Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Media

AMBIGUITET

Dëgjoj të vihet alarmi: shteti po kërkon të kontrollojë mediat. Alarm i drejtë? Alarm i kotë? Alarm manipulues? Por shumëçka në përgjigje varet nga kuptimi i dyfishtë i foljes kontrolloj: si “verifikoj” si në “kontrollova mos i kisha lënë pantallonat zbërthyer” dhe si “mbaj nën kontroll dikë a diçka, kam pushtet mbi të” si në “tre organizata kriminale kontrollojnë prostitucionin në zonën e Bllokut”.

Me origjinë neolatine, folja kontrolloj ka hyrë në shqipe dy herë: të parën me kuptimin “verifikoj”, dhe të dytën me kuptimin e ri, “kam në kontroll”, që është më shumë anglicizëm. Dhe bashkëjetesa mes këtyre kuptimeve është problematike dhe mund të krijojë konfuzion, deri edhe në interpretimin e LIGJIT.

Tani, shteti e ka për detyrë të kontrollojë gjithçka, nëpërmjet organeve dhe institucioneve të miratuara me ligj, të cilat përfaqësojnë vullnetin e publikut dhe e mbrojnë publikun nga abuzimet. Por ky është kontroll në kuptimin e verifikimit – meqë këtu bëhet fjalë për të verifikuar integritetin e informacionit që i jepet publikut për konsum.

Përkundrazi, shteti nuk ka punë të kontrollojë mediat private, në kuptimin “të mbajë nën kontroll”, sepse ashtu do të cenohej e drejta e fjalës. Mund t’i vërë këto media para përgjegjësisë dhe t’u kërkojë të që të jenë të përgjegjshme për informacionin që japin, por jo t’i ketë nën vete. Mund t’u kërkojë të deklarojnë burimin e financimeve që marrin, por t’u diktojë se ku të financohen dhe si. Etj.

Përshtypja ime, por qofsha i gabuar, është se të gjitha palëve u intereson ky ambiguitet i foljes kontrolloj (dhe i vetë emrit kontroll): shtetit dhe organizmave të tij, sepse nën pretekstin e verifikimit mund të tundohet të ushtrojë pushtet ndaj mediave të pavarura; vetë mediave private, që me pretekstin se duhet të ruhen nga orvatjet e shtetit për t’i marrë nën kontroll, duan t’u shpëtojnë edhe kërkesave – përndryshe krejt legjitime – për t’u verifikuar në punën e tyre nga organet përkatëse, të cilat shprehin dhe përçojnë vullnetin e publikut.

Pyes: a mund të ndahen këto dy lloje kontrolli mes tyre, sikurse i ndan fjalori kuptimet përkatëse? Unë besoj se mund të ndahen dhe të mbahen veç, me kusht që të gjitha palët të jenë për fair play. Shumë pak e ndan verifikimin nga vënia poshtë; por sado e ngushtë, ndarja është themelore dhe duhet respektuar.

© 2018, autori.

 

2 Komente

  1. Në fakt kur folët për organizatat kriminale që kontrollojnë prostitucionin në zonën e Bllokut kujtova se ishit duke krahasuar biznesin e medias në Shqipëri me atë të prostitucionit. Por konstatoj se ky nuk ishte qëllimi i shkrimit. Me siguri my mind is on the gutter .

    Kjo puna e kontrollit është thjeshtë çështje semantike, sepse media Shqiptare nuk ka nevojë as për pimpsat dhe as për klientelën e pushtetit. Është tërësisht e pavarur.

  2. Ne Shqiperi kur shteti kerkon te verifikoje/kontrolloje ne fakt kerkon te kape/kontrolloje. Sa here qe flitet per ndonje levizje te shtetit per te reformuar, verifikuar, kontrolluar, gjithnje kemi kapje, prandaj zhvendosja e fjales kontrolloj drejt kuptimeve kap,zaptoj, ve ne hyqem, me duket e pashmangshme. E pashe listen per kuriozitet, mos kishte futur PTF-ne ne listen e zeze.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin