Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi

LIBRARIA ME NJË LIBËR

Filozofi vjenez Ludwig Wittgenstein ishte 25 vjeç kur Austria i shpalli luftë Serbisë, më 28 korrik 1914; i sapokthyer në atdhe nga një qëndrim i gjatë në Norvegji, vendosi të regjistrohej në ushtri vetëm pak ditë më pas, edhe pse jo thjesht për arsye patriotike – sipas të motrës, e bëri ngaqë po ndiente një dëshirë të fortë për të ndërmarrë diçka të vështirë, dhe gjithsesi të ndryshme nga puna mirëfilli intelektuale; dhe me bindjen se, duke u ndier në kontakt me vdekjen, do të bëhej njeri më i mirë.[1]

Tashmë i dërguar në vijën e frontit, Wittgenstein-i u përfshi në fushatën e Galicisë, si pilot i një motobarke patrullimi në lumin Goplana; duke pasur kohë të bollshme për të përjetuar jo aq rafinimin e virtyteve në fushën e betejës, sa vetminë dhe makthin e braktisjes, aq sa më se një herë e çoi nëpër mend vetëvrasjen. Çfarë ia dhuroi, befasisht, atë transformim shpirtëror që kish kërkuar, do të rezultonte një vizitë e rastit në një librari të vogël në qytetin Tarnów, e cila ekspozonte në raftet një libër të vetëm: Tolstoi për Ungjijtë. Kjo edhe ia thjeshtoi punën, duke ia kursyer torturën e të zgjedhurit.

Wittgenstein-i iu vu leximit dhe pastaj iu kthye e iu rikthye librit sërish, pa e hequr nga dora, aq sa të fitonte nofkën “njeriu me ungjill.” Ideali tolstojan i të jetuarit thjesht bashkëtingëlloi mirë me gjendjen e tij shpirtërore dhe e ndihmoi që ta përballonte më lehtë eksperiencën e luftës.

Me origjinë nga një familje e pasur hebrejsh të Vjenës, Wittgenstein-i ishte pagëzuar si katolik në moshë të njomë, por më pas ishte bërë ateist, duke ruajtur nga feja e tij veç një farë respekti intelektual për rrëfimin. Megjithatë, kur miku dhe mentori i tij Bertrand Russell do ta takonte pas luftës, do ta gjente të shndërruar “tërësisht në mistik” dhe “duke përsiatur mundësinë që të bëhej murg”, me gjasë edhe falë efektit të librit të Tolstoit.

E megjithatë, rrethanat që i takuan këto dy mendje ishin nga më të jashtëzakonshmet: Wittgenstein-i i veshur ushtar, vizita e tij në qytetin polak të Tarnów-it, një librari e vogël atje, me një libër të vetëm: ungjijtë e rrëfyer nga Tolstoi. Të thuash se libri po priste, në mes të rrëmujës dhe shkatërrimeve të luftës, që t’i binte filozofit vjenez në dorë. Ndonjëri do të thotë “rastësi”; ndonjë tjetër “pre-destinim”; ndonjë i tretë “serendipitet”. Edhe unë vihem ta përfytyroj atë farë librarie, edhe pse nuk e marr dot me mend se ku i kishin përfunduar librat e tjerë; por them se, po të më kish ndodhur kjo mua, dhe të isha gjendur në librari ballë për ballë me të vetmin libër në raft, do të kisha menduar se libri po më priste mua.

Pa folur për rrethanat: nuk di të them nëse Wittgenstein-i që vetëm dy vjet më parë, në 1912, i kish shkruar Russell-it se Mozarti dhe Beethoveni ishin “bijtë e vërtetë të Perëndisë”[2]; intelektuali vjenez që kish studiuar më parë Schopenhauer-in dhe pastaj Frege-n e më në fund Russell-in dhe aristokrati që, pas vdekjes së të jatit në 1913, do të bëhej një nga njerëzit më të pasur në Europë, do të ish tërhequr pas libërthit të Tolstoit po ta kish parë gjëkundi në Londër ose në Vjenë, mes mijëra librash të tjerë. Një filozof i sofistikuar si ai zor se do të lektisej, me vështrim të parë, pas një përmbledhjeje që u kish bërë Ungjijve shkrimtari rus. Mbase vetëm lufta, dhe prania e vdekjes si barazues i madh, ia ndërmjetësoi dhe ia lehtësoi Wittgenstein-it kontaktin me Tolstoin, duke i ngjallur kërshëri për idetë e thjeshta, por të fuqishme, të Ungjijve, nën leximin dhe interpretimin e shkrimtarit rus. Në këtë kuptim, takimi në Tarnów ish takim mes dy filozofësh të mëdhenj, përndryshe në dy anë të kundërta të humnerës; pa çka se të dy “armiq” të Krishterimit konvencional (njëri praktikisht ateist, tjetri i shkishëruar).

Libri që iu zbulua kështu Wittgenstein-it nuk ishte më mall për shitje, por shenjë; jo aq mesazh nga lart, sa përgjigje e dilemës: “sikur të të çonin në një ishull të shkretë dhe të mund të zgjidhje vetëm një libër për të marrë me vete…”; aq më tepër që filozofi ishte tashmë i rrethuar nga shkretia e luftës dhe kushtin e “vetëm një libër” ia kish plotësuar, paraprakisht, libraria. Nuk e përfytyroj dot autorin e Tractatus-it duke u humbur në leximin tolstojan të Ungjijve kur studionte logjikë në Londër dhe torturohej në dilema personale, seksuale dhe morale, në kontekstin hiper-intelektual të Universitetit të Cambridge-it (edhe pse, kur u tërhoq në Norvegji në 1913, ai mësoi danisht dhe filloi të lexojë Søren Kierkegaard-in). Gjithsesi, po të njihesh me peripecitë e tij gjatë atyre viteve, vështirë të mendosh se i kish hyrë një rruge që do ta sillte doemos te Krishterimi i Tolstoit.

Dua të them: nuk e dimë se çfarë na pret, madje as te kafeja e lagjes ku hyjmë në mëngjes për të pirë espresso-n e ditës; e vetmja gjë që mund të bëjmë, është ta mbajmë mendjen të hapur. Shpesh këtë nuk na lejon ajo korracë mbrojtëse e thurur me zakone dhe automatizma, ai version i thjeshtuar i ego-s, që shkrimtari okultist anglez Colin Wilson ka quajtur roboti, duke e përkufizuar si “një mekanizëm që na kursen energji dhe që ka për mision t’i shndërrojë gjërat e reja në tipike” dhe që, në analizë të fundit, priret ta jetojë jetën në emrin tonë.[3] Libri i Tolstoit nuk ishte nga ata tituj që do t’i interesonin Wittgenstein-it kur në kontroll të plotë të vetes – por lufta, vetmia, ankthi, idiotësia e kameradëve, distanca nga Vjena, largësia nga Londra, përfytyrimet për vetëvrasjen, të gjitha këto ia kishin dobësuar rezistencën, duke e bërë që t’ia ekspozonte “barkun” botës. Dhe, pa çka se libri që po e priste ishte një libër për Ungjijtë, mua ky rrëfim më lexohet si i nxjerrë nga Përrallat e Njëmijë e Një Netëve.

 

© 2018, Peizazhe të fjalës.™ Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Këtë ndodhi nga jeta e Wittgenstein-it po e ritregoj siç e kam lexuar te Portraits of Wittgenstein: Abridged Edition, F.A. Flowers III, Ian Ground Bloomsbury Publishing, Jul 26, 2018, f. 93-95.

[2] Muzika zinte vend kryesor në përjetimet kulturore të familjes së tij. Vëllai i madh, Paul Wittgenstein, ishte një pianist i njohur në qarqet muzikore të Vjenës së paraluftës; por pastaj, kur ushtar në frontin rus, u plagos rëndë dhe e humbi krahun e djathtë. Pas luftës, vazhdoi të luajë në koncerte me një dorë: Britten-i, Hindemith-i, Prokofiev-i, Richard Strauss-i dhe Ravel-i shkruan, me porosi, pjesë posaçërisht për të.

[3] Një ide për këtë koncept mund ta gjeni këtu: https://www.metapsychosis.com/colin-wilson-and-the-robot/

19 Komente

  1. “Dua të them: nuk e dimë se çfarë na pret, madje as te kafeja e lagjes ku hyjmë në mëngjes për të pirë espresso-n e ditës; e vetmja gjë që mund të bëjmë, është ta mbajmë mendjen të hapur.”

    kjo histori te kujton ate qe ndodhi me Platonin kur njohu Sokratin. hoddhi ne zjarr gjithe krijimtarine e tij poetike.

  2. Ardian, kjo historia e Wittgenstein-it me Tolstoin më ngjan si një version modern i narrativave teologjike që shtillen rreth konceptit te “zbulesës”: në një moment te pazakontë, një jobesimtar kupton, krejt papritur, jo nëpërmjet ndonjë procesi logjik a intuite të brendshme, por si një spektator pasiv ndaj hapjes hyjnore, të vërtetën e madhe, të cilën, deri ateherë, e kish mohuar e, ndoshta, edhe luftuar (p.sh.: historia biblike e “rrugës për në Damask”, ku tregohet për shndërrimin e Saulit hebre në Shen Palin e krishterë). Tani, magjepsja e Wittgenstein-it pas Tolstoit, ashtu si “zbritja” e së vërtetës hyjnore tek profetet dhe shenjtorët, me duket se ka karakter krejtesisht ekstraracional, ndaj për të nuk mund të flitet me kategoritë e arsyes së shëndoshë. Sigurisht, dukuria në fjalë mund të studiohet, në rendin e shkakësisë, nga pikëpamja psikologjike, neurologjike etj., por, sipas meje, është e pavend që prej saj të nxjerrim përfundime të tipit “nuk e dimë se çfarë na pret… e vetmja gjë që mund të bëjmë, është ta mbajmë mendjen të hapur”, pasi e gjitha kjo nuk është çështje mendësie apo mungese paragjykimesh ndaj ideve të reja.

    P.S. Në komentin e mësipërm nuk po merrem fare me çështjen e vërtetesisë faktike të këtyre zbulesave, pasi kjo nuk ka lidhje me logjiken e argumentit tim.

    1. Më intereson si ndodhin ca gjëra – sidomos kur ca të tjera të ngjashme nuk lënë asnjë gjurmë. Kur shikoj mbrapa, gjithnjë vë re se jo vetëm kujtesa është selektive, por edhe ngjarjet që kanë lënë gjurmë tek unë janë fare të pakta. Përndryshe, korraca mbrojtëse ka funksionuar dhe nuk i ka lënë ta prishin rutinën, përsëritjen dhe konsistencën e subjektit. Edhe unë besoj se ka disa momente që jemi krejt të çarmatosur ndaj botës – dhe që pastaj mund t’i interpretojmë si momente edhe kur bota po na priste “te kthesa”. Jungu ka folur për “sinkronicitet”. Ndoshta sinkroniciteti është edhe vetëm përpjekje e dëshpëruar e ego-s për të refuzuar që jetëshkrimi ose profili personal janë produkte të rastësisë. Por unë i besoj zbulesës, edhe asaj fetare (jo ngaqë jam fetar, por ngaqë u besoj (disa) fetarëve). Në këndvështrimin psikologjik – duhet që edhe ti edhe bota të jeni gati për diçka. Shpesh e kap veten duke kërkuar eksperienca që më mungonin dikur, në të shkuarën, jo në të tanishmet: libra që do t’i kisha lexuar “atëherë”, jo tani; muzikë që do të më kish pëlqyer “atëherë”. Ky është ROBOTI tek unë, që i kërkon, sepse roboti vetëm mund të përsëritë, nuk krijon dot asgjë, as është i hapur ndaj së resë. Por ky lloj gjakimi asnjëherë nuk arrin të kënaqë, qoftë edhe për atë që e kanë quajtur ligj të “diminishing returns”. Prandaj duhet zbulesa, që është një lloj resetimi.

    2. Po edhe wittgensteini cifut i kristianizuar si shen Pali ka qene. Shekujt 19 e 20 jane te mbushur me cifute, kriptocifute e pseudocifute, kryesisht te hapesires gjermanike qe ne panik te plote prej romantizmit europian refuzuan zionizmin , produkt i romantizmit europian dhe u rikthyen ne eksperiencat mistike alla shen Pal, biles edhe kur u bene komuniste, amerikane, katolike etj. Refuzuan te behen serisht izraelite, normal pas 2 mije vjetesh gjezdisje ne tokat e botes, nomadit i behet e veshtire sedentarizimi ne shtepine e vet. Besoj se shqiptaret kane perjetuar gjithnje refuzime te njepasnjeshme kulturore te ketyre eksperiencave mistike abrahamike, duke mbajtur nje kulture heroike e refuzuar kulturen dhe mistiken e absolutes. Keta ateistet, laiket e antikristianet e Perendimit jane si -A ndaj A, kurse shqiptaret edhe kur jane besimtare te krishtere jane gjithnje B. Ne nuk e kuptojme fare Wittgensteinin, maksimumi qe mund te bejme edhe te hiqemi sikur e kuptojme, shumica do thoshte gjynah i shkreti paska rreshqitur, c’i duhej lufta.

      1. Nga sa kuptoj, Hyllin, ti nuk ke pasur ndonjëherë eksperienca mistike në jetë? Unë kam pasur, të llojeve të ndryshme. Jo fetare. Sot gjithnjë e më rrallë. Por i kujtoj si eksperiencat që më kanë bërë mua ky që jam, ashtu siç jam. Gurët e themelit të subjektit.

      2. Hyllin,

        Besoj se shqiptaret kane perjetuar gjithnje refuzime te njepasnjeshme kulturore te ketyre eksperiencave mistike abrahamike, duke mbajtur nje kulture heroike e refuzuar kulturen dhe mistiken e absolutes.

        Kur përdorni shprehjen ‘kulturë heroike”, në çfarë kutimi e përdor? Me siguri jo si në David, v.s Goliat?

        Duke hamendësuar, pa dashur t’ju keqinterpretoj, mos e keni fjalën për heroizmin që buron nga egoizmi pagan?

  3. Ne rregull qenke xha xha qe s’paske pasur eksperienca mistike abrahamike. L.A. kultura heroike dihet ca eshte, refuzim i qarte i vdekjes se subjektit, i anullimit te subjektit tek Zoti. Quaje egoizem pagan, quaje liri, kjo eshte ceshtje terminiologjie.

  4. Nicola Tesla shkruante diku qe njerezimi do eci perpara vetem atehere kur te filloje te merret shkencerisht me metafiziken.

  5. Nuk e di pse kam pershtypjen se edhe po te kishte libra te tjere, ai ate qe zgjodhi do te zgjidhte. Dhe jo vetem per shkak te gjendjes shpirterore dhe rrethanave qe jane dhene sakte ne kete trajtese, por sepse ai kishte kohe qe ishte nisur drejt atij libri, me sakte drejt vizionit tolstoian te krishterimit, qe nuk ka asgje te perbashket me Kishen zyrtare.
    Mjafton te kujtosh se qe para lufte ai u fali nje pjese te mire te pasurise qe trashegoi shkrimtarve dhe artisteve te varfer (pra pa ditur gje se çfare bente Tolstoi, ai po bente te njejten gje), deri sa pastaj ke pershypjen se pasuria qe i mbeti ne dore e ndohte dhe perfundimisht ua fali krejt te tjereve… Vete Tolstoi qe ishte me i organizuar u perpoq te ndertonte nje model shoqerie tjeter me pasurine tij, gjithnje duke perdorur per ata qe nuk kishin mjete jetese.
    Mbase ka rol edhe depresioni nga i cili vuante, ai qe ia zhvleftesonte gjerat e siperfaqeshme ne jete.

    1. … dhe shkurt per ta mbyllur komentin e mesiperm, shtoj me bindje se ne opinionin tim, Wttgensteini kishte gjthe jeten qe po ecte drejt atyre ungjijve te komentuar nga Tolstoi (kjo ka rendesi te theksohet sepse eshte vizion krejt tjeter i krishterimit), madje, kembengul, ai nuk e dinte se prej kohesh ishte personazh i tyre. Tamam keshtu. A ju kujtohet ai pinjolli i nje familjeje te pasur çifute, ne moshen e Wittgensteinit, qe e pyeti Krishtin qe ç’duhej te bente qe te shonte me te dhe Krishti iu pergjigj se duhet t’ua shprendash pasurine tende te tjereve qe kane nevoje? E pra, Mateu thote se tipi ne fjale uli koken e u kthye mbrapsh, ndersa Wittgensteini siç thashe me siper, e kishte kryer nje akt te tille, kishte kaluar ne anen tjeter. Ua kishte dhene pasurine e tij te tjereve. Ai tashme vetem se ishte ne kerkim te atij ideali qe perkonte me vizionin e tij per krishterimin. Dhe nje gje e te tille e gjeti te Tolstoi, te i mallkuari i madh i Kishes.

  6. Gezuar Lyss! Tani te gjitha derrasat nuk i ka pase as Tolstoy ne moshen e trete, per Krishtin ne Bibel thuhet se fqinjet e mbanin per te lajthitur, ndersa Akhenatonin, atin shpirteror te Mojsiut dhe eksperimentuesin e pare te monoteizmit, e mbanin te gjithe si te zhvidhosur. Gjerat mund te jene te diskutueshme, se kush ua beri diagnozen mjekesore, por nqs marrim parasysh se psh ne Greqine e lashte ekzistonte koncepti se i cmenduri ishte i tille se njeriu nuk arrin dot ta permbaje hyjnine apo nderhyrjen hyjnore, atehere duket si koncept i pranuar ky i lidhjes mes hyjnores dhe derrases mangut. Une do spekulloja se Krishterimi beri para me keta individe pagane, duke i kthyer ne martire e shenjtore, sidomos po te kemi parasysh sektet e panumerta te krishtera qe vazhdojne e gjallojne edhe keto 2 shekujt e fundit, ne gjithe hapesirat e krishtera dhe individet mbartes e perhapes te ketyre mesimeve te reja te krishtera, nuk duket te jene ne rregull. Ato sektet ne Amerike ku njerezit bejne ose parashikojne kryerjen e vetevrasjeve masive me duken si argument serioz. Krishterimi ne fazen e konsolidimit ne pushtet e luftoi me te gjitha menyrat vetevrasjen, duke mos pranuar as varrosjen ne territor te shenjteruar, mirepo sekte te ndryshme te krishtera qe pretendojne rikthimin ne krishterimin e origjinave jane shume me tolerante, merren me ekzorcizma dhe synojne martirizimin, i cili eshte vetevrasje me proksi, si vetevrasja e Krishtit. Keto Krishtlindje, Presidenti Meta uroi edhe besimtaret e Kishes Ungjillore, krahas katolikeve dhe ortodokse. Ndersa keto jane formalitete te tradites, Kisha Ungjillore eshte anomalia me e re ne hapesiren publike ku kjo puqet me institucionet e shtetit. Hapesires shqiptare po i shtohen probleme te reja, lloj-lloj utopish e vizionesh halucinante te vjetra e te reja po bejne perpara ne sferen publike. Per here te pare pas 2000 vjetesh, shqiptaret po rrezikojne te judeo-kristianizohen kulturalisht, sepse mekanizmat e kultures popullore ku behej rezistenca, tashme jane ndryshkur. Ne 1998 Kadareja ne version kristian boton 3 elegji per Kosoven, duke shenuar keshtu tradhtine e shekullit te ri. Ndersa Fishtes plak e Nolit plak u falen tradhtite, sepse prifterinj pleq te zhgenjyer nga politika, Kadarese plak nuk i falet, se nuk ka qene as prift. Po jetojme ne kohe te keqija neomesjetarizmi, eshte paradoksale qe gjithe keta mendimtare te shquar perendimore nuk arrijne dot te prodhojne nje universalizem te ri, pa rene ne pozicione mistiko-moralizuese judeo-kristiane. Ketu me kujtohet Nicja qe shante para e prapa Wagnerin se ishte kristianizuar ne pleqeri. Keshtu si po duken bathet, ndersa Papa i sotem i Romes eshte populist majtist, Papa i radhes do na dale Pape kato-komunist, qe do na predikoje komunizmin kristian te fillesave.

  7. « Per here te pare pas 2000 vjetesh, shqiptaret po rrezikojne te judeo-kristianizohen kulturalisht… » Eshte pak si vone me duket, te tilla fenomente ndodhin, per mendimin tim, ne nje faze me foshnjore te njerzimit, te cilen paradoksalisht, islami (ai me tamam), me racionalizmin e tij te pashembellt (ose me te dukshem se te te tjeret) ka ndikur qe njerzit ta lene pas joshjen pas perjetsise , ne favor te nje qasjeje tjeter. E verteta eshte se kjo qe thua ti bente vaki ne fillim te viteve 90 por ka nevoje te shihet nga afer tani. Ata njerez qe ne ato vite trokisnin ne deren e kishes per ndonje pako ushqimore apo burse, ishin po te njejtet qe dy ore me pas shkonin te dyert e xhamive me te njejen kerkese.
    Tashti, e verteta eshte se joshja fetare nuk eshte gje qe duhet marre lehte.
    Filozofet parasokratike ua ua thane te verteten e madhe njerzeve duke u shpjeguar se nuk jane veçse nje grimce pluhuri ne univers, po ata e harruan nje gje te tille dhe madje u mbeti hatri dhe deshen te besojne me shume ate shokun qe ca shekuj me pas u the se jeni qendra e universit.

    Kjo eshte ajo qe me mbetet enigme te convertimi i Wttgensteinit, se ai ishte i privilegjuar qe ta njihte qe heret funksionin nul te njerzimit ne Univers. Cfare ndodhi qe ndryshoi mendje. Me siguri depresioni. Ai nuk te fal.

    1. Ne fakt Lyss nuk i referohem vetem pakove qe prodhojne dishepuj, qe jane si shtimi i peshqve, apo alkimizmave ku kthehet uji ne vere, por edhe elementeve kulturore e socio-politike judeo-kristiane qe hyjne ne Shqiperi si perendimore, pa kaluar ne asnje filter serioz. Mendimi tolstojan refuzon shtimin e peshqve, duke mbajtur filozofine morale. Krishti nuk i ka pasur te gjitha per ne kosh, mirepo te ofrohet si pakete, pak a shume si komunizmi, o i merr te gjitha o asnje. Vertet njeriu i lecitur meson te zgjedhe, po njeriut mesatar (nqs kjo kategori ekziston) nqs i mbushet mendja per 2-3 gjera perqafon te gjithe paketen. Ne injorojme qe me perjashtimin e jashtezakonshem te Frances, Europa nga 1945 e sot ka qene politikisht i qeverisur me se shumti nga demokristianet, te cilet kane integruar ne kulturen e sotme europiane elemente judeo-kristiane te cilat u luftuan prej kohes se Rilindjes europiane deri ne 1945. Jane gjera qe behen me finese e durim, si puna e ores se historise se feve neper shkolla. Me tej krishterimi ka mesuar te jete elastik, t’i pershtatet enes ku hidhet, keshtu qe fytyren qe ka sot, nuk e ka neser. Po te shohesh humanistet, keta origjinen e tyre e gjejne tek humanistet e krishtere te shekujve 15-16, nje rryme here paralele e here e puqur me Rilindjen europiane. Cka une kam frike eshte qe kur vjen puna tek boshti kulturor, nqs marrim cdo gje qe vjen nga Perendimi si ar i kulluar, thjesht do shumezojme boshtet si Krishti peshqit. Wittgensteinin une e shoh si riosh humanist qe kerkonte busullen dhe puna e busulles se humanistit riosh eshte pune me spec, se a nuk e akuzuan Sokratin si korruptues te rinise, duke e pandehur per sofist, duke na lene me dyshìmin nese Sokrati ishte hero apo martir. Meqe permende punen e perjetesise, 10 urdheresat e cifuteve gjenden mes 40 urdheresave te egjiptianeve te lashte. Keta kishin nje vizion drastik te perjetesise. Nqs nuk kaloje gjyqin final te zemres, as me lehte, as me te rende se nje pupel, te gelltiste nje hyj krokodil duke u zhdukur perjetesisht. Cifutet e modifikuan kete fat kaq te tmerrshem, duke ulur urdheresat nga 40 ne 10 e duke perfytyruar nje gjykim final qe ngjan me teper me nje amnisti te pasluftes, ku bere ca bere, u vra kush u vra, iku ajo pune. Vendet sot me humaniste e kane kthyer drejtesine ne nje forme amnistie hebraike (mungon vetem sqapi i famshem). Nejse se eshte diskutim i gjate ky i ndikimeve kulturore, po qe Wittgensteinat bejme mire t’ua leme atyre qe u takojne.

      1. Hyllin, më thuaj që e kuptove se shkrimi im më lart nuk kishte LIDHJE me Krishterimin. Dikush tjetër mund ta kish pasur epifaninë edhe me një manual për gjuetinë e patave.

        1. Ne radhe te pare, Gezuar xha xha! Po diskutoja me Lyssin meqe edhe ai e sheh se Wittgensteini po kerkonte ungjijte e Tolstoit. Ne rame dakort ne kete pike dhe ndoshta devijuam pak, po nqs do na kishe sjelle shembullin qe permend, mund te kishim diskutuar edhe per manualin ne fjale. Nqs mendon se ka keqkuptim ne lexim dhe e sheh te arsyeshme, ti e ke vete ne dore ta thjeshtosh argumentin tend.

          1. Mua m’u duk i qartë argumenti që solla, por ti bëre një gjë që e ke bërë edhe herë të tjera: e solle muhabetin atje ku dëshiron ti, jo atje ku e dëshiroja unë. Nëse do t’i vija një emër kësaj që bën ti, do ta quaja “efekti i të dehurit që i kërkon çelësat poshtë shtyllës së dritës” – ty nuk të bëhet shumë vonë se çfarë shkruaj unë, edhe pse je, në thelb, në shtëpinë time; por e shfrytëzon mikpritjen për të përrallisur gjëra pa lidhje. Unë të toleroj, sa kohë që kjo nuk i tejkalon caqet e arsyeshme të mirësjelljes: por mos e keqkupto tolerancën time për mirëkuptim. Asnjë mirëkuptim. Ti m’i prish temat, prandaj mos prit ndonjë mirëkuptim nga unë. Asnjë lidhje nuk kish shkrimi im me Krishterimin; madje – sikur ta kishe ditur – as libri i Tolstoit nuk është interpretim “besnik” i Ungjijve (këtë shkove dhe e more vesh më pas). Unë shkrova për mundësinë që çdo eksperiencë, edhe ajo më e paparashikueshmja dhe elementarja, mund të na ndërrojë jetën, me kusht që të jemi ne gati. Tani, të thuash që shkrimi im ishte për Krishterimin, është njëlloj sikur të thuash që fabula “Dhelpra dhe rrushtë” u dedikohet zakoneve alimentare të dhelprave. Është shumë trashë kështu, o Hyllin. Dhe meqë jemi në temë: Gëzuar Vitin e Ri!

        2. Tani une bera nje koment poshte Ervinit dhe nje minidiskutim me Lyssin, i shtyre nga argumentet e tyre. Po te kisha gje ne lidhje direkte me argumentin tend do kisha bere ndonje postim te pavarur. Kjo me duket normale ne komentim, rendom na stimulon me shume ndonje koment ose e gjejme mendimin tone te thene nga ndonje komentues tjeter me mire se cdo e thoshim vete. Pastaj ilustrimi me shembuj ka piken e dobet/forte qe eshte shembulli i cili udheheq argumentin e jo argumenti shembullin. Nqs ti mendon se mund ta vertitesh shembullin jashte thelbit te vet, mund edhe te gjesh kundershti sikunder gjete, jo vetem nga une, gje qe nuk eshte ndonje qamet i madh sikunder po duket. Fundja nuk eshte e thene qe komentuesi t’i kuptoje te gjitha ato qe thote autori, raporti autor-komentues nuk eshte raport peer-esh, ne parim eshte raport hierarkik. Une po te kisha per te thene se shkrimi eshte per Krishterimin nuk eshte se do kisha ndonje frike ta thoja, fakti qe ti po kembengul ne kete pike eshte i habitshem per mua. Shembulli eshte i lidhur fort me Krishterimin, por jo shkrimi, qe ti e ke zgjedhur ta ilustrosh ne kete menyre, me lidhje tangente, kjo eshte zgjedhja jote. Ne fund fare prishja e gjakut per Wittgensteinin,Tolstoin dhe sektet e krishtera me influence zero ne Shqiperi, mua me duket gje pa bereqet fare, aq me teper per Vit te Ri.

    2. Ndoshta enigma e vërtetë është ideja e “funksionit nul të njerëzimit në univers”, ndërkohë që njeriu arrin ta lexojë e ta konceptojë universin dhe përpiqet të përcaktojë, qoftë edhe materialisht, pozitën e tij në të.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin