Një lajm i pazakonshëm, këtë herë nga Antarktida: një studiues rus, një farë Sergei Savicki, plagosi me thikë kolegun e tij Oleg Beloguzov, i zemëruar se ky… po ia tregonte fundin e romaneve policeskë që lexonte.
Me sa duket, në këto stacione të rrethuara nga bora dhe akulli, leximi është një lloj teknike në mos për të mbijetuar, të paktën për të ruajtur mendtë e kresë. Dhe ndryshe nga ca rusë të tjerë, që nuk e heqin nga dora Hegelin ose Berdjajevin, Sergei parapëlqente letërsinë policore.
Për fat të mirë, viktima nuk përfundoi si shumë nga personazhet e librave që lexonte; shpëtoi paq, edhe pse i lënduar. Ndërsa Olegun e dërguan “pako postale” në St. Petersburg, ku e kanë vënë në arrest shtëpie.
Vështirë se për këtë ngjarje do të shkruhet kurrë ndonjë roman policor. Përveçse në stilin e Kafkës.
Pse revoltohemi kur na e tregojnë fundin e romaneve të tilla, ose të filmave të ngjashëm? Vështirë të ndodhë njëjta gjë, të themi, po të na zbulojnë si mbaron Mali magjik i Mann-it, Doktor Zhivago i Pasternakut, Robinson Kruzoi i Defoe-s dhe aq më pak My Struggle, i Karl Ove Knausgård-it.
Çfarë kanë të përbashkët veprat, të cilave nuk duhet t’ua dimë fundin, që t’i shijojmë?
Ndoshta atë që quhet “suspense” – ose ankthin se çfarë do të ndodhë më pas, e që shpesh i mbivendoset dëshirës intelektuale për të marrë vesh, nëpërmjet arsyes, zgjidhjen e misterit, por pa e suprimuar.
Në anglishte, romanet dhe filmat policorë i quajnë edhe “whodunnit” – “kush e bëri”.
Libra të tillë – po mjaftohem me librat – nuk na pëlqejnë aq kur i mbarojmë, ose kur e marrim vesh identitetin e fshehur të vrasësit/vjedhësit/spiunit/terroristit; por kur mundohemi, krah për krah detektivit (policit, shkencëtarit), që ta gjejmë.
Na pëlqen aventura intelektuale e hulumtimit, ose zbulimi i së vërtetës, nëpërmjet mënjanimit të gjithçkaje të rreme.
Dhe jo vetëm: e vërteta është edhe e mirë; sa kohë që synimi është për të gjetur – dhe neutralizuar – dikë që bën keq, ose keqbërësin.
Në jetën reale, një detektiv do të ishte njeriu më i lumtur sikur t’ia dinte “fundin” hetimit të vet – ose ta identifikonte autorin e krimit.
Por një roman ku detektivi e gjen keqbërësin menjëherë nuk mund ta kënaqë lexuesin – i cili kërkon në roman jo aq të vërtetën (fiksionale), sa rrugën që e afron tek e vërteta.
T’i thuash dikujt fundin, është si t’i ofrosh një vrapuesi të maratonës një vend në makinë – ose më mirë, si ta hipësh këtë me zor në makinë.
Jo vetëm është hulumtimi i krimit aventurë intelektuale; por edhe pyetja “kush e ka bërë” ngacmon mendërisht një masë të madhe njerëzish.
Kush e la frigoriferin të hapur? Kush i harroi çelësat tek dera përjashta? Kush ishte në telefon? Kush i derdhi maces mjaltë në kokë? Kush ia fshehu babait bastunin? Kush ishte ai tipi në makinë? Kush e solli Doruntinën? E kështu me radhë.
Nuk është aq fjala për të gjetur fajtorin: me përkufizim, fajtorë jemi të gjithë; sa për t’u bindur se fajtori edhe mund të gjendet.
Çfarë bashkëtingëllon mirë me bindjen tonë – sekrete – që fajin për gjithçka nuk shkon mirë me jetën tonë e ka një i tretë atje përtej; dhe se çdo hap drejt një të vërtete çfarëdo (kush ia liroi telin kitarës?) është edhe hap drejt identifikimit të burimit të së keqes universale.
Prandaj edhe leximi i një romani të tillë (thriller, mystery, adventure) do kuptuar edhe si një lloj lutjeje.
Ka lexues që nuk durojnë dot dhe “ia lexojnë fundin” veprës që kanë në dorë – zakonisht ngaqë vepra i ka mërzitur, ose ka dështuar në funksionin e saj për ta mbajtur lexuesin ngjitur.
Ka të tjerë, përkundrazi – kjo më ka ndodhur mua më se një herë – që e kanë lënë romanin pa mbaruar, sepse nuk kanë dashur të marrin vesh zgjidhjen.
Zgjidhja është zakonisht antiklimaktike – nëse vetë fabula është e mirë. Edhe ngaqë, krejt papritur, të gjitha versionet e së vërtetës me të cilat ti, si lexues, po luaje deri atëherë, kolapsohen në një të vetëm.
Në një kuptim, ti që e shijove veprën sa kohë që nuk e dije fundin, nuk do ta shijosh dot fundin.
Aq më tepër që, një roman i këtij zhanri, si çdo libër në hard copy, eksplorohet gjatë leximit edhe si objekt, ose në “gjeografinë” e tij. Kur ti nis të lexosh, ti e di që je në fillim edhe ngaqë faqet që ke lexuar (ato që i ke në të majtë), janë shumë pak në krahasim me faqet që do të lexosh.
Përkundrazi, kur i afrohesh mbarimit, këtë nuk ta sinjalizon aq narrativa, sa fakti që faqet që të kanë mbetur pa u lexuar (ato që i ke në të djathtë) sa vijnë e pakësohen.
Libri “të lajmëron” që është duke i ardhur fundi. Dhe kjo ndikon në mënyrën si po e lexon.
Më ka ndodhur që të lexoj libra të tillë, të cilët kanë pasur si shtesë pjesë nga romani i ardhshëm i autorit (të themi 30-40 faqe). Këta libra më kanë “gënjyer” – sepse fundi u ka ardhur disi befas.
E njëjta gjë ndodh edhe me librat në format elektronik, të cilët të lajmërojnë përqindjen që ke lexuar, ose sa të mbetet (por të paktën këto njoftime mund t’i fikësh, që nga cilësimet).
Dua të them: në romane të këtij zhanri (mystery, thrillers, adventure, crime) pika se ku ndodhesh, në vijën narrative, të jep informacion për narrativën vetë, ose të modulon pritjet e tua si lexues.
T’i thuash dikujt si mbaron një roman, një film, një seri televizive në anglishte quhet spoiler: dhe spoilers janë problem serioz, për sajtet dhe forumet ku komentohet vepra në fjalë. Aq serioz, sa deri edhe producentët dhe autorët u druhen; meqë kur ka një leak për një vepër tejet me popullaritet, ekziston gjithnjë rreziku që publiku t’i kthejë shpinën.
E morëm vesh si mbaron, të thonë. Edhe pse pakkush do ta pohonte se po e lexon një libër, a po e sheh një film a serial TV thjesht për të marrë vesh si mbaron.
Që këtej edhe paradoksi i incidentit grotesk në Antarktidë: viktima ishte përpirë në lexim, për t’i dalë librit në fund; por kur miku i vet ia rrëfeu fundin, lexuesi zemërak e qëlloi me thikë për ta vrarë.
Një reagim ekstrem, por që duket sikur provon se produkte të tilla – libra, filma, seriale TV – nuk i konsumojmë për të marrë vesh “të vërtetën” (fiksionale), por për të mos e marrë vesh. Ose që, si me thënë, mosdija është motori që na shtyn përpara si konsumatorë të narrativës.
Paradoksi i goditjes me thikë në Antarktidë na sugjeron kështu një paradoks tjetër, më abstrakt, që ka lidhje me qasjen tonë, si lexues a shikues, ndaj së vërtetës narrative.
Përjetimi i ka disa ngjashmëri me çfarë na ndodh kur shohim një ndeshje futbolli – ose në çdo sport tjetër agonistik. Nëse na intereson thjesht “fundi”, atëherë nuk ka arsye të humbim kohë duke e parë lojën; e megjithatë, “fundi” (ose rezultati) është vetë synimi i lojës.
Argumenti vjen e bëhet më i qartë, po të kemi parasysh çfarë ndodh me një ndeshje të regjistruar, ose më mirë, dallimi në përjetim midis rastit kur ti nuk e di rezultatin (ose “fundin”) dhe kur e di rezultatin.
Nëse ti je duke parë një ndeshje të regjistruar, por je kujdesur që të mos ia marrësh vesh rezultatin, dhe ndërkohë dikush vjen dhe ta thotë… nuk përjashtohet që edhe ty të të shkojë mendja – po them mendja – te thika.
Një roman i tipit thriller (ku po përfshij për lehtësi edhe romanet policore, mystery, aventurë, spy stories një pjesë të atyre të fantashkencës, etj.; sikurse edhe filmat dhe serialët televizivë përkatës) konsumohet si të ishte ndeshje sportive e regjistruar. Me të vetmin dallim rrënjësor, që ndryshe nga ç’ndodh me ndeshjen, rezultati ose fundi i një produkti fiksional është gjithnjë trivial.
(Ose trivial për botën ku jeton ti si lexues. Nëse Reali e humb ndeshjen, mund të mos e fitojë kampionatin dhe ty si tifoz i Realit të duhet të jetosh me këtë për ca kohë; por nëse personazhi yt i preferuar rezulton të jetë vrasësi serial, atëherë ti e mbyll librin dhe të lejohet që ta harrosh.)
Zakonisht veprat që e mbajnë lexuesin a shikuesin të lidhur pas tyre me truke narrative (whodunnit, cliff-hangers, etj.) nuk mbahen si art i mirëfilltë dhe as si pjesë e ndonjë kanoni kulturor. Janë më tepër produkte argëtuese, që synojnë të zbavitin një numër maksimal njerëzish – në rastin tonë, duke u stimuluar kuriozitetin.
Pa çka se kurioziteti është virtyt po aq intelektual sa edhe kapaciteti për analizë, imagjinata ose aftësia për të arsyetuar.
Çfarë ndodhi me rusët në Antarktidë mbase na ndihmon të kuptojmë se shumë prej nesh kuriozitetin si përjetim e shijojnë shumë më tepër se zbulimin ku na çon kurioziteti.
Kjo mbase edhe ngaqë gjithnjë jemi në kërkim të diçkaje që s’e gjejmë dot kurrë, me përkufizim.
© 2018, Peizazhe të fjalës.™
Me kujtohet nje shoqja ime qe me thoshte se ketyre librave policore “u binte shkurt”, u lexonte vetem fillimin dhe fundin, domethene vetem kush u vra dhe kush e vrau. Me kujtohet edhe vetja qe, kur e di qe nje ndeshje do te jepet e regjistruar, mundohem te shmang shikimin e kanalit sportiv per te mos marre vesh rezultatin te lajmet.
Goditja me thike duket si e ekzagjeruar, po ndonje grusht kolegu e ka pase hak. Te besh spoiler ne Antarktide duhet te vendoset si krim penal. Mosberja e spoilerit eshte tashme rregull i mbarevajtjes civile te puneve. ne shoqeri 🙂
Rrugëtimi është qëllimi, tha. (Konfucius?) 🙂
Nuk ma ha mendja qe ta kete thene Konfuci kete thagme, Nuk eshte tipi. Pastaj nuk eshte modern, dmth nuk eshte nga te Fundit te Koheve ku eshte arritur ne fund te rrugtimit, pa ja arritur qellimit. Lemsh hesapi, nuk dime ç’te bejme, ecim ne tymt pa qellim, sa per te mos ndejte ne vend, mos me zene ndryshk.
“Çfare ka rendesi eshte rrugtimi i udhetimit dhe jo arritja” – Thomas Eliot
Per policine ka rendesi hetimi dhe jo kapja e hajdutit – psikopati
ose me sakte:
“Qëllimi i policisë ështe hetimi i krimit, dhe jo kapja e kriminelit” – psikopati
Kam idene qe ketu e keni humbur fillin. Ngjarja nuk eshte tregues i “kush tregon fundin e librit, e ha” po thjesht edhe nje shembull tjeter I asaj Qe ne zonat e veriore me dimra te gjate dhe izolues njihet si “cabin fever “. Po aq e zakonshme sa “stina e budallenjve” ne Shqiperi kur Ben shume vape.
Krejtesiht dakord me PF. Shkaku i vertete i goditjes me thike nuk mund te specifikohet pa asnje dyshim si zbulimi i fundit te historive. Fakti qe goditja me thike ka ndodhur pas disa “spoilerash” nuk e ben dyshimin shkak te vertete dhe te provuar. (Post hoc, non propter hoc). Pervec “cabin fever” qe permend PF me siper, mund te spekullohet me shume per shkakun e vertete te goditjes me thike, se sa rreth idese perse zemerohemi kaq shume kur na zbulojne fundin e romanit policor qe po lexojme (meqe ra fjala ne linkun-reference nuk permendet gjekundi fakti qe “spoileri” ishte bere per ndonje roman policor, apo disa thrillera, thjesht aty permendet fakti qe Beloguzovi ia zbulonte Savickit fundin e librave qe ky lexonte, pa permendur asnje lloj zhanri, pra mund te kishte qene edhe Robinson Crusoe, apo Doktor Zhivago). Ne kete kuptim nje rrugedalje per Savickin do te ishte psh te lexonte libra qe Beloguzovi nuk i kishte lexuar, ose ta mbeshtillte librin ne menyre te atille qe Beloguzovi te mos ishte ne gjendje te merrte vesh se cfare po lexonte Savicki.
Po deshirokam te persias disa shkaqe te mundshem perse Savicki goditi me thike Beloguzovin.
a, Beloguzovi mund te kete bere perçapje seksuale ndaj Savickit, te cilat ky nuk i ka pritur mire, ose anasjelltas percapjet i kishte bere Savicki dhe Beloguzovi e kishte refuzuar,
b. Beloguzovi mund te leshonte gazrat pa teklif dhe ato vinin ere aq te keqe saqe per Savickin e vetmja mundesi per te shpetuar prej tyre ishte goditja me thike,
c.Gjyshi i Beloguzovit kishte spiunuar ne KGB gjyshin e Savickit. Savicki kishte perfituar nga rasti per t’u hakmarre.
d.Thjesht surrati i Beloguzovit i kishte ardhur ne maje te hundes Savickit
e. etj. etj.
Mua si autor i shkrimit “shkaku” i goditjes me thikë nuk më intereson fare. Mbase do t’u interesojë hetuesve rusë të krimit. Më intereson motivi – ose fakti që irritohemi kur na tregojnë fundin e një libri të llojit “thriller”. Cabin fever mund të jetë shkaku dhe mund të intrigojë psikologët a regjisorët e filmave horror; por mbetet jashtë kuriozitetit tim këtu (I couldn’t give a rat’s arse për shkakun e një marrëzie mes dy rusëve). Përndryshe, lexova disa raporte të ngjarjes, para se të ulesha të shkruaj; dhe, ky shkrim te La Repubblica e specifikon llojin e romaneve që lexonte viktima (“gialli”). Sërish, ngjarja në vetvete mua më shërben si ilustrim i fortë i një fakti pak a shumë banal – dhe pikërisht që nuk duam të na e tregojnë fundin e një romani (ose të një ndeshjeje të regjistruar), edhe pse mezi ç’presim sa t’ia nxjerrim fundin. Kjo është çështja që më ngacmon mua. Nuk ka lidhje me cabin fever. Cabin fever mund të shpjegojë reagimin aq të dhunshëm, por jo irritimin që e provojmë të gjithë, edhe kur jemi duke lexuar në plazh. Dallimi më duket elementar.
Zoti Vehbiu nuk e kuptoj perse e merrni kete koment si nje kritike mohuese dhe vendoseni ne “difensive”. Eshte mëse e qarte qe cdonjeri shkruan per gjerat qe i interesojne, por besoj se nje nga qellimet e komenteve eshte qe te nxjerrin ne pah edhe gjera qe mund te mos i interesojne autorit, por qe gjithsesi kane lidhje direkte, ose indirekte me trajtesen ne fjale. Po te ishte se komentet do te silleshin vetem rreth asaj qe i intereson autorit, a nuk mendoni se komentet do te ishin te thata dhe nuk do te sillnin ndonje gje me shume se trajtesa vete. Ne kete kontekst kushedi nje pjese e mire e kritikes letrare ndoshta nuk do te egzistonte, sepse kujt i duhen komente nga te tjere, kur kane drejtperdrejt te thenat e autoreve. Sigurisht askush nuk pretendon ketu, qe komentet duhet pa tjeter t’ia vjedhin dritat e skenes shkrimit kryesor, duke shkruar per zbritjen ne Hene, kur shkrimi flet per rendimentet e grurit.
Pastaj ju thoni:
“Cabin fever mund të shpjegojë reagimin aq të dhunshëm, por jo irritimin që e provojmë të gjithë, edhe kur jemi duke lexuar në plazh. Dallimi më duket elementar.”
Sigurisht dallimi eshte elementar midis irritimit qe mund te provoje sejcili prej nesh kur i zbulojne dicka qe ai/ajo do te preferonte ta merrte vesh me vone dhe goditjes me thike, sepse po te mos qe kaq elementar ky dallim, une vete kushedi sa do te kisha vrare deri tashti, por besoj se edhe ju do ta kishit mbushur closet-in tuaj me skelete. Qe ketej edhe ideja se shkaku i vertete i atentatit te Savickit zor se ka qene irritimi qe i zbuluan emrin e vrasesit para kohe, edhe pse kjo ndodhi’ ju ngacmoi ju te shkruanit rreth irritimit per te cilin po flasim.
Sa per informacionin qe jepte La Repubblicam une nuk e dija. Megjithate per aq sa vlen une bera “due diligence” time the linkun fillestar e lexova. Flm per zgjerimin me linkun tjeter.
Vehbi, marrija dhe lajmi jo tek fakti qe dikush vritet de tregon fundin e librit, por pikerisht e kunderta, pra qe duhet the jesh idiot the vrasesh dike se te tregon fundin e librit. Po qe ti pastaj mund ta marresh kete kubik mendimi dhe te mbjellesh c’te duash ne te, kjo eshte e drejta jote.
Thjesht e mora si shembull pikant për të ilustruar një gjë shumë të rëndomtë. E përdora si hook.