Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Gjuhësi

NËNA, BABAI, GJUHA

Nëna, gjuha e nënës, fëmija – marrëdhënia duket e tejdukshme, madje edhe po të supozojmë se nëna, duke i folur fëmijës, vetëm sa e “çon” atë në gjuhë, e ndihmon të aktivizojë dhe të aktualizojë kompetencën gjuhësore (Chomsky). Sido që ta sjellësh argumentin, gjuhën amtare nuk e “mësojmë” siç mësojmë një gjuhë tjetër të dytë.

Por le ta ndryshojmë pak perspektivën dhe ta shohim “transmetimin” e gjuhës nga nëna te fëmija në kontekst antropologjik. Për të vënë re se, në ato komunitete dhe zona ku operon ekzogamia, nëna flet një dialekt a të folme tjetër nga ajo që flitet në familjen e burrit. Kështu fëmija mëson, qoftë edhe si gjuhë amtare, të paktën dy dhe zakonisht tre të folme të ndryshme: atë të nënës, atë të fshatit ku jeton (të babait) dhe atë të gjyshes nga i ati – e cila madje mund ta ketë origjinën nga një fshat i ndryshëm nga ai i nënës.

Nuk do shumë mend për të kuptuar se ky kontekst favorizon përzierjen e formave nën-dialektore dhe krijimin e mikro-koineve; një fëmijë i rritur në A, por nga një nënë që vjen nga B, dhe nga një gjyshe që vjen nga C, do të flasë nga pak edhe si në B, edhe si në C. Me kalimin e kohës dhe ndërrimin e brezave, zonat që praktikojnë ekzogaminë e ndërsjelltë afrohen edhe nga ana gjuhësore, në mënyrë të ndryshme nga ç’i afron të folmet kontakti mirëfilli gjeografik ose pranëvënia në terren. Kësisoj, ekzogamia nga njëra anë e rrit diversitetin gjenetik, nga ana tjetër e zbut diversitetin gjuhësor.

Përkundrazi, atje ku ka qenë praktikuar endogamia, p.sh. në qytetin e Gjirokastrës, prirja është që e folmja e qytetit të distancohet nga të folmet përreth; meqë nënat flasin në thelb njëlloj si familja ku kanë hyrë (e burrit) dhe fëmijët rriten në një mjedis gjuhësor më homogjen. Kjo në vija të trasha – meqë edhe kushtet e endogamisë gruaja sjell me vete një të folme relativisht “tjetër”; p.sh. kam dëgjuar të flitet për dallime nën-dialektore midis lagjeve të qytetit; sikurse kam dëgjuar nënën time t’i thotë tim eti: “këtë fjalë e përdorni ju të Pazarit të vjetër [lagje në Gjirokastër], sepse ne në Dunavat nuk e kemi.”.

Për Gjirokastrën kanë vënë në dukje edhe autoritetin e pazakontë të plakave, në familjet; këtë e gjen të mishëruar edhe në sociologjinë e veprave fiction të Kadaresë, por mund të ta konfirmojë çdo banor i qytetit. Nuk di të them nëse ka ndonjë lidhje midis këtij “matriarkati” urban dhe endogamisë; por mbase mund të ngre një hipotezë për autoritetin gjuhësor të plakave gjirokastrite, i cili vepron lirisht edhe ndaj “anës së burrit”, për shkak të distancës gjuhësore të vogël. Për krahasim, në kulturat familjare ekzogamike, autoriteti gjuhësor i gruas në përgjithësi dhe i plakës në veçanti relativizohet nga fakti që e folmja ose nëndialekti i këtyre ndryshojnë nga ai i anës së burrit; sa kohë që këto vijnë nga një zonë gjeografike tjetër; dhe gruaja mbetet “e huaj” jo vetëm ngaqë ka ardhur nga larg, por edhe ngaqë vijon ta sinjalizojë këtë për ata që kanë vesh.

Në shkrimin e vet (Gjuha dhe mëma), A. Alibali e përmendi dallimin mes burrit si “ministër i jashtëm” dhe gruas si “ministër i brendshëm” i një familjeje; në fakt, burri është edhe fytyra që familja i tregon botës, ndërsa gruaja fytyra që familja i tregon vetes (dhe bota i tregon familjes); meqë burri del nga brenda dhe ndërvepron përjashta, ndërsa gruaja vjen nga jashtë, por (ndër)vepron brenda. Duke dhënë e marrë me të tjerë, për shembull në treg, burri i ekspozohet gjuhësisht Tjetrit ndryshe nga ç’i ekspozohet gjuhësisht Tjetrit fëmija, në kontakt me nënën që mund të vijë edhe nga një e folme tjetër (nuk po flas për rastet e ekzogamisë ekstreme, si ai i Doruntinës së martuar në “Bohemi”). Komunikimi gjuhësor i burrave në treg (ose në pleqësi) konsiston në shkëmbime vlerash të ndryshme – nomenklatura, numërorë, fleksione fonetike të marra prej Tjetrit, por edhe këngë tavoline të mësuara prej të tretëve; ndërsa komunikimi gjuhësor i grave në shtëpi (ose në fis) konsiston në shkëmbime të natyrës fatike (të së qenit së bashku), ku mund të hyjnë edhe përrallat dhe ninullat, si tekste orale të një natyre tjetër nga epika. Në modelin tradicional të familjes patriarkale, burri sjell nga jashtë, në familje, diversione gjuhësore që kanë nevojë të amortizohen në ndërveprim me gruan. Kjo qëndron edhe për ekzogaminë edhe për endogaminë; dhe është faktori kryesor, besoj unë, që i siguron gruas autoritetin gjuhësor – jo vetëm ngaqë ligjërimi i kësaj nuk “kontaminohet” lehtë nga ndikimet përjashta, por edhe ngaqë ligjërimi i kësaj shërben si kundërpeshë e inovimeve gjuhësore që (duan të) futen në gjuhë nëpërmjet kontakteve përjashta, ose garanci e vijueshmërisë në gjuhë.

Shto këtu, më në fund, edhe që, brenda modelit patriarkal, fjala e burrit është më performative se e gruas; meqë burri “po e tha një gjë” nuk e merr dot mbrapsht, ose “po foli një herë”, ose edhe thjesht “do të bëhet kështu si them unë dhe pikë”; performativi këtu lidhet me forcën vepruese (ilokucionare) të fjalës, e cila buron nga autoriteti i burrit si pater familias. Kjo i jep burrit pushtet, por edhe ia kufizon njëfarësoj lirinë e artikulimit – meqë çdo fjalë i peshon, atëherë duhet të mendohet mirë para se të flasë (“kur jep fjalën ther djalën”). Sërish brenda këtij modeli patriarkal, fjala e gruas është më pak performative – përpjesëtimisht me pushtetin e saj në familje; prandaj edhe më e lirë për të eksploruar mundësitë dhe pasuritë ekspresive.

Kanuni shërben si ilustrim i rolit konservativ të performativit, në fjalën e burrit: meqë proverbat, si shtylla kurrizore e kodit zakonor, e çdo kodi zakonor, duhen riprodhuar saktë; jo vetëm sepse ashtu ruhet tradita, por edhe se vetëm riprodhimi i saktë ua garanton forcën ilokucionare ase autoritetin ligj-zbatues. Në vija të trasha, shprehja “(siç) e thonë të vjetrit” jo vetëm i referohet së kaluarës si burim autoriteti (moral, etj.), por edhe risjell në vëmendje forma gjuhësore relativisht të fosilizuara. Të njëjtat forma, në gojën e grave, mund ta humbin forcën ilokutive, por këtë e kompensojnë me liri përdorimi dhe, në analizë të fundit, duke ndihmuar në ruajtjen e traditës, edhe gjuhësore.

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

P.S. Te libri im Fjalë për fjalë (Botime Çabej, 2017), do të gjeni një ese të gjatë kushtuar gjuhës së nënës, në kontekstin e kalimit nga Mesjeta europiane në Modernitet.

4 Komente

  1. “Kjo qëndron edhe për ekzogaminë edhe për endogaminë; dhe është faktori kryesor, besoj unë, që i siguron gruas autoritetin gjuhësor – jo vetëm ngaqë ligjërimi i kësaj nuk “kontaminohet” lehtë nga ndikimet përjashta, por edhe ngaqë ligjërimi i kësaj shërben si kundërpeshë e inovimeve gjuhësore që (duan të) futen në gjuhë nëpërmjet kontakteve përjashta, ose garanci e vijueshmërisë në gjuhë.”

    Nuk e kisha lexuar ende kete shkrim kur komentova ne te meparshmin. Por besoj se ketu, komenti im i meparshem do kish me shume vend. Eshte nje diskutim aq terheqes ky i konservimit dhe zhvillimit ne tiparet gjuhesore dhe lidhjes me rolet gjinore e moshore ne familje, dhe kenaqem qe e diskuton prape. Por besoj se e sotmja i ka shkundur e ndryshuar paq rolet dhe funksionet e meparshme te burrit gruas, dhe nderveprimet e tyre me jashte dhe brenda. Ne cfare kam shkruar me pare une diskutoj edhe nje tjeter arsye pse gjuha e grave sot mund te ndryshoje dhe ndikohet me shpejt. Flas per rastin e gruas shqiptare. Edhe e ndrydhur, hapet me shpejt ndaj se rese qe vjen me ndryshim gjuhesor mes te tjerash, sh me shpejt se burri, edhe kur ky vazhdon te ruaje te drejten si i vetem perfaqesues zyrtar dhe ndermjetesues gjuhesor i grupit para botes.

    1. Eda, në fakt edhe unë i jam referuar modelit patriarkal klasik – sepse plakat që kam pasur në mendje kanë qenë produkt i atij modeli.

      E kuptoj që sot rrethanat kanë ndryshuar; por kam vënë re që gratë kanë edhe një zotësi sociolektale që burrave shpesh u mungon.

      Kanë, si me thënë, “vesh për gjuhë”. Janë në gjendje ta ndërrojnë regjistrin sipas nevojës. E perceptojnë “ngjyrën” e fjalëve dhe të shprehjeve. E kështu me radhë.

      Përkundrazi, nga përvoja ime, pleqtë – edhe ata që priren ndaj konservatizmit gjuhësor – ose janë pak të topitur në dhuntitë e tyre gjuhësore, ose janë të kolonizuar nga standardi. Roli gjinor i performativit ka mbijetuar – shumë pleq ende presin që “to do things with words”.

  2. Jo rastësisht rilindasit iu referuan mëmëdheut si nocion ndërgjegjeformues për kombin që lipsej të zgjohej. Pjesë e këtij formimi ishte pa dyshim edhe gjuha dhe duket se në një nivel të paravetëdijshëm të ndërgjegjes kolektive rilindëse evokimi i figurës së mëmës ishte veprimi i duhur për të dhënë siguri, ofruar identitet të përbashkët e katalizuar një medium komunikimi që do të ishte gjuha e shkruar dhe e kënduar shqipe.

    Nga ana tjetër, shtetformimi totalitar iu referua gjithnjë atdheut, mbrojtjes e përparimit të atdheut, etj etj. Tani ndërmendem se mëmën asokohe e zëvendësoi Partia, ndërkohë që ati (edhe sipas modelit xhonturk) duhej të ishtë Enveri. Dhe se si shqipja prej kësaj u ngërthye në ngërçe totalitare na e ka rrëfyer tashmë AV në disa vepra të mëparshme.

    Çka dua të them është se dinamikat e familjeve individuale të përcjella prej Alibalit e Vehbiut në këtë blog, shërbyen si themel i përgjithësimit të strukturës komb e shtetformuese sidomos gjatë shekullit të fundit.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin