Krijimet në trajtë aforizmash, ose skicash ose vinjetash, që Zyloja i quan “ese dhe eskize” e ndihmojnë lexuesin që të krijojë një imazh të plotë dhe kompleks për personazhin. Aforizmat kanë trajtën e proverbave, por i përkasin gjuhës së shkruar (letraritetit), pa çka se mund të përdoren edhe ato ngjashëm me proverbat, ose si pseudo-premisa të mëdha në argumentet. Në penën e Zylos, këto shfaqen si mutacione të mendësisë së tij fshatare, pastorale, lirike; si dregëza mendore të kujt e ka humbur tashmë lidhjen me realitetin, për të përfunduar në stereotip të vetvetes.
Ja disa pak shembuj të zgjedhur:
Shpifje do të thotë: peshku i vogël e ha të madhin.
Formalist: kokërr arre pa thelb brenda.
Jo çdo zbardhje dhëmbësh është e qeshur.
Kush s’ka dhëmbë, nuk ka frikë se i mpihen nga kumbullat. Më mirë të kesh dhëmbë. Mpirjen e duron.
Miq, fiq.
Qeni është kafshë besnike. Pse zemërohemi kur na thonë qen?
Çfarë e shtyn Zylon të krijojë thënie të tilla? Do të thonim, sërish, se është botëvështrimi burokratik i botës si “problem i zgjidhur”, që i kërkon këto metafora në trajtën e premisave të mëdha, parimeve dhe të vërtetave të konsoliduara. Aforizmat, esetë dhe eskizet janë Zyloja që përpiqet të mendojë, ose të jetë vetvetja, përtej artikulimit burokratik të ligjërimit të tij, ose edhe të vetë personalitetit të tij. Zyloja që kërkon të shpëtojë të shpëtueshmen dhe të rehabilitojë lirizmin brenda vetes, duke i dhënë edhe atij një funksion logjik. Zyloja në rolin e një “drejtuesi të lartë të punëve”, që nuk heq megjithatë dorë nga krijimtaria, si alternativë ndaj stereotipisë “logjike” të rolit zyrtar.
Angazhimi i tij i gjatë në biseda burokratike, mbledhje dhe konferenca, shkëmbime me drejtues të tjerë; nevoja për të përvetësuar mjeshtërisht zhargonin burokratik të nevojshëm; por edhe për të imituar drejtues të tjerë edhe më të lartë (si shokun Q.); të gjitha këto i kanë dhënë tashmë formë Zylos si subjekt ligjërimor – duke e detyruar, si të thuash, t’i eksplicitojë premisat e mëdha të arsyetimeve, ose t’i ekspozojë themelet e argumenteve. Sepse burokratët si Zyloja jo vetëm flasin, por edhe ofrojnë një model si duhet të flitet; ligjërimi i tyre është gjithnjë demonstrativ. Ky subjekt ligjërimor nuk ndryshon, edhe kur personazhi rreket të dalë nga skemat komunikative rutinë, në kërkim të asaj çfarë ka humbur nga rinia; sepse, siç e ilustruam më lart, vendin e fiLLozofisë e zë urtësia popullore; dhe, në krijimtari, aforistika. Zyloja gjithnjë ekspliciton, sepse nuk gjen dot prehje, pa i dhënë formë ligjërimore të vërtetës[1]. Si në aforizmën më poshtë:
Kush s’ka dhëmbë nuk ka frikë se i mpihen nga kumbullat. Më mirë të kesh dhëmbë. Mpirjen e duron.
Ku pohimin parësor e ndjek shpjegimi ose arsyetimi përkatës, i cili njëfarësoj edhe nënkuptohet në çfarë i paraprin. Zyloja që kërkon të bëjë zap nënkuptimet – ja një Don Kishot i ligjërimit!
Edhe një aforizëm si “miq, fiq”, ai kujdeset ta paraprijë me titullin shpjegues: “mendim prej dy fjalësh”; një shpjegim në fakt pleonastik, i panevojshëm dhe nuk mund të përligjet, veçse si pjesë – sërish e eksplicituar – e një monologu të brendshëm të Zylos autor, që i tregon vetes se çfarë është duke shkruar. Lexuesit i krijohet dora-dorës përshtypja se, në ligjërimin e Zylos, nuk është lehtë të dallosh dialogun nga monologu, dhe monologun e jashtëm nga monologu i brendshëm; sepse personazhi jo vetëm flet, por edhe i thotë proceset që i nënvendosen fjalës së tij: Zyloja e ka të vështirë që deri edhe të përftohet si subjekt, pa praninë komunikative të tjetrit (me t të vogël). Prandaj edhe çfarë tingëllon si padronizim, ose vënie poshtë e këtij tjetri, mund të jetë, në të vërtetë, efekt anësor i deficitit të Zylos subjekt, ose i paaftësisë së tij për ta “përmbyllur” identitetin.
Zyloja ka “idiolektin” e vet në roman, por stili i tij ligjërimor, si kombinim i banalitetit dhe i përpjekjeve për të vendosur raporte hierarkike me bashkëfolësin – nëpërmjet përftesave retorike që pamë – ky stil, pra, nuk është krijim origjinal i Zylos; por është po aq stereotipik, sa edhe banalitetet, truizmat dhe klishetë që ai përdor. Ai i Zylos është, në fakt, zhargoni i përpunuar nga një mori kuadrosh të mesëm dhe të lartë, në Shqipërinë e viteve 1960 – të cilët edhe riprodhoheshin si kastë, duke i sinjalizuar njëri-tjetrit përkatësinë, nëpërmjet këtij lloj regjistri. Autori i romanit, Dritëro Agolli, e njihte mirë këtë lloj zhargoni, sepse – për shkak të punës që bënte – bënte pjesë jo vetëm në publikun e tij, por edhe në përpunuesit e tij. Çfarë e shquante nga dhjetëra në mos qindra të tjerët, ishte “veshi i tij ligjërimor”, ose aftësia për të dalluar dhe distiluar ato tipare ligjërimore që do t’ia mveshte pastaj personazhit të vet. Dhe Agolli ishte aq i mprehtë, sa ta shquante që burimi i parë i këtij lloj ligjërimi, modeli i modeleve, shablloni i burokratishtes së drejtuesve anembanë Shqipërisë, ishte Enver Hoxha – si njeri dhe sidomos si subjekt ligjërimor, i përftuar edhe me kontributin e shkruesve, sekretarëve dhe redaktorëve që kishte pas.
Ligjërimi i Hoxhës nuk është objekt i këtij studimi; por po mjaftohem të sjell disa pak shembuj, të qëmtuar aty-këtu nga vepra e tij, dhe pikërisht nga kontaktet e tij “me popullin”. Ja një fragment ku flitet për folklorin, që aq e kish për zemër Zyloja:
Ne s’jemi kundër që nga thesari i madh i popullit, folklori i ditëve tona të krijojë thesare akoma më të bukura, ne për këtë po luftojmë. Por kjo nuk do të thotë të nënçmojmë folklorin, ta imponojmë atë. Partia nuk ka menduar kurrë si ata mendjeshkurtrit, që deshën ta mbyllin folklorin në arkiva, por ka luftuar për përhapjen dhe zhvillimin e tij. Dikur lahuta dhe çiftelia binin në vetmi. Curles i binte ai çobani rrëzë rrapit, rrëzë ahut kur çonte delet për ujë. Veip Qorri në Gjirokastër, kur gjente Selman Qorrin… bashkoheshin të dy kokë më kokë, festen e vinin mbi sy e i binin curles. Por ata s’kishin bukë të hanin. Po tani? Tani të bëhet zemra mal kur shikon orkestra popullore me dhjetëra lahuta, me dhjetëra çifteli, apo me 18 curle e fyej që bien në mënyrë të akorduar. [Vepra 52, f. 196-197].
Ja edhe një fragment nga një fjalim në Kombinatin e Drurit në Elbasan, që të kujton bisedat e Zylos gjatë udhëtimit të tij në bazë:
Në kombinatin tuaj shumica e punëtorëve janë gra. Të mos na vijë keq neve burrave, por është fakt që gratë në mbrojtjen e vijës së Partisë janë shumë më konsekuente dhe energjike se ne burrat. Ato kanë të drejtë të jenë të tilla, sepse Partia i nxori nga errësira në dritë, u dha të gjitha të drejtat: të punës, të fjalës, liritë demokratike, krijoi në familje një situatë krejt ndryshe nga ajo e dikurshmja, krijoi barazi të plotë me burrin dhe kryesorja është se i çliroi ato ekonomikisht. Gruaja jonë në socializëm gjeti realizimin e plotë të ëndrrave të saj: lumturinë personale, të familjes dhe të fëmijëve të saj. Ajo sa ngrihet në mëngjes nuk ka më shqetësimin se a do të ketë të hajë, a do të ketë të vishet kalamani i saj. Të tilla shqetësime ajo nuk ka më, sepse kohët e rënda për të kanë mbaruar. [Vepra 51, f. 130]
Ja edhe një fragment nga fjala e mbajtur në një miting në Koplikun e Sipërm, me rastin e përurimit të një ujësjellësi:
Në ditë feste dhe gëzimi, populli ynë i shpreh ndjenjat e tij duke ngritur dolli me një gotë raki, kurse sot, këtu te ju, në këtë ditë kaq të gëzuar, nderi i takon ujit, prandaj edhe unë jam shumë i lumtur ta pi këtë gotë ujë për shëndetin, për lumturinë dhe për përparimin e popullit të krahinës së Mbishkodrës.
Uji është një pasuri e madhe, një element i domosdoshëm për jetën, për njerëzit, për tokën, për bagëtinë, për bimët. Atje ku ai mungon, njerëzit vuajnë, ndërsa toka thahet e bëhet zhur. Përkundrazi atje ku ka ujë, njerëzit janë plot shëndet, lulëzon jeta, zbukurohet toka, zhvillohen më së miri e plot gjallëri bimët, rriten bagëtitë, shtohet begatia e popullit. [vepra 51, f. 210]
Ngjashmëritë retorike (ligjërimore) dhe në pozicionimin e subjektit të thëniezimit në raport me thënien dhe dëgjuesit me çfarë vumë re te Zyloja mund të shërbejnë për të argumentuar se shtresa sociale që stereotipizon Zyloja imitonte “të mëdhenjtë”; por të njëjtat përftesa dhe performativë, në gojën e drejtuesve të vegjël si Zyloja, marrin kuptim dhe kanë efekt të ndryshëm nga ç’kanë në gojën e liderit të madh. Tek i dyti, megalomania është pjesë e funksionit që ai ka, brenda regjimit totalitar; ai sillet si “baba”, sepse struktura e komunikimit të udhëheqësit me masën e kërkon një “baba”; ndërsa, në rastin e Zylove, pushteti që këta fitojnë duke imituar “të madhin” është dytësor; në kuptimin që përftesat dhe performativët shërbejnë, para së gjithash, për ta klasifikuar Zylon si “njeri të pushtetit”. Nëse Hoxha arrin të identifikohet i tëri me rolin e vet si udhëheqës, Zyloja nuk identifikohet dot deri në fund as me Hoxhën, as me veten; por duhet të mjaftohet me ligjërimin e vet, teksa rropatet me rolet e veta të vogla, si “i brendshëm”, si “njeriu ynë”, si “ne i rritëm, ne u dhamë shkollë”, që i shërbejnë edhe si uniformë shërbimi. Merita e Agollit, sado e kamufluar për shkak të censurës dhe e mbrojtur mirë nga rreziku i ndëshkimit ideologjik, është se ka arritur ta paraqitë ligjërimin e Zylos si një reductio ad absurdum të pozimit ligjërimor të udhëheqësit në totalitarizëm.
(fund)
© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Kopjuesit do të përndiqen penalisht.
[1] Duke e vendosur në atë që Saussure-i e pat quajtur parole. Përndryshe, çdo e vërtetë ka formë gjuhësore, sepse ekziston e formuluar në langue.