nga Agron Alibali
“Një herë gjyshja i kishte thënë fjalët misterioze:
‘malit si t’i thërrasësh, ashtu të përgjigjet’”.
Ismail Kadare
Në një shkrim të qëlluar lidhur me domosdoshmërinë e ngacmimit të imunitetit gjuhësor për ta ruajtur shqipen nga formimet e pavend, gjuhëtari dhe autori Ardian Vehbiu shprehet se “duhet të flasim më shumë e më shpesh me nënat”.[1]
Tema, pa fjalë, mëton rrokje mjaft më të gjerë, e madje trajtim të veçantë.
Thelbi i subjektit do të ishte: cili është roli i gruas në ruajtjen, pasurimin dhe kultivimin e shqipes?
Duke njohur vendin kryesor të specialistëve të fushës, nuk mund të mos pranohet se ky rol, pa dyshim, është thelbësor, jetësor. Prandaj është e ngulitur edhe shprehja “gjuha e nënës” apo “e mëmës”, ose edhe fare bukur: “gjuha amtare”.
Pranohet përgjithësisht se gruaja arbërore apo shqiptare ka qenë pararoja, apo pararendësja e jetësimit të gjuhës shqipe.
Kjo rrjedh së pari, nga roli i veçantë i gruas, ta quajmë qëndror, në drejtimin, mbarështimin dhe vazhdimësinë e familjes, e për pasojë, të jetës. Dihet se burri në familjen shqiptare ishte, në njëfarë mase, “ministri i jashtëm” – d.m.th. ishte pikërisht ai që mbante marrëdhënie me “të tjerët”, qofshin këta fqinjët e afërm (të lagjes, katundit, apo krahinës), apo të largët (vende të huaja), dhe këtu kemi parasysh tregtarët, “stratiotët” e Bregut, etj.[2]
Pra, gruaja në vetvete ishte jo vetëm “zonja e shtëpisë” dhe “administratorja” e gjithë jetës së brendshme ekonomike e shoqërore të familjes, por edhe njëfarë “ministri i brendshëm” i shqipes së folur.
Ishte ajo e para që i fliste shqip birit apo bijës së saj. Nëna, si të thuash, ishte e para, dhe kryesorja, që e kuante të birin apo të bijën me tingujt, fjalët, leksikun, ndërtimet gramatikore e sintaksore të shqipes, dhe këtë e bënte qysh nga agu i jetës e deri në mugun e saj. Ishte gruaja, në fund të fundit, që e qante të vdekurin para ndarjes së përhershme.
“Gruaja asht magjja e jetës” – kumtohej në të drejtën dokësore të Shqipërisë Verilindore. Për ta shtyrë ca më tej metaforën, gërshetuar me urtësinë e maleve shqiptare, nuk gabojmë aspak të themi se “gruaja arbërore / shqiptare është edhe magjja e gjuhës shqipe”.
Mirëpo gruaja shqiptare e luajti këtë rol “konservativ gjuhësor” jo vetëm brenda familjes së ndodhur brenda trojeve të Arbërisë / Shqipërisë. Duke patur parasysh karakterin kryesisht patriarkal të shoqërisë shqiptare, gruaja shërbeu si “rojë ndërbrezëshe e shqipes” në mbarë arealin shqiptar apo më saktë, shqipfolës – ku përfshijmë këtu edhe viset e “gjakut të shprishur”, apo ngulimet arbëreshe në Itali e ato arbërore e arbneshe përkatësisht në Greqi, Zarë, etj.
Në një shembull domethënës, por të rolit të përmbysur, pra kur transmetimi ligjërimor i shqipes brez pas brezi ishte këputur – një ish-zyrtar i lartë i administratës amerikane, me prejardhje nga Bregu, pranon se, kur prindërit donin të diskutonin gjëra private në tryezën e bukës, dhe në mënyrë që fëmijët të mos i kuptonin, “flisnin shqip”.[3]
Nuk gabohemi të themi se autorët më të shquar të letrave shqipe nektarin e talentit të tyre të jashtëzakonshëm e kanë përthithur pikërisht nga nënat e tyre. Tema natyrisht lyp trajtim mjaft më të gjerë, dhe ndofta nuk do ta shteronte as edhe një konferencë mirëfilli shkencore. Mirëpo mjafton të përmendim këtu kronologjikisht vetëm disa autorë: Nolin, Konicën, Kadarenë, Kokalarin, Muçon.
Fan Stilian Noli u lind dhe u rrit në Qytezën e Trakës i ushqyer me gjuhën e nënës. Arsimimi i tij i mëpasëm, në gjuhën greke, ndikoi vetëm kulturalisht, por aspak sa u takon pikëpamjeve atdhetare, dhe sidomos në lëvrimin mjeshtëror të shqipes që ai na la trashëgim. Shumë kuptimplotë është një raport i vitit 1915 i Konsullatës Greke në Boston, drejtuar Ambasadës në Washington. Shkruhet aty:
“Raportojmë se Fan Noli e ka prejardhjen nga një fshat i Maqedonisë, është grek nga babai dhe shqiptar nga nëna”.[4] [theksimi imi, A.A.].
Konica, nga ana e vet, kishte marëdhënie krejt të veçantë me nënën e tij, Zonia Leila Delvina. E donte atë pafundësisht, dhe i mungoi thellësisht. Para se të ikte në Amerikë në vjeshtën e vitit 1909, Faik Konica e ndau që të shkonte edhe njëherë në atdhe. Arsyeja? Të takonte nënën! Kjo, pra, është hera e fundit që Faiku e pa Nënën e tij.
Megjithatë, mund të pranohet se ishte e ëma, Zonia Leila Delvina ajo që e mëkoi Faikun e vogël me qumështin, apo më mirë, me ajkën e gjuhës shqipe.
Dihet se Faiku e quante veten si “shkrimtari më i njohur i gjuhës shqipe”,[5] por ky vetëcilësim i pazakontë parakupton faktin e gjithëpranuar se Faiku ishte jo vetëm lëvrues i jashtëzakonshëm, apo “usta” i shqipes, por edhe gjuhëtar i dorës së parë.
Mirëpo Faiku e dinte fare mirë se edhe ai kishte caqet e veta. Shembullin e bukur e kuptimplotë na e jep tek letërkëmbimi i jashtëzakonshëm i vitit 1918 me Norbert Joklin, mikun e vet të ngushtë. Kur Jokli i lypte Faikut mendim për fjalë të ndryshme të shqipes, dhe nëse qëllonte që Konica nuk i dinte, ose nuk kishte njohuri të plota për to, atëhere ai i drejtohej tek “gurra gjuhësore”, me të cilën, siç duket, ai konsultohej lirisht dhe vijimësisht.
Por cila ishte kjo “gurrë”, apo arma sekrete gjuhësore e Faikut? Fjala është për Emine Toptanin, identitetin e së cilës Faiku na e zbulon si rastësisht në letrën për Joklin të datës 14 qershorit 1918.
Si kontekst, Jokli i kishte kërkuar Konicës të dhëna për disa fjalë të rralla të shqipes. I përgjigjet Konica:
“Për fjalët që po studioni, dhe për të cilat më kërkoni informacion, do t’i shkruaj” [Emine hanëm Toptanit, A.A.], “e motra e të ndjerit Fadil Pashë Toptani”… “e cila është tejet kompetente në fushë të fjalorit të shqipes…”.[6]
“Kushërirë dhe kundërshtare e Esadit”, Emine Toptani kishte njohje të hershme me Konicën. Më pas ajo u vu në krye të lëvizjes për emancipimin e gruas në Shqipërinë e viteve 1920 – 1930, si kryetare e organizatës së “Gruaja Shqiptare”,[7] dhe si kryeredaktore e revistës “Shqiptarka” [1929-1931], e përmuajshme kultutore shoqërore.[8]
“Për fat të keq”, i shprehet më tej Konica Joklit, Emineja “ndodhet në pronat e saj afër Tiranës”, dhe pra ishte e padisponueshme për një përgjigje të shpejtë e shteruese për të.[9]
Sa i takon Kadaresë, studiuesit dhe studiueset e tij të shumta mund të shprehen shumë më gjerësisht për temën. Por ajo çka mund të themi këtu është se kryeveprat letrare të Kadaresë, që na e shpalosin aq lart artistikisht Gjirokastrën mitike, janë ndikuar jo pak nga plakat dhe mëmat gjirokastrite, me të cilat shkrimtari i madh ka qenë i rrethuar qysh në fëmijëri. Mjafton të përmendim “nënën”[10], ose “gjyshen”, Hallë Xhemon,[11] Kako Pinon[12], apo plakën e Kokobobajve, kjo e fundit “që kishte 14 vjet që nuk flinte”,[13] ose edhe marrëdhënien kriptike të një personazhi me gjyshen e tij, të shprehur kësisoj tek “Prilli i thyer”: “Një herë gjyshja i kishte thënë fjalët misterioze: malit si t’i thërrasësh, ashtu të përgjigjet”.[14] Në njëfarë mënyre, pra, edhe raporti trekëndor i transmetimit ndërbrezor gjyshe-mëmë-bir/bijë, është i tillë, po aq egalitar e dinamik: ashtu sikurse do t’ia kumtosh malit dhe bijës bukurinë e kthjelltësinë e gjuhës, ashtu do ta nxëjë e do të ta kthejë…
Dhe natyrisht, këtu nuk mund të mos përmendim Musine Kokalarin e veprën e saj të mirënjohur “Siç më thotë Nënua Plakë”, dëshmi par excellence e hallkës ligjërimore të kumtuar brez pas brezi nga gruaja gjirokastrite. Përmes “së tashmes së përjetshme” Musineja aty na përcjell “… partiturën e ligjërimit femëror…të këtyre amazonave qytetëse”.[15] Musineja na e sjell fjalën e Nënos Plakë krejt të pastërt e të kulluar, të sapodalë nga gurrat e Hosit apo nga burimet e Çajupit. E thënë ndryshe, Kokalari na e sjell ligjërimin e nënove gjirokastrite krejt burimor, “…sikur ato kishin folur gjithnjë ashtu, siç dinë vetëm ato të flasin, të papërsëritshmet qënie femërore të Gjirokastrës…”[16][17]
Dhe së fundi, raportin e veçantë, formues të themi, të gjyshes me autorin e ardhshëm na e përcjell bukur mirë edhe shkencëtari, shkrimtari e poeti Betim Muço. Kjo marëdhënie e bukur del herët herët tek krijimtaria e Betimit,[18] dhe mund të themi se ka qenë vendimtare në cilësinë e poezisë dhe të prozës së tij.[19]
Edhe këto pak shembuj shpalosin, për mendimin tonë, rolin e veçantë që gruaja shqiptare ka luajtur në shekuj, si njëfarë “amazonë e shqipes”, apo si “perëndeshë mbrojtëse e gjuhës”.[20]
Nuk e teprojmë të themi se brezi i tanishëm i grave të talentuara në fushën e gjuhësisë dhe letrave të shqipes përbën shpresë “të kthjellët”, siç shprehej Konica, që shqipja të ruhet e të lartësohet gjithnjë e bukur, e pastër dhe e zhdëvjellët, sikurse e kanë përçuar gjyshet e nënat tona ndër breza.
Mirëpo komunikimi ndërbrezor [intergenerational], dhe madje brendabrezor [intragenerational] – aq i domosdoshëm për ruajtjen dhe pasurimin e gjuhës edhe përmes rolit vendimtar të gjyshes, nënës, motrës – ballafaqohet sot frikshëm me individualizmin post-modernist të epokës së komunikimit digjital. Sfidat me të cilat haset shqipja e sotme janë të mëdha dhe serioze. A do t’i përballojë brezi ynë siç duhet ato? Fjala u takon, së pari, gjuhëtarëve! Shtegun e çelur prej tyre na takon ta ndjekim të gjithë, por më së pari, ligjërimi në politikë e gazetari.
© 2019, autori. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Ardian Vehbiu. Shqipja e Sëmurë, Peizazhet e Fjalës, 21 prill, 2011. www.peizazhe.com Në komente vijuese, Vehbiu e shtjellon më tej mendimin si vijon:
“I përmenda nënat, sepse këto – gratë e moshuara në përgjithësi – kanë vesh të shkëlqyer për shqipen e folur. Edhe plakave gjysmë-analfabete të lagjes sime u këndon shqipja në gojë. Edhe nëna ime, që ka qenë mësuese letërsie dhe e ka kaluar jetën duke lexuar romane, tani që është në moshë të thyer flet shqipe orale të përkryer, lapidare.
Ideja ime ishte kjo: duke e folur shqipen me gra dhe plaka, brezit të ri mbase mund t’i forcohet pak sistemi i imunitetit gjuhësor, ose t’i kultivohet “veshi gjuhësor”, që është edhe aftësia për të dalluar midis çfarë mund të thuhet dhe çfarë nuk mund të thuhet në shqip (ajo që Chomsky e quante “grammaticality” por që unë do ta lidhja edhe me pragmatikën).”
[2] Pëllumb Xhufi, Árbërit e Jonit, Onufri, 2016, ff. 147, 393, 402, 406, 408, 412, 433, 830, 833, 923, 1084, 1092, 1103, 1106.
[3] George Tenet, In the Center of the Storm, f. 11. “The conversation flowed freely from Greek to English. When Mom and Dad did not want my brother and me to know what they were saying, they would switch to Albanian”.
[4] Dokumenti referohet sipas botimit “Helenizmi i Epirit të Veriut dhe Marrëdhëniet Greko-Shqiptare”, Vëllimi I, 1897-1918, dalë nën kujdesin e Vasilis Kondis, Athinë, 1995. Në shqip është përkthyer nga Sokol Çunga dhe është pjesë e një vëllimi me dokumente të Dr. Ledia Dushkut.
[5] Agron Alibali, “Faik Konica, Dritëhijet e një diplomati”, Argeta, Tiranë, 2016, f. 21.
[6] Biblioteka Kombëtare e Austrisë, tek http://data.onb.ac.at/rec/AC14408359
[7] Për lëvizjen për të drejtat e grave në Shqipërinë e pas Pavarësisë, shih “Women Activists in Albania following Independence and World War I”, Fatmira Musaj dhe Beryl Nicholson, tek “Aftermaths of War: Women’s Movement and Female Activists,” 1918 – 1923, redaktuar nga Ingrid Sharp dhe Matthew Stibbe, 2011. Musaj dhe Nicholson e japin emërtimin e revistës si “Shqiptarja”.
[8] Shih, Blendi Fevziu, “Historia e Shtypit Shqiptar”, 1846 – 1996, Brezi 22, Tiranë, 1996, ff. 57, 131. Koleksioni nuk shfaqet në skedarin në linjë të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.
[9] Për më shumë, shih Agron Alibali, “Faik Konica, Dritëhijet e një diplomati”, Argeta, Tiranë, 2016, ff. 7-75.
[10] “-E moret vesh moj korba? Nuses së Babaramos i shteroi qumështi.
– U luaj vendit, tha nëna dhe u zverdh”. Ismail Kadare, Kronikë në gur, Onufri, 2015, f. 68. Në fakt, raporti midis nënës [Hatixhe Dobi] dhe Kadaresë ka qenë më kompleks, dhe është trajtuar artistikisht tek Kukulla, Onufri, 2015. Shih edhe intervistën e Kadaresë me Lili Sulën, Kadareja rrëfen raportet me nënën e fëmijërinë, balknweb, datë 10 korrik 2018, tek https://balkanweb.com/kadare-rrefen-raportet-me-nenen-e-femijerine-isha-dymbedhjete-vjec-dhe-doja-te-martohesha/
[11] Ismail Kadare, Vjedhja e Gjumit mbretëror, Onufri, 1999, ff. 170, 171, 180.
[12] Ismail Kadare, Kronikë në gur, Onufri, 2013.
[13] Ismail Kadare, Breznitë e Hankonatëve, tek Emblema të dikurshme, përkatësisht ff. 134, 159.
[14] Ismail Kadare, Prilli i thyer, Onufri, 2003, f. 29.
[15] Shih, për më shumë, Prof. Dr. Persida Asllani, Requiem në dy kohë, Musine Kokalari, Vepra e zgjedhur, botim i BKSH, Tiranë, 2017, ff. I-V.
[16] Po aty.
[17] Autori i këtyre rradhëve nuk mund të mos sjellë në vëmendje përvoja vetjake të jetës në internim familjar në fshatin Labovë e Vogël, në Gjirokastër. Mençuria, urtësia dhe madje mirësia e plakave labovite ishte e jashtëzakonshme. Në atë kohë [mesi i viteve 1970], Cice Patra [Kleopatra Piperi] ishte një grua rreth 80 vjeç. Ajo jetonte në një shtëpi në krye të fshatit, bashkë me të birin, Koço Piperi dhe familjen e tij. Kurse ne na vunë diku poshtë, në majë të një bregu, ku në honin poshtë ishte burimi. Ditën e dytë të internimit, Mamaja ime shkon të mbushë ujë. Rrugës takon Cice Patrën. Dialogu i zhvilluar midis të dyjave ishte pak a shumë kështu:
- Cice Patra: “Po si je moj bijë. Po pse ju kanë sjellë këtu”? E si mund t’i përgjigjej ndryshe Mamaja?
- Ajo: “Falemnderit, nënë. Epo ja, kemi bërë gabime…”
- Cice Patra: “Edhe dhespoti bën gabime, moj bijë. Por mos u mërzisni…”.
Cice Patra u lidh ngushtë me prindërit e mi. Ishte miqësi e pastër, shqiptare! Cice Patra ishte model i urtësisë së plakave gjirokastrite. Mirëpo ajo sillte me vete edhe mençurinë tradicionale popullore, si dhe pasurinë leksikore të Rrëzës së Lunxhit. Fjalët, termat, shprehjet popullore, aforizmat, proverbat e Cice Patrës, mbaj mend që im atë i mbante shënim në një fletore të tijën. Me shpresë se kjo fletore do të gjindet diku e dikur, ndofta do ta botojmë, si dëshmi e drejtpërdrejtë e pasurisë etnografike të asaj zone të jashtëzakonshme të Lunxhërisë në mesin e viteve 1970.
Në Labovë të Vogël ishin edhe dy plaka të tjera të mençura, të urta, e miqësore. Njëra ishte Leno Duka. Tjetra ishte Kaço Mati. Edhe Nënë Lenoja e Nënë Kaçoja e takuan Mamanë poshtë, tek Burimi. Pyetja ishte pak a shumë e njëjta: “Pse ju kanë sjellë këtu?”. Edhe përgjigja e Mamasë ishte pak a shumë e njëllojtë. Kurse reagimi i Nënë Lenos dhe e Nënë Kaços ishte përsëri i jashtëzakonshëm: “U ndafshi me kryet shëndosh”…
[18] Shih për shembull: “Ime gjyshe, plaka e urtë Qamile, e quante këtë tokë Çinemaçin, që siç e kuptoja unë, do të thoshte “përtej Kinës”. Betim Muço, “”, 1994, f. 9. Ose: “…do të isha shumë kureshtar ta dija tani se si do ta kishte përfytyruar gjyshja ime, ajo plakë e ngratë, kur më mallkonte pa të keq: “Vafsh në Çinemaçin”. Po aty, f. 169.
[19] Shih edhe Betim Muço, “Yjet janë fare pranë”, OMSCA -1 , 2017, f. 9.
[20] Në mitologjinë sinhaleze gjejmë figurën e Wádgéwatáwá, apo Vŗihaspatí, Sinhalese English Dictionary, B. Clough, – 1982, f. 818. Kurse mitologjia greko-romane na jep të afërt vetëm “Perëndinë e Gjuhës” në figurën e Hermesit [David Fideler, Jesus Christ, Son of God, Ancient Cosmology and Early Christian Symbolism, 1993, f. 226), Merkurit apo Apollos [Allen Thiher, Revels in Madness: Insanity in Medicine and Literature, 2004, f. 313].
Tema e Himarës, e shqipes dhe e greqishtes në Himarë, etj. NUK do të trajtohet këtu.
Ja edhe përmbyllja e “Kronikë në Gur”, nën penën e magjishme të Kadaresë, që përcjell fare mirë ndikimin e mëmave, gjysheve dhe “të përjetshmeve” plaka gjirokastrite. Një dialog i çuditshëm, surreal, midis shkrimtarit, kalldrëmit dhe plakave plot jetë të Gjirokastrës.
memoriale:
Erdha prapë, pas një kohe të gjatë në qytetin gri të pavdekshëm. Këmbët e mia prekën me drojtje shpinën e kalldrëmit të tij. Më mbajti. Gurë kalldrëmesh që më njohët. Në qytete të huaja, duke ecur nëpër bulevarde të gjëra dhe plot drita, më ka qëlluar shpesh të mˆë pengohen këmbët atje ku s’pengohet asnjeri. Kalimtarët kthenin kokën të habitur; por unë e dija, ishit ju. Ju dilnit papritur nga asfalti dhe pastaj fundoseshit prapë në thellësi të tij.
Rruga. Stera. Shtëpia e vjetër. Trarët, dyshemetë, parvazet e saj kërcisnin lehtue, fare lehtë, me një kërcitje të vazhdueshme, monotone. Ç’ke, ç’të dhëmb? Dukej sikur ajo ankohej që i dhembnin kockat dhe gjymtyrët shekullore.
Gjyshe Selfixhe, Xhexho, hallë Xhemo, nënënadhe, Kako Pino…Ato s’janë më. Por udhëkryqeve nëpër qoshe muresh kam parë ca vija të njohura, ca si tipare, hije mollzash er sysh. Ato janë atje, të përjetshme, të ngrira në gur, bashkë me shenjat që kanë lënë sipër tyre tërmetet, dimrat apo rrebeshet njerëzore.
dhjetor 1970
Ismail Kadare, Kronikë në Gur,
Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1971, f. 229.