nga Oltion Kadaifçiu
Piramida e shpirtrave. Në vazhdë të rrëfimeve të mia për përshtypje prej prozës bashkëkohore shqipe, të vlerësuar prej ndonjëfarë kolektiviteti, më lind nevoja të tregoj qëndrueshmëri dhe të shprehem për veprën më të fundit të Virgjil Muçit, që edhe fitoi çmimin “Kadare” për vitin 2018.
Ndodhia është ajo e kthimit në mëmëdheun e prindërve, dikur nëpër 97-ën e ngatërruar, të zotit Mark Mara, njëfarë biznesmeni i suksesshëm amerikano-shqiptar.
Një lundrim tjetër nëpër shoqërinë tonë të tranzicionit.
Me prindër shqiptarë, amerikani vjen të zhvillojë biznes, por nuk dihet mirë çfarë. Se si i ngelet në dorë “Shpirtrat e vdekur” të Gogolit, dhe i lind një ide dhe njeh një predikues amerikan, që i tregon se numri i madh i besimtarëve mund të ketë leverdi për një kishë protestanto-amerikane. Dhe ai del e teston në dy bashki mundësinë për të blerë identitetet e emigrantëve dhe paguan për to diçka si 20-30 USD. Do t’i blinte sipas një liste që do ta përpilonin këta të bashkisë. Ja del t’i sigurojë listat. Nuk mora vesh ku ishte leverdia, ngaqë programi i predikuesve nga ku protestanto-amerikani do të merrte para nuk ka një emër, por ndoshta do të merren ndihma për këta emra nëpër kishat mëma nëpër Amerikë. Apo metaforikisht?
Por ne vështirë t’ia falim zotit Muçi atë cektësi në komplotin ekonomik. Mos me ta nda gishti atë faqe nuk e merr vesh kurrë se si ishte muhabeti. Emrat e emigrantëve kryebashkiakët ia shesin Markut që ky t’ia shesë pastorit.
Edhe skemat piramidale përmenden, siç përmendet edhe përfshirja e kryetarit të shtetit të asaj kohe, që, në mos gaboj, ishte shkëlqesia e tij Berisha. Si bashkëkohës përmendet edhe kryeministri Nano, i etiketuar si një qejfli lapërdhar. Megjithëse më duket se ata nuk kanë qenë ndonjëherë njëkohësisht në pushtet. Në fakt kjo nuk është e vetmja pasaktësi në kohën e ngjarjes; nëpër të ka një përdorim të përsëritur të Facebookut, Instagramit, “fake news-it” apo kanalit privat të kryetarit të shtetit për të promovuar institucionin përkatës. Ndeshje Shqipëri – Holandë që përmendet si në një natë të veprës, nga 1964 deri më 2006, nuk ka pasur (sipas Wikipedia-s.)
Romani është nga ata që i mendon si të rrëfyer në vetë të parë njëjës gjithë kohën, por që në fakt kanë disa personazhe. Njëngjyrësh, po janë.
Kemi Mark Marën që megjithëse ka parë botën e di plot, prapë trandet e neveritet nga vendi i të parëve. Dhe ne kemi prezantimin e madh e të vetëm me atmosferën, humorin e veprës që me mbërritjen e tij në aeroport dhe është një situatë shëmtie të theksuar.
Kemi kartolinat e tij për një të dashur diku. Zonjën D. Kartolina që kanë një foto Shqipërie, për përshkrimin e të cilave zoti Muçi nuk meriton ndonjë lëvdatë. Tekstet e kartolinave variojnë nga një në disa faqe. Nja shtatë të tilla, për ditët e qëndrimit. Rrëfimet për të dashurën janë rrëfime edhe për ne, për komplotin e shfaqjes. Plot reflektime e intelektualizma të këtij soji na plotësojnë atë që na mungon për ngjarjet.
Pastaj kemi Diogjenin, një reflektonjës social i mllefosur. Që na tregon për shqiptarët dhe figura të tyre e praktika të tyre, si marrëdhëniet me fetë, me njëri-tjetrin e kësi sendesh. Edhe ai varion në faqe, për të kulmuar në kthimin prej së vdekuri për t’i çuçuritur në vesh protagonistit tonë kumte cinike etnokritike emanciponjëse. Vëllai i tij zhvat prindërit me dhunë. Duke gjetur kështu njëfarë mënyre për të zhvatur vetë atë.
Që të dy me fjalë plot, edhe kartolina edhe Diogjeni. Fjalë me mençuri plot. Mençuri si ajo që ka faktikisht tregu.
Edhe zoti nëndrejtor i hotelit i këtillë është. Në fakt vepra gëlon nga Diogjenët. Lloj-lloj Diogjeni.
Hotelieri i Dajtit përpiqet të sigurojë leverdi politike për miqtë e tij prej ekspozimit në publik të Marës pranë tyre. Dhe ofron akses e rrëfen ndodhi persekutimi e të tjera.
Diogjen edhe Presidenti i Republikës.
Kryetari i parë i bashkisë do të martojë vajzën e mbetur pamartuar, ndaj i dhuron refugjatët e listës, kur ai i dyti që don thjesht të shesë ofron edhe 190 të vdekur, që nuk janë hequr ende nga lista.
Por këto tregohen nga një tregimtar që është pjesë e një tregimi tjetër.
Dhe fundin e veprës e marrim vesh prej njërit prej plaçkitësve të hotelit, që di pak prej anglishtes dhe ja përkthen grupit kartolinën e tetë dhe të fundit ndërsa diku më tej një burrë qan me lebeti e ne nuk marrim kush është e pse po qan. Markun e tërheq nga skena e 97-ës ambasada e SHBA-ve.
Në fakt fundi është një fjali e autorit ku ai tregon se rrëfimi i ndodhive të personazhit të tij është si dëshmia e njërit që duhet ta shqyenin dhelprat në ndonjë teatër, tamam si Lukiani i madh për Aleksandrin, profetin e rremë.
Ku i gjete protestantët për këtë aferë, o Virgjil? Po sikur të vijë ndonjë prokuror amerikan e të interesohet për pastorin Mark Ferreti dhe të pyesë te kush je frymëzuar për këtë personazh, se ky është krim ekonomik, çfarë do ti thuash ti zoti Muçi? Po sikur zoti i tyre të jetë i vërtetë dhe në ditë të gjykimit të japësh llogari?
Listat t’ia kishe shitur teqesë së Abaz Aliut në Tomor. Edhe ato do ta kishin nxjerrë ndonjë lek sa me ble ca emigrantë. Madje në romanin e dytë e kishe çu Markun me i mbledh paret në Amerikë te komunitetet bektashiane nëpër Nju Jork e Boston. Por jo, aleanca jote është antiprotestante. Megjithëse as fenë e pushtuesit të vjetër autori nuk e do. Një ateist? Një ateist që ankohet pse populli vetë tradhtoi besën e zotit të vet të mëhershëm për t’u hedhur në qytetërime tjetërllojshe, me sa duket komplet të paleverdishme?
Vepra ka njohur më herët kritikën, dhe ditën e dytë pas botimit Edison Ypi e dënonte si fabrikim banal, që di se mund të nxjerrë ndonjëfarë leku nga mundësia që ka siguruar për promovimin, prandaj dhe prodhohet. Lëvozhga për tu ngrënë. Kurse Diana Çuli thotë që Virgjili gjithmonë është dalluar, por, edhe këtë herë si gjithmonë. Ajo vlerëson zgjedhjen e vëzhgimit të çfarë ndodh dhe thënien bukur të rrjedhës ku ndodhi ky vëzhgim.
Unë nuk mendoj se dëshira e revoltës është aq e justifikuar, siç nuk është as simpatia e mjaftueshme.
Një personazh i zakonshëm ky, i dikujt me moshë e mend sa Çiçikovi që pi e ka nga pak fat andej këndej nëpër kalamendjet e veta të rrezikshme. Një Diogjen. Një Diogjen mes Diogjenësh. Letërsia shqipe gëlon prej tyre.
Një reflektim i gjatë plot ndodhi që i pluskojnë nëpër të. Sikur një grup bashkëmoshatarësh që lexojnë një dramë që dëgjohet për letër dhe roman. Megjithëse të ndryshëm ata janë bashkëmoshatarë me të njëjtat nuanca e hobe. Me siguri që edhe luajnë futboll një herë në javë.
Narratori, dy kryetar bashkie, një pasardhës i Balshajve, shoferi, banakieri, kamerieri, ministri, kartolina, Marku vetë, zëvendësdrejtori, presidenti, të gjithë mbajnë me duart përpjetë shtatoren e eseistit që tenton letraren qoftë edhe prej pozitash jashtëzakonisht të pafavorshme..
Kumtet janë serioze: gatishmëria e shqiptarëve për të nxjerrë leverdi në zgjedhjen e besimit fetar është e madhe! Njeriu si individ rivalizon institucionet kolektive me hapa galopante. Korrupsion, dredhi banale për leverdi politike, secili vepron me moralin që shkruan vetë, agresivitet, ndonjë e pirë aty-këtu, një listë ushqimesh në darkën e shtruar, ndonjë prag-akt seksual të dështuar për mos ereksion dhe ndodhi të tjera që sistematikisht përdoren në letërsinë e gjerë. Dakord, nuk jam kundër se kjo kategori e personazheve janë realisht ata që më së shumti mbajnë peshën e vendimmarrjes dhe orientimit në shoqëri dhe më së miri shprehen dhe kanë gjëra interesante që vlejnë për t’u treguar ndër ndodhi të veta, por kur ata bëhen një dëftues për kolektivitet deri në tretje të vetes, ne nuk na gëzon aq shumë. Lëre pastaj kur aq pak atmosferë e botës i depërton tunelet e personazheve.
Përshkrimet e autorit për rrethana nuk mungojnë. Aty ka përshkrime, të njerëzve, të motit, të shtëpive e tryezave, etj., por edhe ato janë shumë nga kutia e veglave. Të shkurtra, anemike. Mbushje.
Natyrisht eseistika ofron kushte për produkte të kultivuara fort dhe fjali të mira mund të qëmtohen andej këndej, por ne duhet të dallojmë net e ditë, fytyra e duar që lëvizin në një botë të hirtë qiellore prej mjegulle. Një mugëtirë plot Diogjenë me pishtarë që sorollaten vetëm pak metra më andej fshehur nëpër mjegull. Në Shqipërinë e 97-ës. Por, njëkohësisht, e përjetshme. Një histori biografike e udhëtimit. Dhe një histori pranë së vërtetës natyrisht, që edhe mu m’ka shku mendja. Pyetjet historike janë ato që marrin përgjigje nëpër ndodhi.
Kur ia futëm vetes? – pyet Diogjeni në një prej monologëve të veta dhe pastaj përgjigjet me pyetje, kur pranuam fenë e pushtuesit që të tjerët rreth nesh nuk e bënë apo kur u çliruam e pranuam një mbret sharlatan apo kur çliruam vendin nga nazifashistët dhe mbajtëm gomerët komunistë në kurriz për vite e vite? Apo kur verbtazi lundruam tranzicionin?
Lexuesi duhet të ndjekë edhe mësimet, edhe të shijojë estetikishten jo fort ndjellëse të momentit kubik të Mark Marës.
Pasaktësi që duhet të ishin shmangur ka. Fjali lëmshore që duan të shtojnë pikantizëm me riorganizime të kallëzuesit me ndajfolizëm akrobatik ka. Lidhja e fabulës me tërësinë është e pakët.
Të gjitha skenat janë në dy a tri skenografi, ndriçimi lëviz pak, errti, muzikë nuk ka, pako shije. Një kotëletë letrare prej truri fort intelektual. Konditat për ledhati gjuhësore të lloj-llojta janë të pakta siç janë edhe natyrat dhe tematikat e komunikimeve. Marrëdhënia me humorin a ndonjë tjetër shtrat gjendjesh emocionale e pakët. Barsoleta e lustraxhiut dhe dialekti tironçe i plaçkitësve nuk ka ndonjë leverdi në përdorim dhe vetëm nxjerr në pah njëtrajtësinë e përgjithshme të gjuhës së veprës. Jehona e fjalisë tek fjalia pas e pakët dhe tek tërësia gjithashtu e pakët. Ato padyshim bashkëpunojnë dhe një mozaik plotësohet, por ti mendon se ka një manual për të këtilla prodhime, që ka nevojë për një ribotim të përmirësuar.
Personazhet lëvizin nëpër një hartë të botës një me njëqindepesëdhjetëmijë, dhe ne e shohim skenën nga shkalla një me dhjetë. Po mirë. E pasuruam koleksionin e të huajve të brendshëm dhe me fat dhe pa fat të mirë e të këqij të shprehur e të zgjuar edhe me nja dy tre personazhe të tjerë si vetja përqark. Dhe 20, 30 historitë e tyre që nganjëherë udhëtojnë nëpër qytet, e nganjëherë na kanë ndeshur. Kjo dëshirë e autorit, që i vetëm dhe vetëm me dorën e djathtë të triumfojë dhe t’ia dalë të sjellë dritën në kokërdhokët e miletit të gjerë dhe fap të zgjidhë gjithçka, është gjithsesi legjitime.
(c) 2018, autori
Per kete çmim kam degjuar vetem se voni, per shkak te zhurmes qe u be rreth tij, por sikur te qendrojne qofte edhe gjysma e vrejtje te autorit te ketij shkrimi (po e ve ne kushtore se libri ende nuk me ka ardhur qe te krijoj nje mendim timin), atehere jemi para nje problemi te rende korrupsioni moral, qe duket se paska zbritur edhe ne fushen e letersise (dhe do te qe e çuditeshme qe te mos kishte ndodhur keshtu), se ne te vertete, vete letersia e ka kapercyer kete stad, nivel letrar. Kjo do te thote se organizatoret duhet te shpetojne çfare mund te shpetohet duke rikonsideruar modalitetet e shqyrtimit dhe te dhenise se çmimit ne fjale.
Une jam me besimin qe nuk kam bere verejtje aq te renda . Dhe ky nuk duket nje stad aq I tejkaluar I letersise shqipe. Shumica e fituesve te cmimeve letrare qe kur po I ndjek une kane pasur te tille protagoniste me po keto perjetime e reflektime. Ne fakt une duhet te bej nje lexim te veprave te tjera qe kane qene ne konkurim dhe ndoshta te kontekstualizojme pak qendrimet, por mendoj se diskutimet e shtuara per veprat padyshim qe do te rrisin pergjegjesine per jurite dhe organizatoret.
Z Kadaifciu, per te qartesuar fjalet e mia le te marrim vetem nje nga paragrafet e pare, e te mos shkojme me tej, ku behen vrejtjen me thelbesore.
Ne kete paragraf thua: Me prindër shqiptarë, amerikani vjen të zhvillojë biznes, por nuk dihet mirë çfarë…” Ne rregull fare. Me tej fillon ajo historia e Shpirtrave te vdekura dhe personazhi yne blen identitete me diçka si 20-30 dollare. Bukur shume. Por pastaj je perseri ti qe thua: “Nuk e mora vesh ku ishte leverdia…”Dhe nis e ben supozime: “ por ndoshta do të merren ndihma për këta emra nëpër kishat mëma nëpër Amerikë. Apo metaforikisht?”
Muçit i kam lexuar gjera te tjera qe jane te mira e madje mjaft te mira, por ne rastin e me siperm kur flas per letersi te tejkaluar kam parasysh se e kuptoj qe nje shkrimtar 25-30 vjeçar mund te marre nje nga strukturat me gjeniale te letersise boterore, per ta sublimuar ne nje kontekst tjeter, qofte ky edhe shqiptar, por jo nje shkrimtar 60 vjeçar qe mbjell paqartesi jo vetem te lexuesi i thjeshte por edhe te nje kritik letrar si ju, per nje model qe ne origjine eshte mjaft i qarte ne aksionin e tij.
Siç e kupton une vetem se i vura nje emer ketij fenomeni, duke shpresuar se ti e ke te qarte “gravitetin” e asaj qe ke thene, ne mos jam ne te drejten time qe te te hedh ne “gjyq” se me ke shtyre ne perfundime te gabuara duke supozuar qe romani eshte i qarte, por je ti qe nuk e ke kuptuar.
Po qe se eshte e kunderta dhe ajo qe ke thene qendron, atehere ti duhet te paraqitesh ne lartesine e pergjegjesise te asaj qe ke thene dhe mua nuk me mbetet veçse te shtoj se e qe me Foqion Postolin, romani shqiptar eshte shfaqur me nje kompozim dhe strukture mjaft me solide e te qarte.
Une mendimet e mia I kam shprehur ne shkrim, prandaj te jem ne “lartesine e pergjegjesise” me duket nje gje e veshtire tani mbrapa. Thjeshte po thoja qe nuk me duket ndonje “rrufe” ne kaltersite e letersise shqipe. Kete e kam shprehur pak a shume edhe ne shkrim.
Persa I perket paragrafeve qe citoni ju, ne rastin e pare nuk e ka te qarte as personazhi se cdo beje. Kurse ne paragrafin tjeter, I paqartesuar mbeta une. Gjithsesi ti gjyqeve mos na co!
Jo, ore, ç’e ke ate fjale? Je nga te paket zera te pavarur aty!
Nga leximi i romanit të mëparshëm të V. Muçit “Mëkati fillestar” kam mendimin se shkruan dicka mes esesë dhe prozës. Kam përshtypjen se nuk arrin të krijojê atmosferë, gjë shumë e nevojshme kjo. Nuk e kam lexuar ende librin në fjalë, por disa nga vërejtjet e analizës së mësipërme të z. Kadaifçiu shfaqen edhe më parë te ky autor. Nga ana tjetër asht për t’u lavdëruar shqipja e pastër dhe e pasur, çka e ka theksuar dhe znj. Çuli.
Proza letrare nuk është e thënë të ndjekë një model të caktuar – mjafton që atë që bën, ta bëjë mirë, me koherencë dhe elegancë, pa u tallur me lexuesin, pa i shitur dëngla dhe duke i trajtuar me kujdes personazhet (nëse ka të tillë). Sa për të sjellë një shembull nga letërsia shqip bashkëkohore, disa romane të Idlir Azizajt, si “Terxhuman”, kanë natyrë eseistike, ose i vijnë lexuesit si aventura idesh, por kjo nuk i bën gjë më pak romane, dhe as më pak artistike. Përkundrazi. Për fat të keq, librin e Virgjil Muçit nuk e kam lexuar ende, edhe pse gjetja e shpirtrave të vdekur, që përmend Kadaifçiu, po më duket disi e konsumuar. E megjithatë, autori mund të ketë vendosur ta citojë Gogolin, ose t’i bëjë një homazh intertekstual – sërish, gjithçka lejohet, me kusht që të bëhet mirë.
Këtë javë, nja një dyzinë turistësh humbën jetën në një rajon arbëresh të Italisë. Lajme të tilla s’para zënë shumë vend në mendjen time – bota është e madhe e si këto ka plot. Në raste të ngjashme kësi shëtitësish, më kujtohet deviza e një filozofi amerikan që gjalloi në kapërcyell të mijëvjeçarit, i cili (me goxha elokuencë) thoshte: “Hey Jack, you don’t want your head cut off? Stay in the fucking Oklahoma!”
Ajo që më zgjoi kureshtjen për rastin në fjalë ishin rrethanat e ngjarjes. Në një ditë gjysmë të vrenjtur, gjysmë të kthjellët, me pak shi të rrëmbyer vere (siç raportonin meteorologët italianë), mali shpërtheu i egërsuar në një vërshim uji, balte e gurësh grykës së ngushtë të Raganellës dhe i vuri përpara turistët që kishin dalë asaj ane në kërkim të aventurës. Vendasit thoshin se një vërshim i tillë në verë s’mbahej mend në njëqind vjet. Ç’e bëri malin të shpërthejë me aq zemërim? Ja, kësaj s’i jepja dot dum.
I lashë lajmet e zymta të internetit dhe u hodha tek PTF-ja, të lexoja të rejat taze nga kultura. Pastaj m’u kujtua lajmi më sipër dhe mendova mos vallë edhe ata turistët kishin qenë kritikë letrarë. Bah, e pamundur të kenë qenë që të gjithë! Shumë-shumë, ndonjë mes tyre.
Ndoshta shkrimtari ka dashur vete ta lere ngjarjen e librit te tij pa forme e strukture, pa ato saktesira qe vwren ketu Oltioni!? Dhe kete nga fakti se kjo shoqeri shqiptare eshte kthyer keshtu qe keshtu ne dicka fluide dhe pa permbajtje sot. Kot nje supozim ishte ky, sepse romanin (apo novelen) e V. Mucit nuk e kam lexuar.
Oltion,
A do e rekomandoje kete liber per ta blere dhe lexuar?