-demokrat në Europë erdhi edhe ngaqë, për mendësinë moniste dhe milenariane të leninizmit, çdo kundërvënie ndaj idesë komuniste ishte me gjasë e bashkërenduar; dhe shtypi “i verdhë” i shërbente të njëjtit qëllim si edhe deviacioni “i verdhë” në lëvizjen social-demokrate dhe sindikaliste jo-marksiste në Europë.
Më në fund, mbiemri I VERDHË në togje të tilla si roman i verdhë, film i verdhë, zakonisht i futur në një shportë me sivëllain e vet te shtyp i verdhë, nuk ka lidhje fare as me mediat në SHBA, as me monokromatizmin leninist. Lidhet, përkundrazi, me një gjerdan romanesh policore të botuar në Itali nga Arnoldo Mondadori, duke filluar nga viti 1929; dhe që shquheshin për kopertinën e tyre TË VERDHË. Me këtë kuptim, termi përdoret vetëm në italishte; edhe pse ndoshta tanimë ka hyrë edhe në shqipe. Në fakt, italishtja e përdor giallo jo vetëm për një zhanër letrar a për një vepër të atij zhanri, por edhe – me metonimi – për një mister a ngjarje të pashpjeguar a të pashpjegueshme, zakonisht krim. Përkimi i kësaj TË VERDHE me TË VERDHËN e shtypit tabloid në SHBA, që gjithashtu i nxirrte në faqe të parë mistere të tilla, duket – për ta thënë me një shprehje të italishtes – puramente casuale: tërësisht i rastit; edhe pse nuk e dimë se çfarë e shtyu Mondadori-n aso kohe të zgjidhte të verdhën si ngjyrë përfaqësuese të një zhanri me popullaritet po aq të madh sa edhe shtypi i verdhë gjetiu. Përkufizimi i letërsisë policore në Fjalorin e vitit 1982 e tregon qartë si e gjykonte kritika staliniste-enveriste zhanrin: “Që ka përmbajtje policore, që përshkruan ngjarje plot krime e vepra të shëmtuara, që nuk synon të trajtojë probleme të rëndësishme shoqërore, por ka për qëllim të nxjerrë sa më shumë fitime dhe është i dëmshëm sidomos për brezin e ri.” Lidhjen me shtypin e verdhë këtu e siguron togfjalëshi “që ka për qëllim të nxjerrë sa më shumë fitime”, ndërsa karakteristika tjetër pedagogjike, “i dëmshëm sidomos për brezin e ri”, i detyrohet zellit të tepruar të ideologëve të Fjalorit.
Në Shqipërinë totalitare të mbyllur ndaj produkteve kulturore pop të Perëndimit, si shtypi i verdhë ashtu edhe romanet e verdha ndanin mes tyre jo vetëm simbolizmin e ngjyrës por edhe pamundësinë për të qarkulluar lirisht në treg. Ato pak romane të verdha që kishin hyrë te ne para Luftës II, tashmë po vjetroheshin dhe letra e tyre, me cilësi të keqe që në krye, tashmë ishte zverdhur keqazi; njëlloj si edhe e letërsisë pop të botuar në Shqipëri para luftës, me romane të tipit “Rrethi i kuq” ose “Kompania e Bretkosave”, të cilave letrave gjithashtu u ish zverdhur keq. Për këtë arsye, në brezin tim jo rrallë E VERDHA simbolike e emrit erdhi dhe u ngatërrua me ZVERDHJEN, si proces kimik të plakjes dhe të vjetrimit, që i dallonte këta libra nga të tjerat, botimet e Pasluftës, dhe që përdornin një tjetër lloj letre. Ashtu ndodhi që të fillonim të shoqëronim mendërisht botimet me letër “të zverdhur” me gjithçka që shihej shtrembër ose ndalohej nga regjimi – i cili ishte me përkufizim mosbesues dhe kritik ndaj gjithçkaje që nuk e kish botuar vetë. Pa e pasur idenë për simbolikat kulturore të shtypit amerikan të fundshekullit XIX dhe promocionin e librit masiv në Italinë e viteve 1930, ne nuk e kishim fare problem që, kur dëgjonim Enver Hoxhën të fliste për “shtyp të verdhë” dhe “letërsi të verdhë”, të përfytyronim librat dhe rraqet shkronjore, që i ruanim dhe i qarkullonim fshehurazi. I njëjti mekanizëm do të ketë vepruar edhe për të gjithë ata mbikqyrës dhe censorë që, nëpërmjet një metonimie naive, erdhën dhe e ngatërruan sensacionalizmin e tabloidëve amerikanë me zhanrin e romanit policor, duke e dënuar “me vdekje” këtë të fundit. Një kapricio komerciale e një botuesi italian, e frymëzuar nga nevojat për t’i dhënë fytyrë një gjerdani botimesh për masat, dha kësisoj ndihmesë jo të pakët për ta privuar lexuesin në Shqipëri nga një zhanër letrar.
© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.