Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Lexim

LIBRI SHËRON

Rastisa këto ditë të lexoja diçka për biblioterapinë: siç e sugjeron fjala, terapinë nëpërmjet librave. Por nuk e çova dot më tej leximin, as u vura të qëmtoj, sepse më përmbytën imagjinata dhe shoqërimet e mendimeve.

Terapia nëpërmjet librave – m’u përfytyrua si litar i tendosur fort mes dy skajeve: Biblës, për hir të emrit por edhe të fuqisë terapeutike të konfirmuar; dhe universitetit, si vendi ku, në fakt, prej shekujsh ofrohet terapi nëpërmjet librit – për kokat e pagdhendura, kokat e zbrazëta dhe… kokat e pashtruara.

Shkolla si spital kundër antikonformizmit: ja një institucion total që të bën të mendosh.

Për ca si unë, pastaj, që vijnë nga regjime të tjera njëlloj anijet ndëryjore, të gatshme për t’u përballur me efektet e paradoksit të binjakëve, biblioterapia zgjon nga gjumi makthe kampesh ri-edukimi, ku të burgosurve u lexohen pjesë nga “veprat”; ose edhe spitalesh të mirëfillta, në Kinën e Maos, ku leximet në grup të libërthit me citate shërojnë sëmundje të pashërueshme, ngrenë në këmbë sakatët, u kthejnë sytë të verbërve dhe gjallërinë komatozëve; pa folur për zëvendësimin e narkozës dhe mrekulli të tjera.

Biblioterapia: e thotë vetë fjala, terapia nëpërmjet librit. Por kjo sjell me vete dy interpretime në konflikt mes tyre – dhe pikërisht, midis terapisë nëpërmjet leximit si aktivitet, jo doemos të një libri; dhe terapisë nëpërmjet librit, por jo doemos duke e lexuar. Kështu do të mund të flisnim për efektin terapeutik të Twitter-it (që gjithashtu lexohet), ose të Snapchat-it nga njëra anë; por edhe efektin shërues të atyre që blejnë libra dhe i ekspozojnë në bibliotekat personale, ose të atyre të tjerëve që vizitojnë librari ose biblioteka; dhe më në fund, të atyre që shkruajnë libra.

Një imazh: i sëmuri në sallën e operacionit; përballë një komisar duke i lexuar me zë nga libri i Citateve të Maos, dhe një çetë mjekësh dhe infermierësh me maska, gati për të filluar ndërhyrjen pa narkozë. Biblioterapia, si formë e psikoterapisë dhe, në analizë të fundit, e një qasjeje freudiane ndaj psikes, çarmatoset krejt para kësaj mrekullie ideologjike të maoistikës (në mos të maoizmit).

Një imazh i kundërt: vitrinat mbi rrugë të një palestre ultra-moderne, nga ku kalimtarët mund të shohin masën e trupave në aktivitet fizik pothuajse të sinkronizuar, duke ndërvepruar me makinat. Jetojmë në kohëra të zymta, kur njerëzit e kanë për mburrje të thonë se “po shkojmë në gym” dhe për turp të thonë se “po shkoj në bibliotekë”. Kulti i trupit e ka mposhtur kultin e mendjes.

Që këtej edhe imazhi ekstrem i biblioterapisë: një palestër ku fizio-besimtarët kaliten duke ngritur dhe transportuar libra të rëndë – për shembull fjalorë historikë, koleksionet e Fletores Zyrtare ose, idealisht, Enciklopedinë Sovjetike.

Nuk më shqiten këto fantazi, sepse nuk ia jap dot pafajësinë idesë se librat mund të përdoren për të kuruar diçka – një obsesion, një frikë, një paranojë, një ankth. Ngaqë theksin e vë, pa dashur, te folja përdoren. I vetëdijshëm se po përsërit veten, po dua ta them sërish: jetojmë në kohëra të zymta, ku librat po i përligj vetëm mundësia për t’i përdorur off-label, ose përtej destinacionit të tyre të natyrshëm.

Asgjë të re, te ky ri-përdorim: në shekuj, librat janë përdorur për të ndezur zjarre dhe për të ushqyer cjepërit; për të bllokuar dyer dhe për të zbukuruar mure; për të fshehur brenda pistoleta dhe për të fshehur brenda letra dashurie.

Përkundrazi, e reja është që libri, si i tillë, duhet ta përligjë ekzistencën duke u ofruar për gjithfarë përdorimesh të papritura: nga indoktrinimi, te ngritja e peshave.

Për herë të tretë: jetojmë në kohëra të zymta, kur të qëllon të entuziazmohesh ngaqë lopët prodhojnë më shumë qumësht, po t’u vësh të dëgjojnë Mozart-in.

Mirëpo ideja e librit si ilaç për çfarë po të mundon, më duket se e ruan të drejtën e apelimit.

Le të përfytyrojmë një të ardhme kur ti shkon në një bibliotekë klinike dhe i thua autoritetit atje: më jep diçka për të fjetur më mirë. Ose: më duhet një libër i mirë kundër ankthit.

Edhe një mundësi tjetër: biblioterapia si komplot autorësh dhe botuesish, për t’i nxitur të shumëvuajturit të lexojnë më shumë.

Libri të bën të bukur. Libri në dorën tënde bëhet i bukur. Libri është sexy. Libri është sekreti i njerëzve të suksesshëm. Më thuaj ç’libër lexon… Libri shpëton jetë njerëzish. Si mësova të lexoj për së dyti. Libri: droga e mirë, që të hap dyert e kulturës.

Po e lë me kaq, se nuk po dua të tingëlloj si fushatat promocionale të Ministrisë së Kitsch-it.

Dhe këtu do të ngrihet kundër-filozofi për të thënë: po sikur kura ta rëndojë edhe më sëmundjen? Po sikur pacienti të vrasë, pasi të ketë lexuar “Krim e ndëshkim”? Sikur t’i bëjë gjë vetes, pasi të ketë mbaruar “Vuajtjet e djaloshit Verter?” Sikur t’i shpifet paranoja, që pa ia nxjerrë fundin “1984”-ës së Orwell-it? Sikur të fillojë revolucionin, duke e lënë përgjysmë “Ç’të bëjmë?” të Leninit?

Po sikur? Po sikur? Po sikur lexuesit “t’i ngjitet” libri, siç të ngjitet gripi nga një e teshtitur e tjetrit?

E kam një përgjigje edhe për këtë: biblioterapia jo si lexim dhe përvetësim i një teksti, por si projeksion i mundimit/patologjisë sonë mbi kanavacën e virgjër të librit.

“Populli” do të thoshte: të hapësh një vrimë dhe t’ia rrëfesh të gjitha.

Biblioterapia, pra, jo si rrugëdalje, por si ngushëllim. Çfarë tingëllon edhe në harmoni me evolucionin modest të psikoterapisë: nga doktor vetëm ti mund të ma shkoqitësh hallin, te doktor, vetëm ti mund të ma qash hallin.

Ose shndërrimi i bibliotekave në qajtore.

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

4 Komente

  1. Nuk besoj se do te guxohej nga ana e profesionisteve aq shume tek individet e luhatshem apo te cenueshem sa te lexohej Rayuela, Krim dhe Ndeshkim dhe cfaredo libri-bote tjeter… Eshte jo-produktive. Ne vend te sherohej plaga ne mendje, qendron rreziku te infektohej shpirti apo anasjelltas.
    Gjithsesi, biblioterapia si pjese e art-terapise duket se eshte funksionale vertet, jo vetem ne njerezore qe mbartin drama te perditshme, por mbi te gjitha ne ata te cilet dramat jane kthyer ne patologji.

  2. Fjala “biblioterapi” më kujtoi një periudhë të gjatë, të mundimshme e po aq, të mërzitshme, gjatë fëmijërisë, kur u pata sëmurë keq dhe për këtë arsye, mjeku më këshilloi regjim shtrati dhe një tufë me ilaçe që qenë farmak! Ka qenë dimër dhe dita e nata s’dallonin fort nga njëra-tjetra. E vetmja mënyrë për të larguar mendjen nga ai burg i befasishëm ishte një tufë me libra për fëmijë që fillonin nga përrallat Andersenit, për të vazhduar me tregimet e Kutelit, aventurat e Çipolinos, disa rrëfenja në greqisht që më endnin nëpër prapësi të ndryshme fëmijësh imagjinarë, të ilustruara bukur, e deri tek ca poezi aspak mbresëlënëse në shqip dhe greqisht. Unë u përfshiva aq shumë në botët magjike të atyre faqeve, sa krejt papritur koha nisi të kalonte më shpejt se zakonisht dhe kur më hipte temperatura ose më kaplonte ndonjë plogështi e atypëratyshme, nuk bëja naze si ndaj grushtit me ilaçe po ashtu edhe ndaj formave kreative që ime ëmë shpikte për të më sjellë në vete (një punë kupash më vjen ndërmend tani), kjo vetëm e vetëm që të kisha mundësinë t’i rikthehesha leximit. Libri u shndërrua kësisoj në mikun e vetëm, në ngushëllimin më prehës.

    Më vonë gjatë viteve, do ta gjeja sërish veten në krahët e tij, sa herë që ujërat do të turbulloheshin…

  3. Kur flitet per cilesite terapeutike te librit, te librit te mire ( perjashtoj rastet manipuluese me librin politik apo fetar) jo rralle harrojme (ose jo shpesh kujtojme) se pas librit ka nje autor. E megjithate cilesia terapeutike e nje libri kurre nuk eshte marre si kriter per vleresimin e nje shkrimtari si i mire apo si i keq. Ne teresi e kemi te veshtire te themi se ky autor eshte i mire se te sheron dhe ai tjetri jo, kete do e blej sepse me ben mire per melçine dhe ky tjetri me ul glukozen ne gjak, pa llogaritur nje tjeter qe te trazon hormonet apo te shton fertilitetin. Por edhe po ta shohesh problemin nga ana tjeter, nuk di ndonje rast kur autori ulet te shkruaje me qellim qe te sheroje ndokend.
    Po nga vjen kjo cilesi e vertetuar terapeutike? Eshte e qarte se, jashte letersise, njerez te caktuar kane cilesi sheruese. Edhe kjo eshte e provuar. Ata qe njihen si coupeur de feux i transmetojne njeri tjetrit prej shekujsh formula te veçanta me te cilat arrijne te sherojne plage te renda djegjeje, ndaj te cilave nuk veprojne as terapite me moderne. Dhe kjo vetem nepermjet fjales.
    Por a duhet menduar se nje shkrimtar eshte dikush qe ne origjine duhej te ishte mjek popullor dhe qe per arsye te ndryshme ka gabuar zanat?
    Kam pershtypjen se eshte ende me e nderlikuar se kaq.

  4. … ne vijim eshte interesante te vesh re se ne teorine qe Freud paraqiti nga fillimi i shekullit te shkuar, vepra te veçanta letrare marrin te njejtin vend dhe rendesi ne ekplorimin dhe funksionin e psiqikes njerezore sikunder edhe praktika klinike.

    Ka nje pyetje qe edhe vete Freud e ben shume shpesh: Si eshte e mundur qe nje numer autoresh kane mundur t’i paraprijne me kohe zbulimeve te mevoneshme e te arritura me mjaft mundim te psikanalizes?” Diku tjeter per shkrimtaret, ai thote “…jane aleate te vlefshem, qe dine mjaft gjera qe qendrojne midis qiellit dhe tokes, te cilat niveli i diturive tona te fituara ne shkolle as ne enderr nuk i arrin”. Per te pranuar me pas ( te Délires et rêves dans la ‹Gradiva› de Jensen, 1907) se “… eshte e veshtire per psikianalistin te gjeje gjesendi te re te cilen shkrimtaret nuk e kane thene para tij”

    Dhe kjo nderkohe kur studimet psikologjike te kohes e cilesonin shkrimtarin “te degjeneruar te eperm” (ne kuptimin psiqik dhe jo social) pasoje kjo e opozicionit radikal midis arsyes dhe imagjinates, gje qe sipas perfundimeve te kohes, behej shkas patologjish te ndryshme.

    Freud, perkundrazi i ngre ate ne nivelin e eksploratorve dhe njohesve me te mire te thellesive te ndergjegjes.

    Jane per t’u shenuar edhe fjalet qe thote pas studimit qe i beri Rosmersholm te Ibsenit: «Pas nje qendrimi te gjate ne vepren letrare, le te kthehemi te pervoja mjeksore, por vetem per te konstatuar perputhjen e tyre te plote…”

    Po aq e habiteshme eshte edhe ajo qe thote pasi ka lexuar nje liber te Josef Popper-Lynkeus (xhaxhai i Karl Popper) qe me perkthim te lire do te ishte Te enderrosh ne enderr, te enderrosh sikur je zgjuar apo pergjon: ” …gjeta ne te shpjegimin pothuaj me terma psikologjike ekzakte te deformimit te endrres sikunder ai qe kisha arritur nepermjet punimeve te mia mbi endrren”

    Ky artikull i fundit eshte ketu: https://www.psychaanalyse.com/pdf/freud_Ma%20rencontre%20avec%20Josef%20Popper.pdf

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin