Titulli: Yjet nuk vishen kështu
Autorja: Elvira Dones
Redaktoi: Aida Baro
Botime Pegi (2015)
Përgatiti për “Peizazhe të fjalës”: Gresa Hasa
[divider style=”single” margin_top=”30px” margin_bottom=”30px”]
Trazirat që shpunë në krizën e vitit 1997 në Shqipëri, sikurse lufta civile që pllakosi menjëherë pas falimentimit të skemave piramidale, paraqiten ndoshta për herë të parë në një roman nga këndvështrimi i vajzave dhe grave për të cilat kjo periudhë shenjon traumën më të thellë të ekzistencës së tyre dhe njëkohësisht përfaqëson atë plagë të shoqërisë sonë që nuk u mbyll dot kurrë.
Dhuna dhe ligësia që u vollën nga kjo hapësirë e vogël toke gjatë atyre viteve, përbëjnë thelbin e kësaj vepre të Donesit. Romani është i ndërtuar në formën e ditarit që u jep zë atyre që jeta iu vodh ende pa e nisur atë, të cilat i degdisën kufoma trotuareve të bregdetit matanë apo i shndërruan në llokma mishi me datë skadence, në tregun pervers të trafikimit dhe shfrytëzimit të qenieve njerëzore.
Përpos rrëfimit në vetën e parë çka e bën veprën akoma më rrëngjethëse, historitë e treguara shoqërohen gjithashtu nga narracioni i guximshëm i autores e cila duket sikur ndërhyn mes klithmave, duke kërkuar të kuptojë se pse ndodhën ato që ndodhën por mbi të gjitha, si është e mundur që për një kohë të shkurtër në kalendar por të pashlyeshme tashmë nga kujtesa jonë, ne i lejuam këto tmerre?
Ky roman është një investigim i munguar, një dokumentim i së keqes që mbiu mes nesh dhe po aq, një këmbëngulje për të kërkuar njerëzoren brenda vetes. Por mbi të gjitha, ai është një zë i fuqishëm revolte për t’i bërë vend drejtësisë dhe sidomos arsyes. “Yjet nuk vishen kështu” mund të shërbejë si prologu i një debati që ende pret të zhvillohet.
Ky libër gjendet i përkthyer në gjuhën italiane dhe atë franceze.
Elvira Dones lindi më 1960 në Durrës. Studimet e larta i kreu në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1988 u largua në Zvicër ku ende jeton e punon. Ajo është autore e nëntë veprave në prozë (shtatë romane dhe dy vëllime me tregime). Megjithatë, fusha e saj e veprimtarisë shtrihet edhe në gazetari e regjizurë, ku spikat veçanërisht angazhimi me filmat dokumentarë.
[divider style=”single” margin_top=”30px” margin_bottom=”30px”]
1.
Bëj durim, më duhet veç të përcjell trupin tim deri në shtëpi, të shoh për herë të fundit nënën dhe për herë të parë varrin e Aurorës. Pastaj të iki, njëherë e përgjithmonë. Është e hënë. Kjo ditë gjithmonë më ka sjellë mbarësi. E hënë, pesë mars, 1997. Shoh njëkohësisht trupin e bërë si feta pjepri dhe njeriun që ma katandisi kështu. Ai rënkon e bën kujdes të mos dalë nga shtylla pas së cilës është fshehur. Se si të vjen ta shohësh veten në një arkivol. Të dish se nuk do të prekësh më njeri të gjallë me dorë, të pish një filxhan kafe a të krehësh flokët.
2.
– Unë jam e fejuara e Besnikut dhe ju me siguri e njihni Besnikun. Besnik K. Sapo kemi ardhur nga Atjeposhti dhe nuk duam të shqetësojmë askënd. Po të mos doni të na ndihmoni mjafton të na lini të ikim dhe nuk do t’ju ngatërrohemi kurrë nëpër këmbë. Unë jam kushërira e Bilalit, me siguri e njihni Bilalin, të gjithë e njohin Bilalin. Ai na dha adresën duke na thënë se këtu kishte folur me njerëz që do të na jepnin një dorë të rregulloheshim e më vonë do të vinte vetë të na bënte vizitë, Bilali…
– Pikërisht.
Yoyo është bërë serioz, madje është acaruar. Ngrihet e i avitet Sorajës. Ulet dhe i bie me pëllëmbë mbi gju, sikur po e përkëdhel.
– Pikërisht. Të ka dërguar Bilali, yt kushëri, me gjithë të fejuarin. Ata janë në dijeni të gjithçkaje. Dhe ti tani zhvishu e gjitha para se ta humbas durimin dhe të ta bëj shoshë surratin prej idioteje.
3.
– Ndoshta do të të ecë më mirë se këtu Entelë, – tha burri pas një copë here me zë fajtor, pa guxuar ta shihte të bijën në sy. – Ti je vajzë e zgjuar dhe do dish t’i bësh vend vetes. Shih rrotull, veç bark thatë e lecka të vjetra mundemi të të sigurojmë në këtë shtëpi. Ç’hajër pe nga ne si prindër? Një mender. Qemë të zotët veç të pjellim kalamanj si lepuj. Për të tjerat, ibret.
Entela deshi të thoshte diçka por u pendua. U kthye përgjysmë nga Myrveti, por profili i trishtuar i saj e bëri t’i degdiste sytë gjetkë. Ia nguli vështrimin shkopit që mbante perden e dalë boje të dritares dhe u humb për një kohë të gjatë. Qazimi e Myrveti u panë në sy pa ditur si të vepronin. Gruaja i mori dorën të voglës.
– Po të bëj të hash, shpirt.
Vajza bëri po me kokë, pa i shqitur sytë nga perdet. Myrveti hapi dollapin e ushqimeve, nxorri që andej domaten e vetme që do të kishte ndarë më vonë me të shoqin për darkë dhe ia vuri së bijës në një pjatë së bashku me pak djathë e dy japrakë të mbetur nga darka e djeshme.
– Hajde të hash, zemër e mamit!
– Unë kam frikë të iki në Atjelart, – tha Entenela më në fund – kam frikë.
Kur të pesë fëmijët i zuri gjumi në shtratin e madh, shtrirë ca nga koka e ca nga këmbët, Myrveti mori fundin e shishes së kosit, i shtiu brenda ujë deri në gjysmë, e tundi fort që të krijohej një masë e njëtrajtshme dhe e ndau në dy gota. Qazimi ndërkohë preu copat e bukës dhe i vendosi në tryezë së bashku me dy kokrra qepë e fetën e fundit të djathit që kishte mbetur pas darkës së fëmijëve.
– Të bëftë mirë, o burrë! – i tha Myrveti.
– Na bëftë!
Hëngrën në heshtje, me pahir. Pas darke dolën në ballkonin si punë aneksi. Larësja e rrobave i rrotullonte këto paqësisht duke lëshuar së bashku me zhurmën, një aromë të mirë detergjenti. Të paktën kjo larje do zoti të shkojë deri në fund, tha Myrveti me zë të ulët, se vdiqa duke larë me dorë, dhjetë herë në ditë ikën korenti. E ç’mi thua këto, o grua, sikur të mos jem gjithë ditën në këmbët e tua e të mos i shoh gjërat vetë, u ankua Qazimi.
Ndezën një cigare. Ai deshi të hapte dritaren, por Myrveti e ndaloi. Do të të mbetet doreza në dorë, s’e sheh që është kalbur fare? Deri para dy ditësh hapej, kundërshtoi burri. Deri para një jave, saktësoi Myrveti, tani është më mirë të mos e prekësh.
Gruaja u mbështet me shpinë pas gjoksit të të shoqit. Atij i vinte era thartirë. Doemos, mendoi ajo me vete, me ç’ujë të laheshin? Kushedi ç’erë mbaj dhe unë, jam bërë këllirë. Qazimi e përfshiu nga pas duke i hedhur krahun poshtë mjekrës dhe duke e lënë këtë të binte rëndë në supin e saj të majtë.
– Gjithë ato plane që bënim dikur, ë Myrvet?
Ajo nuk u gjegj, thithi cigaren fort duke bërë kujdes që të mos ia hidhte tymin në fytyrë të shoqit, që ishte një kokë më i gjatë se ajo.
– E tani kemi mbetur në duart e një çilimiu si Entela, turp e faqe e zezë.
– Mos e zër në gojë, Qazim, në ke besuar Perëndinë, jo sonte. Tani është tepër vonë për biseda të tilla.
– Çfarë burri jam unë që s’ngop dot familjen me bukë?
– S’je as i pari e as i fundit, Qazim, lëre këtë muhabetm qafsh mua.
– Nisim foshnjen rrugëve të përtejdetit e unë i ati rri këtu si hu gardhi, një vit të tërë pa punë.
– Epo mirë, – humbi durimin Myrveti, – meqë ke vendosur të torturosh veten e të më torturosh edhe mua, bëje. Nuk ishte ti që ia gjete këtë vend pune? S’ishe ti që erdhe bashkë me Veliun për të ma mbushur mendjen se atje do punojë si dado për kalamajtë tek një pasanik dhe ata do i bëjnë dokumentet e të tjera pallavra si këto? Mos ishte imja ideja që ta nisnim copën e foshnjes rrugëve?
Myrveti u shkëput prej tij, hyri në dhomën e ndenjes, shtypi bishtin e cigares mbi një nga pjatat e palara dhe u plandos mbi divan. Ai e ndoqi pas. U ul pranë. Heshtën kështu për një copë herë të gjatë.
– Janë njerëz të besuar, – tha Qazimi më në fund, më shumë për vete se sa për Myrvetin – Veliu me Hajrien dinë ç’bëjnë. Gjashtë muaj, sa të gjej unë një punë dhe e kthejmë Entelën mbrapsht. Gjashtë muaj e as një ditë më shumë. Ndërkohë atje do ketë mësuar edhe gjuhën e vendit dhe shumë zakone të huaja që sot është më mirë t’i dish se të mos i dish, apo jo?
Priti. Myrveti s’nxorri zë.
– Edhe këtu, rrugëve, pa shkollë e pa zanat, ç’do mësojë?
Myrveti prapë hiç.
– Pse më mban mëri o grua?
– E kush të mban mëri?
– Ti.
– S’është e vërtetë.
– Po atëherë çë?!
– Më është mbledhur shpirti gur Qaze, helm më është bërë.
– Vetëm gjashtë muaj, për kokën e gocës. Mbase gjatë kësaj kohe do bëhet diçka edhe për ne. Mbase hapen vende pune, të huajt vënë dorën në zemër e sjellin këtej ndonjë fabrikë çfarëdo, se s’do mbetemi gjithë jetën pa brekë në bythë. Kushedi? Mbase do shohë Perëndia edhe për këtë vend të mallkuar.
– …
– Sikur të më kishte ecur Atjelart, sikur të mos më kishin zënë e kthyer mbrapsht për punë dokumentash, kushedi si do ishim sot, me gjithë të mirat.
– Po, po, në atë krah fli, – i shpëtoi Myrvetes me një zë që s’do kishte dashur t’i dilte i tillë.
– Ç’kërkon të thuash me këtë?
– Që ne brekëgrisur kemi lindur e brekëgrisur do mbetemi, o burrë. Ky vend s’ka sy për qabe, derisa të na qeverisin legena të tillë. Po thuaj, inshallah Entela të gjejë një familje të mirë andej. Ndoshta janë aq të pasur sa ta mbajnë atje e ta fusin në ndonjë shkollë. Është aq e mirë, si engjëll është. Ta fusin nëpër shkollëra, t’i hapen sytë e të bëhet e zonja e vetes, se po të presë nga ne, më mirë t’ia heqë vetes.
– Mos fol kështu, gjashtë muaj të thashë, – iu lut ai.
– Mirë, mirë, vet e hape muhabetin. Shkojmë të flemë tani.
– E kush mbyll sy sonte?
4.
Është kohë e bukur sot, aq e bukur sa të zë frika. Mua më duket aq e pabesueshme që në një ditë kaq të bukur mund të ndodhin gjëra kaq tmerrësisht të shëmtuara. Unë njoh shëmtinë e natës por njoh edhe ato të ditës. Më vjen keq që dita i sheh ato që i ndodhin në gji e nuk është në gjendje të reagojë. Si puna ime. As unë nuk reagoj, edhe pse i shoh gjërat të më ndodhin rrotull, ngjitur e përsipër. Ndiej shëmtinë të më lyhet për trupi dhe s’bëj asgjë për ta shkulur e hedhur tutje. Frika është më e madhe se guximi.
5.
– Janë të dhjeta të virgjëra?
– Doemos, kjo ishte marrëveshja.
– Ç’moshë kanë?
– Më e vogla katërmbëdhjetë, më e madhja tetëmbëdhjetë, – përgjigjet Bajram K.
– Paska ende virgjëresha në tetëmbëdhjetë vjet andej nga anët tuaja?
– S’kuptoj ç’ka këtu për të qeshur.
– Si more ç’ka për të qeshur? Vajzat nga këto anë në tetëmbëdhjetë vjet e kanë bërë atë punë me kohë. Pra, o juve s’ju punojnë veglat, o jeni fare tutkunë.
– Dëgjo or ti… zotni, bëmë një marrëveshje bashkë më duket. Unë solla mallin, tani dua paratë e aq. Komentet tuaja nuk më hyjnë në punë.
– Patjetër, pse mërzitesh? Na jep numrin e llogarisë e ne jua derdhim shumë sa hap e mbyll sytë.
– Ne duam vetëm para në dorë, si këstin e parë, ndryshe s’bëhet gjë.
– Pa kontrolluar që janë të virgjëra autentike, unë s’shqep as edhe një qindarkë.
– Ç’doni të thoni me autentike?
– Që nuk na dalin kallpë. Autentike do të thotë autentike, nuk e keni këtë fjalë në fjalor? Të papenetruara as edhe me një gisht, u shpjegova tani?
– Bëhemi ne garant për këtë.
– Unë sjell mjekun dhe ti sill vajzat për kontroll. Ndryshe s’bëhet gjë. Klientela është shumë e vlefshme e me cilësi dhe ne nuk mund t’ia lejojmë vetes të rrezikojmë.
– Ku e kur? – pyet me qetësi të shtirë Bajram K.
Profesionisti jep adresën.
– Pas dy orësh.
6.
Ata sulen drejt presë. Vajzat kundërshtojnë, por e dinë krejt mirë se është e kotë. Nga dritaret me hekura të fabrikës së braktisur një copë hëne e shushatur hedh brenda një sy të hutuar. Vajzat ulërijnë, Delina jo. Dy prej burrave i hidhen përsipër. Ajo shtrëngon dhëmbët. Ky është vetëm mishi, vetëm mishi e ajo s’ka kurrfarë të bëjë me këtë ndyrësi.
7.
Aurorë, shpirt i motrës! Sikur të mos kisha ardhur në Atjelart. Sikur të mos isha fejuar me Atë, sikur ai vend të mos ishte aq rreckaman, sikur të mos kishim pasur këtë fat, sikur të kisha bërë shkollë, sikur të ishe ti motra e madhe në vendin tim. Ti do kishe ditur t’i vërtisje gjërat ndryshe. Apo do kishe rënë edhe ti në kurth si e mjera Entelë? Ishte vetëm dy vjet më e madhe se ty. Për një periudhë ia shitën një bande pedofilësh, pastaj e blenë prapë dhe e bënë të prostituohej vetëm në shtëpira. Ishte e rrezikshme ta nxirrnin në rrugë për shkak të moshës, një e mitur bie më lehtë në sy. E kur panë se edhe kështu ajo mund t’i krijonte më shumë probleme se një e rritur, e zhdukën fare nga qarkullimi. Ka zëra që thonë se Entelën e kanë vrarë, të tjerë që thonë se një familje e këtushme e ka marrë në adoptim, madje dikush thotë se e kanë lëntë të kthehet në shtëpi në Atjeposht. Por kjo s’ka si të jetë kurrë e vërtetë. Thonë që babai i saj ka luajtur mendsh. Po luajmë edhe ne mendsh më shumë se ajo që na ka gjetur, nga thashethemet rreth fatit të vajzave të ndryshme. Për fat që nuk përfundove edhe ti kështu Aurorë. Është e vetmja gjë që më ngushëllon sado pak, që ti nuk pësove këtë fat.
8.
Kam frikë se ata të gjithë do ia hedhin burgut lehtë. E pas disa kohësh do jenë të lirë e do të nisin përsëri të bëjnë keq.
9.
Atjeposhti nuk do më njihte po të kthehesha kështu, se isha tjetër njeri kur u largova. E, sikur t’i kujtoj vendit tim se kush jam, do të më duhet edhe t’i pohoj se cila jam. E, po të vazhdoja me pohimet e mia, toka nuk do më pranonte më. Ka njohur shumë ajo tokë por ky lloj turpi është krejt i ri për të dhe zor se do të mundet ta gëlltisë dot. Por edhe sikur të më pranonte për shkak të ndjenjës së detyrës kundrejt qytetarëve të vet, jam unë ajo që këtë herë nuk do ta pranoja atë.
10.
Qeveria s’ka bërë asgjë për ta parandaluar këtë mashtrim. Krejt ndryshe, në fillim i nxiste njerëzit që t’i besonin kësaj mrekullie që po na binte si dhuratë nga qielli. Dolëm ne më të mençur se gjithë bota, t’ia hedhim varfërisë pa të keq, sa hap e mbyll sytë… Pika që s’na bie!
Do doja të kuptoja më shumë rreth kësaj turbullire, firmave e operacioneve financiare të këtij lloji, por s’di nga t’ia nis ngaqë më mungojnë njohuritë. Ndoshta një ditë, po të mbetem gjallë, do kthehem të studioj. Jo në Atjeposht, siç thashë, diku tjetër, se as këtu s’diskutohet që nuk rri.
Sikur të kisha një ëndërr së cilës t’i besoja. U bë shumë, shumë kohë, s’mbahet mend që kur s’shoh dot një ëndërr të vetme. Dua të bëj një ëndërr që të më ndihmojë të shtyjë ditët dhe të më bëj ta urrej Atë më pak.
Por me sy hapur e kam një dëshirë, edhe pse e di që kurrë nuk do të bëhet e vërtetë: që fara e bosëve të shpërbëhet. Jo të përfundojë në burg, jo të vdesë nga vdekje natyrore, nga pleqëria, por të shpërbëhet në grimca të tilla, aq të vogla, sa të mos jetë e mundur të rikrijohet prapë. Të shuhet krejt nga faqja e dheut. Atë ditë do të isha e lumtur. Edhe sikur të ndodhte shumë kohë pasi të isha bërë pleh në tokë. Që ata të shuheshin. Ata që na shëmtuan, që na morën jetën dhe na kthyen në hiç.