Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

MUSINE KOKALARI DHE PËRMBYSJA E SË DREJTËS ZAKONORE

Me rastin e 102 vjetorit

nga Agron Alibali

 

Në vend të hyrjes

Më kishte mbetur në mendje imazhi i saj në sallën e gjyqit – e hijshme, elegante, me flokët e gjatë gështenjë, derdhur mbi supe. E marrë në momente tragjike, fotoja rrezatonte guxim, sfidë, vendosmëri, mençuri, inteligjencë! Për Musine Kokalarin [1917 – 1983] kisha dëgjuar edhe nga im atë, që e kishte njohur në Tiranë, më ngjan në librarinë Lumo Skëndo, ndër qendrat intelektuale të kohës. Sapo kisha kaluar një periudhë kalvari në fshatra të Gjirokastrës ku, në përplasje me diktaturën, qëllova i zhytur në arealin e asaj kulture, tradite dhe gjuhe të Jugut tonë të çmuar, kur në Tiranë më ra në dorë bleu simpatik “Siç më thotë Nënua Plakë“. Librin e hasa në bibliotekën e pasur të gjyshit, i cili çuditërisht pat blerë 3 kopje. E përpiva dhe e rilexova disa herë, duke u kredhur në botën e çuditshme të Gjirokastrës mitike, ku Musineja të shoqërinte me butësi e elegancë, përmes gjuhës e stilit të saj të praruar, të njomë e të kthjellët, në botën ku Kadareja do të shpaloste më vonë kryeveprat e tij letrare.

Takim në pasjetë

Dënimi i një gruaje, internimi i saj, vetmia e imponuar nga diktatura, fundi i Musine Kokalarit në Mirditë  – të gjitha këto përçonin vetëm dhimbje, bashkë me pyetjen “përse vallë”?

Ritakimi me Musinenë ndodhi përmes një dokumenti të arkivës së Departamentit amerikan të Shtetit. Si në një film tragjik bardhezi, të ngjizur në tekst, Kokalari u rishfaq në pasjetën e saj (posterity), gjithnjë sfiduese, e hijhme, me flokët e derdhur, ngjyrë gështenjë, por tashmë të transformuara në objekt dhune.

Pasdreken e 27 qershorit 1946 një telegram arrin në Uashington nga Legata Amerikane në Tiranë. Autor është shefi i misionit Jacobs. Dokumenti është vetëm një faqe. Subjekti ishte seanca gjyqësore e një dite më parë në Tiranë. Misionet amerikane dhe britanike ishin të shqetësuara për përmendjen e lidhjeve të tyre me të akuzuarit. Teksti në fund bëhet rrënqethës:

Dje, pas seancës gjyqësore, turma sulmoi furgonin e të burgosurve dhe rrahu keqaz të pandehurin. Kokalarit, njërës nga dy gratë e akuzuara, ia shkulën shumicën e flokëve. Rojet bënin sehir.” …

                           Nënshkruar   JACOBS[2]

 

Rrethana të vështira

Bota sapo kishte dalë nga Lufta e Dytë Botërore. Ishte pragu i Luftës së Ftohtë. Shqipëria ndodhej në udhëkryq. Komunistët nuk kishin ndërmend ta lëshonin pushtetin. Krahas orientimit drejt Jugosllavisë dhe BS-së, ata mëtonin edhe lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA dhe Britaninë e Madhe. Ky hap do t’i rriste legjitimitetin regjimit, por ndofta ishte edhe si njëfarë qasjeje origjinale e “neutralitetit”, parim i qenësishëm qysh në zanafillë të shtetit shqiptar.

Misioni diplomati amerikan ishte ngarkuar të vëzhgonte zhvillimet në vend dhe të rekomandonte njohjen ose jo. Mirëpo misioni britanik në Tiranë ende nuk kishte diplomatë të mirëfilltë. Interesat e qeverisë së Madhërisë së Saj i përfaqësonte Misioni Ushtarak Britanik [BMM].

Mungesa e kredencialeve demokratike të komunistëve të Tiranës, fushata e terrorit dhe e spastrimeve, ishin shkak serioz për mosnjohjen. Mirëpo SHBA ishin realisht më afër njohjes diplomatike, ku kusht kryesor ishte vijimësia e traktateve dypalëshe të lidhura me Shqipërinë e Mbretit Zog.

Kurse me britanikët puna ishte mjaft më e ngatërruar. Komunistët shqiptarë shihnin me dyshim çdo hap që vinte nga Londra ose përfaqësuesit e saj në Tiranë. Në raportet me ta rëndonin ngarkesa politike dhe emocionale, që nuk mund të injoroheshin. Mosbesimi kishte lindur qysh gjatë viteve të Luftës në male, kur, edhe në rrafsh personal, në sjelljen e britanikëve jo rrallë vërehej njëfarë përçmimi në raport me vendasit.[3]

Ndërhyrja britanike në Greqi në përfundim të Luftës, mbështetja për mbretin Jorgo e forcat ekstreme të djathta, madje me të kaluar kolaboracioniste, shihej me shqetësim nga udhëheqësit komunistë të Tiranës. Tragjedia çame, e konsumuar pikërisht dy vjet më parë, refuzimi i qeverisë greke ndaj kërkesës së UNRRA-s për kthimin në Çamëri të refugjatëve çamë të strehuar përkohësisht në Shqipëri, tensioni ushtarak në kufirin tokësor e detar, si dhe incidentet në pritje në Kanalin e Korfuzit, përbënin sfondin aspak të qetë apo paqtues të rrethanave të zhvillimit të gjykimit. Por rrethana kryesore rënduese ishte animi i Londrës në favor të Athinës lidhur me pretendimet absurde greke për aneksimin e Jugut të Shqipërisë.[4]

Efektet e këtyre përplasjeve gjeopolitike objektivisht nuk mund të mos ndikonin edhe brenda sallës së gjyqit. Luftëtarë të një kauze të drejtë për Shqipëri demokratike, të akuzuarit ishin bërë pa dashur viktima të lojrave e përplasjeve që, shpesh, nuk kishin lidhje me idealet e tyre të pastërta demokratike.

Qëndresa

Vrasja e dy vëllezërve të Shkrimtares, Muntaz e Vesim Kokalarit, më 12 nëntor 1944, në prag të çlirimit të Tiranës, ishte një ndër goditjet më të ashpra në jetën e saj. Vëllezërit Kokalari nuk ishin të armatosur, nuk përbënin kurrfarë kërcënimi për ndërluftuesit. Krimi i pastër terrorist, i konsumuar “në zjarrin e luftës”, ishte në thelb një akt paburrërie.

Brenda muajit nëntor 1944 Musineja u arrestua dhe u lirua edhe dy herë të tjera. Në muajt e parë të Çlirimit ajo e dinte mirë se ishte në tehun e shpatës, dhe prandaj punonte në Librarinë Venus në Tiranë duke u treguar kurdoherë e kujdesshme.  Në fillim të nëntorit Musinenë e viziton në dyqan Shaban Balla, ish-student në Institutin Bujqësor Shqiptaro-Amerikan në Kavajë dhe shofer pranë BMM-së. Fillimisht Musineja qëndroi e rezervuar dhe nuk i zuri besë. Më pas me të u takuan edhe Osman Kazazi, Sami Çeribashi, Suat Asllani e Xhemal Ferko. Ishin përpjekjet shumëplanëshe të Bashkimit Demokrat Shqiptar. Mirëpo shkrimtaren e tërhiqte vetëm një qëllim: të shtyheshin zgjedhjet dhe të mundësohej pjesëmarrja në to e Partisë Social-Demokrate. Pak ditë më vonë grupi u mblodh në takim në shtëpinë e Ali Kavajës, edhe ky ish nxënës i Shkollës së Kavajës. Me propozim të Musinesë u ra dakord për përpilimin e një Shënimi, apo Note, e cila do t’u dërgohej Aleatëve. Qëndrimi i Musinesë kishte mbizotëruar: kërkohej mbështetje që të shtyheshin zgjedhjet dhe të mundësohej pjesëmarrja e partive të tjera. Shënimin e përpiloi dhe shkruajti Musineja, me dorën e vet. Shaban Balla i dorëzoi një kopje misionit britanik dhe atij amerikan.[5]

  Gjyqi

Shkrimtarja u arrestua përfundimisht me 23 janar 1946. Një nga një ishin arrestuar edhe 36 persona të tjerë. Gjykimi kundër 37 të akuzuarve të organizatës “Bashkimi Demokrat” filloi me 18 qershor 1946. Akuza ishte komplot për përmbysjen e qeverisë, sabotazh, spiunazh, dhe përgatitjen e atentateve kundër udhëheqësve të vendit.[6]

Sipas Musinesë, thelbi apo zanafilla e akuzës ishte Nota, apo Shënimi, përpiluar nga Shkrimtarja. Do të deklaronte Musine Kokalari në gjyq:

Janë tridhjetë e gjashtë veta të akuzuar këtu, në këtë gjyq. Katër grupe, tre prej të cilëve kanë vetëm një gjë të përbashkët – Një Shënim të nisur Aleatëve për të shtyrë zgjedhjet në mënyrë që një koalicion demokratik të merrte pjesë në to. Nuk ka pasur asnjë synim për rrëzim të qeverisë. Ishte thjesht për të patur zgjedhje demokratike.“[7]

Në seancat e gjyqit doli mëse qartë se 17 persona të akuzuar kishin patur kontakte të niveleve e dendurive të ndryshme me BMM-në. Emrat e përmendur ishin: Suad Asllani, Shaban Balla, Shefqet Beja, Profi Çoka, Qenan Dibra, Koço Dilo, Ali Jonuzi, Musine Kokalari, Gjergj Kokoshi, Jani Konomi, Professor Lozzi, Abdyl Muça, Anastas Llazar Papapostoli (Larry Post), Sami Qeribashi, Hasan Reçi, Selaudin Toto, dhe Kristo Xhunga.[8]

Pikërisht ato ditë, Jacobs do t’i telegrafonte nga Tirana Departamentit të Shtetit:

Larry Post dëshmoi se kishte qenë i lidhur me opozitën qysh në maj të vitit të kaluar dhe kishte vepruar si ndërlidhës midis misioneve amerikane dhe britanike.”[9]

Telegrami përmend edhe lidhjet, të deklaruara në gjyq, midis të akuzuarve dhe oficerëve britanikë, Palmer, Smith e Hodgson. Ndërhyrja e oficerëve anglezë ishte, natyrisht, shkelje e marrëveshjes së pranimit, si dhe e praktikës zakonore në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Kurse qëndrimi i Musinesë gjatë hetimeve dhe në gjyq ishte heroik. “Jam për kulturë demokratike. Jam dishepulle e Sami Frashërit. Nuk jam komuniste,” u shpreh ajo gjatë hetuesisë. Musineja u mbrojt vetë, por nuk u lejua ta mbaronte fjalën e vet, akt i papranueshëm nën çdo standard, dhe pra krejt i pashembullt. Në fund ajo nuk kërkoi mëshirë, por vetëm drejtësi.[10]

I qetë dhe i sigurtë në Londër…

Ndërkohë që në Tiranë zhvillohej gjyqi, ish-shefi në detyrë [Acting Head] i BMM-së në Tiranë, majori Arnot, do të raportonte me 30 qershor në Foreign Office si vijon:

“Deklarimet e bëra në gjyqet në Shqipëri janë, në njëfarë sensi, të vërteta. Ato përfaqësojnë, pa asnjë dyshim, implikimet që shqiptarët e akuzuar kanë nxjerë prej komenteve të mija…Pres që të dalin në dritë edhe shumë gjëra të tjera për kontaktet e mija me të akuzuarit e tjerë – Kokoshin, Asllanin, Shaban Ballën, Musine Kokalarin, Larry Postin, dhe ndofta edhe Profesos Lozzi-n, ndër të tjera….Jam shumë i lumtur që u largova dhe nuk ndodhem më në Shqipëri…”.[11]

E pra, majori Arnot ishte i qetë dhe i sigurtë në Londër, por idealistët shqiptarë mbetën aty, në Shqipëri. Pa dashur të nënkuptojmë ndonjë përgjegjësi të BMM-së, në këtë përvjetor të 102-të të lindjes së Musine Kokalarit, mund të themi se ajo dhe të bashkëakuzuarit e tjerë provuan skajshëm në kurriz jo vetëm dhunën e diktaturës komuniste, por edhe tejkalimet, t’i quajmë të çartura apo “naive”, të oficerëve britanikë.

 

 

Misteri shtatëdhjetvjeçar ?

Dëshmia e Llazar Papapostolit në gjyq se në maj 1945 ai kishte kontaktuar opozitën dhe kishte shërbyer si pikë kontakti me misionin amerikan dhe britanik ngre pyetje të ligjshme edhe në dritën e rrjedhës së mëtejme të ngjarjeve. Sikurse thamë, në nëntor 1945 ishte përpiluar Nota apo Shënimi i famshëm i Musinesë et al., e cila u ishte dërguar misioneve britanike dhe amerikane. Por cili kishte qenë qëndrimi i tyre?

Vite më vonë, Musineja do të shprehte zhgënjimin e saj të thellë për qëndrimin e Aleatëve Anglo-Amerikanë. Do të shkruante ajo nga Rrësheni:

“Aleatët nuk ndërhynë fare tek qeveria. Ata heshtën. Ky ishte rast shumë i mirë që të tregonin se donin zgjedhje shumëpartiake. Dhe, prapëseprapë, ata nuk bënë asgjë. Përse vallë?  Ndofta nuk donin që ne të arrestoheshim, pasi do të dilnin emrat tanë. Reagimi i tyre ishte gjithsesi i gabuar. Një nga një, të gjithë ne u arrestuam dhe askush nuk mbeti në këmbë për të mbështetur idenë e shtyrjes së zgjedhjeve, që ne të merrnim pjesë në to. Tani ne akuzoheshim për diçka shumë më serioze: komplot për përmbysjen e qeverisë.

Po të kishin qenë krejt të sinqertë, anglezët dhe amerikanët nuk do ta kishin problem të shpallnin se partitë demokratike nuk po lejoheshin të merrnin pjesë në zgjedhje. Ata kishin një dokument si provë të ekzistencës tonë, dhe zgjedhjet nuk ishin demokratike sepse nuk morën pjesë parti të tjera.”[12]

Kjo enigmë e mundoi Musinenë për gjithë jetën. Ajo kurrë nuk arriti ta zbulojë misterin e heshtjes së madhe të Aleatëve të mëdhenj atë verë e vjeshtë të vitit 1945.

Mirëpo, nga lartësitë e kohës së sotme na ndihmon një dokument i deklasifikuar i arkivave amerikane, telegram i Jacobs dërguar Sekretarit të Shtetit. Shkruhet aty:

Me 5 qershor [1945] një shqiptar i njohur nga ne mjaft mirë dhe që pretendonte të përfaqësonte opozitën erdhi të më takojë.[13] Ai tha se ekzistonte një grup i madh dhe gjithnjë në rritje shqiptarësh, disa prej të cilëve janë partizanë të FNÇ-së, të cilët janë kundërshtarë të regjimit të tanishëm, pasi politikat e tij janë për ta lidhur ngushtë Shqipërinë me Jugosllavinë dhe Bashkimin Sovjetik, ndërsa grupi i tij mendon se lidhjet e Shqipërisë duhet të jenë me demokracitë e Britanisë së Madhe dhe SHBA-në, dhe ata druhen se regjimi i tanishëm kurrë nuk do të mbajë zgjedhje të fshehta që do t’i mundësojnë popullit të Shqipërisë që të zgjedhë qeverinë që dëshiron. Ai tha se komiteti i përbërë prej 10 vetash ishte i organizuar, dhe se një numër i madh oficerësh të ushtrisë ishte i gatshëm t’i bashkohej atij dhe të dilte në mal po qe se do të kishin mbështetjen material të Britanisë së Madhe dhe të SHteteve të Bashkuara. Vizitori tha se donte që unë t’ia përcillja këtë informacion qeverisë time dhe shtoi se një program [prospectus] i lëvizjes[14] ishte duke u hartuar dhe një kopje do të më dorëzohej mua më vonë ose nga ai, ose nga dikush tjetër, pasi priten arrestime të mëdha së afërmi.”

Komenti i mëtejshëm i Jacobs është shumë domethënës:

“Duke qenë se historia tingëllonte si thashethem, të cilin ma kishte përmendur edhe Brigadieri Hodgson,[15] e pyeta vizitorin nëse kishte takuar Hodgsonin. M’u përgjigj se nuk e kishte takuar vetë atë, por dy ndihmësa të tij, dhe se Brigadieri kishte dijeni për lëvizjen.”

Jacobs më tej u detyrua të mbante qëndrim të qartë e të saktë si diplomat:

“Vizitorit i shpjegova qëllimin e misionit tim dhe i thshë se, ndërsa ne ishim të interesaur të dëgjonim pikëpamjet e opozitës, problemi i njohjes ose i refuzimit të njohjes së qeverisë ishte një gjë, kurse çështja e dhënies së mbështetjes morale dhe materiale grupeve opozitare ishte një çështje krejt tjetër, të cilën, isha i sigurt se Qeveria Amerikane nuk do ta merrte parasysh. E sqarova se takimin me të do t’ia raportoja Departamentit, por nuk mund t’i jepja kurrfarë inkurajimi të çfarëdollojshëm.”

Qëndrimi në parim ishte i drejtë dhe korrekt. Mirëpo Jacobs-it i linden dyshime të arsyeshme pas kësaj vizite të çuditshme. Prandaj, ai ndërmorri disa hapa të tjera:

Duke dyshuar se takimi mund të ketër qenë i stisur [engineered] për të vërtetuar nëse misioni tim kishte ardhur në vend për të mbështetur opozitën, unë i kërkova [sektorit të] zbulimit, i cili nuk dinte asgjë për këtë lëvizje, që të shqyrtonte nëse mund të mësonte ndonjë gjë për të, dhe po ashtu çështjen e diskutova edhe me Hodgsonin. Zbulimi tonë kishte nuhatur diçka për lëvizjen, që tregonte se ishte ose “grackë [plant], ose nxitësit e saj ishin aq kabá [crude] në teknikat e tyre sa, me gjasë, shumë shpejt do të arrestoheshin. Edhe Hodgsoni më tha se ky ishte grupi që e furnizonte me informacion për opozitën, dhe se edhe ai vetë kishte filluar të dyshonte, dhe po bënte hetime të mëtejshme…”.[16]

Pra, si mund ta shpjegojmë mosangazhimin e aleatëve në këtë lëvizje opozitare, ndërkohë që organet vendase kishin mbajtur grupin nën survejim për një kohë të gjatë, dhe pjestarët e tij deponuan në gjyq çdo kontakt me misionet e lartpërmendura? A ishte e gjitha kjo një kombinacion apo lojë zbulimore – me pasoja të rënda shumëplanëshe – për të vënë në pozitë delikate misionet aleate në Shqipëri, lojë ku Musine Kokalari ra viktimë e idealeve të saj të pastërta demokratike, por edhe e naivitetit që shpesh shoqëron entusiazmin e sinqertë?

Një raport javor i Misionit amerikan na përcjell një gjykim fare të ftohtë të ngjarjes dhe personazheve të saj. Raporti i karakterizon të pandehurit si “të papërfillshëm politikisht” dhe me mungesë përvoje “administrative ose organizative”. Në një reference të qartë për Musinenë, raporti thekson se “disa prej tyre duket se janë motivuar nga dëshira e sinqertë për të nxitur dhe organizuar një parti politike në mirëbesim si opozitë të Frontit Demokratik”. Mirëpo “ata nuk bënë tjetër veçse ngritën një organizatë në letër dhe u fundosën sapo ndërhyri Sigurimi i Koçi Xoxes.” Raporti përmend edhe faktin se të pandehur të tjerë ishin të lidhur me elementë të njohur kolaboracionistë.[17]

Jus non scriptum[18]

Së fundi, dhe duke iu kthyer telegramit tragjik të Jacobs-it për keqtrajtimin e Musinesë pas seancës gjyqësore të qershorit 1946 në Tiranë, le të analizojmë disa ngjarje të jetës së saj në lidhje me të drejtën zakonore shqiptare [jus non scriptum].

(i)  Ndorja dhe instituti i Paprekshmërisë së gruas

Në historinë e familjes përmendet kthimi nga Turqia për në atdhe në dekadën e parë të shekullit të kaluar. Ç’ndodh gjatë rrugës? Prindërve të Musinesë u del përpara një vajzë jetime, pa ndihmë, pa mbrojtje, pa bukë, pa strehë. Familja Kokalari nuk ngurroi, por e mori në mbrojtje Fatimenë, vajzën e panjohur turke, e birësoi, e bëri pjesë të familjes së vet.

Këtu na shfaqet fare kthjelltas instituti i lashtë i ndores, krahasimisht ndër më fisnikët në të drejtën zakonore shqiptare. Shpesh i ngatërruar me mikpritjen dhe besën, ndorja është institut i shenjtë: ajo sanksionon detyrimin e pritësit për t’i dhënë strehë shpëtuar këdo aktant të gjendur në nevojë ekstreme dhe që lyp mbrojtje. “N’dorën tande” ishte si thirrje e ardhur nga Qielli. Shkelja a dhunimi i saj ballafaqohej me sanksionet më të rënda në kanunin e maleve në jugë e veri. Në kombinim me institutin tjetër të paprekshmërisë së gruas, ndoren tek Kanuni i Lekë Dukagjinit, varianti i Pukës, e hasim si shprehje e mirëfilltë e pozitës së veçantë të gruas në të drejtën zakonore shqiptare:

“Grues s’i pritet ndorja. I ra kush ndore njaj grueje që i doli para, grueja ka të drejtë me e mbrojt. Ja preu kush ndoren grues së huej, koritet e leçitet.

Grues s’i pritet ndërmjeca. Sulmoi kush nji shpi dhe grueja

e shoqit u pshtet për derë të asaj shpije, hasmi s’ka të drejtë me e prek. “Grueja e huej s’preket me dorë”.[19]

Zbatimi i institutit të ndores nga Kokalarët e Gjirokastrës në rastin e Fatimesë është tjetër shembull i njëjësisë të së drejtës zakonore tonën në mbarë trevat shqiptare. Theksojmë se edhe në rastin e shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës II Botërore ishte pikërisht ndora, dhe jo besa, që u zbatua masivisht dhe fisnikërisht nga mbarë shqiptarët, pa asnjë dallim.

Të kthehemi këtu tek qershori 1946, pikërisht tek momenti i keqtrajtimit të Musine Kokalarit.

Dje, pas seancës gjyqësore, turma sulmoi furgonin e të burgosurve dhe rrahu keqaz të pandehurin. Kokalarit, njërës nga dy gratë e akuzuara, ia shkulën shumicën e flokëve. Rojet bënin sehir.” …

                           Nënshkruar   JACOBS[20]

(ii) Përmbysja e kodit të lashtë zakonor shqiptar

Parimi i shenjtë i paprekshmërisë së gruas qëndron në themel të së drejtës zakonore shqiptare. Imuniteti absolut i buruar prej tij shtrihet dhe mbulon madje edhe gjakësin nëse ky rrugëton në shoqërinë e një gruaje. E pra, gjithshka u shqelmua atë mëngjes qershori të vitit 1946 në Tiranë. Ishte dhunuar një grua, ishte cenuar Musine Kokalari. As hetuesia apo seanca gjyqësore nuk e kishin thyer Musinenë. Kishte mbetur mjeti i vetëm – cenimi fizik. Dhe një dorë mizore kishte guxuar të prekte edhe flokët e saj…

Bota në kuptimin e saj normal ishte përmbysur. Ishte tronditur nga themelet edhe vetë kodi i lashtë zakonor shqiptar.

Mirëpo ky akt i pashembullt dhune ishte në kundërshtim të hapur edhe me të drejtën pozitive, d.m.th. me ligjet e kohës. Akti përbënte thjesht një krim, të konsumuar në mes të ditës, në të dalë të Kinema Kosova në Tiranë. Mirëpo ishte shkelur edhe ndorja e institucionalizuar si detyrimi ligjor i shtetit në përgjithësi për të ruajtur sigurinë dhe paprekshmërinë e të akuzuarit prej tij.

Vërtetësia e telegramit të Jacobs-it nuk mund të vihet në dyshim. Diplomati amerikan do të raportonte në qendër vetëm diçka që ishte tërësisht e saktë dhe e vërtetë. Nga largësia mëse 70 vjeçare është e vështirë të hetohet krimi dhe të përcaktohet dhunuesi, që nuk përjashtohet të ketë qenë vetë një grua. Po ashtu, është e vështirë të konkludohet pa mëdyshje se akti ishte i paramenduar apo i porositur nga lart. Prapëseprapë është e pamundur që ai të ishte akt spontan. Imazhi i rojeve të armatosura, që qëndronin indiferente, pa reaguar, përballë atij quasi-linçimi, është thjesht i pashlyeshëm. Me mosveprimin e tyre, rojet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të kohës, dhe jo vetëm ata, u bënë praktikisht bashkëdhunues e fajtorë në cenimin brutal, thellësisht të dënueshëm ndaj çdo gruaje, e sidomos një gruaje heroinë si Musine Kokalari. Në fakt, kemi edhe një raport tjetër të misionit amerikan, që i referohet sulmit brutal [brutal attack] të spektatorëve ndaj të burgosurove më 26 qershorit 1944. “fakti që rojet nuk ndërhynë karshi këtij demonstrimi le vend për dyshime se [akti] ishte frymëzuar zyrtarisht si një përpjekje e trashë për të provuar indinjatën publike ndaj të të pandehurve, që në fakt nuk ekziston”. [Nënvizimi A.A.].[21]

Së fundi, një pyetje lind natyrshëm: kur indinjata publike ndaj Shkrimtares etj nuk ekzistonte më 1946, si u trajtua Shkrimtarja nga vendasit gjatë viteve të gjata të internimit në Mirditë [1961-1983], e gjendur pikërisht në arealin e jus non scriptum shqiptar?. Është e vërtetë se Musine Kokalari ishte nën survejim të rreptë e të vazhduar deri në fund. Po aq e vërtetë është se ajo u përball në vetmi me vuajtje të papërshkrueshme. Mirëpo janë thënë edhe legjenda urbane, me të cilat nuk do të merremi. Pyetje ngushtohet këtu: a e zbatuan mirditorët institutin e ndores dhe të paprekshmërisë së gruas edhe ndaj Shkrimtares që jetoi për 22 vjet mes tyre? Një burim i besueshëm na çon drejt konkluzionit se, edhe pse në vuajtje e vetmi, gruaja e fisme e Gjirokastrës u trajtua nga vendas dhe të ardhur të Mirditës me nderin e respektin që komandonte, në heshtje, zakoni i lashtë shqiptar.[22]

(c) 2019, Agron Alibali


[2] Arkiva e DASH, 875.00.6-2746.

[3] Shih, p.sh. Peter Lukas, The OSS in World War II Albania, McFarland and Co. 2007, f. 116.

[4] Shih, p.sh. Basil Kondis, Greek National Claims at the Paris Peace Conference, 1946, ff. 319-320, tek https://ojs.lib.uom.gr/index.php/BalkanStudies/article/viewFile/2488/2512

[5] Ekstrakt from: Si u formua Partia Social-Demokrate. Redaktoi Platon Salim Kokalari (Tirana: Naim Frashëri 2000), ribotuar nga  Novruz Xh. Shehu (Tirana: Geer 2009), f. 403-436. Përktheu në anglisht prej Robert Elsie, tek www.albanianhistory.net

[6] Shih: Owen Pearson, Albania in the XX Century, London 2006, Vëll. III, f. 42, 44

[7] Musine Kokalari dhe Social-Demokracia në Shqipëri: Alina Wagner, FES, Tiranë, 2016, f. 34.

[8] Shih: Owen Pearson, Albania in the XX Century, London 2006, Vëll. III, f. 42.

[9] Larry Post ishte emri i amerikanizuar i Llazar Papapostolit. Lindur në Ziçisht të Korçës, Papapostoli kishte mbaruar studimet në SHBA, hyri në shërbimin sekret OSS, dhe u hodh në atdhe nga fundi i luftës. Në Shqipërinë e çliruar ai punoi për ca kohë me UNRRA-n, dhe pastaj u arrestua, u dënua dhe u internua deri sa vdiq në rrethana të paqarta në fshatrat e Lushnjes. Shih, edhe Foreign Relations of the United States, 1946, VOl. VI, f. 2, referuar 765/71-1/2546. Kurse Leka Ndoja dhe Dorian Koçi japin qershorin 1945 si datë të kontakteve të para midis BMM-së dhe opozitës shqiptare. Leka Ndoja, Zanafilla e Bashkimit Demokrat, 1946, Tiranë, 2015. Dorian Koçi, Musine Kokalari dhe Qëndresa Anti-komuniste, 1945-1946, Anglisticum Journal, [IJJLIS], Vol. 6, Issue 7, f. 46.

[10] Ekstrakt from: Si u formua Partia Social-Demokrate. Redaktoi Platon Salim Kokalari (Tirana: Naim Frashëri 2000), ribotuar nga  Novruz Xh. Shehu (Tirana: Geer 2009), f. 403-436. Përktheu në anglisht prej Robert Elsie, tek www.albanianhistory.net

[11] Shih: Owen Pearson, Albania in the XX Century, London 2006, Vëll. III, f. 47. “Edhe Toger Koloneli Alan Palmer pranoi se ishte e vërtetë që aid he Majori Victor Smith kishin takuar dy të akuzuarit Qenan Dibra dhe Abdyl Muça, si dhe Kristo Xhungën. Foreign Office konfirmoi gjithashtu se Anastas Papapostoli dhe Profi Çoka kishin kontaktuar Kolonelin Palmer”. Po aty.

[12] Ekstrakt from: Si u formua Partia Social-Demokrate. Redaktoi Platon Salim Kokalari (Tirana: Naim Frashëri 2000), ribotuar nga  Novruz Xh. Shehu (Tirana: Geer 2009), f. 403-436. Përktheu në anglisht prej Robert Elsie, tek www.albanianhistory.net

[13] Me shumë gjasë, personi ishte Llazar Papapostoli alias Larry Post. Të vërehet fakti se Jacobs nuk përmend emrin e personit me shtetësi shqiptare “fairly well known to us”. Të vërehet edhe përkitja në veprime dhe kohë me deklarimin e përmbajtur në telegramin e një viti më vonë lidhur me gjyqin e Tiranës: “Larry Post dëshmoi se kishte qenë i lidhur me opozitën qysh në maj të vitit të kaluar dhe kishte vepruar si ndërlidhës midis misioneve amerikane dhe britanike.” Shënimi ynë, A.A.

[14] Me siguri është fjala për Memorandumin e Bashkimit Demokratik drejtuar Aleatëve, shih Musine Kokalari dhe Social-Demokracia në Shqipëri: Alina Wagner, FES, Tiranë, 2016, Apendix 3, f. 25-29.

[15] Brigadieri Edward Hodgson, shefi i BMM, Tiranë, pranverë e vitit 1945. Për më shumë, shih Robert Elsie, tek http://www.albanianhistory.net/1945_Hodgson/index.html

[16] Telegram i Jacobs për Sekretarin e Shtetit, Tirana 8 qershor 1945, ora 4:00 PM. [marrë me 9 qershor – 7:40 AM], Arkiva e Departamentit të Shtetit, 875.00/6-845.

[17] Raport javor [20 – 26 qershor] i Misionit Amerikan në Tiranë, date 3 korrik 1946, pika 8, 875.00/6-2746

[18] E drejta e pashkruar, nga Latinishtja.

[19] Xhemal Laçi, Kanuni i Lekë Dukagjinit sipas Pukës, Botimet Çabej, Tiranë, 1996, f.

[20] Arkiva e DASH, 875.00.6-2746

[21] Raport javor [27 qershor – 3 korrik] i Misionit Amerikan në Tiranë, date 3 korrik 1946, pika 11, 875.00/7-346

[22] Ndue Dedaj, Musineja dhe Mirdita – komunikim përmes kodit të heshtjes, Milosao, 25 shkurt 2018.

11 Komente

  1. Autoriteti i Dosjes e ka deklasifikuar dosjen e Mysine Kokalarit me duket. Se paku dosjen hetimore. Nuk besoj se gjenden materiale per te provuar qe ka qene nje kurth i Sigurimit, por jam i sigurte qe ka qene, sikur ajo e deputeteve.

  2. Pra, si mund ta shpjegojmë mosangazhimin e aleatëve në këtë lëvizje opozitare, ndërkohë që organet vendase kishin mbajtur grupin nën survejim për një kohë të gjatë, dhe pjestarët e tij deponuan në gjyq çdo kontakt me misionet e lartpërmendura? A ishte e gjitha kjo një kombinacion apo lojë zbulimore – me pasoja të rënda shumëplanëshe – për të vënë në pozitë delikate misionet aleate në Shqipëri, lojë ku Musine Kokalari ra viktimë e idealeve të saj të pastërta demokratike, por edhe e naivitetit që shpesh shoqëron entusiazmin e sinqertë?

    A nuk ishte vendosur fati i popujve të Ballkanit në “marrëveshjen e përqindjeve”, në pazarin famëkeq midis Churchillit dhe Stalinit në tetor 1944, ku të dy shkëmbyen pusulla me përqindjet e influencës reciproke mbi vendet e Ballkanit; një moment ky padyshim “i shndritshëm” i diplomacisë së të mëdhenjëve me fatet dhe të ardhmen e popujve ballkans?! Përfaqësuesit amerikanë dhe anglezë në Tiranë ishin të destinuar të qëndronin pasiv dhe përpjekjet e demokratëve dhe pro-perëndimorëve shqiptarë të atyre viteve ishin të destinuara të dështonin. Po ashtu, dyshoj se, edhe sikur misionet e anglo-amerikanëve në Shqipëri të kishin mbështetur më tepër opozitën demokratike dhe qeveritë e tyre të kishin ushtruar më shumë presion mbi komunistët shqiptarë në pushtet, prapë kjo nuk do të kishte mjaftuar për të kthyer drejtimin që mori vendi. Për të ndodhur kjo duhej që anglo-amerikanët të zbarkonin me trupa në Shqipëri, siç bën në Greqi, por kjo nuk ishte pjesë e pazarit. (Ironia është Shqipëria nuk është fare në listën e përqindjeve të Churchillit me Stalinin; Shqipëria u pa si satelit i Jugosllavisë dhe iu la në dorë – well, at 100% – Titos.)

    ————————

    In 1956 Churchill told the American Journalist, C.L. Sulzberger:
    “Stalin never broke his word to me. We agreed on the Balkans. I said he could have Rumania and Bulgaria; and he said we could have Greece…He signed a slip of paper. And he never broke his word. We saved Greece that way. When we went in in 1944 Stalin didn’t interfere.”

    https://en.wikipedia.org/wiki/Percentages_agreement

    http://www.academia.edu/21832177/Beware_Greek_Gifts_The_Churchill-Stalin_Percentages_Agreement_of_October_1944

  3. Ne fakt, mospermendja e vendoste Shqiperine mes 90%-10% per Angline si Greqia dhe 50-50 si Jugosllavia. Fakti qe ne Shqiperi hodhi armatime e oficere Anglia, ndersa BS-ja asgje,tregonte vullnetin anglez per 90%-10%, pra Shqiperia si Greqia. BS-ja nuk kishte ne plan ta kontestonte direkt, por pavaresisht cfare pretendonte de facto Anglia, BS-ja mund te deklaronte ne cdo kohe 50-50 per Shqiperine. Pra vete anglezet duke mos pasur sigurine e 90% nuk zbarkuan trupa si ne Greqi. Pastaj te shqetesuar si qene me gjendjen ne Greqi, lufte te cilen ia kaluan me vone Amerikes per mungese fondesh, nuk kishin ndonje interes per Kokalarin dhe Bashkimin Demokrat, sepse do tu duhej te nderhynin ushtarakisht ne rast se komunistet do benin gje kunder ketij grupimi. Pra anglezet ishin shume te kujdesshem e te trembur qe te zbatonin politike imperialiste ne Shqiperi. Kokalari dhe Bashkimi Demokrat e hengren prej frikes angleze dhe paqartesise se marreveshjes Cercill-Stalin rreth Shqiperise. Nuk ishin as te paret as te fundit qe e hengren prej paqartesise se Anglise, para tyre ishte Balli dhe Legaliteti, pas tyre qindra diversante qe u hodhen si mish per top. Gjithsesi Musineja si heroine i takon ne Shqiperi nje diskursi majtist pro-angloamerikan, qe do te shkeputet nga trashegimia enveristo-titisto-staliniste e viteve te para te komunizmit shqiptar. Musineja e Bashkimi Demokrat perfaqesojne kulmin e papjekurise politike ne 1945. C’kishte per t’u bere kunder komunizmit behej deri ne maj 1944. Si kofini pas te vjelit quhet kjo pune.

    1. Me syrin e sotem mund te quhet si kofini pas te vjelit. Por nga ato qe kemi degjuar nga prinderit, nga ato qe vete kam pare nga gazetat e kohes, e biles edhe nga shkrimet e Enverit te kesaj kohe po te nisemi, fryma e kohes ishte fitorja mbi nazismin dhe akoma jo patjeter vendosja e komunizmit, (partia kom. ishte akoma ne ilegalitet). Arrestime ishin bere vetem tek bashkpuntoret me fashizmin, midis te cilve pak tregetare. Intelektuale akoma jo. keto perpjekje per te organizuar dy-tre parti te tjera asaj kohe nuk ishin aq ilegale sa duken sot, sepse nuk ishte deklaruar qe vetem Fronti N.-Cl. merr pjese ne zgjedhje. Natyrisht ftese krijimit te cfardo lloj partie nuk ish bere. Thjesht ishin ftuar ne Front levizjet e tjera politike. Kur u vune kutite e votimit, aty ndodhi surpriza katastrofike, Fronti kishte kutite e kuqe, ndersa te tjeret (ata qe ishin regjistruar si jashte frontit, ose me emer tjeter) kutine e zeze. E megjithate shume gogla u hodhen ne kutine e zeze, si bie fjala, Bregu kishte hedhur shumicen e goglave tek kutia e zeze, sic u perfol. Arrestimi i grupit te pare social-demokrat i hapi rrugen edhe arrestimit te grupit te dyte (shiko librat e shkolles dhe materialet e partise), e pastaj morri rruge kjo pune me arrestimet masive ne vitin 1947, dy-tre here me dhjetra e qindra njerez.
      Musine Kokalari ka vuajtur shume, thone ata qe kane jetuar me ‘te.

  4. Komunistet kishin 6 a 7 Divizione Sulmuese, vreshti ishte vjelur. Farsa me votime u bene ne gjithe Europen Lindore nja 2 vjet paslufte, po me divizionet sovjetike kudo. Kisha/xhamia s’ka as shkop, as konop, tha.

  5. Pra vete anglezet duke mos pasur sigurine e 90% nuk zbarkuan trupa si ne Greqi. Pastaj te shqetesuar si qene me gjendjen ne Greqi, lufte te cilen ia kaluan me vone Amerikes per mungese fondesh, nuk kishin ndonje interes per Kokalarin dhe Bashkimin Demokrat, sepse do tu duhej te nderhynin ushtarakisht ne rast se komunistet do benin gje kunder ketij grupimi.

    Po, mungesa e garancisë nga Stalini, e rëndësisë së papërfillshme gjeostrategjike krahasuar me Greqinë, si dhe prania masive e jugosllavëve në Shqipëri pas 1945-ës vendosën fatin e (mos)ndërhyrjes së perëndimorëve.

    Mospërmendja e Shqipërisë në marrëveshjen në fjalë (tetor 1944) tregoi se Stalini nuk kishte ndonjë interes për vendin, edhe pse aty komunistët shqiptarë ishin pak para marrjes së pushtetit; prania e jugosllavëve aty mjaftoi që Stalini ta linte Shqipërinë në dorën e Titos, pa u merakosur më tej (gjërat ndryshuan disa vite më pas, kur Titos iu hap oreksi për një federatë ballkanike, që sfidonte pozitat e BS në rajon).

    Churchilli, pa ndonjë interes të veçantë gjeostrategjik për Shqipërinë, edhe mund të ishte përjekur për ta tërhequr vendin drejt Perëndimit pas 1945-ës – duke parë mosinteresimin e Stalinit – por vetëm nëse kjo do të ishte pa kosto të larta ushtarake-financiare dhe vetëm nëse nga kjo nuk rrezikohej pazari mbi Greqinë.

    Por fakti që në Shqipëri jugosllavët e Titos jo vetëm që kishin hyrë prej kohësh, por pas 1945-ës ata ishin ulur aty këmbëkryq me Hoxhën dhe Xoxen – në ushtri, ekonomi, financa, diplomaci – e rriste koston e ndërhyrjes për anglezët dhe amerikanët përtej nivelit që t’ia vlente. Një ndërhyrje me trupa në Shqipëri rrezikonte të përplaste perëndimorët me ushtrinë jugosllave dhe mund të prishte pazarin me Stalinin për Greqinë. Kaq mjaftoi për t’i lënë shqiptarët, dhe demokratët e pakët idealistë aty, si Musine Kokalarin, në fatin e tyre të keq.

    [Fillimisht, kur ndesha informacionin mbi “marrëveshjen e përqindjeve”, u gëlltita njëherë, kur pashë se Shqipëria kishte rënë komplet jashtë liste në pazarin që vendosi fatin e vendeve të Ballkanit për dekada me radhë; “kur s’të ka njeri fare në defter”, i thonë kësaj pune. Por, nga një anë tjetër, kjo lënie mënjanë nuk është e thënë të jetë me patjetër negative për një vend të vogël dhe përndyshe edhe pa këllqe shumë; ky injorim mund të jetë edhe një plus për vendin sepse mund të shmang situata negative, të nxitura nga përplasja dhe pazari i të mëdhenjëve (si p.sh. lufta civile në Greqi) dhe, për më tepër, mund t’i jap vendit një liri zgjedhjeje midis alternativave, përndryshe të mbyllura për vendet gjeo-strategjikisht më të rëndësishme. Kjo vlen natyrisht vetëm kur presupozon një klasë drejtuese për së mbari, që di se ç’bën.]

  6. Mospermendja linte hapur edhe hipotezen e zhdukjes se Shqiperise nga harta. Titoja me bekimin e Stalinit ( gelltite, po jo me cizme ushtaresh se ke pune me Angline) e provoi ta zhdukte Shqiperine nga harta. Duhet te kemi parasysh se kur Italia pushtoi Shqiperine, Franca ktheu koken nga ana tjeter, kurse Anglia beri ca protesta diplomatike se Italia po shkelte marreveshjen e status quose ne Mesdhe qe ish nenshkruar mes Anglise dhe Italise. Vlera e Shqiperise ose ishte hic, si ne rastin e Frances ose sa per nje proteste diplomatike per status quone ne Mesdhe si ne te Anglise. Zogu kishte rrojtur me iluzionin anglez per 15 vjet e me nje tentative te deshtuar ( oficere angleze qe stervisnin xhandarmerine shqiptare) ne vitet ’30. Anglia e asaj periudhe ishte nje mashtrim i madh, nje fake hope, qe mori ne qafe gjithe te mashtruarit. Leksioni i vetem per mua eshte qe kur Perandorite jane nga fundi i ciklit te tyre, duhen braktisur sa me pare, se i fundit e ha keq. Ne fund te ciklit te tyre jane te paafta te veprojne, jane kontradiktore dhe te gatshme te shesin cdo “aset anesor”, si puna e ndermarrjeve me bilanc negativ.

  7. Nëse ka, mësimi më i madh nga kjo histori nuk është se Znj. Musine Kokalari dhe ata që mendonin si ajo u bën viktima të konjukturave dhe konspiracionit global, që e ndau botën në dy kampe, por fakti që ende pa mbaruar lufta shqiptarët e kishin zgjedhur kampin e përcaktuar kundër lirive të individit. Fakti që këta njërëz përgjoheshin dhe spiunoheshin pa arsye, flet më shumë se konspiracioni. Shqiptarët edhe sot e kësaj dite nuk kanë respekt për lirinë e tjetrit, për ta vlerësuar ata aq sa liria e tyre. Nuk e kuptojnë që në marrdhëniet shoqërore, ndryshe nga liria vetmitare në malé, moscënimi i lirisë së tjetrit nënkupton së pari mbrojtjen e lirisë personale.

    Përndryshe njërzit e arsyeshëm, përveç rasteve kur i rrinë larg, i përqasen dhunës gjithmonë me naivitet, me shpresën se në fund e mira gjithmonë triumfon. Por në këtë rast këta ndoshta edhe kishin kujtuar se me fashizmin kishin parë gjithçka ishte për t’u parë në lidhje me dhunën.

  8. Konica qe te pelqen ty L.A. ne 1902 nga homo homini lupus nxori Albanus Albano Lupissimus, shqiptari per shqiptarin eshte ujk fare, ose ujk e shkuar ujkut. Ose ne 1896 “Njeriu është më i lig se egërsirat, po kur vështronj shqiptarët e Stambollit, më vjen të thom që është më i lig se gjarpri dhe miu”. Shqiptari i Stambollit eshte shqiptari i pushtetit ose afer pushtetit, ai i lidhuri me Perandorine. Divide et Impera eshte praktikuar prej 2200 vjetesh ne keto ane. Jo se ka pasur ndonjehere bashkim apo koncept uniteti, por prej 22 shekujsh pushteti ka qene lidhur ngushte me te huajt apo nderkombetaret si i quajme sot. Kultura shqiptare eshte mbrujtur nga “divide et impera”, dmth nuk mund te behen dot bashke shqiptaret ne menyre te sinqerte e pa agjenda te huaja, sepse do te thote qe jane zhbere kulturalisht si shqiptare. Ti tani kerkon lirine e individit e respektin per lirine e tjetrit. Pyetja eshte si perputhen keto me parimin kulturor divide et impera ? Ja edhe njehere Konica: “Shqiptarët e mjerë presin që Evropa të vijë sot a nesër t’i shpëtojë. Është nevojë të themi, të bërtasim të vërtetën: Evropa shqiptarët i ka për të egër e për të humbur… Le të themi pra të vërtetën, gjithnjë të vërtetën,… të përpiqemi t’i fryjmë popullit tonë pak jetë e pak guxim. (Vepra 3, f. 81) Nuk ka ndryshuar gje L.A. sillemi e rrotullohemi rreth se njejtes gje dhe presim rezultate te ndryshme, gje qe eshte nje nga perkufizimet e idiotesise. Musineja e Bashkimi Demokrat ishin viktimat e radhes, ne kete vend gjithnje ka viktima te radhes. Ketu cdo i huaj qe ka kaluar ka lene kopilat e vet kulturore, ka lene faren e keqe te percarjes dhe me e keqja eshte se nuk dime me ne historine tone se ke te mburrim e ke te mbajme, ne analize te fundit te pushtetit jane kopilat e dikujt.

    1. Na, naaa, hyllin, kujdes se po na del anti-europian, sic dola une antiamerikan! Se dhe derri ne thes, derr eshte ne fund te fundit, le te haje c’te gjeje aty! Ushqim, plehra, dru…!

  9. Ndorja asht institucion parak i njerezimit i hasun dendun ne traditat abrahamike. Kokalaret si soj dhe familje kadilleresh ate adet e kane krye si muslimane, keshtu qe deshira per ta kanunizue te kaluemen permes filtrit mendor te revolucionit kulturor len shume me deshirue. E thanun kjo me shume pervujtni

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin