Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

SREDNI VASHTAR

tregim nga Saki (H H Munro), marrë nga vëllimi The Chronicles of Clovis (1911)

përktheu Arben Dedja

Konradini ishte vetëm dhjetë vjeç kur mjeku shpalli gjykimin e tij profesional se djalit i kishin mbetur a s’i kishin mbetur edhe pesë vite të tjera jetë. Mjeku qe i mëndafshtë, dekadent dhe, mbi të gjitha, nuk ngrinte peshë, por opinioni i tij u përqafua nga Znj. De Rop, që peshonte për gati gjithçka. Znj. De Rop ishte kushërira dhe, njëkohësisht, tutorja e Konradinit dhe në sytë e tij ajo përfaqësonte ato tre të pestat aq të nevojshme, të pakëndshme dhe reale të kësaj bote; dy të pestat e tjera, në kundërshti të përjetshme me pjesën tjetër, përmblidheshin tek ai vetë dhe tek imagjinata. Konradini kish ndjesinë që një ditë prej ditësh do të epej nën trysninë rroposëse të gjërave të nevojshme – sëmundjet, kufizimet për gjëra që i pëlqenin, mërzitë e stërzgjatura. Pa imagjinatën që, e nxitur nga vetmia, i grafullonte, do të ish dorëzuar qyshkur.

Kurrë Znj. De Rop, as në çastet e saj më të sinqerta, nuk do t’ia pohonte dot vetes që Konradini nuk i pëlqente, ndonëse mund të ish e vetëdijshme, ashtu turbull, që ndrydhja që i shkaktonte “për të mirën e tij” qe një detyrë që nuk e mërziste aspak. Nga ana tjetër, Konradini e urrente të kushërirën me një çiltërsi dëshpërake që e maskonte, ama, përsosur. Ato pak kënaqësi që arrinte t’i rrëmbente jetës fitonin kështu një shije edhe më të ëmbël, ngaqë mund të mos i pëlqenin gardianit të vet, të përjashtuar sakaq nga mbretëria e imagjinatës – gjësend i çdëlirë, që nuk kish vend aty.

Oborri i irnuar dhe shëmtarak, ku ai vëzhgohej nga tërë ato dritare gati të hapeshin për t’i thirrur të mos bënte këtë apo atë, apo ta paralajmëronin që kish ardhur ora e ilaçeve, e tërhiqte fare pak. Ca pemë frutore mbirë aty-këtu mbaheshin tërë zili larg këputjeve që ai mund t’u bënte, thua qenë ekzemplarë të rrallë në llojin e vet, mbirë në një truall shkretinor; kur vështirë se gjendej frutashitës që jepte një dyshkë për prodhimin e tyre mbarëvjetor. Megjithatë, në një qoshk të harruar, gati e fshehur pas ca shkurresh zymtake, ngrihej një kolibe e braktisur veglash, e bollshme në përmasa, ku Konradini kish gjetur limanin e tij, diçka midis një dhome për të lozur dhe një katedraleje. E populloi atë vend me një ushtri lugetërish familjarë, risjellë në jetë nga copëza të dëgjuara rrëfenjash apo thjesht pjella të trurit të tij, por ajo strehë mburrej edhe me dy bujtës të tjerë mishi e gjaku. Jetonte në një qoshe një pulë frënge puplarënë, së cilës djali i përkushtohej me një dashuri që vështirë të shfrehej diku tjetër. Akoma më thellë, tutje në errësirë, gjendej një furrik i ndarë në dy kamare, njëra nga të cilat kish në ballinë shufra hekuri të ngulura pranë e pranë. Ishte tëbana e një qelbës-bundri të madh, që çiraku miqësor i kasapit ia kish çuar fshehurazi, me gjithë kafaz, në këmbim të një grushti të mirëfshehur argjendurinash. Konradini tmerrohej nga bisha e zhdërvjellët dhe dhëmbëmprehtë, por ajo ish pasuria e tij më e vyer. Prania e saj në kolibe i përcillte një ngazëllim të fshehtë dhe llahtarisës, që me kujdes duhej mbajtur sa më larg Gruas, siç e quante ai me vete të kushërirën. Dhe një ditë, Qielli e di prej seje, por lëndëzimi u krye dhe ai i ngjiti kafshës një emër të mrekullueshëm, duke e lartësuar qysh nga ai çast në kult e Zot. Një herë në javë Gruaja i dedikohej fesë dhe shkonte te një kishë aty pranë me gjithë Konradin me vete, por djalit shërbesa fetare i dukej si një rit i huaj në Tempullin e Rimmon-it. Çdo të enjte, në heshtjen e mugët dhe të mykur të kolibes, ai lutej, me një ceremoni mistike dhe të ndërlikuar, përballë furrikut të drunjtë ku banonte Sredni Vashtar-i, Bundri Madhështor. Lule të kuqe të stinës dhe, në dimër, rrushqe ngjyrë alle i ofroheshin atij në faltore, se ai qe Zoti që i jepte rëndësi të veçantë anës mizore e të padurim të gjërave, ndryshe nga feja e Gruas, që, për aq sa Konradini mund të kuptonte, shkonte me çmos në kahje të kundërt. Për të kremte të mëdha shtronte arrëmyshk pluhur përpara furrikut, ku tiparin më të rëndësishëm të ofertës e përbënte fakti që arrëmyshku duhej të qe i vjedhur. Qenë kremtime të çrregullta dhe caktoheshin kryesisht për të festuar ndonjë ngjarje të veçantë. Në një rast, për shembull, kur Znj. De Rop vuajti tre ditë e net nga një dhëmb që i dhimbte, Konradini e mbajti edhe ai ngrehur festën tre ditë dhe gati arriti ta bindë veten që Sredni Vashtar-i ishte drejpërsëdrejti përgjegjës për dhimbjen e dhëmbit. Edhe një ditë të kish zgjatur lëngata, zahiretë e arrëmyshkut do të kishin sosur.

Pula frënge nuk kish vend në kultin e Sredni Vashtar-it. Konradini e kishte ndarë mendjen që ajo qe anabaptiste. Sigurisht, nuk mëtonte të kish as idenë më të vogël se ç’donte të thosh anabaptiste, por thellë vetes shpresonte, që domethënia të ish “pispilluqe” dhe “pak e respektueshme”. Znj. De Rop ishte modeli i tij i respektueshmërisë, që ai e urrente.

Kaloi ca kohë dhe, më në fund, interesi i Konradinit për koliben e veglave tërhoqi vëmendjen e tutores. “Sigurisht, nuk i bën mirë të sorollatet aty kohë e pa kohë”, gjykoi ajo pa ngurrim dhe, të nesërmen, tek hanin mëngjes, shpalli që mbrëmjen e kaluar pulën frënge e kishin hequr që aty për ta shitur. Sytë e saj miopë hetonin Konradinin: priste një shpërthim vaji, zemërimi, që ish bërë gati ta mbyste me një valë qortimesh e arsyetimesh. Por Konradini nuk hapi gojë: nuk kish gjë për të thënë. Ndoshta diçka në atë fytyrë të zbehtë i shkaktoi një brejtje të vogël ndërgjegjeje, përderisa atë mbasdite, për çaj, kish vënë mbi tryezë bukë të bardhë të thekur, ushqim i rrallë, zakonisht i ndaluar ngaqë nuk i bënte mirë djalit; por, sidomos, ngaqë përgatitja e tij “bënte rrëmujë”, faj i rëndë në sytë e saj prej femre të klasës së mesme.

“Kujtova se të pëlqen buka e thekur”, thirri, gjoja e fyer, kur pa që djali nuk e preku.

“Bën vaki”, tha Konradini.

Në kolibe, atë darkë, pati një risi në kultin e Zotit-të-kafazit. Zakonisht Konradini i thurte lavde; atë mbrëmje lypi një nder.

“Bëj një gjë për mua, Sredni Vashtar”.

“Gjëja” nuk u përcaktua qartë. Duke qenë se Sredni Vashtar-i ishte Zot, mendja ta donte që e kuptonte vetë. Dhe, duke mbytur një dënesë, tek i hidhte sytë qoshkut bosh, Konradini u kthye në botën që e urrente aq fort.

Përnatë, në terrin dashamirës të dhomës së tij të gjumit dhe, çdo mbrëmje në mugëtirën e kolibes, çohej litania e brengosur: “Bëj një gjë për mua, Sredni Vashtar”.

Zonja De Rop vuri re që vizitat në kolibe nuk ishin rralluar dhe, një ditë prej ditësh, bëri një inspektim tjetër.

“Ç’ka kafazi?”, pyeti. “Do të jenë kavie. Ia rregulloj unë”.

Konradini shtrëngoi buzët, por Gruaja s’la vend pa kërkuar në dhomën e tij të gjumit derisa e gjeti çelësin aq mirë të fshehur dhe marshoi sakaq drejt kolibes për ta çuar deri në fund zbulimin e saj. Mbasditja ishte e ftohtë; Konradini nuk kish leje të dalë. Nga dritarja më e largët e dhomës së ngrënies dera e kolibes mezi shquhej përtej cepit të shkurreve dhe, pikërisht aty, Konradini zuri vend. E pa Gruan të hynte; pastaj e imagjinoi si hapte deriçkën e kafazit të shenjtë dhe hetonte me sytë miopë shtrojën e dendur prej kashte ku, i padukshëm, prehej Zoti i tij. Ndoshta me padurimin e saj avdall do t’i jepte edhe ndonjë shkelm kashtës. Për të fundit herë Konradini e pëshpëriti lutjen me zjarr. Por, teksa e bënte, e dinte që asaj lutjeje nuk i besonte as ai vetë. E dinte që, nga një çast në tjetrin, Gruaja do të dilte prej aty me atë buzëqeshjen e urryer, buzërrudhur dhe, pas një ose dy orësh, kopshtari do ta zvarriste tutje hyjninë e tij të mrekullueshme: jo më Zot, por një bundër i thjeshtë ngjyrë kaf brenda një kafazi. Dhe e dinte që Gruaja gjithmonë do të triumfonte, siç kish triumfuar deri më tash dhe ai do të sëmurej gjithnjë e më shpesh nën ndikimin e mençurisë së saj sunduese, mërzitëse, sipërane, gjer një ditë asgjë s’do të kish më rëndësi dhe mjekut do t’i dilte fjala. Dhe, nën peshën dëshpërake të humbjes, ia nisi me zë të lartë e ton sfidues një kënge; himnit të idhullit të tij në rrezik:

Sredni Vashtari bëri përpara,
mendimet i kish të kuqe dhe dhëmbët të bardhë.
Armiqtë i lypën mëshirë, ai vdekje u solli.
Sredni Vashtar – Madhështia.

Befas, e ndërpreu këngën dhe iu afrua edhe më xhamit. Dera e kolibes ishte e hapur kanatë, minutat kalonin. Zgjatnin, por prapëseprapë kalonin. Pa gargujt si bridhnin, fluturonin tufa-tufa në lëndinë, zuri t’i numërojë e rinumërojë, me njërin sy ngulur te dera që tundej. Hyri një shërbëtore turivarur të shtronte tryezën për çaj dhe prapë Konradini qëndroi në këmbë duke pritur e vrojtuar. Pak e nga pak shpresa iu ndez në zemër dhe një vështrim triumfues filloi t’i ndrisë syve që kishin njohur vetëm durimin ngashëryes të humbjes. Me gjysmë zë, me një ngazëllim tinëzak, ia mori edhe njëherë peanës së fitores dhe shkatërrimit. Dhe, menjëherë, sytë e tij u shpërblyen: nga dera doli një kafshë e stërgjatur, e ulët, e verdhë në kafe, me sy vezullitës nën dritën e ditës që po bjerrej dhe me njolla të njomura e të errëta në gëzofin e nofullave dhe të grykës. Konradini ra në gjunjë. Qelbës-bundri i madh vazhdoi udhën deri te një përrua që kufizohej me kopshtin, piu pak, pastaj kapërceu te një urë e vogël dërrase dhe u zhduk sakaq në shkorret. Kështu kaloi Sredni Vashtar-i.

“Çaji është gati”, tha shërbëtorja turivarur; “po zonja ku është?”

“Ka ca që ka vajtur te kolibja”, tha Konradini.

Dhe, teksa shërbëtorja shkonte te zonja ta thërriste, Konradini nxori një pirun nga sirtari dhe u mor ai vetë me thekjen e një riske bukë. Tek e thekte, e lyente me gjalpë, shumë gjalpë, dhe e përtypte ngadalë e tërë shije, kur dëgjoi zhurmat dhe heshtjet që ndiqnin njëra-tjetrën përtej derës së dhomës së ngrënies. Klithma e thellë dhe e pakuptim e shërbëtores, kori i britmave habitqare nga zona e kuzhinës, hapat e nxituara dhe thirrja jashtë për ndihmë dhe pastaj, pas një pauze, dënesjet tërë tmerr, hapat e zvarrisur të atyre që sillnin brenda barrën e rëndë.

“Kush do të marrë guximin t’ia thotë djalit të gjorë? Unë jo njëherë, kurrën e kurrës!”, thirri një zë i çjerrë. Dhe, tek po e rrihnin çështjen mes tyre, Konradini theku riskën e dytë.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading