Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Totalitarizëm

NJË MEDIUM PRIVAT – DITARI

Ditari privat*, në një kuptim, është anti-libri me përkufizim – si tekst i shkruar, i përgjigjet monologut në ligjërimin e folur dhe nuk i drejtohet kujt, përveç autorit vetë. Kjo të paktën në teori. Ose duke supozuar se kush mban ditar privat, e mban “për vete” dhe nuk dëshiron që t’ia lexojnë të tjerët; sepse e ka privat dhe sepse thotë atje gjëra që, në rastin më të mirë, nuk është ende gati t’ua thotë të tjerëve.

Për shtetin totalitar, ditari privat do të ishte kanali ideal për të depërtuar në mendimin e dikujt – të pafiltruar, të paformësuar nga nevoja për t’u kuptuar nga lexuesi ose nga nevoja tjetër për të ndikuar mbi lexuesin; një lloj rrëfimi, por jo përballë priftit, psikanalistit a hetuesit; një mrekulli e të duartrokiturit me një dorë.

Njerëzit shkruajnë gjithfarë gjërash, në ditarët e tyre – ka që i përdorin si kronika të aktualitetit, ka të tjerë që rrëfejnë historitë e tyre vetjake. Disa e hollojnë subjektin autorial deri në padukshmëri, të tjerë mbyten në subjektivitet dhe introspeksion. Adoleshentët, që duhet të jenë edhe grup-mosha më e përfaqësuar mes ditaristëve, e përdorin ditarin për të strukturuar veten, ose për të vënë rregull në kaosin e vetëdijes së tyre.

Një ditar jo vetëm që nuk destinohet për lexim nga të tretët, por edhe fortifikohet ndaj leximit aksidental: të shpeshta janë pseudonimet (nofkat), fjalët ose edhe fjalitë e paragrafët të shkruar me shifër, ndonjëherë edhe në gjuhë të huaj, gjithnjë me idenë për ta bërë tekstin “të huaj” ndaj syrit kureshtar. Të tjerë i fshehin ditarët, duke i mbyllur me kyç ose duke i maskuar; gjithnjë për t’i mbajtur larg lexuesve aksidentalë, si rregull autoriteteve (duke filluar nga prindi). Kjo nuk lidhet aq me përmbajtjen e faqeve, sa me nevojën për ta ruajtur një hapësirë private për veten, duke i dekurajuar mysafirët e paftuar.

E megjithatë, është praktikisht e pamundur të shkruash pa marrë parasysh lexuesin përballë; që në rastin më të thjeshtë nuk është veçse vetë autori. Subjekti shkrues, në atë masë që ndërtohet fjalë pas fjale dhe tekst pas teksti, modelohet më tepër sipas egos ideale (në kuptimin freudian) sesa pasqyron imazhin real që ka autori për veten; në kuptimin që çdo radhë teksti është edhe pozë, e ngjashme me atë që marrim para pasqyrës.

Në rrethana politike shtrënguese, ku shteti përgjon dhe përndjek çdo manifestim të diskursit subversiv ose të kritikës ndaj realitetit, ditari vetvetiu do të shndërrohet në një lloj valvule shkarkimi, ku autori “shpraz” çfarë ka grumbulluar, në frustrim e sipër, gjatë ditës: atje shkruhen të pathënat, artikulohen të paartikulueshmet. Subjekti gjithnjë e di se, duke u konstituuar si subversiv, po rrezikon; por praktika e të shkruarit në ditar nuk sjell asnjëherë aq rrezik sa bisedat “me zarar”. Gjithsesi, nuk duhet nënvlerësuar roli i ditarit për të strukturuar individualitetin, në kundërvënie me trysnitë rrafshuese të mjedisit social totalitar, ose për të krijuar ndjesinë e vetes duke refuzuar disiplinën dhe uniformën e imponuar së jashtmi; qoftë edhe duke ia lejuar vetes një lloj auto-censure, “për të qenë brenda”.

Sa kohë që ti e mban ditarin të fshehtë dhe nuk ta lexon kush, çfarë shkruan atje vështirë se mund të quhet “agjitacion e propagandë”, për të njëjtën arsye që vetëvrasja nuk konsiderohet vrasje; edhe pse je, në një farë mënyre, duke i folur pasqyrës që i ke vënë vetes përballë. Por ditarët mund t’i gjenden edhe dikujt që ndërkohë është arrestuar për shkaqe a pretekste të tjera, dhe tekstet mund të shërbejnë si dëshmi që i pandehuri jo vetëm i ka thënë disa gjëra, por edhe ka pasur kohë t’i përpunojë në mendje. Nga ana tjetër, kush mban ditar e përjeton shpesh të fortë tundimin për t’ia treguar shkrimet e veta dikujt – duke e konsumuar kështu “krimin” e komunikimit. Kemi edhe rastin kur një ditar zbulohet aksidentalisht, për shembull i bie dikujt nga çanta: nëse atje “ke sharë Enver Hoxhën”, nuk mund të dredhosh me argumentin se e ke shkruar për vete. Jo vetëm ngaqë nuk e provon dot se nuk të ka lexuar kush, por edhe ngaqë e vërteta e tekstit, ose intentio operis do të mjaftojë.

Të ngjashme me ditarët në totalitarizëm ishin edhe shkrime të tjera, me natyrë gjysmë-private, që mbaheshin zakonisht të fshehta: krijime letrare jo të realizmit socialist, përkthime nga autorë të ndaluar ose gjysmë të ndaluar. Ka pasur njerëz që kanë shkruar çfarë do të kishin dashur të lexonin: edhe pse në Shqipëri asnjëherë nuk ndodhi dukuria e samizdat-it; po të përjashtojmë ato raste kur i jepje të dashurës një poezi modeste që ia kishe kushtuar. Të tjerë kanë shkruar, me shpresë se dikur do të vijë dita për t’i botuar veprat e tyre: dhe kur ka ardhur dita, e kanë kuptuar se ato shkrime i përkisnin ditës që kish ikur.

Shumica e këtyre materialeve shkruheshin me dorë: makinat e shkrimit ishin pak dhe të regjistruara; një materiali subversiv i daktilografuar i zbulohej relativisht lehtë origjina. Ndoshta për këtë arsye, shkrimi me dorë filloi të merrte atribute dytësore, si një lloj notacioni që i kundërvihej totalitarishtes rregullisht të printuar. Madje sa më impersonal, sa më citacional, sa më i parafabrikuar tingëllonte ligjërimi i printuar dhe i miratuar nga autoritetet, aq më unik, intim dhe personal do të dukej teksti i shkruar me dorë. Një fletë e bardhë, një stilograf dhe vetmia funksiononin si kushte të mjaftueshme për dikë, që të vendoste lidhje me individualitetin e vet.

Edhe pse ditarët përdoren ndonjëherë për kopjuar tekste të së tjerëve – citate, fragmente, vargje – me përkufizim atje regjistrohet monologu i autorit, ose forma e vetëdijes së tij në rrjedhë të kohës. Gjithnjë mund të përfytyrosh dikë, një Lej Fen, një mendje-shpëlarë ose idiot noterik, që të shkruajë në ditar përshtypjet entuziaste nga transmetimi televiziv i paradës së Një Majit; por pakkush do të kish arsye që të riprodhonte, në formë kaq personale, tekste që përndryshe gjendeshin kudo – në shtyp, në radio, në TV. Nëse qëllimi i ditarit është organizimi i egos ideale, atëherë ky organizim nuk mund të realizohet, pa vendosur një distancë nga ligjërimi publik. Kjo distancë e bën ditarin vetvetiu subversiv si formë të shprehuri, madje edhe kur ai që shkruan kufizohet me kronikën e së përditshmes. Ka pasur tipa, në Tiranë, që përpilonin privatisht deri edhe lista të plota të këngëve dhe të këngëtarëve në Festivalin e Sanremos; për të kompensuar çfarë ata e ndienin se i mungonte shtypit kulturor. Për një hetues hipotetik, kjo do të shërbente si provë se personi në fjalë ndiqte transmetimet e RAI-t; edhe pse kjo, të paktën deri në vitin 1974, nuk përbënte krim në vetvete. Ditari vihej kështu në punë edhe si media alternative, ose më mirë si surrogato mediash, që nuk ishin destinuar për komunikimin masiv.

Pyetja që duhet bërë, në lidhje me ditarët, është nëse të shkruarit atje çonte në mënyrë të pashmangshme në subversion, duke zgjeruar tej mase hapësirën e vetes dhe duke u bërë vend mendimeve të painjektuara nga jashtë. Në fakt, edhe dikush që nuk e shkonte nëpër mend t’i kundërvihej propagandës së regjimit dhe e kish bërë të vetin versionin e saj zyrtar, nuk do të ulej të mbante ditar thjesht për të përsëritur dhe kopjuar klishetë e ligjërimit totalitar me shkrim dore. Fleta e bardhë, stilografi dhe vetmia ishin ftesë për të eksploruar një hapësirë tjetër, ku rimarrjes dhe replikimit ia zinte vendin rileximi i realitetit dhe i vetes. Kësisoj, të shkruarit i kundërvihej trysnisë së propagandës totalitare edhe ngaqë kjo e fundit gjithnjë i vinte subjektit nga jashtë – nëpërmjet syve dhe veshëve, si ligjëratë e folur ose tekst i shkruar ose imazheri vizuale, duke e lënë subjektin pasiv, madje duke ia imponuar pasivitetin (radion veç mund ta dëgjosh, gazetën veç mund ta lexosh). Nëse edhe të shkruarit shfrytëzon të njëjtat rrugë komunikimi, në kuptimin që subjekti që shkruan është edhe lexues i tekstit të vet, tani manipulimi i mendjes, nëse mund të flasim ende për manipulim, e ka zanafillën nga brenda.

Shkrimet në ditar janë zakonisht të datuara, edhe kur nuk kanë natyrë “historiografike” – më shumë ka rëndësi pozicioni i ngjarjeve dhe mbresave të rrëfyera në raport me njëra-tjetrën, sesa ankorimi i tyre në kalendar. Por ky suksesion ngjarjesh, edhe pse të palidhura mes tyre, nuk është veçse një lloj narrative personale, ose histori e vetes. E përsërit: jo rrëfim i një historie të vetes, për historia vetë – e cila përftohet dora-dorës, faqe pas faqeje, shkrim pas shkrimi. Ai që mban ditar e kultivon kështu personin e vet në mënyrë pak a shumë të arsyetuar, duke i dhënë – nëse mund të shprehem kështu – vetes një përgjigje. Sado të çalë, sado të paplotë, sado iluzive, sado megalomane; tek e fundit, vetja e shkruar është gjithnjë një projekt në proces. Ngjarjet e rrëfyera, të parëndësishme në vetvete, fitojnë rëndësi nëpërmjet zinxhirimit, ose si ngjarje që ti i bën të tuat, duke i ankoruar te përemri unë.

Në rrethanat e një shoqërie totalitare, ku institucionet i japin rëndësi disiplinës, konformimit dhe uniformimit dhe ku individit i kërkohet ta shohë veten me sytë “e masave”, ditari – për atë që e mban – i kundërvihet narrativës kolektive, ose mënyrës si ky rrëfehet në publik. Ditari krijon këtë distancë, këtë hapësirë, dhe që ia vjedh trysnisë rrafshuese, uniformuese, që individi ta mbushë me narrativën personale dhe që, si rregull, nuk përkon me narrativën kolektive. Madje jo vetëm; sepse i jep shansin, të njëjtit individ, autor a subjekt, që ta zbulojë veten jo si pjesë a gjymtyrë të kolektivit, por si anomali, si papastërti, si glitch; njëlloj si ajo kokrriza e rërës rreth së cilës krijohet perla. Dhe në këtë mes, edhe vetë kultivimi i kësaj narrative individuale bëhet pjesë e subjektivitetit dhe hapësira e vjedhur fillon të shërbejë për të strehuar dhe shpëtuar shpirtin.

Rëndësinë e këtij procesi e ndriçon edhe kundërvënia me atë lloj dokumenti standard, që ka qenë autobiografia, ky kryqëzim djallëzor mes marketimit ideologjik të vetes dhe rrëfimit të thellë inkuizicional; dhe që ta kërkonin rëndom zyrat e kuadrit ose instanca të tjera që do të vendosnin për jetën dhe të ardhmen tënde. Edhe në autobiografi ty të kërkohej të ndërtoje, me elemente heterogjene të historisë së familjarëve të tu dhe tëndes dhe të dhëna të tjera për raportin e të gjithë këtyre me shtetin, punën dhe shoqërinë, një narrativë të vetes që do të të përfaqësonte edhe ty, edhe vlerën tënde si qytetar i Republikës dhe sidomos si njeri i ri ndërtimtar i socializmit. Autobiografia ishte gjithashtu private, në kuptimin që nuk është se do të botohej në gazetë a gjëkundi tjetër; por përndryshe destinohej për t’u lexuar dhe gjykuar nga autoritetet: si shifër e fatit tënd të kombinuar me fatin e të tjerëve të lidhur me ty. Edhe ajo, në mënyrën e vet, organizohej sipas një imazhi të idealizuar – për t’iu konformuar super-egos ideologjike të epokës; ose një personazh i krijuar prej teje për t’u konsumuar nga “ata lart.”

Dhe ndryshe nga ditari, ku ti shkruaje për veten dhe jetën tënde ashtu siç të dukeshin ty dhe, kushedi, edhe ashtu siç do të doje ti që të ishin, në autobiografi të shkruaje për veten dhe jetën tënde ashtu siç u ishin dukur të tjerëve: “kam një xhaxha të organizuar në Parti që në vitin 1947, dhe një djalë halle të arratisur; gjyshi nga ana e nënës ka bërë dy vjet burg në kohën e Koçi Xoxes për armëmbajtje pa leje…”; dhe gjithfarë të dhënash të tjera si këto, që të ndërthurura do të përcaktonin fatin tënd, si letrat e një falli; në kuptimin që e ardhmja jote – shkolla, vendi ku do të punoje, profesioni, deri edhe bashkëshorti/ja, do të vendoseshin në bazë të deshifrimit dhe interpretimit të këtyre ngjarjeve të shkuara. Ti vetë ishe i pari që rrekeshe të vije rregull në këtë mish-mash, duke ia nënshtruar biografinë tënde analizës “klasore”, ose duke ia bërë paraprakisht gjyqin vetes në qeli. Ashtu edhe do të mësoje prandaj të jetoje me një subjekt të dyfishtë – atë që kishe përvijuar në ditar, dhe atë tjetrin që e kishe krijuar për konsum nga autoritetet; do të mësoje edhe si të ruaje ekuilibrin midis këtyre dy narrativave, duke e konsideruar subjektivitetin tënd si një lloj thesari unik për t’u ruajtur me xhelozi.

Natyrisht, prezantimi intim i vetes, madje edhe sistematik, nuk ka patjetër nevojë për t’u shkruar, që të realizohet; njeriu mund ta krijojë dhe ta mirëmbajë një hapësirë subjektive edhe thjesht nëpërmjet refleksionit, ose në komunikim me një tjetër absolutisht të besuar, për shembull një bashkëshort ose një mik të ngushtë. Por ajo që e privilegjon të shkruarit, është virtyti i tij kumulativ, ose materializimi i narrativës në format e shkronjave dhe fletët; shndërrimi i kohës në hapësirë dhe, bashkë me të, edhe ideja se jeta jote mund edhe të shtjellohej “si libër” dhe të mbetej nën kontrollin e autorit, që ishe pikërisht ti. Pa çka se kjo, më shumë se ide, ishte më shpesh iluzion.

 

© 2018, Peizazhe të fjalës. Ndalohet rreptësisht riprodhimi.


(*) Kjo ese është pjesë e një studimi për lirinë e fjalës në totalitarizëm.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin