nga Bjorn Kamberi
Do ta filloj duke nënvizuar faktin se kjo nuk është një tentativë moralizuese, jo vetëm pse unë besoj në relativitetin moral, por edhe pse gjithë këndvështrimet e mëposhtme janë një objeksion rastësor pa brendi polemizuese, por vetëm të bazuar në detaje dhe syprina të cekëta por në linjë me bindjen time se e vërteta dhe e duhura është një pasqyrim dhe njëheras një gjithëpërfshirje detajesh dhe arsyetimesh, që ashtu si pjesëza, të mbledhura bashkë e arrijnë deformimin, ose latimin e së plotës.
…
Këto ditë, orëve të fjetura në pasditet e zakonshme të qershorit, i janë shtuar lumnisht, në dëshirë të amatorëve të futbollit dhe gëzim të shëtitësve të gjallërisë së qytetit, ethet e ëmbla të një muaji të plotë mbushur me sfida sportive, pjesë e kalendarit të Botërorit të Rusisë 2018, një ngjarje sportive e shumëpritur e cila në buzëqeshje timen përjetohet dhe përtërin në mënyrë gati surreale, entuziazmin dhe ndërveprimin komunitar nëpërmjet një frymë ngazëllimi në kryeqytet. Sfidat, sidomos ato të mbrëmjes, i gjejnë në përgjithësi kafenetë e mbushura dhe me tavolinat që e kapërcejnë pragun e zakonshëm të distancës për t’i bërë vend të gjithëve. Gjithmonë e më shumë, botërori dhe shijimi i tij po kthehet në një të drejtë urbane në Tiranë. Por deri këtu, të gjitha dihen dhe ndeshjet janë aq të ngjeshura në orare sa të lënë hapësirë për të komentuar vetëm ndërmjet, e gjithnjë në ngut. Ndaj edhe nuk do të merrja mundin e kënaqësisë për të shkruar nëse rrjedha normale e puhisë, që zakonisht i shoqëron ndeshjet e mbrëmjes në Tiranë, të mos reshte së denjuari për të na përkëdhelur siç i ka hije.
Ndeshja e mbrëmshme, ndërmjet Zvicrës dhe Serbisë, njëra ndër tre dje, e cila u mbyll me një fitore të merituar të Zvicrës, por edhe të luftuar nga të dyja skuadrat, përkoi me një natë të ndezur, turbulluar e trandur nga një stuhi e pazakontë vetëtimash. E meqë gjumi në net të ngrohta vere kur droja të detyron ta mbyllësh dritaren është i vështirë për t’u riprodhuar, reflektova në errësirë mbi atë trandjen më të parme, që e parapriu stuhinë, e që nuk vinte si rezultat i ngarkimit të qiellit me re dhe të reve me jone, por si rezultat i shkarkimit të së majtës së Xhakës dhe Shaqirit në portën e përfaqësueses serbe. Është aq e merituar festa për tifozët e Zvicrës, në Bernë, Moskë a Tiranë për këtë fitore, si siç është legjitim identifikimi me aftësitë sportive dhe vlerat profesionale të Xhakës e Shaqirit që përveçse na japin kënaqësi, na bëjnë nder si kujtesë e aftësisë së kombësisë tonë, për të arritur me dinjitet e përpjekje në nivelet më të larta sportive e jo vetëm. Ama druaj se ky jerm veror fatmirësisht lind gjithmonë e më shumë prej lojës, por fatkeqësisht nuk fundon me fërshëllimën e mbylljes së ndeshjes, si një argument i trishtë i aftësisë sonë hipotetike për të qenë konkurrues vetëm brenda saj, e për ta shfrytëzuar këtë kredo sportive e individuale të këtyre dy futbollistëve si një ledhatim e gurgullim egoje të përgjithshme. Ndaj edhe asesi që s’ishin golat, por qasja jo e duhur ndaj tyre, përçudnimi mbase edhe i pavetëdijshëm i vlerës dhe estetikës së tyre, kazusi që na nxjerr off-side me vijën e nevojshme të përparimit tonë karshi fushës së sfidave dhe komplekseve, ndryshëm nga si dëshira për të fituar dhe aftësia për të vrapuar i fali Xhakës e Shaqirit jo vetëm lejen për të vazhduar por edhe i dhuroi mundësinë për të shënuar.
Këto gola u hyjnizuan në rrjetet sociale, nëpërmjet koniunkturave metafizike të realitetit virtual, që i amplifikoi golat si rrufe në qiell të hapur, në të cilin golat u ndriçuan çuditshëm, u rindërtuan, u rishënuan, kolektivisht, ndryshe, më me pathos, u copëtuan, u kthyen në foto e fotot në imazhe, në parulla e në mesazhe, jo si një fitore sportive e Zvicrës ndaj Serbisë në garën për grupin E të botërorit të Rusisë, dhe e lojtarëve shqiptarë që përfaqësojnë Zvicrën me vetveten dhe me mbrojtësit, por si një fitore e demonstrimit të superioritetit të etnisë shqiptare karshi etnisë serbe, si një hakmarrje e tërthortë, si një praktikë që tregon se veçse një kokë, shqiponja jonë ka edhe një gol më shumë se ajo e Serbisë. Ky interpretim fatkeqësisht ende e cingëron egon e një pjesë të shoqërisë tonë e që precipiton sloganë e cliché të cilat jam i bindur që deri diku janë çrrënjosur nga perceptimi ynë social, por që ende e gjejnë udhën në krye të lajmeve dhe portaleve të cilat e ndjejnë lajmin me karakter populist dhe klikimin masiv siç ndjen një grabitqar prenë e tij. Shqiponja, simbol i riprodhuar nga Xhaka e Shaqiri si shënjuese e dedikimit të tyre festiv, u çorientua nëpërmjet një arsyetimi agresiv, në kohën kur shqiponja jonë ka qenë në brendi gjithmonë lajmëtare e paqes dhe vizionit tonë të denjë dhe jo grabitqare e qetësisë brenda vetvetes.
Është i një vlere të paçmuar kultivimi i simbolit tonë kombëtar brenda kornizave të vlerave autentike dhe respektit të vlerave të përgjithshme, duke qenë se ky simbol i yni është edhe tregues i dëshirës tonë të ngahershme që si shpendë mërgimtarë të fluturojmë në troje të tjera, ashtu siç Xhaka e Shaqiri edhe pse shënojnë për Zvicrën, festojnë për folenë e tyre.
Ama shqiponja që tenton të përdoret si justifikim për artikulimin e mllefeve është së pari jo në karakteristikë e në dobi të krenarisë dhe virtytit tonë kombëtar, por edhe një butafori e shqiponjës së vërtetë, kryelartë dhe tolerante, që e përfaqësuan futbollistët shqiptarë, pasi kjo do t’u jepte argumentin dashakeqëve që të shtjellonin idenë sesi ky është një shpend surrogato, mercenar, me krahët e huazuar prej alpeve zvicerane dhe me kokat e ndara sikur trojet tona, që fatkeqësisht ndonjëherë shohin dy horizonte njëherësh, dhe me sqepin e ngulur rastësisht në rrjetën serbe në fushën e lojës. Pikërisht për ta parandaluar këtë këndvështrim, jo dhe aq në gojën e keqdashësve sesa për rëndësinë e brendisë së të vërtetës sonë, ne duhet të përfaqësojmë një shembull tjetër, duke u ngritur mbi dasitë me hirësi siç ngrihet shqiponja në shtegun e fluturimit të saj.
Botërori, përkundrejt gjithë sa më sipër, është një teatër i nevojshëm i harmonisë së sinqertë aktruar me emocion dhe pa skenar, një mishelë emocionesh që nëpërmjet personales mbërrin tek kolektivja, nëpërmjet kombëtares te ndërharmonikja, ku qëllimi i një loje i nënvishet spektaklit të shpërfaqjes harmonike të kulturave dhe entuziazmit të një bote që e bashkon një fushë e blertë dhe e ndan një arbitër i drejtë. Kësisoj mizanskena të tilla vetëm sa e trivializojnë vlerën e tyre simbolike, duke e kthyer vetë spektaklin në një vanitet të trishtë dhe skenën, në këtë rast fushën, prej të qenit katalizator bashkimor, në arenë përçarëse, që i rikujton nëpërmjet gardheve dhe kangjellave që aplikohen për të ndarë tifozët e dhunshëm, më shumë arnimin konfliktual kufitar e ndasor, sesa bashkësinë e dëshirës dhe vullnetit për bashkëpunim. Në krahun tjetër kjo është një shkelje flagrante e të drejtës së spektatorit dhe sportdashësit që pa dëshirën e tij i mbivishet një fanellë, ai që vjen të shohë e shijojë detyrohet të luajë, por këtë herë një lojë të vjetër e pa rregulla gjakimi, gjithnjë e më pak material, por gjithnjë e më shumë shpirtëror. Nuk është aspak e virtytshme veshja e futbollistëve të suksesshëm me mbipetkun e paladinëve e rojtarëve arkaikë në mbrojtje jo të portës së fushës por të portës së vagullt të historisë, në të cilën janë shënuar që me kohë, gola të shëmtuar. Kështu ia zbehim pa të drejtë meritat profesionale, duke ja amorfizuar edhe zotësitë, edhe orientimet. Le më që pastaj është anti-atletike detyrimi i futbollistëve për të luajtur jo me fanella të lehta e të ajrosura por me armatura dhe hekurishte të shpuara prej historisë. Është e dëmshme për përqasjen tonë së fundmi me mund më sportive, që fushën e blertë, këtë radhë të marrë me qira, ta ngatërrojë me fushën e madhe historike e gjeopolitike, ku në të dytën zakonisht nuk kemi fituar e s’kemi shijuar kurse në të parën do duhet të shijojmë si fillim që të fitojmë. Ashtu siç mbrëmë Xhaka e Shaqiri e shijuan sportin dhe kjo e qasi Zvicrën tek fitorja.
Entuziazmi i përdorimit të lojës dhe suksesit si vegël demonstrative e populiste i takon kohës kur të mundurit në fushë humbnin më shumë sesa tri pikë. Patosi i ngazëllimit të gabueshëm nacionalist, është antipatriotik e i përngjet edhe pse disi pangjashëm atij vrulli të mbrëmshëm shkrepëtimor, që edhe pse spektakolar, ua prish gjumin e qetësisë dhe shplodhjes banorëve të kryeqytetit ashtu siç ia turbullon vështrimin e paqtë e të virtytshëm një populli që e ka patur ngaherë të vështirë, po aq sa edhe të çmuar, edhe për shkak të sfidave historike, kthjellimin. Lind domosdoshmërisht nevoja për ta kthjelluar qiellin e perspektivës kombëtare me rreze të vogla drite prej përpjekjes në dobi të komunitetit e atdheut, me përulësi dhe tolerancë, me davaritje mjegullimash individuale që kanë mbetur në koshiencën tonë prej kohës me shumë shi e shumë baltë. Është e domosdoshme që brezi i ri ta shijojë futbollin dhe ta masivizojë dëshirën për sport dhe gjallërinë e ballafaqimit tolerant si tullë të urëndërtimit të qëndrueshëm drejt të ardhmes dhe jo si bedena istikami e kalasë armiqësore të së shkuarës.
E kundërta është një shembull i shëmtuar, sepse nuk prezumon mungesën e mirëkuptimit dhe tolerancës per se, por humbjen e tyre, ca më keq akoma, humbjen e tyre në shpirt duke fituar në lojë.
A mund t’i lejojmë shqiponjat tona të fluturojnë në këtë natë të vetëtimave?
© 2018, autori.
[Shënim: tema ngjall kundërti dhe debat. Vetëm dje botuam në këtë hapësirë një shkrim që e interpretonte ndryshe çfarë ndodhi në fushë. Kontributi i djeshëm dhe ky i sotmi ndoshta e plotësojnë kornizën për ta vazhduar diskutimin më tej. A.V.]
“Është e domosdoshme që brezi i ri ta shijojë futbollin dhe ta masivizojë dëshirën për sport dhe gjallërinë e ballafaqimit tolerant si tullë të urëndërtimit të qëndrueshëm drejt të ardhmes dhe jo si bedena istikami e kalasë armiqësore të së shkuarës.”, shkruan.
Këtu ku ndodhem unë transmetohet futboll live të shtunën kur luhet Bundesliga. Si edhe të premten, kur bëhen dy ndeshje nga kjo, nga Bundesliga.
Të dielën është liga e dytë, të hënën zhvillohen ndoca ndeshje të saj, të Bundesligës së dytë pra, ndërkohë që të martën, të mërkurën dhe të enjten zhvillohen takimet e ligës së kampionëve, të kupës së Uefas, si dhe ato të kupës së Gjermanisë, ku ndeshen ekipe të Bundesligës 1me ato të Bundesligës 2. Më të shumtën e këtyre trofeve brendapërbrenda i fiton Bajerni i Mynihut, ndërsa trofetë europiane i dimë të tërë. Kampionatet europiane, kupën konfederale dhe botërorin nuk po i përmend, pasi zhvillohen rrallë, vetëm përgjatë një muaji çdo vit.
E tërë qyteza ku banoj unë, u bënë vite tashmë, është tjetërsuar nga këto zhvillime, të cilat ti i quan “të domosdoshme”. Nëpër pijetore gjenden vetëm njerëz që me njërin sy porositin ndonjë birrë, ndërsa me tjetrin ndjekin ndeshjen e radhës, për të vazhduar me të dy pastaj, pasi birra ka ardhur e për këtë mjafton vetëm një gjest me mbyllje sysh, për të vazhduar të shohin të përhumbur se si, bie fjala, Kotbusi gjuan një korner në përleshjen për vendin e shtatë në tabelë me Bilefeldin.
Meqë vetë u bë kohë që nuk pi më si më parë e meqë me klientët nuk flitet dot, parë që po shohin ndeshjen e duket sikur i shqetëson, e lashë para ca vitesh të shkuarit në pijetore dhe e kufizova rrezen e veprimit vetëm nëpër kafene, mirëpo edhe këtu nuk zgjati shumë e u instaluan ato cohat e pëlhurat goxha më të mëdha se ekranet normale dhe nisën të projektohen ndeshjet live.
Herën e fundit në Shqipëri qëlloi që shkova të takoj ca njerëz të mi, djem të rinj, që i gjeta në ca lokale ku shihej, përpos ekraneve me ndeshje live, ku shikoheshin pra vetëm rezultatet live të ndeshjeve në ca ekranë të tjerë, enkas për këtë, për të ndjekur live bastet e vëna pra.
Vjet mora vesh se një miku im, i sapomartuar dhe me dy fëmijë, mbi të dyzetat, kish qëlluar veten në kokë me një pistoletë që gjenden aq lehtë në anët tona. Më treguan se e kishte bërë këtë, pasi përkundër të tëra parashikimeve Interi kishte fituar në minutën e fundit me Juventusin.
Për të mos folur për atë që njerëzit ngjajnë si të trullosur, pak si të çuditshëm e që për një bisedë më të zgjeruar, për ndonjë libër, bie fjala, as që bëhet fjalë; për filma po, për to mund të flasësh me gratë e lagjes, për serinë e fundit të “Games of thrones”, sezoni i tetë, në janë ndoca të kulturuara, për “Navy C.I.S.” në kanë studiuar politikë a shkenca të sakta, si edhe për ndonjë telenovelë braziliane, në kuturisesh të pyesësh ndonjë gjyshe se si ia kalon.
Dhe ti që shkruan: “Është e domosdoshme që…” e gjitha kjo…
Futbolli eshte sport agonistik nuk eshte opera. Cdo tifoz dallon nga sportdashesi sepse tifozi I kap gjithe dritehijet e futbollit, agonizmin , perplasjen e perleshjen. Italianet s’jane ne boteror e “gufojne ” me pasion kunder rivaleve te tyre historike apo atyre aktuale. Kjo qe ben ky shkrim eshte t’i beje moral cdo tifozi futbolli ne bote , qe tifoja eshte keq sportdashja eshte mire. S’do mend qe shqiptaret bene tifo per Zvicren kunder Serbise dhe e perjetuan ndeshjen dhe pasndeshjen ne menyren e tifozit. Po per ne tifozet gjeja mbaron aty, u lihet fusha thashethemexhinjve qe te gjejne gjera per t’u kapur.
Armando Duka i ka kërkuar €100,000 Shaqirit të luaj me kombëtaren.
Ku i kemi patriotët e sportit? Ku është ministria e kulturës?
Të kishte shtet ligjor në Shqipëri, Duka jo vetëm duhet të dorëhiqej, por edhe të investigohej. Federata e Sportit dhe Qeveria u detyrohet qytetatëve shqiptar një përgjigje. Dhe kryeministri të mos na bëjë më patriotin në Facebook.
E kam parë edhe unë këtë – por më duket si hoax. Edhe vetëm nga analiza gjuhësore – një kosovar nga Zvicra nuk mund ta shkruajnë shqipen kështu.
Nuk besoj se ka arritur ndonjëherë të mësoj të shkruaj shqip, me dialekt ose jo, duke qënë se është rritur në Zvicër. Të gjitha postimet e Shaqirit janë në shqipe të drejtëshruar, cfarë tregon se dikush ia shkruan.
Megjithatë, nuk kalohet aq lehtë sepse akuza është shumë e rëndë. Aq më tepër që është në faqen FB personale të Shaqirit, dhe në shkrim implikohen tre lojtarë të kombëtares së Zvicrës si dëshmitarë potencialë.
Përpos, FIFA ka kaluar një skandal shumë të madh, ku shumë nga drejtuesit e federatave kanë tashme urdher arresti nga FBI, dhe i plotefuqishmi Sepp Blatter është dënuar për 8 vjet me mospjesmarrje në cdo aktivitet futbollistik. Kjo skemë korrupsioni ishte ndërkombëtare dhe është absurde të mendosh që Shqipëria nuk mund të jetë implikuar.
Sido që të jetë këta nuk mund të bëjnë patriotin kuq e zi në sport, kur kanë përsipër kështu lloj akuzash. Të paktën moralisht Duka dhe ata që heshtin janë në hall.
Ishin po keta kosovare,qe nuk e drejtshkruajne si duhet shqipen,qe mundesuan, pjesmarrjen futbollin e denje,tifozerine shembullore ne France.Ishin po ata bashke me Bekim Balen dhe u perleshen fytazi me ndeshjen me Serbine ne Begrad.Ishin po keta me perfaqsues kapitenin,dhe trajnerin qe nga hiçi krijoj nje skuader konkuruese,te nivelit nderkombetar,Gianni De Biasi,qe i moren ne gjykaten e Lozanes tre pike Serbise.Shperblimi i Dukes ishte perzenia e nje trajneri kalibri si Gianni De Biasin,qe u largua permes lotesh.Mos duhet ti tu kerkojme ndjese,disa lojtarve ruso-serb,falje qe mbanin bluza te kriminelit Ratko Mlladiç,apo nuk e vunë ré zedhenesit e FlFAS. Mos duhet te rrime si te tredhur qe te mos prishim alkimine e mardhenieve Rama-Vuçiç…?Ne tragjedine e Hejselit ne Belgjike,gjate ndeshjes Liverpul-Juventus,u vrane plot 36 ltaliane,keta ishin sportdashesh,ndersa tifozet serb kur djegin flamurin shqiptar,kur zbresin ne stadiumin e tyre,ne sy te policise se tyre,na sulmojne fizikisht,jane huligane,dhe meritojne ndeshkime te skajshme,jo te denohen nje lojtar zviceria,Shaqiri Xhaka me 70mije euro,pse festojne si gjithe lojtaret e mbare globit,kur shenojne gol,perndryshe duhet denuar edhe lojtari, i Arabise Saudite kur beri shqiponjen,mbasi shenoi golin e dyte ndaj Egjiptit.