Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

PËR HERË TË PARË (POR JO TË FUNDIT)

Kur dëgjoj shprehjen “për herë të parë te ne (në Shqipëri)”, për arritje dhe nisma dhe wet dreams gjithfarësh, të qena dhe të paqena, në të shkuarën dhe në të ardhmen, më ngrihen qimet përpjetë.

Ngaqë ai/ajo që e thotë, me siguri i referohet ndonjë gjëje të vet, të cilën kërkon ta promovojë me të madhe, dhe jo në bazë të meritave që ka a që mund të ketë, por ngaqë bëhet “për herë të parë.”

Dëshiron me ngulm të hyjë vetë në histori.

Dhe me gjasë nuk i ka hulumtuar mirë arkivat dhe dëshmitë historike – sepse ajo që ka bërë me siguri do të jetë bërë edhe më herët, mbase edhe që një shekull më parë.

Madje jo vetëm më herët, por edhe më mirë.

Sepse kjo “për herë të parë” nuk sjell me vete ndonjë garanci: sepse diçka mund të bëhet vërtet për herë të parë, por mund të bëhet për ibret.

Për shembull, ti mund të përkthesh për herë të parë në shqip nobelistin Bu Xi, por ta përkthesh kaq keq, kaq dobët, kaq me këmbë, sa lexuesi të zvirdhet dhe t’ia kthejë këtij autori shpinën përgjithnjë.

Pastaj, ca gjëra që bëhen për herë të parë mbase ka pasur një arsye që nuk ishin bërë deri më tash. Për shembull, ngaqë kanë qenë dhe janë përtej këllqeve tona.

Një arsye tjetër do të ishte: nuk janë bërë, sepse kanë qenë – dhe mbeten – të panevojshme. Për shembull: Mozarti luhet për herë të parë në Shqipëri me një orkestër culesh. Në fakt, culja ka virtytet e veta si vegël, por nuk është më e përshtatshmja për muzikën e Mozartit.

Ka edhe gjëra që duhej të ishin bërë me kohë dhe që nuk janë bërë, për turpin tonë. Prandaj, kur më në fund realizohen, nuk është vendi për t’u mburrur: “për herë të parë treni arrin në Gjirokastër.” Në shekullin XXI. Në mes të Europës. Treni.

Kjo është si të jesh krenar që mësove më në fund ta shkruash emrin tënd. Sepse duke e trumbetuar si arritje, në fakt je duke i thënë botës se deri atë ditë nuk dije.

Nga ana tjetër, kur e shpall këtë “për herë të parë” për një sukses tëndin, je duke rrezikuar të fyesh ata që e kanë bërë këtë para teje – dhe t’i fyesh dyfish: duke mos ua njohur punën, dhe duke ua varrosur.

Sepse kjo “për herë të parë” në gojën tënde shpesh ka nevojë për padijen e tjetrit, që të funksionojë. Nuk thua dot: “për herë të parë një urë do të lidhë dy brigjet e Lanës në Tiranë”, sepse këtë mufkë nuk ta ha kush.

Por mund të thuash: “për herë të parë ndërtohet ura mbi përroin e Shpurdhiqit me ndihmën e fondacionit danez Brudte Broer” dhe ta kalosh pa lagur, sepse askush nuk e ka idenë për këtë përrua (me përjashtim të banorëve të anës, që nuk t’i lexojnë ty mburrjet).

Edhe një e keqe tjetër: kur thua që për herë të parë botohet tek ne një monografi e plotë për jetën dhe veprën e patriotit Hilmi Myfiti, dhe harron (qëllimisht ose aksidentalisht) që po për këtë Hilmi Myfiti është botuar para dhjetë vjetësh një monografi po aq e plotë, sërish ke gabuar dyfish: ke hedhur një dyshim të madh mbi integritetin e studimit tënd (ç’dreq hulumtuesi është ai që nuk bën detyrat e shtëpisë?) dhe ke nëpërkëmbur punën e kolegut tënd.

Pa folur këtu për kërcënimin implicit, që i vjen kulturës nga ky shpengim trushkulur; dhe pikërisht që pas dhjetë vjetësh një i tretë do të dalë sërish me një monografi akull të re për jetën dhe veprën e të shkretit Hilmi Mufiti, madje me parathënie të re, nga i njëjti autoritet që ua pat shkruar parathëniet monografive tashmë gati për karton (if only).

Për ca gjëra madje as është nevoja të thuash “për herë të parë”; mjafton t’i biesh rrotull dhe të përpallësh: “për këtë temë nuk ka folur askush deri më sot… me gjithë rëndësinë e saj kritike… por unë…” Pa çka se ai që mund të ketë folur, madje që mund të ketë shkruar edhe libra për të njëjtën temë, është i ulur mu përballë teje.

Ca prej nesh, në fakt, e kanë për turp të pranojnë se kanë pararendës. Janë në profesionin a vokacionin e gabuar. Origjinalitet të këtij kalibri synon vetëm vrasësi serial.

Po le ta zëmë edhe se e qose diçka vërtet për herë të parë: p.sh., ia dole të ngresh një fabrikë të mushtit, me përpjekjet e tua të paepura.

Edhe nëse është kështu, etiketa e kërkon që t’i lësh të tjerët të ta vënë këtë në dukje – sepse kur e pëllet ti vetë, duket sikur nuk po ta var kush; dhe mburrja jote katandiset në pikëllimin rrethanor të një gomari të lidhur prej orësh tek ullishta.

Prandaj edhe po e mbyll me një sugjerim shumë modest për lexuesin: kur ta ndeshni këtë “për herë të parë”, bëni kujdes: gjasat janë që dikush po kërkon t’ju shesë sapunin për djathë.

© Peizazhe të fjalës™. Ndalohet rreptësisht riprodhimi.

7 Komente

  1. Une them se kjo e “heres se pare” lidhet sa me mitin e autoktonise aq edhe me manine per virgjerine femres. Maskilizem ne inferioritet te perjetshem, qe kerkon te afirmoje “fuqine” te akte te tilla pagezimi. Pas kesaj ngrihet kenga.

  2. Kam pershtypjen qe kjo eshte hera e DYTE qe ju shkruani per kete teme.

    1. Mundet 🙂 Por edhe mund ta keni parë një version të këtij shkrimi para ca ditësh si status në Facebook. Gjithsesi nuk e vë dorën në zjarr.

    2. duledupicard,

      Ju kur e keni parë këtë shkrim për herë të fundit? Sepese autori nuk jep asnjë garanci që ky shrim, për herë të pare (por jo të fundit), të jetë botuar këtu tek Peizazhet e Fjalës.

      1. L.A. me vjen keq por fletorja e shenimeve me kishte humbur dhe nuk te them dot me saktesi se kur e kisha pare per here te fundit “shrimin”. Megjithate nuk e kuptoj mire interesin tuaj per kete ceshtje.

        Shenimi im ishte thjesht nje kujtese e vjeter, per te cilen edhe une nuk e ve doren ne zjarr, sikurse Z.Vehbiu. Nepermjet shenimit, thjesht desheroja te konfirmoja idene qe gjerat nuk kane domosdoshmerisht rendesi kur thuhen per here te pare. Ndonjehere edhe hera e dyte, e trete apo e n-te sjell elemente te reja dhe me te rendesishme se hera e pare.

        PS, Jam i sigurte (dmth e ve doren ne zjarr) qe ne facebook nuk e kam pare sepse ne facebook nuk futem dhe nuk kam as account.

        1. duledupicard

          Më fal për sensin tim të thatë të humorit.

          Gjithësesi, jo për herë të fundit, shkrimi që i referoheni ju me të njëjtin titull gjendet kollaj këtu.

  3. L.A. edhe une te kerkoj ndjese, qe nuk e mora vesh qe po beje humor.

    Dhe falemnderit qe e gjete shkrimin. Ishte saktesisht ky shkrim qe kisha nder mend.

    Shendet e te mira.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin