Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

GOMARË DHE GOMERË

Kur i vuri titullin “Tre gomarë” shkrimit të vet për Peizazhe të fjalës, Arben Dedja me siguri do të ketë hezituar, në mendje, mes dy formave konkurrente të shumësit për gomar: gomarë dhe gomerë, qoftë edhe për një grimë. Mbase edhe, për siguri, ka shkuar të shfletojë ndonjë fjalor të shqipes normative, për t’u siguruar se po zgjidhte formën “e duhur”, ose të pranuar nga norma, jo tjetrën. E megjithatë, ajo gomarë në titull tërheq vëmendjen – dhe nuk ishte rastësi që disa lexuesve u vrau veshin.[1] Kjo, ngaqë sot duket sikur forma alternative, gomerë, po fiton truall madje përparësi, pa çka se norma, gjithnjë e vonuar në raste të tilla, nuk e ka marrë ende parasysh këtë ndryshim statusi.

Te kalimi i butë nga gomarëgomerë, që po na ndodh mu para sysh, po e kapim shqipen normative duke ndërruar lëkurën ose në transformim e sipër: një proces që, edhe pse i ngadalësuar dhe i rralluar së tepërmi për shkak të inercisë së trajtave me shkrim, ende vepron, sidomos në hallkat “e dobëta” të sistemit, ose atje ku norma nuk është dhe aq e sigurt në vetvete, dhe aq e kristalizuar. Tek e fundit, ata që parapëlqejnë të thonë gomerë, sikur nuk po binden më nga forma gomarë, nuk po u duket e mjaftueshme, edhe pse jo deri në atë shkallë sa ta konsiderojnë “gabim”. Transformimi ende nuk është kryer plotësisht.

Shumësi i emrave shqip është punë e ngatërruar, pse nuk i ngjan fare atij të gjuhëve si anglishtja ose spanjishtja, ku si rregull mjafton t’i shtosh trajtës së njëjësit prapashtesën -s: horse > horses, caballo > caballos. Edhe shqipja e formon shumësin me prapashtesë, por ka disa të tilla; dhe sikur kjo të mos mjaftonte, folësi duhet “ta dijë” paraprakisht, se si ta formojë shumësin e një emri të caktuar – për shembull, që treg bën në shumës tregje, breg bën në shumës brigje dhe koleg bën në shumës kolegë. Të thuash që shumësi i shqipes është i parregullt, ke thënë shumë pak.

Shumësi gomarë, i emrit gomar, ndjek një nga rregullsitë më të thjeshta (dhe më të përhapura) për gjininë mashkullore: meqë formohet duke i shtuar temës së emërores njëjës (gomar) prapashtesën . Kjo prapashtesë ruhet pastaj në rasat e ndryshme të shumësit: gomerëve, gomerësh, etj., për ç’arsye edhe e kanë quajtur prapashtesë, për ta dalluar nga mbaresat rasore (-ve, -sh). Për t’u shënuar edhe se ajo -t, që del pastaj në trajtën e shquar gomerët, nuk është veçse nyja e shquar e shumësit, e cila i prapavendoset temës së shumësit dhe që, ndryshe nga prapashtesa, është përgjithësisht e rregullt.

Shumica e emrave mashkullorë të shqipes e formojnë shumësin me prapashtesa: gomarë, fshatra, male, automobila, arinj. Disa syresh marrin prapashtesën zero, ose duket sikur dalin me të njëjtën trajtë si në emëroren njëjës, ashtu edhe në atë shumës: muaj, qen, sy, lot, mësues, mjeshtër, tiranas. Ka edhe një klasë tjetër emrash, që e formojnë shumësin me ndryshime fonetike në temën e njëjësit, ndryshime që prekin zanoren e temës (dash > desh, vllah > vlleh), bashkëtingëlloren e temës (akull > akuj, peshk > peshq, zog > zogj) ose edhe më shpesh, të dyja njëherësh, edhe zanoren edhe bashkëtingëlloren: plak > pleq, shteg > shtigje, patkua > patkonj).

Nëse tani bëjmë një përpjekje për të vendosur pak rregull në morinë e modeleve, do të shohim se shumë nga këta shumësa “të parregullt” shprehen me një ngritje të zanores tematike a > e, ose e > i (që njihet edhe si metafoni ose umlaut)[2], ose një zbutje (a palatalizim) të bashkëtingëllores tematike (peshk > peshq, lepur > lepuj, burg > burgje). Të dyja dukuritë, edhe ngritja e zanores edhe zbutja e bashkëtingëllores e kanë zanafillën te një prapashtesë, tashmë e zhdukur, e shumësit shqip: *-i (asterisku tregon se kjo prapashtesë nuk është dokumentuar gjëkundi), e cila ka vepruar duke modifikuar temën përkatëse. Ashtu, plak ka pasë bërë dikur në shumës *plaki, dhe ajo -i, para se të binte, e ka “ngritur” zanoren ae dhe ka zbutur k-në tematike në q.

Megjithatë, shpesh shumësi me metafoni ose me palatalizim nuk shpjegohet dot me këtë *-i hipotetike: fjala miting bën në shumës mitingje, por kalimin g > gj nuk e ka shkaktuar ndonjë prapashtesë e vjetër e shumësit. Përkundrazi, kemi të bëjmë me një ndërtim analogjik, sipas një rregullsie të perceptuar, ku g-ja tematike përfundon në –gj vetvetiu. Në shqipen e shqiptarëve të Amerikës, dëgjon ndonjëherë edhe billdingje, fjalë që do ta meritonte stendën e vet në një muze leksikor të diasporës së përtejoqeanit…

E tillë, analoge, duhet të jetë edhe forma gomerë, e cila përftohet sipas modelit hibrid metonimi (a:e) + prapashtesë (), dhe që duhet ta ketë përftuar metoniminë në bazë të modelit çakall > çakej, çoban > çobenj (por dëgjohet edhe çobenë), bakall > bakej, hamall > hamej, dhaskal > dhaskenj. Duke pasur parasysh që fjalën shqipe gomar e mbajnë zakonisht si të huazuar relativisht vonë nga greqishtja e re γομάρι me të njëjtin kuptim (G. Meyer, Çabej SE IV), atëherë duhet supozuar se metafonia a:e te shumësi gomerë nuk i detyrohet ndonjë prapashtese shumësi të zhdukur, por është analogjike; dhe se analogjia duhet të ketë një komponente leksikore (semantike) sa kohë që nuk dëgjojmë gjëkundi shumësa të tipit samar > *samerë, damar > *damerë etj., me tema fonetikisht të ngjashme.

Tani ndoshta mund të pyesim edhe ç’nevojë ka pasur shqipja për këtë shumës të ri, gomerë, paralelisht me shumësin më pak të ri gomarë. Të ketë ndodhur kjo ngaqë shumësi gomarë është ndier si i dobët (për shkak të dobësisë fonetike të -ë-së pastheksore), çfarë luan rol jo të vogël në fjalë leksikisht ekspresive si kjo? Tek e fundit, edhe shumë mashkullorë të tjerë që ndjekin këtë model po marrin forma shumësi jo-normative, duke e ndërruar prapashtesën: të krahasohen oficerë > oficera, kompjuterë > kompjutera, policë > polica, artistë > artista, etj. Në çdo rast, duke qenë norma e shumësit në shqipe vetvetiu e paqëndrueshme, dysorët i ndesh kudo: të krahasohen sokakë/sokaqe, bishta/bishtra, gishta/gishtërinj, nipa/nipër dhe shumë të tjera. Po të marrim parasysh edhe dialektet e të folmet, format paralele të shumësit rezultojnë me mijëra. Norma herë i ka pranuar këta dysorë, herë jo, sipas arsyes dhe dendurisë së përdorimit.

Meqë gomar në shqipen e sotme përdoret shpesh si sharje ose cilësim për një person të trashë dhe të pagdhendur, hulumtuesit i lind natyrshëm dyshimi se mos forma gomerë priret të specializohet për shumësin që i referohet këtij kuptimi të figurshëm; por mjafton një kërkim online, për t’u bindur se gomerë po përdoret lirisht edhe me kuptimin bazë të fjalës (“donkey”). Me sa duket, janë konsoliduar tashmë rrethanat për ta pranuar edhe këtë formë si normative, krahas gomarë dhe si variant të kësaj të fundit. Aq më tepër që, thjesht nga pikëpamja fonematike, gomerë zë vend në një bashkësi të madhe fjalësh si berberë, shoferë, dylberë, ylberë, fermerë, defterë, esmerë, revolverë, sekserë, bejlerë, etj., të cilat dalin me funde që rimojnë.

Edhe një koment i fundit: shumësi i emrit në shqipe nuk është veçori gramatikore e izoluar, meqë shprehet jo vetëm me prapashtesën përkatëse tek emri, por edhe me mbaresat rasore (një emër që merr -ve, ose -sh, është vetvetiu në shumës), nyjet e përparme të mbiemrave, përemrat e ndryshëm dhe format e foljes. Në fjalinë Jo të gjithë gomerët u binden urdhrave, kategoria e shumësit shprehet edhe tek emri gomerë (metafoni + prapashtesa ), edhe te nyja e pasme -t (gomerë-t), edhe te përemri të gjithë, edhe te mbaresa -en e foljes binden. Kjo tepri a ridondancë gramatikore, ose rimarrja e kategorisë nga një gjymtyrë në tjetrën, i lejon disa emra (që nuk janë pak) të dalin në emërore shumës të pashquar me prapashtesë zero, ose me të njëjtën formë që kanë në emëroren njëjës: një mësues/disa mësues, një javë/disa javë, një lule/shumë lule, një lutje/disa lutje; kur këto dalin në fjali me këtë formë, kuptimin e numrit shumës e marrin nga gjymtyrët e tjera të fjalisë. Prandaj edhe në këtë rast, nevoja për të pasur një trajtë shumësi më “informuese” se ajo me kombinohet me nevojën për më shumë ekspresivitet, që ka natyrë leksikore, meqë i bashkëlidhet kuptimit të fjalës.

 

© 2019, Peizazhe të fjalës.™ Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim: Për sa më lart, kam përdorur për referencë veprën Albanische Grammatik, nga Oda Buchholz dhe Wilfried Fiedler, VEB Verlag Enzyklopädie Leipzig, 1987.


[1] Komentet e këtyre lexuesve u detyrova megjithatë t’i fshij, sepse ishin jashtë teme.

[2] Një dukuri e ngjashme ndodh gjatë zgjedhimit të disa foljeve si flas/flet, ngas/nget, marr/merr, dal/del, shkas/shket, etj., në vetën e dytë dhe të tretë njëjës të së tashmes së dëftores. Edhe këtu, metafonia a:e duhet të jetë induktuar nga një zanore e mbaresës vetore të dikurshme (me gjasë, një *-i e gjatë), e cila më pas ka rënë.

4 Komente

  1. Mëdyshjen e pata edhe unë. Gomerë mu duk më e njohur, pavarësisht se në të shkruar mu duk më pak e njohur.
    Shumësi me a, po përhapet shpejt, jo vetëm për ë-në por edhe për ato që janë njësoj. krahas polica edhe mashtruesa/mashtrusa. Aty ku është mëdyshja nëse shumësi ka -ë apo jo, në praktikë mjaft ti bësh -a dhe formon një rregullsi. Rrugët e Zotit dhe të gjuhës janë të pafundme.

  2. edhe lab > leberit

    gomaret me duket shume e huaj per veshet e mi. prandaj edhe komentova (dhe mu fshi komenti me te drejte, mea culpa). ajo toskerishtja qe kam degjuar, keshtu i percaktonte gomeret qe kishte fshati qe kaloja pushimet te vere

  3. Me vjen aq mire qe shkrove! E nisa edhe une te njejtin shkrim, me te njejten hamendje preekzistuese per Dedjan (a Deden??) per, por kur ta mbaroj une se shkruari, do i kete mbirë bari dy pellembe tre gomErëve.

    Besoj edhe une se forcimi i formes me “e” lidhet tamam me forcen e markuar emocionale te perdorimit te fjales ne shqip, qe pastaj markohet per konseguence edhe gramatikisht.

    Une s’i le te me bien pertoke asnjehere fjalet mashkullore qe behen femerore ne shumes, ose tre/tri, ose formen “qe” te foljes “jam”, ose “vjet” etj etj

    E kam merak qe nuk jam ne New York se nuk u gezohem dot gureve te cmuar te shqipes se gjalle si psh “billdingje”. Dhe perzierjeve nga prurje trevash te ndryshme te shqipes larg amës.

  4. Gomarët i kam përkthyer një e nga një. Më të vjetrin, atë të Chesterton-it, qysh më 1997, bile, (imagjino me ç’merresha gjatë “luftës civile”!). Problemi lindi kur pashë që qenë shumuar e vendosa t’i vë bashkë. Si fëmijë i rritur me gjyshe e stërgjyshe vlonjate – ndonëse në Tiranë, aq më tepër pse në Tiranë – gjithmonë e kam ditur që gomerët janë me dy këmbë. Për siguri, hapa fjalorin. Të faleminderit Ardian, që “më mbrojte” duke i hequr mesazhet që vinin në dyshim shumësin tim. Përndryshe: ndjenjë pasigurie, dyshime, vramendje (ç’gomar që u tregova!).

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin