Si personazh strumbullar i romanit Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo të Dritëro Agollit, Zylo Kamberi – ky administrator i politikave kulturore, burokrat dhe zyrtar i mesëm i regjimit në Shqipërinë e fillimviteve 1970 – i vjen lexuesit i kapur në rrjetën e ligjërimit; në përpjekje edhe për t’u afirmuar si autoritet nëpërmjet fjalës së Tjetrit (parafabrikatit), edhe për t’u distancuar prej saj, i vetëdijshëm për jetërsimin. Me gjasë, ky konflikt i personazhit pasqyron dhe mëton të zgjidhë një konflikt ligjërimor që do ta ketë përjetuar vetë autori Agolli, si shkrimtar dhe poet i njohur, por edhe si funksionar i kulturës, burokrat dhe shkresar. Edhe shkrimtari (poeti), edhe burokrati e mishërojnë veten te fjala, e folur ose e shkruar; dhe këto dy role shpesh përplasen mes tyre, kur luhen nga një njeri i vetëm; në rrjedhë të kohës, përplasja vjen dhe identifikohet me vetë subjektin e ligjërimit ose, në një rrafsh tjetër, njeriun. Me gjasë, romani kërkon t’i japë lexuesit zyrtarin tipik të Shqipërisë së fillimviteve 1970, ose produktin e përpjekjeve titanike për të zëvendësuar oralitetin e kulturës tradicionale në vend me letraritetin[1] e ideologjisë enveriste.
Personazhi Zylo i vjen lexuesit para së gjithash si ligjërim, duke u artikuluar në një mënyrë që autori i romanit e quan “fraziste”, dhe që do të ishte të folurit dhe të shkruarit me parafabrikate; karakteristikë e diskursit të ideologjizuar në regjimet totalitare si ai i Tiranës, por edhe të tjera regjime të Europës Lindore dhe, veçanërisht, regjimi sovjetik post-stalinist, ku bindja e verbër ndaj autoritetit policor të njëshit (Stalinit) ia kish lënë vendin, dora-dorës, kolonizimit të ligjërimit nga frazat autoritare të ideologjisë. Nga kjo anë, Zyloja vërtet mund t’i përkasë si zyrtar një regjimi ende fund-e-krye stalinist, si ai i Hoxhës; por në qasjen e tij ndaj pushtetit dhe autoritetit ende sillet dhe vepron si post-stalinist – meqë orientohet jo nga pushteti i padiskutueshëm i njëshit, por nga fuqia bindëse e ideologjisë sunduese, e cila i përcillet nëpërmjet frazizmit.
Le ta shohim si ndodh kjo në praktikë, duke analizuar ndonjë shembull nga romani.
Jemi në momentin kur Zyloja i kërkon ndihmësit të vet, Demkës, që të shkruajë raportin e radhës. Dhe i drejtohet kështu:
Përvishju punës dhe mblidh materialin! Çështjen e tragjikes në jetën e sotme studioje thellësisht. Koncepti i tragjikes në jetën e sotme nën prizmin e fillozofisë socialiste aktuale nuk duhet të ekzistojë në ndërgjegjen e inteligjencies së fshatit. Tragjikja mbetet vetëm si kategori. Gëzimi i jetës – ky të jetë koncepti bazë, – tha ai [f. 50-51][2].
Fjalia e parë është performative, meqë Zyloja e urdhëron vartësin e vet ç’të bëjë, njëkohësisht duke (ri)themeluar raportin vertikal që ka me të (vetëm brenda atij raporti urdhri mund të ketë efekt si i tillë). Fjalia e dytë shënjon një kalim nga modaliteti urdhëror te një retorikë tjetër, më pak performative; ku Zyloja del nga roli i vet prej shefi, për të hyrë te roli i ideologut – çfarë shprehet që me ndajfoljen thellësisht (te “studioje thellësisht”, në një kohë që thellë do të mjaftonte); pastaj te klisheja “jetën e sotme” dhe pleonazma “çështjen e tragjikes” – meqë “tragjiken” sërish do të mjaftonte. Ky zgjerim, kjo mufatje e ligjërimit, ky kalim nga thellë në thellësisht dhe nga tragjiken në çështjen e tragjikes lajmëron edhe ndërrimin e regjistrit në ligjërim. Meqë Zyloja pastaj thotë:
Koncepti i tragjikes në jetën e sotme nën prizmin e fillozofisë socialiste aktuale nuk duhet të ekzistojë në ndërgjegjen e inteligjencies së fshatit. Tragjikja mbetet vetëm si kategori.[f. 51]
Sërish na del “në jetën e sotme”; “çështja e tragjikes” bëhet “koncepti i tragjikes”; “në jetën e sotme” rimerret edhe një herë tjetër nga mbiemri “aktuale”; flitet për një “fillozofi socialiste”, përdoret një shprehje parafjalore kuptimisht e holluar “nën prizmin e”, që tingëllon intelektuale kryesisht për ata që nuk e dinë se ç’është prizmi dhe si mund të lidhet ai me “fillozofinë”; na del edhe “inteligjencia e fshatit”, që është, në fakt, ushtria që (kujton se) komandon shoku Zylo.
Në një skenë tjetër, Zyloja debaton me shkrimtarin Adem Adashi, në lidhje me temën e fshatit në letërsi:
Ty mund të të duket se i zhvillon ngjarjet në fshat, por spektatorit mund të mos i mbushet mendja. E vërteta në realitet ndryshon nga e vërteta artistike. E vërteta në art rikrijon të vërtetën e realitetit. Ky është një diskutim i gjatë, që po ta vazhdoj, do të më duhet të nisem nesër me shërbim! – tha shoku Zylo.[f. 89]
Fjalia e parë do të mjaftonte. Por dy fjalitë që e pasojnë kanë detyrë tjetër ligjërimore – të përcjellin autoritet, nëpërmjet tonit apodiktik, të denjë për një citat mbi të cilin të bazohet një vepër studimore a një ideologji: “E vërteta në realitet ndryshon nga e vërteta artistike”… “E vërteta në art rikrijon të vërtetën e realitetit”. Këto fraza të Zylos jo vetëm që kanë formën e mendimeve të skalitura, ose të vetëmjaftueshme – që nuk kanë nevojë për kontekst, por që krijojnë ato vetë kontekst; por edhe eksplicitojnë mendime dhe ide që, në shkëmbimet normale, mbeten të supozuara, të nënvendosura, të nënujshme.
Karakteristikë e stilit frazist të Zylos është që ky, për t’u imponuar në bisedë si subjekt me autoritet, i nxjerr në sipërfaqe ato që, në logjikë, njihen si “premisa të madha” të silogjizmave.[3]
Një shembull tjetër, me Zylon që u bërtet disa kolegëve që bënin zhurmë në korridor:
Ju lutem, mos na pengoni! Sot ju lutem, nesër urdhëroj. Mos më detyroni ta filloj detyrën e re me arrogancë… Puna mendore dhe studimi kërkojnë qetësi absolute. Nëse ju jeni mësuar të punoni mes zhurmës, unë këtë gjendje nuk e lejoj, – tha shoku Zylo dhe mbylli derën.
Premisa e madhe në këtë thënie është pikërisht “puna mendore dhe studimi kërkojnë qetësi absolute”, që tingëllon si diçka e shkruar në murin e një biblioteke publike. Në situata ligjërimore normale kjo premisë nuk eksplicitohet – nëse dikush, si Zyloja, u bërtet kolegëve që po bëjnë zhurmë dhe u thotë se po e pengojnë, nënkuptohet se arsyeja e kësaj ndërhyrjeje është pikërisht nevoja që ka Zyloja për qetësi. Jo vetëm kaq, por është ky nënkuptim, ky presupozim, që e bën të mundur komunikimin; duke vendosur një lidhje logjike mes zhurmës në korridor dhe Zylos që kërkon të punojë. Qesharake, te Zyloja, është se ky përnjëmend kujton se po i shton një përmasë “pedagogjike” ligjërimit të vet, duke ua shpjeguar vartësve dobinë e një mjedisi pune të qetë; por në të vërtetë vetëm sa imponon autoritetin e vet duke eksplicituar një premisë të madhe silogjizmi.
Tek e njëjta skenë, pak më parë, Zyloja që është në zyrën e vet me Demkën, i shfryhet këtij për zhurmën që vjen nga korridori. Zyloja sapo e ka marrë këtë post, duke zëvendësuar Shemshedinin. Thotë:
E sheh se me ç’mënyrë mirësjelljeje janë mësuar? Nuk duan ta dinë nëse punojnë njerëzit a s’punojnë! Fajet i ka Shemshedini, që e ka shthurur administratën. Administrata është fytyra e shtetit. Po prishe administratën, prish fytyrën e shtetit.
Edhe një herë, Zyloja ekspliciton një të vërtetë të njohur, një truizëm, duke thënë diçka që në rrethana normale do t’i nënvendosej bisedës. Dy fjalitë e nënvizuara më lart kanë një ton aforistik, madje apodiktik, që do t’i bënte të përshtatshme për t’u ekspozuar si citate, në një kënd emulacioni ose në sallonin hyrës të një ministrie a institucioni tjetër shtetëror; çfarë i bën qesharake, në gojën e Zylos, nuk është vetëm roli i tyre prej gozhdësh në mbërthimin e argumentit, por edhe megalomania e atij që i thotë, me bindjen se – në përpjekje kinse “modeste” për t’i mbështetur reagimet e veta në arsyetime – po komunikon mendime të larta, “fillozofike”. Zyloja si të thuash nuk mjaftohet me autoritetin performativ që i jep vetvetiu posti drejtues, por kërkon ta mbështetë dhe ta fuqizojë këtë autoritet duke e mveshur me virtytin e hekurt të logjikës (silogjizmi, premisa e madhe) dhe të ideologjisë. Gati-gati, sikur shpreson që një ditë këto thënie të tij të mblidhen dhe të botohen në trajtën e një libri me aforizma, ose mendime të ndritura.
Ja edhe një bisedë telefonike e Zylos me të shoqen, Adilën (ku përmendet i biri, Diogjeni, talent muzikor që po punon për një simfoni kur ende fëmijë), e cila jepet në tekst ashtu siç e dëgjon Demka:
Diogjeni ç’bën?… Me simfoninë?… Mos e lër të lodhet! I dhe mjaltë?… S’e hëngri?… I bën mirë për kujtesën. Ai harxhon energji. Energjia që humb njeriu gjatë krijimit, është nga humbjet më të mëdha…
Edhe kur flet me gruan e vet, Zyloja nuk del dot nga roli i njeriut të ditur, të ndriçuar, që e shndërron çdo situatë, edhe më banalen, në shëmbëllim të së përgjithshmes, ose instancë të filozofikes. Dhe ky që flet nuk është më thjesht filozofi, por misionari i dijes; i cili kërkon t’i shpëtojë të tjerët, madje botën mbarë, duke ndarë me ta mendimin e vet. Fjalinë e nënvizuar më lart (sërish premisë e madhe e një silogjizmi) Zyloja duket sikur e thotë jo vetëm për t’i dhënë autoritet dhe peshë këshillës që Diogjeni duhet të hajë mjaltë; por edhe për të bindur veten, se ato çfarë u përrallis të tjerëve nuk mund të jenë dhe aq banale, sa kohë që mbështeten në të vërteta të tilla “të thella”. Zyloja që i jep vetes autoritet nëpërmjet frazave të tilla të përgjithshme është edhe Zyloja i vetëdijshëm se ky autoritet, në fakt, i mungon. Si intelektual që e imagjinon veten, kërkon të imponohet me forcën e arsyes individuale; por duke u mbështetur në vetën e tretë si vetën e Tjetrit me T të madhe, ose në anonimitetin e premisave e mëdha (truizmave), i ikën individualiteti përmes gishtave, si rëra. Kjo është edhe drama – nëse mund ta quaj kështu – e frazeologut, që mund të kondensohet në pyetjen vrastare “kush flet?”.
(vijon)
© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Kopjuesit do të përndiqen penalisht.
[1] Mikaela Minga ma sugjeroi këtë neologjizëm, për një kulturë të mbështetur në fjalën e shkruar. Më pëlqen. Më parë kam pasë përdorur skripturaliteti, term kaba.
[2] Të gjitha citimet te ky punim janë nga vëllimi Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo, Shtëpia botuese Dritëro, 2016.
[3] Silogjizmi është një lloj argumenti që niset nga dy premisa, njëra e madhe që përmban predikatin e konkluzionit, dhe tjetra e vogël, që përmban subjektin e konkluzionit. Për shembull:
1. Të gjithë njerëzit janë të vdekshëm (premisa e madhe)
2. Sokrati është njeri (premisa e vogël)
3. Sokrati është i vdekshëm (konkluzioni).
Në ligjërimin e përditshëm, premisa e madhe lihet zakonisht jashtë, si e nënkuptuar. P.sh. “Epo një ditë do vdiste edhe ai, se njeri është.”
Pse nuk le dot nje pergjigje tek shkrimi i Kokonozit?
Do ketë pasur problem nga ana jote, sepse këtu s’ka arritur gjë.