Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji / Totalitarizëm

TË FLASËSH DHE TË THUASH (IX)

Folësi publik, në Shqipërinë totalitare, kujdesej jo vetëm për të “mbajtur gojën”, a për të respektuar tabutë dhe ndalimet gjithfarësh që shërbenin si kushte të produksionit të ligjërimit publik, por edhe për të thënë ato që duheshin thënë, a çfarë priste publiku prej tij. Liria e fjalës kufizohej kështu dyfish: në mënyrë negative (mos fol kështu!) dhe në mënyrë pozitive (fol kështu!); dhe krejt procesi i socializimit, në shkollë dhe gjetiu, synonte që t’ua mësonte folësve këto rregulla dhe shprehi.

Të folurit publik artikulohet në kontekste të ndryshme: një gjë është një mbledhje pune, për të vendosur diçka teknike dhe praktike, si për remontin e një makinerie të uzinës; dhe një gjë tjetër një mbledhje kolektivi për të diskutuar rreth “vendimeve të Kongresit VII të PPSH”. Në grupe të vogla, individi ende mund të flasë individualisht, ose të thotë atë që mendon, sa kohë që kjo nuk lidhet me ndonjë çështje politike a ideologjike delikate; por kur i njëjti individ i drejtohet një publiku të gjerë e të padiferencuar, atëherë prej tij pritet një lloj ligjërimi tjetër. Dhe pikërisht: jo të shprehë mendimin e vet si individ, por të provojë besnikërinë e tij ndaj sistemit sipas rastit duke u solidarizuar me çfarë duhet; dhe gatishmërinë për sakrifica (zakonisht “të mëtejshme”), duke folur – si rregull – në emër të grupit.[1] Në të njëjtën kohë, çdo performim publik nga një individ është edhe një lloj testi ose prove, nëpërmjet së cilës ky i përkushtohet formalisht sistemit dhe i nënshtrohet gjykimit përkatës; një lloj rituali i domosdoshëm miratimi.

Paradoksalisht, këtë modulim ligjërimor e gjen edhe në tekstet e udhëheqësve të lartë të PPSH dhe të shtetit, duke filluar nga Enver Hoxha vetë; të cilët ndryshe artikuloheshin në rrethana solemne dhe formale dhe ndryshe në instanca më private, për shembull në mbledhjet e Byrosë Politike ose të Sekretariatit të KQ të PPSH. Në rrethana solemne, tekstura e fjalës publike shtrohet mbi një armaturë klishesh dhe platitudash; ku rëndësi nuk ka aq çfarë po thuhet pikërisht, sa fakti që diçka çfarëdo po thuhet, në referencë strikte jo vetëm ndaj çfarë është thënë më parë por edhe ndaj si është thënë; në rrethana më private, fillon të marrë rëndësi përmbajtja e ligjërimit, ose hapësira (décalage) nga zëri kolektiv i intertekstualitetit.

Le të shohim tekstin e mëposhtëm, të nxjerrë nga Raporti në Kongresin VIII të PPSH-së (1 nëntor 1981):

Situata e brendshme s’ka qenë kurrë më e fortë se sot. Kompaktësia e uniteti i popullit, aleanca e klasës punëtore me fshatarësinë kooperativiste, bashkëpunimi dhe solidariteti midis shtresave të ndryshme të shoqërisë sonë janë forcuar e konsoliduar më tej. Lidhjet e Partisë me popullin janë çelikosur, besimi reciprok është kalitur akoma më shumë. Shprehje e shkëlqyer e këtij uniteti të madh është ajo vendosmëri, ai hov dhe ai heroizëm me të cilin populli ynë lufton për realizimin e detyrave që shtron Partia, për kapërcimin e vështirësive të ndryshme që kanë dalë në rrugën tonë, për përballimin me sukses të bllokadës dhe të rrethimit imperialisto-revizionist.[2]

Gjithçka në këtë tekst është e skriptuar, përfshi edhe metaforat e tipit “çelikosur”, “kalitur”, rrethanorët e shkallëzimit (“kurrë më e fortë se sot”, “më tej”, “akoma më shumë”), quasi-tautologjitë (“forcuar e konsoliduar”, “bashkëpunimi dhe solidariteti”, “ajo vendosmëri, ai hov dhe ai heroizëm”), klishetë (“shprehje e shkëlqyer”, “unitet i madh”), termat sinjal (“bllokadës”, “rrethimit imperialisto revizionist”) e kështu me radhë. Fjalë të tilla vetëm sa komunikojnë faktin që po fliten; dhe që po fliten sepse duhen folur. Sot i thotë Enver Hoxha në raport, nesër do t’i përsëritë gjithkush tjetër, për të shprehur solidarizimin dhe gatishmërinë; dhe askujt nuk do t’i shkojë në mend se “ky po flet si Enver Hoxha.” Të flasësh kështu, me tekst të skriptuar dhe me parafabrikate, funksionon më shumë si një ritual nëpërmjet të cilit riprodhohet pushteti dhe roli i gjithsecilit në këtë riprodhim. Mjafton një shmangie nga skripti, për shembull përdorja e termit “rrethimi revizionisto-imperialist”, në vend të “rrethimi imperialisto-revizionist”, ose thjesht përmbysja e rendit të gjymtyrëve në një kompozitë këpujore, për ta intriguar publikun, meqë vetvetiu shumëkush do të pyesë (të paktën veten): Pse ky ndryshim? Çfarë sinjalizon? Një ri-orientim në politikën e jashtme? Një grup të ri armiqësor…? E kështu me radhë.

Të krahasohet tani teksti më lart, me këtë paragraf të nxjerrë nga një shënim në Ditarin Politik, data 10 mars 1980:

Kina i ndërpreu të ashtuquajturat bisedime me Vietnamin. Këto bisedime natyrisht zhvilloheshin sa për të kaluar kohën, ose më mirë me thënë që Kina të krijonte përshtypjen se pas “mësimit” që i dha Vietnamit duke e sulmuar, e ketheu gjendjen nga e nxehtë që ishte në situatë “paqësore” […] Kështu që të dyja palët këto bisedime i përdorin për fasadë […] Të dy, pra, janë hileqarë, por tani që i pari largohet nga tryeza, i dyti gjoja bën politikë dhe fajin për ndërprerjen e bisedimeve kërkon t’ia lërë në kurriz Kinës…[3]

Paragrafi i përket stilit të gazetarisë politike, me metafora vërtet të konsumuara, por pa shumë “ujë” dhe me një ton relativisht bisedor dhe të çlirët: dhe provon që autori po përpiqet, në mos që të kuptojë se çfarë po ndodh, të paktën t’i japë lexuesit një model se si duhet kuptuar çfarë po ndodh; duke ndërtuar, në të njëjtën kohë, figurën e një analisti politik marksist-leninist largpamës, që nuk ia ha qeni shkopin –pikërisht imazhi që kërkonte të linte Enver Hoxha në atë kohë. Dhe këtu ndryshimi me ekstraktin nga raporti më lart bëhet flagrant – sepse tani kemi të bëjmë me një autor që flet “në emrin e vet” dhe që gati haptazi performon për t’i lënë lexuesit një mbresë të caktuar “për veten.”[4] Konteksti i reduktuar i ditarit politik e mundëson individualizimin e autorit dhe çlirimin (relativ) nga kafazi intertekstual i ligjërimit formal; në një kohë që publiku praktikisht mbarëkombëtar i raportit në Kongresin VIII, të njëjtin individualizim vetvetiu e pamundëson, duke e përjashtuar.

Si rregull, angazhimi i qytetarëve në të folurit publik kish natyrë politike; prandaj edhe prej folësve nuk kërkohej aq të shprehnin lirisht mendimin e tyre për çështjet “në rendin e ditës”, por vetëm të konformoheshin me vijën politike, duke hequr dorë nga çdo lloj individualiteti në këtë proces. E shumta, individit do t’i tolerohej zotimi në vetë të parë njëjës (premtimi formal), për shembull për të punuar më shumë ose për ta plotësuar një detyrë para afatit ose për të marrë përsipër një detyrë të re. Përndryshe, opinioni individual i këtij apo atij folësi nuk i interesonte kujt, ose interesonte në atë masë që riprodhonte opinionin e masës, vijën politike ose direktivën ose vendimin ose gjithçka tjetër tashmë të përcaktuar gjetiu. Cilido që guxonte të merrte fjalën para një grupi të madh njerëzish, e bënte këtë me vetëdijën se do të fliste, në analizë të fundit, në emër jo të vetes, por të atij grupi.

Kësisoj, të folurit publik jo vetëm impononte censurim, disiplinim dhe skriptim të rreptë të çfarë do të thuhej, por edhe nuk e lejonte individin folës – ose subjektin detyrimisht individual të aktit ligjërimor – që të konstituohej si individ; me të vetmin përjashtim kur ky i fundit ishte objekt i një kritike a sulmi dhe detyrohej të bënte autokritikë dhe të rrëfente fajin dhe të shpjegonte shkaqet që e kishin çuar në gabim. Praktikisht, vetëm “armikut” do t’i tolerohej individualiteti, në ligjërim dhe gjetiu.

Përndryshe, në pjesën më të madhe të veprimtarive politike publike, nga ato në kolektivin e qendrës së punës ose në shkollë ose në lagje, te të tjerat që përfshinin publik edhe më heterogjen, të folurit publik kishte thjesht funksion ritual, meqë vetëm përmes këtij të foluri mundësohej veprimtaria dhe arritja e konsensusit të synuar.[5] Se çfarë do të thuhej pikërisht nga folësit nuk kish ndonjë rëndësi kritike, sa kohë që teksti u përmbahej kushteve të produksionit (skriptimi, parafabrikatet, toni i duhur, metaforat e duhura); në një kohë që kush pikërisht do të fliste dhe radha e folësve gjithnjë ngrinte peshë, për dinamikën dhe mbarëvajtjen e eventit. Tek e fundit, synimi real i çdo veprimtarie politike ishte riprodhimi i pushtetit dhe i hierarkive përkatëse, në një kohë që vetë politika asnjëherë nuk përpunohej në publik.

(Ky shkrim është pjesë e një studimi që tani po merr dalëngadalë formë, rreth lirisë së fjalës nën totalitarizëm; disa kapituj kanë dalë edhe te kjo revistë.)

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet çdo lloj riprodhimi nga mediat.

 


[1] Shih këtu edhe kapitullin për zëdhënien, te libri im Shqipja totalitare.

[2] PPSH, Dokumente Kryesore VIII, Tiranë 1985, f. 119.

[3] Ditar 14 – për çështje ndërkombëtare. f. 422.

[4] Në atë kohë, ose në fillimvitet 1980, Enver Hoxha – dhe ekipi që kujdesej për kompilimin dhe redaktimin e teksteve të tij – e dinte se këto të gjitha herët a vonë do t’i jepeshin lexuesit në shkallë të gjerë; prandaj edhe në këto ditare asnjëherë nuk mungon vëmendja ndaj një “lector in fabula”.

[5] Këtu është për t’u shënuar një ngjashmëri funksionale midis fjalës publike dhe votës në një regjim totalitar; sa kohë që edhe vota është, teorikisht, një instancë e lirisë së shprehjes. Por, siç e kemi shpjeguar gjetiu, vota në totalitarizëm ka natyrë performative, për ç’arsye edhe refuzimi për të votuar ka qenë konsideruar si akt politikisht më i rëndë sesa vota kundër. Tek e fundit, një votë kundër nuk rrezikon ta rrëzojë sistemin, gjithë duke “provuar” se ekziston edhe një farë tolerance ndaj mendimit kundër; ndërsa refuzimi për të votuar është refuzim i vetë sistemit.

2 Komente

  1. I nderuari Vehbiu!
    Lexoj me vëmendje shkrimet tuaja dhe mësoj shumë. Vrojtimet e juaja janë të sakta dhe të argumentuara, por do të doja të dija më shumë rreth të folurit publik sot. Mendimi im është se edhe sot përballemi me ndalesa e tabu që e në njëfarë mënyre e censurojnë gjuhën dhe rrjedhimisht të menduarit.
    Ekuivalente me këtë lloj censure të komunizmit, sot është të folurit “politikisht korrekt”…
    Janë shpikur eufemizma, janë nxjerrë jashtë ligjit fjalë e shprehje që po i përdori kush, menjëherë etiketohet, më së paku si konservator!
    Nuk po flas veç për nahijet tona, po edhe më gjerë. Shyqyr doli lali Trumpi e e çliroi pak të folurit publik se qemë duke shkuar posht’…
    Respekt për punën tuaj!

  2. Besoj se varet nga kendveshtrimi permes te cilit e shohim.
    Per ilustrim:

    Stalini (te cilin e citon Lacan-i), në 1950-n arriti ne perfundimin se gjuha nuk eshte superstrukture (qe ngrihet mbi nje baze ekonomike) dhe ‘gjuha klasore’ (ose gramatika klasore) nuk ekziston (dhe kjo, pas nje debati prej gati 2 muajsh ne gazeten Pravda, maj-qershor 1950, ku cdo jave botoheshin artikuj nga gjuhetare te ndryshem mbi temen ne fjale).
    Dua te them: fjalimet e injorantit Enver Hoxha kane patur te bejne shume pak (per te mos thene asfare!) me ide progresiste si socializmi, laiciteti etj etj. Në Shqiperine e ashtuquajtur komuniste nuk ka patur pothuaj asnje debat idesh (perkunder nga ç’ka ndodhur ne Bashkimin Sovjetik te Stalinit apo ne Kinen e Maos, edhe pse mitologjia anti-komuniste perpiqet te na binde per te kunderten, me gjithe provat e pakundershtueshme historike te kohes, si per shembull lidhjet e meposhtme:

    https://halshs.archives-ouvertes.fr/halshs-01115676/document

    ose

    http://academics.wellesley.edu/Polisci/wj/China/Mao%20Readings/OnContradiction.pdf

    ose

    https://www.marxists.org/reference/archive/mao/selected-works/volume-5/mswv5_58.htm

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin