Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Përkthim

TAKIM ME VASHËN E HEKURT

Nuk e mbaj mend se kur kam dëgjuar për herë të parë për grupin Iron Maiden: zhanri i muzikës që bëjnë, heavy metal, nuk më ka tërhequr dhe as e kam ndjekur ndonjëherë. Dhe shënimet në vijim nuk janë për kontributin e tyre në muzikën pop, por për emrin, Iron Maiden dhe efekte të tjera paratekstuale të fenomenit.

Besoj – të paktën duke arsyetuar – se kontaktin e parë me disqet e këtij grupi do ta kem marrë në fund të viteve 1980, në Romë, kur shkoja shpesh te dyqani Ricordi, në Piazza Indipendenza; për t’ia shëtitur raftet të tejmbushura me pllaka gramafoni dhe muzikaseta: shih me sy e plas me zemër. Dhe emrin, Iron Maiden, do ta kem parë në kapakët e vinilit, krahas me ilustrimet surreale të Derek Riggs, ku një shqiptari vizualisht të virgjër si mua i mbeteshin sytë. Ishin këto ilustrime që më kapën rob, jo muzika.

Dija aq anglisht atëherë, sa ta përktheja Iron Maiden si “vasha e hekurt”. Imazhi i sugjeruar nga kjo vashëz e hekurt kish diçka njëkohësisht futuriste dhe mesjetare – pa e pasur idenë se çfarë është steam punk, hekuri më shpinte te një botë mekanike, të rëndë dhe kumbuese, me vargorë dhe pancirë; ndërsa maiden sërish i referohej një Anglie të vjetër – që unë e lidhja intuitivisht me gjermanishten Mädchen dhe paskësha pasur të drejtë.

Imazhi i vashës prej hekuri, martesë e brishtësisë dhe e ndrojtjes mesjetare me dhunën e pashmangshme të hekurit, më dukej poetik; mbi të do të sendërtoja një personazh romantik, që rreket të dalë nga vetvetja, ose nga kontradikta mes metalit dhe vajzërisë, njëlloj si ata robotët që zbulojnë dikur vetëdijen dhe bashkë me të, edhe ndërgjegjen morale. Nga ai moment, një iron maiden mund të shpëtojë botën, ose të shndërrohet në makth universal, duke kryer krime të përbindshme padashur.

Por nuk kish qenë kështu. Iron Maiden quhet, në anglishte, një vegël torture në trajtën e një dollapi prej hekuri a një sarkofagu, i mveshur së brendshmi me thumba a pyka të mprehta: viktimën e futin atje dhe pastaj fillojnë t’i mbyllin kanatet me ngadalë, teksa thumbat i depërtojnë në trup. Supozohet ta ketë origjinën në Gjermani, dhe pikërisht në Nuremberg; nga gjermanishtja vjen edhe emri i saj zanafillor, Eiserne Jungfrau. Vetëm se gjasat janë që të mos jetë përdorur ndonjëherë për tortura, por thjesht të jetë ekspozuar si joshë për publikun e interesuar për të tilla kuriozitete.

Ky Iron Maiden i përshtatet modelit të emrave zbutës, ndonjëherë lozonjarë dhe gjithnjë eufemistikë, të veglave të torturës dhe të “shërbimeve” të tjera ndëshkuese: Judas cradle, Pear of anguish, Heretic’s fork, Brazen bull, Wooden horse (Spanish donkey) – për t’u mjaftuar me anglishten[1]. Magjia e eufemizmit, zbutja e së keqes duke e shmangur emërtimin përshkrues (teknik), kombinohet këtu me zhargonin e të institucionalizuarve – ku metafora sa e mbron sekretin, aq edhe e dekonspiron, në përpjekje për t’ia neutralizuar rrezikun.

Por tek emri i grupit heavy metal, vegla e torturës erdhi përmes një shtegu tërthor: në 1975, basisti Steve Harris e zgjodhi këtë emër i frymëzuar nga filmi The Man in the Iron Mask, që mbështetej te romani me të njëjtin titull i Alexandre Dumas-it – duke qenë kjo maskë e hekurt asgjë tjetër veçse një diçka e ngjashme me atë që Angli e quanin Scold’s bridle, ose “frerët e gruas gojëkeqe” – një turizë metalike që i mbërthehej fajtores në kokë (zakonisht një shtrige), për ta poshtëruar. Maska e hekurt nuk ka gozhdë, por vetëm sa ia mbulon gojën dhe ndonjëherë fytyrën viktimës; më shumë se vegël torture, është vegël ndëshkimi. Megjithatë, edhe Harris-it do t’i ketë tingëlluar më mirë Iron Maiden, mbase për shkak të kontrastit mes hekurit dhe vajzës, si dy arketipa të kundërt.

Pëndryshe, pakçka e ndan këtë maskë e hekurt, që ia fshehu për gati 35 vjet identitetin të burgosurit të Dumas-it, nga fytyra metalike e një roboti, që për më tepër fsheh përbrenda një maiden: metal përjashta, brishtësi brenda. Çfarë më shtyn ta përfytyroj tani këtë vajzë prej hekuri si primordiale, në raport me veglën e torturës dhe robotin asimovian të interpretimit tim fillestar: mesjetë, metal, vasha (maidens), kalorës dhe ndoshta robotë. Rrëfimet, magjitë, herezitë, shtrigat dhe ferramenta-t e Inkuizicionit nuk janë veçse një hap më tutje. Ndoshta, gjatë vizitës sime te dyqani Ricordi[2], anglishtja që dija më çoi – edhe pse nëpërmjet një shtegu tjetër – tek anglishtja që nuk dija.

 

© 2018, Peizazhe të fjalës™.


[1] Të krahasohen këto edhe me straitjacket, në italisht camicia di forza (camicia di ferro), shqip këmisha e hekurt; si vegla “torture” të përdorur në çmendinat dikur. Në një kontekst tjetër, të kihet parasysh edhe chastity belt.

[2] Casa Ricordi është një shtëpi botuese muzikore, e themeluar në Milano, në 1808, nga violinisti Giovanni Ricordi. Por nuk po më shpëton fakti që, te ky shkrim, si edhe në të tjerë të miat me këtë temë, dyqani Ricordi në Romë më shërben bujarisht si locus për kujtime të paharrueshme (italisht: ricordi).

16 Komente

  1. Pse vinilet e Iron Maiden-ave nuk janë të dizajnuara nga Gaz Leka!?!?!? Atmosfera e “Tregimeve të Moçme Shqiptare” tradhëton autorësinë … sidomos përthellimi simbologjik. 3:)

  2. une u njoha me grupin nga mesimi fetar (dikur i detyrueshem ne licete greke) ku profesori na shpjegonte sesi grupet heavy metal adhuronin djallin (sidomos po te luaje diskun ne menyre te kundert degjohen lutje drejtuar djallit etj). madje na thoshte se njeri prej ketyre grupeve muzikore i kendonte numrit te bishes (χξϛʹ).

    ne ate rini te hershme, qe une si gjithe te tjeret shkruanim ne derrase para mesimit non serviam, fillova te degjoj heavy metal dhe i konsideroja iron maiden si nje nga grupet me te mira. pervec emrit dhe historine prapa tij mesova shume gjera nga kultura pop dhe jo vetem. mund te permend librin ‘brave new world’ nga aldous huxley, fjalimin e famshem te churchill-it ‘we shall fight on the beaches’ nga kenga ‘aces high’, filmin ‘the wicker man’, filmin ‘they died with their boots on’ dhe gjeneralin custer, betejen e balaklaves nga kenga ‘the trooper’, librin ‘stranger in a strange land’ (qe ne fakt e permende edhe nje kenge e billy joel), filmin run silent run deep etj.

  3. E vertete. Veshtire te gjesh nje grup tjeter qe pervec se bejne nje muzike cilesore ne nje zhaner kaq specifik, krijojne kaq shume referenca historike, letrare dhe kinomatografike.

  4. Interesante përsiatja XhaXha! Më kujtoi se si me grupin Iron Maiden jam njohur gjatë shkollës së mesme, kur në mënyrë intensive studioja gjermanisht. Ndoshta për shkak të një ngjashmërie fonetike (korrigjomë nëse jam gabim) ndërmjet Maiden dhe Mädchen, kam qenë intriguar gjithashtu nga emri – në dëgjimin e parë – i çuditshëm i grupit. Megjithatë, për arsye ende të paditura ose thjesht nga një përtaci e thellë dhe paralizuese, nuk u bëra mbarë t’i vihesha pas origjinës së bandës e cila, vlen të shtoj, më pëlqente por përtej këngëve më popullore të saj (disa ndoshta të shndërruara në kitsch tashmë), nuk kisha shkuar dot më tutje.

    Nga ana tjetër, kam besuar se emri fsheh një brishtësi, në mos infantilitet të jashtëzakonshëm ide që priresha t’ia vërtetoja vetes nëpërmjet përqëndrimit te krijime si Fear Of The Dark, tekst pothuajse fëmijëror por me ngarkesë të fuqishme emocionale.

    Gjithashtu, fakti që djali më introvert i klasës tonë mbante vazhdimisht veshur një bluzë të zezë me imazhin e grupit të stampuar përmbi, më bënte që edhe këtij të fundit t’i qasesha në mënyrë mbase paragjykuese, me të njëjtin skepticizëm por jo pa kureshtje.

    Casa Ricordi që përmend në këtë tekst, më kujtoi dy artikuj të tjerë nga ty mbi Pink Floyd, grup që e zbulova në të njëjtën kohë me Iron Maiden ose ndoshta edhe më herët, por që mori gjithë vëmendjen time duke eklipsusr shumë artistë e banda të tjera, deri pak më vonë, kur do të vihesha në kontakt për herë të parë dhe përgjithmonë (prirem të besoj tani) me muzikën jazz.

    P.S.: Casa Ricordi, kaq herë e përmendur prej teje, është futur në listën time Things-To-See-While-On-Vacation. Haha!

    1. Ricordi-n në Piazza Indipendenza në Romë e kanë mbyllur më duket… si shumë dyqane të tjera muzike. Sapo shkova atje me Google Street View – nëse nuk lajthit, shoh se e kanë zëvendësuar me një supermarket Conad (spaghetti në vend të telave të kitarës). Më duket se edhe një tjetër që ka qenë në Via del Corso (Megastore) e kanë mbyllur.

      1. Sa keq! Isha bërë vërtetë kurioze për Ricordi-n nga shkrimet dhe përmendjet e vazhdueshme tuat për të (të cilat e ruajnë gjallë me kujdes). Gjithsesi, jam e mendimit se një ndalesë përpara vendit ku kjo shtëpizë interesante ka qenë e vendosur dikur në histori, ia vlen të bëhet. Ku i dihet? Mund të lindë ndonjë bisedë e frytshme, krejt papritur, me ndonjë të panjohur që sot ka vajtur të blejë makarona aty në vend të kitarës apo disqeve të lakmueshme ose asgjë s’ndodh realisht veç lodrave të imagjinatës. Aspak keq, megjithatë!

        1. Provo nje pike Feltrinelli ( ke shume te tilla ) dhe do mbetesh e kenaqur. Nese kerkon lende. Nese kerkon narrative pastaj, nje Ricordi me shume apo me pak nuk perben ndonje diference. Italianet e kane zakon t’ja ngjisin ndonje narrative cdo xhelaterie, paninoteke, enoteke, rruge, dyqani, kafeterie etj etj. Me thoshte nje miku im dikur, shiko kur te vesh ne Firence, do marresh nje schiacciata por vetem tek filan kioske, se kshu kshu kshu. Vajta, e mora, u zhgenjeva 🙂

          1. Haha! 🙂 Ndonjëherë priremi të krijojmë nga hiçi lidhje realisht të paqena me objekte të shkuara, që nuk i përkasin kujtesës sonë por çuditërisht janë integruar aty nga njohja me tekste të caktuara, si – në këtë rast – disa artikuj që kam lexuar më herët nga Vehbiu për muzikën ku Ricordi dilte një e më dy, duke marrë padashur në kokën time një status më vete. Është pak a shumë si atëherë kur lexon një libër të mirë e që të ka lënë mbresa dhe rrekesh që objekte apo vende të ndryshme t’i konkretizosh në botën reale, kot, pa ndonjë arsye tjetër ndoshta përpos se njëfarë romanticiteti deri diku qesharak por që shërben si një urë më shumë në rikthimin apo kredhjen tek atmosfera e mëparshme që të ka falur leximi. Sigurisht, përfytyrime të tilla janë më të ekzagjeruara, më të ngarkuara teksa në realitet një schiaccata nga filan kioskë siç thua ti, nuk është ndryshe nga schiaccata e kioskës përbri.

  5. Interesante Xhaxha Enver,kur ti organizoje Festivalin,e menderosur te RTSH,me 1986 ne stadiumin e marakanes se Beogradit, te stermbushur,nje turme ne delir kendonte bashk me grupin,kenget e tyre.Dy albumet e para me kengetar Paul Di Anno,jan tashme pjese e antologjise boterore te muzikes.Iron Maiden ishte vegel torture,Segnorita de Ferro,ku kryheshim krime te perbindshme,ndaj grave”mekatare shtriga te zoteruara” nga numri i bishes 666.250 mije shikues kishte ne Rio De Zhanerio para nje dekade.Istrumentistat me te mire live te cilesuar,pa llogaritur tekstet.Heavy metal,ishte nje kundervenie ndaj Inkuizicionit Vatikanit,çdo sekti te krishter,qe kinse na paraqet profetin Jezu si te birin e Zotit.Por Heavy Metal me trio Black Sabbath Motörhead Sepultura,eshte social tejet i angazhuar,pjese e working class heroes. Jemi qe jemi,parapelqej te lexoj nje perkthim madhor te nje vepre madhore 1000 faqe,ne sasi e cilesi,te Afrim Koçit,shto Kujtimet e Eqerem Bej Vlores 600 faqe,sesa te lexoj vepren,e sivllait tend siamez,Ardian Klosi,Ku ishe ti Adam-Vdekja e nje Kllouni etc.Pershendetje nga ai ata qe puthadoren nuk e kan zeje!!!

    1. Se ç’lidhje ka Klosi apo “puthadora” me tekstin më sipër; se ç’nevojë e papërmbajtshme qenkësh integrimi i tyre në një koment të shkruar keq, vështirë se merret vesh nga çdo lexues që këtu e sjell kureshtja apo dëshira për diskutim. Ndoshta edhe këto fjalë të miat mund të tingëllojnë të tepërta e mbase të tilla janë, por s’mund ta mbaja për vete habinë që më shkaktojnë sa herë komente të ngjashme.

    2. ”’Por Heavy Metal me trio Black Sabbath Motörhead Sepultura,eshte social tejet i angazhuar,pjese e working class heroes.”’

      Me kujtohet qe kam ngelur i shtangur kur kam lexuar tekstin e (war for) ”Territory” te Sepulturave (se ne te degjuar s’kuptoja gje). Jo vetem qe s’kishte lidhje me gjykimet a paragjykimet per heavy metal, por ishte majtist ( kulmi!).

      Per temen, duke qene se Iron Maiden dallohen per referencat historike ne kenget e tyre dhe per njefare stili epik, nuk kishte gje me te goditur se emri Iron Maiden.
      Eshte nje grup ku kenget 7-8 minuta jane norma dhe ku nqs heq tekstin, thjesht ke hequr qershine mbi torte. Djemte e Detit me baladen per Jakup Ferrin japin njefare ideje te varfer per nje pjese te repertorit te Iron Maiden.

  6. meqe ra fjala, po “I’m branded on my feet” tek ” Mr Tambourine Man” e Bob Dylan, si mund ta perkthejme?

    1. Disa shpjegime këtu:

      https://forum.wordreference.com/threads/branded-by-my-feet.237885/

      Dhe një tjetër:

      https://english.stackexchange.com/questions/407069/what-does-the-phrase-branded-on-my-feet-mean

      Më poshtë versioni që më bind më shumë – duke pasur parasysh që kjo këngë i përket një periudhe të hershme (folk) të Dylan-it:

      When a cowboy is dead tired, he says that he is branded on his feet.

      This comes from cattle branding. Most cattle will fight and resist branding and end up having to be held down and/or tied before they will allow the hot iron to burn their skin…BUT a cow or calf that is so tired out that they cannot resist anymore will allow a cowboy to brand it without a fight at all.

      They just give in and stand there and suffer the pain of the hot iron rather than to fight.

  7. Faleminderit! 🙂

    Shpjegimi i fundit edhe mua po me duket me i arsyeshem.

    Po degjoja “amoure amour” te “Ramstein” ne You Tube dhe dikush ne nje koment poshte i kishte dhene vargjet ne anglisht. Vura re qe ishin shume te bukura dhe me kapi deshira per te lexu tekste kengesh, e meqe Dylan eshte tashme nobelist, zgjodha Dylan. Anglishtja ime ishte teper e varfer per te shijuar tekstet e Bob Dylan. Une “…I’m branded on my feet/ I have no one to meet” e perktheva;”damke kam ne kembe/ te takoj nuk kam askend”. 😀

  8. “cope i kam keto kembe / te takoj nuk kam askend” , rima ne shqip do te ishte disi e pranueshme.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin