Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filologji

TË SHKOSH KU TË SHPIEN SHKRONJAT

Sikurse dihet tashmë, poema e I. Kadaresë “Në mesditë u mblodh Byroja Politike”, që ishte përgatitur për botim te “Drita” në tetor të vitit 1975, nuk u botua për arsye ideologjike. Teksti i saj dorëshkrim u zhduk nga qarkullimi, madje edhe autorin, pasi e detyruan të bënte autokritikë “të thellë”, e porositën që të mos e zinte më veprën në gojë.

Deri në fillim të viteve 2000, poema konsiderohej si e humbur dhe për të qarkullonin veç të njëjtat thashetheme, për “pashallarët me duart e përgjakura”, që nuk ishin veçse ish-bashkëpunëtorët e ngushtë të Hoxhës, një pjesë e tyre të pushkatuar gjatë spastrimeve në vitet 1970. Pastaj vepra u zbulua në Arkivin e Qendror Shtetëror, në një dosje me materiale të tjera shoqëruese.

Në letrën që Dritero Agolli i dërgon Piro Kondit – që duhet të ketë qenë Sekretar i Komitetit të Partisë të Tiranës në atë kohë – shkruan mes të tjerash se Duro Mustafaj (që ishte kryeredaktori i “Dritës”), sapo erdhi nga shërbimi, “e lexoi dhe e hoqi nga shtypshkronja.” Poema ka qenë dërguar, pra, në shtypshkronjë, në momentin kur u vendos që të mos botohej.

Megjithatë, teksti i daktilografuar, që gjendet në dosje dhe pastaj ka qarkulluar si i vetmi ekzistues i poemës, nuk duket të jetë në formën përfundimtare.

Mjafton një vështrim sipërfaqësor, për të gjetur atje një numër tejet të madh gabimesh – si typo, drejtshkrimore, pikësimi dhe gramatikore.

Një numër gabimesh, si bejnë për bëjnë, nepër për nëpër, mengjezi për mëngjesi, buzeqeshje për buzëqeshje, mbledhte për mbledhtë, kanë të bëjnë me përdorimin e shkronjës e në vend të shkronjës ë.

Gabime të tjera, si kokëulur për kokulur, rjedhin për rrjedhin, bryle për bërryle, zbetë për zbehtë, partije për partie, qënkeni për qenkeni, kamçik për kamzhik, shtegëtojnë për shtegtojnë, ditlindjen për ditëlindjen, janë mirëfilli drejtshkrimore.

Ka ndonjë gabim, si pijnë për pinë ose vejë për vërë që ka të bëjë me normën gramatikore.

Një gabim, si m’u mbledhtë për n’u mbledhtë, duket të jetë thjesht shtypi.

Në dy vargje:

Ditët rjedhin të zakonshëm në dhjetor

dhe

Populli pas klasës derdhe oqean

Ndeshen gabime gramatikore (gjinia e mbiemrit tek i pari dhe veta e foljes tek i dyti).

Ka edhe një luhatje të dukshme leksikore, me fjalën themel, që del edhe si themelí.

Për t’u shënuar se teksti vetë përmban korrigjime të bëra herë me dorë dhe herë duke e mbishkruajtur shkronjën që mungon; si dhe korrigjime të bëra aty për aty gjatë daktilografimit.

Në dy raste, fjalët e shkruara bashkë – pa hapësirë ndarëse – janë ndarë me dorë, me një vijë vertikale; dhe në një rast, është korrigjuar kështu, duke shtuar një ë, sipër p-së së shkruar gabimisht.

Më lart, fjala përmys është korrigjuar nga vetë daktilografisti, duke shtuar një b në superskript; po ashtu, është korrigjuar me mbivendosje fjala kthejnë (e shkruar fillimisht si kthejë). Të tilla korrigjime, me mbivendosje, ndeshen relativisht shpesh në tekst.

Numri i madh i gabimeve drejtshkrimore në dorëshkrim tregon, me gjasë, se ky nuk mund të jetë dorëshkrimi i dorëzuar në shtypshkronjë, por me gjasë një version fillestar i poemës, i dorëzuar nga autori në redaksi – ose daktilografimi sërish fillestar i atij versioni, në qoftë se Kadareja e ka dorëzuar poemën të shkruar me dorë.

E them këtë, sepse ky material nuk duket se ka kaluar në duart e ndonjë korrektori teknik.

Në vitin 1975, rregullat e drejtshkrimit të shqipes, të miratuara në vitin 1972, po zbatoheshin që prej tre vjetësh; dhe një gazetë qendrore, si “Drita” kishte korrektorë teknikë të klasit të parë.

Është krejt normale që një autor si Kadareja, i mësuar me toskërishten letrare të viteve 1950-1960, të shkruajë ahere për atëherë, qënkeni për qenkeni, mvrenjtur për vrenjtur, mëngjezi për mëngjesi, kamçik për kamxhik, etj. Por këto shmangie nga norma drejtshkrimore do të ndreqeshin sakaq në procesin botues.

Dhe nëse versioni që njohim i poemës nuk është ai që do të botohej, atëherë kemi të drejtë të supozojmë se lexuesi i sotëm nuk ka në dorë poemën e çuar për shtyp – me gjithë redaktimet përkatëse, që mbase nuk kanë qenë vetëm gjuhësore; por vetëm një dorëshkrim të saj më të hershëm.

Në faqen e fundit të dorëshkrimit, gjendet edhe emri i autorit i shkruar me dorë, me bojë të kuqe.

Krahasimi me dokumente të ngjashme, që dihet se janë shkruar me dorë nga Kadareja, lë vend për dyshim se emrin këtu nuk e ka shkruar Ismaili vetë, por një dorë tjetër.

Ka dallime tek I-ja e madhe, te K-ja e madhe, tek a-ja, te s-ja, por sidomos te m-ja (kjo e fundit, që lidhet me harkun e shkronjës, më duket me rëndësi kritike). Gjithsesi, nuk jam ekspert grafolog, që t’i gjykoj këto dallime me siguri më të madhe: po mjaftohem t’i konstatoj.

Sa kam shkruar më lart, nëse qëndron, tregon se historia e kësaj vepre ende nuk është shkruar mirë; dhe se gjykimet e deritashme të kritikëve, filologëve dhe të komentuesve janë mbështetur mbi një version – të vetmin të bërë publik – që mund të mos jetë ai përfundimtar i veprës (ai që u tërhoq nga shtypshkronja).

Shtojcë: Luhatjet e/ë

Sikurse e vura në dukje më lart, një pjesë jo e vogël e gabimeve në tekst vijnë nga ngatërresa mes shkronjave e dhe ë, dhe pikërisht, shfaqen në fjalë që duhej të ishin shkruar me ë, por janë shkruar me e.

Shembuj: bejnë për bëjnë, nepër për nëpër, mengjezi për mëngjesi, buzeqeshje për buzëqeshje, mbledhte për mbledhtë.

Një ngatërresë të tillë sot e ndesh rëndom, në të gjithë ata që e shkruajnë shqipen në tastiera kompjuterike pa ë, dhe që janë mësuar ta zëvendësojnë këtë shkronjë me e; dhe pikërisht atëherë kur këtyre u duhet të shkruajnë një tekst me 36 shkronjat e shqipes.

Në vitet 1970 nuk ndodhte kështu – sepse tastierat e makinave të shkrimit funksiononin tjetërlloj.

Për shembull, makina e shkrimit që kisha unë në shtëpi dhe që e patëm siguruar me zor të madh në fund të viteve 1970[1] (edhe pse im atë ishte kryeredaktor i Buletinit të Shkencave Mjekësore të UT dhe i duhej për punë), ishte prodhuar në Bullgari dhe kishte tast të veçantë për ë-në.

Me hamendje, them se në Shqipëri kanë qarkulluar makina shkrimi italiane Olivetti, të cilat nuk e kanë shkronjën ë, në konfiguracionin për italishten. Por do të ketë qenë e mundur, të paktën në nivelin administrativ, që të porositeshin makina të tilla me ë (p.sh. duke zgjedhur konfiguracionin e frëngjishtes).

Do të ketë pasur edhe makina shkrimi që lejonin ta përftoje ë-në duke kombinuar e-në dhe një shenjë diakritike (diaeresis), që nuk e çonte karrelin përpara. Por nuk mund të them gjë me siguri për këto lloje tastierash.

Për t’u kthyer tani te teksti, një krahasim i kujdesshëm mes formave të shkronjave, tregon se tastiera e makinës së shkrimit, të përdorur për ta shtypur, i ka pasur shkronjat e dhe ë të veçanta.

Siç mund ta shohë kushdo tek imazhi më poshtë, shkronja ë ka një papastërti, midis lakores së poshtme dhe gjysmë-rrethit të sipërm; papastërti që shkronjës e i mungon.

Kjo tregon që personi i cili e ka daktilografuar këtë dokument nuk është mësuar të punojë me një tastierë që e ka shkronjën ë; prandaj herë pas here i shkon gishti tek e-ja.

Eksplorimi grafik i dorëshkrimit tregon se tastiera në fjalë jo vetëm e ka pasur shkronjën ë, por edhe e ka pasur afër p-së; sepse në disa raste shtypshkruesi e ka shkruar ë-në si p, pastaj i ka rënë përsipër, si në shembujt më poshtë:

Pra, kushdo që e ka daktilografuar këtë poemë, e ka bërë me një makinë shkrimi jo të vetën, ose me të cilën nuk ka qenë mësuar.

Është i vetmi shpjegim logjik që mund të sjell; përndryshe, mundësia teorike që dokumenti në fjalë të jetë hoax i përpiluar me kompjuter përjashtohet nga çdo anë që ta kapësh: autori do ta kish denoncuar këtë i pari.

Për ta përmbledhur: analiza e dokumentit të daktilografuar lë shteg për të dyshuar se:

  1. Dokumenti që kemi nuk është varianti përfundimtar i poemës, por një variant dorëshkrim i hershëm – pse është ende i paredaktuar dhe nuk duket të jetë gati për shtyp.
  2. Ka ekzistuar një variant i redaktuar i poemës, i bërë gati për shtyp, të cilin sot (ende) nuk e kemi.
  3. Daktilografimin e dorëshkrimit të poemës e ka bërë dikush i pamësuar mirë me konfigurimin e tastierës së makinës së shkrimit që ka përdorur.
  4. Emri Ismail Kadare, në fund të dorëshkrimit, mund të mos jetë shkruar nga dora e autorit.

Sa parashtrova më lart, duhen lexuar si përsiatje të një amatori edhe pse të kujdesshëm, në një fushë ku ekspertizën teknike nuk e zëvendëson dot as kureshtja, as zelli. E ftoj lexuesin të japë një ndihmesë, nëse mundet – me shpresën që ndonjë eksperti grafolog t’i bjerë në dorë eseja.

 

© 2019, Peizazhe të fjalës. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht çdo lloj riprodhimi.


[1] Në Shqipërinë e atyre viteve makinat e shkrimit kontrolloheshin rreptësisht dhe u jepeshin vetëm atyre që kishin arsye pune për ta përdorur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin