Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji

NE SHQIPTARËT

Gjatë një takimi me lexues dhe dashamirës të librit, nga publiku u ngrit dhe u përsërit në forma të ndryshme pyetja “çfarë duhet të bëjmë” – për të afruar lexuesit me librin, për të përmirësuar ekspozimin e librit shqip, për të promovuar shkrimtarët shqiptarë dhe tema të tjera të ngjashme, të gjitha me interes të veçantë.

Takimi ishte informal, por pjesëmarrësit kompetentë – si lexues, si njohës të letërsisë dhe të kulturës, si qytetarë të shqetësuar për problematikën e leximit shqip. Që këtej, m’u duk me vend të pyesja – më parë veten, pastaj edhe të tjerët – se çfarë kuptohej me vetën e parë shumës NE, të implikuar gramatikisht në pyetjen “çfarë duhet të bëjmë”. Ne pjesëmarrësit në takim, ne lexuesit, ne shkrimtarët (meqë bëhej fjalë për një takim me shkrimtarë), ne që jetojmë jashtë Shqipërisë (meqë takimi ishte organizuar në Kanada), ne si shqiptarë, etj.

Meqë të gjithë ata që flasin në publik, përfshi këtu rregullisht edhe mua, e përdorin këtë NE si strehë herë modestie, herë megalomanie, herë për t’u mbrojtur duke u identifikuar me një grup, pyetja trazon ujëra. Ka njerëz që janë mësuar, prej shekujsh, që ndërhyrjet e tyre publike t’i bëjnë në vetën e parë shumës – zakonisht, ngaqë nuk duan që shqetësimet ose sugjerimet e tyre të tingëllojnë si individuale.

E megjithatë, kam bindjen se kjo NE më shumë e dëmton, se e ndihmon ligjërimin publik; ngaqë nuk ka kufij, dhe mund të shtrihet aq sa të përfshijë gjithë njerëzimin, madje edhe më tej. Dhe sa më shumë që të shtrihet, aq më shumë përgjegjësia personale hollohet në përgjegjësinë kolektive.

Nuk është çështje karakteri as personaliteti, por lidhet me si jemi mësuar ta përfytyrojmë individualitetin tonë në publik[1]. Një grup i vogël shkrimtarësh dhe lexuesish, që mblidhen për të promovuar një libër ose për të diskutuar për letërsinë shqipe, mund të zotohen edhe që “të bëjmë çmos për ta çuar librin shqip te lexuesi” – por ky zotim nuk ngre peshë: meqë për ta çuar librin shqip te lexuesi duhet të zotohen para së gjithash institucionet që merren me shpërndarjen dhe promovimin e tij. Nga ana tjetër, një zotim i llojit individual gjithnjë rrezikon të gjykohet dhe sakaq censurohet si vanitoz, ose i parëndësishëm.

Kështu përfundojmë – dhe këtë e them nga përvoja ime – në shpërpjesëtime marramendëse midis natyrës së tubimeve publike dhe argumenteve që trajtohen aty, dhe përemri fatal ne fillon të përdoret, pa dashje ose me dashje, për të shënjuar kombin shqiptar: “ne shqiptarët”. Një pasojë kjo, më duket mua, e përjetimit të kombëtarizmit si një lloj religjioni.

Mirëpo kombit i shërbehet – nëse duam të shprehemi kështu – edhe me zotime individuale ose të një grupi të organizuar (“ne anëtarët e klubit Picasso”); nëse unë premtoj, në privat ose në publik, se këtë vit do të lexoj poezi nga Fatos Arapi ose Visar Zhiti, jam në fakt duke i shërbyer vetes, por edhe letërsisë shqipe dhe, më tej, shëndetit të kulturës kombëtare. Qytetaria e mirë nuk ka nevojë për vetën e parë shumës, që të kultivohet dhe të riprodhohet. Madje ndoshta përkundrazi, një riorientim ndaj përgjegjësisë individuale mund t’i vërë njerëzit në sedër; ndryshe nga ajo “ne” që implikon idenë se do të gjendet dikush që të merret me këtë punë, dikur diku.

Kjo nuk ka të bëjë, besoj, me faktin që kombi – sado komunitet i imagjinuar (kujdes: jo “imagjinar”) – është gjithnjë një grup a kolektiv njerëzish dhe, si i tillë, e parakupton përemrin ne; por thjesht me përgjegjësinë që sjell me vete përdorimi i këtij përemri, sidomos në kontekste performative (premtime, zotime, vendime). Nëse ka nga ata që angazhimin e tyre publik e konsiderojnë të shlyer, në momentin që flasin në vetë të parë shumës duke iu referuar kombit[2], kjo nuk duhet të pengojë për të kuptuar se përgjegjësia qytetare është para së gjithash individuale. “Të lexojmë më shumë shkrimtarë shqiptarë” nuk ka ndonjë kuptim, nëse kush zotohet kështu nuk e zbaton këtë i pari dhe nuk ua kërkon atyre që ka pranë.

Nuk po dua të moralizoj – por vetëm të tërheq vëmendjen ndaj kësaj patologjie të diskursit publik, që i ka rrënjët në idhujtari, ose në krijimin dhe adhurimin e objekteve të imagjinuara: kombi shqiptar, gjuha shqipe, diaspora[3], ne të rrjedhurit nga pellazgët (ne bijtë e Skënderbeut), etj. Objekte esencialisht gjuhësore (leksikore), me relevancë kolektive, priren të arratisen nga kufijtë e ligjërimit, për t’u konstituuar si agjenci abstrakte, me autoritet dhe substancë eprore; ekuivalenti sociologjik i të shkruarit të tyre me shkronjë të madhe.

Në rastin konkret, procesi promovohet nga ideologjia; por ideologjia zakonisht priret t’i shërbejë vetes, çfarë do të thotë, gjithnjë në rastin konkret, se cilido prej “nesh” që fillon të flasë në vetë të parë shumës duke pasur parasysh “kombin”, nuk është duke kontribuuar në çështjen përkatëse, por thjesht po e vë ligjërimin e vet publik dhe kontekstin e atij ligjërimi në shërbim të ideologjisë.

Me fjalë të tjera, ne mund të mblidhemi për të diskutuar për letërsinë shqipe, por përfundojmë duke kryer shërbesat liturgjike të kombëtarizmit.

Nga ana tjetër, një shkrimtar që krijon dhe boton letërsi nuk e bën “për t’i shërbyer kombit”[4]; dhe një lexues që lexon shqip nuk e bën “për t’i shërbyer kombit”; madje edhe një prind në mërgim që i mëson fëmijës së vet shqip, nuk e bën “për t’i shërbyer kombit”[5]. Kombi është artifakt që fare lehtë mund të eliminohet nga këto realitete të përditshme – nëse duam të jemi të arsyeshëm.

 

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet rreptësisht riprodhimi pa leje.

 


[1] Sado që përpiqem, e kam të pamundur ta heq qafe këtë ne nga teksti. Megjithatë, po zotohem se këtu e më tutje po e përdor me kuptimin “unë dhe ju që më lexoni”.

[2] Për t’u shënuar se këta njerëz si rregull e mishërojnë më së miri virtytin social dhe duan përnjëmend të jenë qytetarë me interesa publikë, përveçse edhe individë me interesa private. E keqja e kësaj patologjie përemrore, nëse mund ta quaj kështu, është se prek më të mirët prej nesh, ose ata që duan të dalin nga vetja – empatikët, altruistët dhe të gjithë ata të tjerët që luftojnë për të mirën kundër së keqes.

[3] Përfytyroj një pjesë teatrale, ku “Diaspora” të ishte protagoniste absolute – e veshur me kostum popullor dhe duke shqiptuar vetëm vargje tetërrokëshe nga poetët tanë kombëtarë; diçka si Savage, te Brave New World i Huxley-t, që fliste me fjalët të Shekspirit. Në pajtim me legjendën përkatëse, këtë Diasporë do ta sillte Kostandini tek e jëma, duke fluturuar që nga Konstandinopoja me Dërdylin e Albanian Airlines.

[4] Madje unë besoj se vetëm ashtu mund t’i shërbejë, ose kur nuk synon t’i shërbejë.

[5] Alternativa do të ishte, në analizë të fundit, edhe hipokrite edhe komike. Më kujtohet një tregim i Mark Twain-it, ku një personazh francez, vanitoz në kulm, kur u gërvisht lehtë në një duel, ra përdhé dhe deklaroi: “Unë vdes që të rrojë Franca!”

1 Koment

  1. Ne edhe e heqim ne-ne, po puna nuk eshte tek fjala, po te koncepti, dmth nqs do flasesh per letrat shqip do u drejtohesh shqiptareve e jo te huajve. Jo shqiptareve si njesi abstrakte lexuesish, por shqiptareve si te tille. Shqipja nuk flitet nga te huajt, si gjuhet e medha, por sillet si gjithe gjuhet e vogla, qe levrohen brenda hapesirave kombetare.
    Lexuesi i librit shqip eshte shqiptar etnik dhe ketij fataliteti nuk i shpetohet me heqjen e ne-se, por me ekspansionin e shqipes jashte hapesires kombetare. Psh perfshirja e ballkansve te tjere brenda shtetit shqiptar do mundesonte lexues te tjere te librit shqip, ashtu sikunder Shqiperia e Kosova i japin mundesi librit shqip te lexohet edhe nga pjesetare te pakicave greke e serbe.
    Ose kthimi i Shqiperise ne superfuqi boterore do shtonte lexuesit, si kane shtuar perandorite spanjolle, frenge e angleze, lexuesit e librave ne gjuhet perkatese.

    Meqe heperhe gjithe hipotezat e ketilla jane te pamundura, leximi i librave shqip, ngjan me shume me prodhimin e Fiatit ne Itali deri ne vitet ’90, kur u thuhej italianeve blini fiat se eshte makina e italianeve, apo me shprehjen ”be american, buy american”.

    Meqe ra llafi, renia e leximit te librit shqip, nder te tjera, mund edhe te jete efekt i zhvleresimit te shqipes keto 30 vjet, meqe perkon me notat e femijeve ne gjuhen shqipe e ne anglisht, ku ne anglisht jane me te larta.

    Nqs zhvleresohet nje gjuhe, zhvleresohen edhe produktet e asaj gjuhe. Shih psh sesi shume studiues preferojne t’i botojne punimet me te mira ne anglisht e jo ne gjuhet amtare. Ne gjuhet amtare ngelen punime te dores se dyte.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin