Teksti zyrtar të Historisë së PPSH nuk i kursen faqet, kur është fjala për luftën brenda në Parti kundër fraksioneve, armiqve të Partisë dhe të popullit, agjentëve të huaj, renegatëve dhe tradhtarëve, komplotistëve, grupeve puçiste, dhe kështu me radhë, dhëmb për dhëmb; siç i ka hije historisë së një partie të vërtetë staliniste. Emrat e të gjithë atyre në shënjestër të kritikave, për të përfunduar pastaj shpesh në shënjestër të togave të pushkatimit, përmenden po aq lirisht: nga Anastas Lulo dhe Sadik Premtja, te Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Kristo Themelko, Sejfulla Malëshova, Bedri Spahiu, Tuk Jakova, Panajot Plaku, Liri Belishova, Koço Tashko e më pas Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Beqir Balluku, Petrit Dume, Sadik Bekteshi, Koço Theodhosi, Abdyl Këllezi, Kiço Ngjela e më në fund Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Llambi Ziçishti & Co. Është një galeri e tërë personazhesh negative, njëri më i zi se tjetri, njëri më i shitur se tjetri, që rimerren pastaj në technicolor nga kujtimet dhe ditaret e Enver Hoxhës – suplement i detyruar i historisë zyrtare. Nuk ka pasur qytetar të RPSSH, që të mbaronte shkollën e mesme, dhe të mos i kish dëgjuar këta emra, të mos ishte njohur me bëmat e tyre, të mos i kish demaskuar teatralisht në mësim dhe të mos ishte “solidarizuar” me ndëshkimin e tyre të merituar.
Çfarë i ka munguar sistematikisht historiografisë manikeiste të atyre viteve kanë qenë imazhet e të ligjve: fotografitë e tyre. Që nuk i gjen jo vetëm në tekstet zyrtare të shkollave dhe ato të Akademisë, por as në botime me natyrë enciklopedike, si Fjalori Enciklopedik; as në muzetë që i kushtohen periudhës; dhe as në materiale filmike të kohës, të përcjella si dokumente. Edhe pse me rol historik të pamohueshëm dhe të pamohuar, këta njerëz kanë mbetur të pranishëm si emra dhe si linja narrative në historiografitë zyrtare, por jo si fytyra.
Eliminimi i fotografive të “armiqve” të zbuluar rishtas ka qenë politikë zyrtare, sado që e paformuluar publikisht: qytetarët madje këshilloheshin deri edhe që të hiqnin nga albumet familjare dhe të asgjësonin fotografitë private të personave të dënuar politikisht: jo rrallë duke i prerë këta me gërshërë, duke ua prishur fytyrën ose duke ua djegur (me cigare). Edhe fotografitë zyrtare, kur kishin vlerë të posaçme historike, retushoheshin në laborator, për të larguar që andej pranitë e padëshiruara. Por sa kohë që ky dëbim i imazhit nuk shoqërohej me ndonjë dëbim të personit vetë a të personazhit nga narrativat historike, meriton vëmendje përtej praktikës mirëfilli orwelliane të likuidimit të personit, ose të shpersonizimit.
Le të mbajmë parasysh se kjo ndodhte në një kontekst kur portretet fotografike ose të pikturuara të udhëheqësve, në veçanti ato të Enver Hoxhës dhe të Mehmet Shehut, i gjeje njëlloj kudo sa edhe citatet e tyre; dhe kur hapësirat publike, në ditë festash, zbukuroheshin me gjigantografitë e anëtarëve të Byrosë Politike dhe vetë “punëtorët” viheshin të parakalonin duke i mbajtur në krahë; dhe ku një foto e miratuar e Enver Hoxhës rrëzëllitës duhej ekspozuar jo vetëm në çdo hapësirë të brendshme publike, por edhe në çdo dhomë pritjeje në shtëpitë private. Në një Shqipëri ende të paekspozuar ndaj bombardimit vizual prej televizionit dhe imazhit në përgjithësi, fotografitë e liderëve politikë kishin edhe funksionin praktik që t’i familiarizonin qytetarët me udhëheqjen, duke i dhënë kësaj një fytyrë specifike, ose për të nxjerrë nga rrafshi abstrakt i emrit.
Likuidimi i imazhit të armikut të brendshëm duhet kuptuar, pra, në këtë kontekst, ose në krahasim me përdorimin ideologjik dhe propagandistik të imazhit të udhëheqësit politik. Një fotografi zyrtare e Enver Hoxhës, e kuruar deri në detaj, nuk përfaqësonte thjesht njeriun Enver, por edhe imazhin që duhej të projektonte ai në popull – duke u shndërruar kështu në ikonë, të ngjashme me ikonën siç përdoret në praktikat dhe traditat kishtare të krishtera. Në këto fotografi të studiuara, lideri del gjithnjë në pozë identifikuese, zakonisht me fytyrë nga shikuesi; në mënyrë të tillë që imazhi të shërbejë si suport vizual i emrit. Ngjashëm me ikonat religjioze, edhe fotografitë e liderëve konfirmojnë jo vetëm praninë e tyre në jetën e shtetit, por edhe rrezatojnë virtytin suprem; dhe ndryshe nga fotografitë në përgjithësi, të cilat fiksojnë një realitet që ka qenë para kamerës, imazhe të tilla si ato të Enver Hoxhës dhe të kolegëve të tij, të ekspozuara përhershëm në vende publike a private, ose të vendosura atje përkohësisht si shenja të festës, shërbejnë si konfirmim i një realiteti që është. Portretet e anëtarëve të Byrosë Politike, të varura në fasadat e ministrive në Tiranë, nuk dokumentojnë asgjë, përveçse legjitimojnë një klasë politike, duke e individualizuar. Dhe në këtë kuptim, ose për shkak të përdorimit të tyre haptazi hagjiografik, portretet fotografike të liderëve politikë dhe në përgjithësi fotografitë e tyre kërkojnë që të perceptohen nga publiku dhe të funksionojnë solemnisht si piktura.
Kjo ndoshta shpjegon edhe heqjen e shpejtë nga qarkullimi të imazheve të së gjithë atyre liderëve dhe eksponentëve të lartë të pushtetit, që kanë rezultuar pastaj armiq dhe janë dënuar – këtë masë asgjësuese e kërkon vetë natyra e fotografive, ose mënyra si janë përdorur ato deri atëherë. Kësisoj, heqja me vërtik e një portreti të Mehmet Shehut nga një vend publik pas vetëvrasjes së tij dhe “demaskimit” të tij si poliagjent lidhet drejtpërdrejt me përdorimin e deriatëhershëm të atij portreti, si të ishte ikonë, nga organet e propagandës. Sa kohë që fotografitë politike lidhen me kremtimin dhe madje adhurimin e personit dhe të gjesteve të tij, në mos me kultin e personalitetit, në hagjiografinë puniste nuk do të ketë vend për heretikët dhe disidentët dhe të gjithë ata që i janë shmangur vijës politike ose i janë shitur a gjunjëzuar armikut. Fotografia politike, siç praktikohej dhe përdorej në Shqipërinë totalitare, nuk shërbente si dokumentim i realitetit, por si licencë për të hyrë në histori.
Ka edhe një arsye të dytë për përndjekjen e imazheve në fjalë – e cila i referohet natyrës primare, semiotike, të fotografisë: certifikimit të realitetit si ka qenë. Një fotografi e Koçi Xoxes, në krye të punëve, përkrah Enver Hoxhës dhe liderëve të tjerë të kohës, do të evokojë në sytë e shikuesit një periudhë kur ky nuk ishte shpallur ende armik, por mbetej bashkëpunëtor i Enverit dhe shok i tij i armëve. Nëse ligjërata refleksive e lejon shpërbërjen e një karakterizimi të vjetër për ta zëvendësuar a përditësuar me të riun; dhe përdoruesit të tekstit historik i prezantohet tani me fjalë një Koçi Xoxe që ka qenë gjithnjë tradhtar, agjent i jugosllavëve, trockist dhe armik i Partisë dhe i popullit, fotografia nuk mund ta bëjë këtë. Një fotografi e Koçit me Enverin do të interpretohet si njollë në biografinë fotografike të Enverit, çfarë do ta neutralizonte pastërtinë totale të këtij të fundit.
Për t’u shënuar se këtë praktikë të eliminimit të imazhit regjimi stalinist i Enverit nuk e kopjoi verbërisht nga çfarë ndodhte në Bashkimin Sovjetik. Nëse edhe atje fotot me natyrë historike që tregonin udhëheqjen e dalë nga Revolucioni retushoheshin rëndom, për të hequr që andej figurat e padëshiruara, sërish portretet e armiqve të zbuluar rishtas nuk hiqeshin krejt nga qarkullimi – duke mbijetuar gjerësisht, të paktën, në karikaturat. Ndryshe nga si vepronte Moska në vitet e errëta të spastrimeve (1934-1938), regjimi në Tiranë nuk e bëri zakon të tallej me armiqtë e vet, duke u mjaftuar me të vetmin ndëshkim semiotik të heqjes së lirisë së imazhit. Përkundrazi, armiqtë e jashtëm – që nga Presidentët e SHBA dhe liderët sovjetikë (Hrushovi, Brezhnjevi), ata jugosllavë (Titoja) e kështu me radhë portretizoheshin rregullisht në karikaturat e “Hostenit”[1]. Nga ana tjetër, lajmet e RAI-t që transmetoheshin për Tiranën nga ripetitori në Dajt do të ndërpriteshin rregullisht sa herë që binte fjala për Papën dhe shfaqej portrteti i tij.
Nga ana tjetër, ky ngërç i regjimit të Hoxhës me imazhin e kundërshtarit të brendshëm, i lidhur siç ishte me rishkrimin e historisë së Shqipërisë edhe para se të shfaqej atje ideja dhe lëvizja komuniste, do të prekte edhe të gjithë ata eksponentë dhe figura historike të së shkuarës së afërt, të cilët kishin përfunduar në krahun tjetër: që nga Ahmet Zogu dhe mbretëresha, tek oborri i tij dhe ministrat e tij; por edhe eksponentët e elitave fetare, duke filluar nga ato katoliket; dhe nga figura të shquara të kulturës kombëtare të cilat propaganda shtetërore i stigmatizonte, të tilla si Gjergj Fishta. Breza të tërë në Shqipëri mësonin diçka për këto personalitete dhe personazhe historike, qoftë edhe në prizmin ideologjik zyrtar; por nuk lejoheshin që konsideratave dhe portreteve abstrakte t’u bashkëlidhnin një suport material individualizues, në trajtën e imazhit fotografik. E vetmja fytyrë që i lejohej këtij lloj armiku ishte vula e reputacionit negativ, që përcillej nëpërmjet emrit; ose një lloj burgosjeje e biografisë së tij në gjuhë, nëpërmjet magjisë.
(*) Imazhi në kopertinë: Enver Hoxha me shokun e vet të armëve, Koçi Xoxen.
© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet reptësisht riprodhimi pa leje.
[1] Brezi im e ka bërë qitjen luftarake kundër tabelave me portretet karikatureske të Reaganit dhe të Brezhnjevit.
Është interesante se si këtë praktikë orwelliane të likuidimit të personit, siç e quan ti – e gjejmë sot të normalizuar ndoshta, jo dhe aq në rangje politikanësh (paçka se edhe aty, varet nga lloji i politikanëve dhe politikës udhëheqëse; fundja, marrëzia nuk përfundoi me vdekjen e Hoxhës apo ata të sërës së tij), por ndërmjet shumë personave të tjerë publikë (në Shqipëri e jashtë saj) e po aq, njerëzve të thjeshtë, atyre që na rrethojnë.
Teksa lexoja artikullin nuk mund të mos më vinte ndërmend praktika “crop” apo ndërhyrje të tjera dixhitale që i bëhen imazhit dhe ekzistencës së dikujt online (censura, bllokimi, fshirja, etj.). Sot jeta dhe veprimtaria e shumëkujt është zhvendosur në arenën e spektaklit të madh online. Nuk janë të rralla rastet në median sociale dhe në tërësi botën e digjitalizuar, kur prania e dikujt zhbëhet me një klikim, kur një fotografi ditëlindjeje, martese apo fundja dhe një çast i çfarëdoshëm, rifabrikohet sipas interesit të atij që ka mundësinë dhe dëshirën “ta zhdukë tjetrin nga faqja e dheut të vet”. E sot tjetrit si lihet as nam as nishan! Edhe emri i fshihet me të njëjtën lehtësi si fytyra.
Ndoshta më herët, duke guxuar ta thjeshtëzoj kësisoj praktikën e eliminimit të personave nga historia, rishkruarja e ngjarjeve dhe fakteve ngjallte tronditje për shkak të ndërhyrjes fillestare nëpërmjet vdekjes (lexo: vrasjes) përpara se të shkohej te retushimi me penel i fotografive. Por a s’është po njëlloj pervers ky imponim, kjo dhunë e ushtruar ndaj marrëdhënieve apo politikave të mëhershme edhe sot në kohën kur telekomunikacioni ka rrokur majat e zhvillimit? Mbase nuk ndryshon perversiteti por thjesht grada e tij.
Janë këto lloj vrasjesh simbolike, që sot mund t’i kryesh aq lehtë në rrjetet sociale – mjafton ta “unfriend”-ësh dikë (çmiqësosh? – fjalë e çuditshme, por edhe anglishtja unfriend është njëlloj e çuditshme) dhe ky person zhuket nga bota jote virtuale, ti nuk e sheh më; zëre se ai për ty nuk ekziston më. Unë e bëj ndonjëherë jo vetëm me ata që më bezdisin, por edhe me të tjerë që më habitin me budallallëkun e tyre ose ligësinë – “unfriend”. Me siguri të tjerë e kanë bërë dhe e bëjnë me mua. Facebook-u dhe të tjera mjedise sociale virtuale gëlojnë nga akte të tilla të vogla të vetëgjyqësisë, anulime pranish dhe likuidime personash: “më ka bërë block filani” – ja një frazë që e dëgjojmë më shpesh se ç’duhet. Dhe dinamika e marrëdhënieve është e tillë që zhbllokimi kërkon përpjekje dhe investime të një lloji tjetër. Dhe ashtu qëllon që, për një të tretë, ti je rrethuar tashmë nga hapësira të zbrazëta, ose prani fantazmash, që edhe janë atje edhe nuk janë. Një episod i serialit Black Mirror e ka eksploruar këtë lloj lemerie – kur protagonistja u ndëshkua duke mos u lejuar të shihte më fytyrat e njerëzve, sepse i dilnin imazhet të pikseluara. Nuk dua ta diskutoj që opsioni i të bërit block ose i çmiqësimit ndihmon; por vetëm të vë në dukje sa lehtë mund ta bëjmë këtë, dëbimin e tjetrit, vetëm ngaqë na bezdis; duke e rrethuar veten me komfort. Dhe pa e vrarë zakonisht mendjen se me ç’të drejtë mund ta ndërmarrim këtë thjeshtim të botës dhe as të llogaritim se çfarë humbasim. Në fakt, çdo realitet virtual, përfshi këtu sidomos rrjetet sociale, është produkt filtrash gjithfarësh – të cilët synojnë të mbrojnë liritë pozitive dhe të imponojnë axhenda etike politikisht korrekte; dhe shumë shpejt do të vijë momenti kur në vend që të komunikojmë me njëri-tjetrin, do të konsumojmë virtualisht filtrat, njëlloj siç konsumojmë aromën e sapunit të tualetit dhe ndjesinë e pastërtisë, pasi kemi ndërmarrë një praktikë në thelb higjenike (dëbuese). Ashtu siç përfytyrohet sot, higjena është një formë e disiplinimit të mjedisit; fizik, në rastin e eliminimit të papastërtive dhe të mikrobeve; virtual, në rastin e likuidimit të pranive të padëshiruara. Likuidimi i imazhit fotografik të armikut nga mediat totalitare vinte si efekt anësor i likuidimit të vetë personit nga organet e diktaturës; në kuptimin që armikut i mbetej vetëm emri dhe narrativa (e keqja që ka bërë), por duke iu mohuar tashmë e drejta për të pasur një fytyrë të vetën individuale. Edhe në Facebook – si libër fytyrash që është – gjithnjë mund t’ua likuidojmë të tjerëve praninë në hapësirat tona, në emër të disiplinimit dhe të zakoneve të mira ose të kodit etik. Sa më shumë të shtohen hajvanët dhe trollët, aq më i madh është rreziku që ky imponim i kodit etik të përdoret për të dëbuar nga mjediset sociale edhe kritikën e mirëfilltë, ose ndërhyrjen që trazon qetësinë prej butike të salloneve që tundohemi të ngremë dhe të mirëmbajmë. Sado që personat vetë mbeten shëndoshë e mirë, madje të lirë të adoptojnë një personalitet (avatar) tjetër dhe të vijnë sërish për të bërë shamatë, vetë e drejta për t’u mbrojtur nëpërmjet heshtjes (silencing) të tjetrit është problematike.
“Në fakt, çdo realitet virtual, përfshi këtu sidomos rrjetet sociale, është produkt filtrash gjithfarësh – të cilët synojnë të mbrojnë liritë pozitive dhe të imponojnë axhenda etike politikisht korrekte; dhe shumë shpejt do të vijë momenti kur në vend që të komunikojmë me njëri-tjetrin, do të konsumojmë virtualisht filtrat, njëlloj siç konsumojmë aromën e sapunit të tualetit dhe ndjesinë e pastërtisë, pasi kemi ndërmarrë një praktikë në thelb higjenike (dëbuese).“
Kam frikë se momenti i kësaj “pastërtie” virtuale ka ardhur tash sa kohë, që kur algoritmet e makinerisë u përmirësuan vrullshëm dhe mjaftueshëm sa për të na lejuar që të shkruajmë biografinë sipas qejfit tonë. Dhe jo vetëm kaq, por, ironikisht, në epokën globale të thyerjes së mureve të komunikimit dhe lirisë së informacionit, njeriu ia ka dal veçanërisht të shpikë forma më të buta censure, në mos ta normalizojë censurën (është krejt normale ta bllokosh dikë, mendimet e të cilit të bezdisin apo t’i zhdukësh krejt zërat kritikë e të jetosh në një flluckë të kënaqshme pa mendim, vetëm me ata/o që i bëjnë fresk çdo fjale dhe sjelljeje tëndes).
Më kujton kjo gjë, debate të ndryshme që zhvillohen në botën “sociale” të internetit, ku kundërshtimi më i vogël, kritika ndoshta më e parëndësishme, provokon reagime të menjëhershme, ekstreme. Fundja, ç’mund të presësh nga një rrjet i krijuar fillimisht për të lëmuar egon e përdoruesit (për të kënaqur konsumatorin) e për të përfituar nga kjo klikime që sikurse shumëçka tjetër përkthehet në para, gjithmonë para…
Edhe pse gjen oaze të vogla tek-tuk edhe në këtë burg modern, sërish situata duket distopike mjaftueshëm sa për të prodhuar shqetësim e tronditje. Po në epokën e FB, Instagram-it apo Twitter-it, ne duket se e kemi humbur aftësinë për t’u tronditur.
Për hir të diskutimit, Pink Floyd do të ishin shoqërues të mirë të kësaj bisedës. Welcome To The Machine: https://youtu.be/fn1R-5p_j5c
i njejti fiksim edhe per tu vendosur ne foto, p.sh. perpjekjet per te dale ne resme me Obamen apo Trump. Rama mund te blinte nje foto me Obamen per 10 000$ sot, e nuk e ben se i del Basha me Trump per 250 000$. Ndersa pergenjeshtrohen si foto elektorale ato me kriminele e anetar bandash.
Jo me kot disa imame e ndalojne resmen ne islam, fiksimi me imazhin eshte gjynah ndaj imagjinates.
Po te njohesh mire historine e fillimit te Bashkimit Sovjetik (1917-1938, vite ne e cilat ben pjese edhe periudha e spastrimeve staliniane 34-38) kupton se nuk eshte rastesi qe regjimi në Tiranë nuk e bëri zakon të tallej me armiqtë e vet (historia e karikaturave).
Kjo besoj se vinte prej faktit qe, pervec formes dhe retorikes, historia e «armiqve» te pafundem te brendshem ne Shqiperi i ngjan me se shumti historine se Perandorise Otomane (ku deri dhe babai e vriste te birin, dhe anasjelltas, pa teklifin me te vogel) se sa spastrimeve staliniane (asokohe, ne Bashkimin Sovjetik ekzistonte nje kulture e zhvilluar e Opozites, sigurisht brenda te majtes, si psh Te Majtet socialiste-revolucionare etj etj). Buharini apo Trocki jo vetem qe nuk ja pertonin haptazi Stalinit, por botonin buletinët e tyre. Po ashtu, anetaret e Komitetit Qendror votoheshin (biles ne nje rast, Stalini, me duket se ne 1933, mori me pak vota nga te gjithe; ishte Byroja pastaj ajo qe e rizgjodhi Sekretar te Pergjithshem). Shto qe atentatet ndaj figurave te larta si psh ndaj Leninit apo Uritskit ne 1918, por dhe me vone si psh ndaj Kirovit ne 1934 (sipas shume historianeve, ai ishte dhe preteksti ose «preteksti» i fillimit te spastrimeve stalinane) ishin te zakonshem dhe kryeshin nga atentatore me bindje po ashtu te majta. Biles sipas disa burimesh qe kryqezohen mes tyre, deri dhe vete Stalini e mendonte nje arrestim te mudshem te tij (sidomos per shkak te gabimit te tij ne besimin tek mossulmimi i Bashkimit Sovjetik nga ana e Hitlerit).
Asgje e tille ne Shqiperine e Enver Hoxhes: nuk ekzistonte asnje opozite e hapur brenda kampit te majte (e aq me pak atentate apo tentativa per te tille!).
Ne kete prizem, me duket se politikes se spastrimeve per te cilat ben fjale artikulli e qe zgjati 40 vjet, me se shumti i duhet kerkuar origjina tek historia e Perandorise Otomane (pjese e te cilesh Shqiperia kish qene per 5 shekuj) sesa tek ajo e Bashkimit Sovjetik.
Edhe kete: karikaturizimi i opozites ne Bashkimin Sovjetik kishte kuptim, perderisa tolerohej egzistenca e Opozites se majte. Karikaturizimi perben nje forme te luftes mes dy kaheve bashkeegzistues te se majtes. Perderisa i lejonin te egzistonin, me cfare do materializohej antagonizmi mes tyre, pervecse me pamflete, artikuj, grafika, slogane?
Nje prove tjeter qe më bën të mendoj se spastrimet e Enverit më shume kanë patur të bejne me kulturen dhe historine otomane se sa me ate sovjetike eshte dhe fakti qe, për shembull, Stalini mbante për minister te jashtem Molotovin, të cilit jo vetem qe ja kish perjashtuar gruan nga partia, po ja kish internuar! Do të ishte njesoj sikur Enver Hoxha të shpallte armike Fiqirete Shehun, gjithe duke mbajtur në krah të djathte Mehmetin. Gje krejt e paimagjinueshme në Shqiperine e asaj kohe
Karikatura që kam sjellë për ilustrim, si dhe shumë të tjera të ngjashme, i përkasin një kohe kur opozita e majtë tashmë ishte likuiduar. Trocki u dëbua nga Bashkimi Sovjetik në 1929, ndërsa karikatura është e vitit 1938. Prandaj argumenti që sjell nuk më duket se qëndron – sa kohë që satira vizuale vazhdoi edhe pasi kundërshtarët ideologjikë filluan të burgoseshin dhe të pushkatoheshin.
Tolerimi i opozitës së majtë – ky ndodhi sa kohë që Stalini ende nuk e kish konsoliduar tërësisht pushtetin, sidomos në raport me gardën e vjetër leniniste. Ishin edhe vitet e NEP-it, ose të një liberalizimi ekonomik, që procedonte paralelisht edhe në kulturë, edhe në zakonet publike, edhe në sindikalizëm.
Ok, por edhe keshtu siç thua, pas 1938 e deri ne 1953, ne Bashkimin Sovjetik NUK jane pushkatuar ministra apo anetare byroje (Balluku, Hazbiu, Dume, Cako…) pa folur per kryeministra (Shehu). Në Kinen e Maos (1949-1976) akoma dhe më pak (aspak, ne fakt).
Ne kemi qene unikë. Per mua, ky ka qene otomanizem i veshur me petk (pretekst) stalinist.