Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

GASLIGHTING

Dje faqet e mediave online (dhe rrjetet sociale) nuk kishin lajm tjetër, veç përplasjes shumë “grafike” të disa qytetarëve me policinë, për çështje pronash. Sot ky lajm ka rënë në rang, dhe në disa media po komunikon me lajmin tjetër, se “Bukuroshja e Adriatikut” ankoron para kohe në Durrës. Të faqja e TopChannel.tv lajmi më i lexuar rezulton ai për të fejuarën e Ruganit (një futbollist italian) e cila nxjerr trupin në palestër. TemA jep 3-4 lajme për Rudina Hajdarin duke i ndërthurur me transformimin e pabesueshëm të një futbollisti që ka humbur 50 kg në peshë. Një ditë më parë, e kish radhën një akuzë për Berishën si agjent të UDB-së, krah për krah me lajmin për një bloggere angleze të akuzuar nga disa media për lidhje preferenciale “me rusin”. Këto ua zunë vendin lajmeve për zgjedhjet në komunitetin mysliman dhe dhunës në stadiumet e futbollit, pastaj atyre për ndarjen e Kosovës dhe memet për Bashën dhe kështu me radhë. Që mediat e krijojnë këtë kaos në informacion nuk është vetëm çështje inkompetence profesionale. Vërtet, mungon fokusi dhe logjika, sikurse mungon rangu i lajmit dhe investigimi përkatës; por kaosi do lexuar edhe në kontekstin kur të njëjtat opinione dhe “editoriale” ndërrojnë duar nga një media në tjetrën, duke krijuar një homogjenizim të çuditshëm përballë heterogjenitetit po aq të çuditshëm të informacionit. Dhe këtu pyetja e madhe, që duhej bërë më shpesh, nuk është pse jepen lajmet kështu – të copëzuara, pa lidhje, pa koncept, pa vijueshmëri; por çfarë mbulojnë këto lajme, ose çfarë mbetet jashtë, çfarë nuk thuhet, çfarë lihet në heshtje. Nuk do shumë mend për të kuptuar se, për çdo copëz informacioni që i jepet publikut, dikush merr një vendim duke e përzgjedhur mes “konkurrencës”; dhe kjo nuk është konkurrencë e pa-anshme, as përcaktohet zgjedhja e lajm-bërësit nga interesat e publikut. Interesat e publikut, si rregull, vijnë në vështrim vetëm kur bëhet fjalë për të shitur diçka, për shembull një mall ose një gënjeshtër – çfarë nuk më duket se ka lidhje me të drejtën e publikut për t’u informuar. Rendi kushtetues në Shqipëri po kalon ditë shumë të vështira, mu kur aleatët tanë nuk na e kanë shumë ngenë dhe kur Europa po gatitet për ndërrim paradigmatik me pasoja tërmeti. Po ç’lidhje ka kjo me deklaratat e tipit “Ramën do ta rrëzojmë nesër”, që dëgjon nga organizatorët e protestave politike? Me sa duket, ka, pa çka se analizat që t’i vendosin ngjarjet politike në Shqipëri në kontekstin europian është e vështirë që t’i gjesh, përtej aluzioneve folkloristike për “rusët”. Nëse ka një synim të mediave sot në Shqipëri, ky është ai që në anglishte e kanë quajtur gaslighting – ose manipulimi i publikut për ta bërë këtë të vërë në dyshim realitetin, me qëllim vënien e këtij publiku në kontroll. Në një klimë normale, mediat duhej të mbronin ndaj këtij efekti, duke i dhënë vijueshmëri realitetit që përcjellin, ose duke u fokusuar në çfarë ngre peshë dhe jo në çfarë thjesht zhvendos vëmendjen. Por shohim të ndodhë e kundërta. Dhe pikërisht: lajmet me peshë jepen krah për krah me gjepurat dhe ngjarjet e lagjes (“babai rreh djalin”); lajmet për vrasje të krimit të organizuar jepen krah për krah me lajmet për viktima aksidentesh rrugore (“nënë e dy fëmijëve”); nuk kalon ditë pa ad hominem dhe shantazhe të gjëmshme ndaj individëve (plagjiatura, falsifikime diplomash, anti-amerikanizëm); lajmet për përgjime të rënda (dhe të paligjshme) vetë-shkatërrohen brenda 24 orëve, si për të mos i bezdisur prokuroritë; lajmet e sotme nuk jepen si vijim i lajmeve të djeshme – mungon kontrolli i fakteve dhe ballafaqimi; një pjesë e madhe e lajmeve janë për çfarë ndodh me vetë mediat – meqë këto referojnë për çfarë është deklaruar në TV një natë më parë (gjithë duke pasur parasysh se TV i mbrëmjes shpesh nuk ka asgjë televizive, pse fillon dhe mbaron me llafe në studio), ose për si ia ka përplasur aksh gazetar një aksh gazetari tjetër (efekti selfie-stick). Të thuash që mediat janë në shërbim të pushtetit do të ishte ndoshta naive; le të themi se mediat dhe pushteti “i dukshëm” i shërbejnë të njëjtit pushtet të padukshëm. Pa çka se kjo do të tingëllonte si teori komploti. Por si ta shpjegosh ndryshe dukjen absurde të ngjarjeve, karnavalin e realitetit të përcjellë, idenë e induktuar se hapësira publike e qytetarisë në Shqipëri themelohet çdo ditë nga zeroja?

© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin